Altin Gjeta/
Kombet dështojnë sepse nuk ia mbërrijnë të krijojnë institucione politike të hapura dhe përfaqësuese. Kjo nuk iu jep mundësi shumicës së qytetarëve të marrin pjesë në jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit, dhe të shpalosin talentin e tyre të lirë. Institucionet politike të hapura nuk kontrollohen nga një grusht njerëzish sepse ekzistojnë mekanizmat e kontrollit dhe llogaridhënies si zgjedhjet e lira dhe të ndershme, drejtësia e pavarur, shoqëria civile, media e pavarur etj. Për rrjedhojë, instituionet e hapura janë pothuajse kusht për prosperimin dhe zgjerimin e lirisë individuale dhe kombëtare. Burimet natyrore, kultura dhe gjeografia humbasin rolin determinues në zhvillimin e një shteti me institucione të hapura. P.sh Japonia, Izrael etj.Përkundër, kombet që ndërtojnë institucione politike të mbyllura, për rrjedhojë sisteme ekonomike ekskluzive dhe shfrytëzuese, prodhojnë mjerim. Mobutu në Kongo akaparoi pushtetin dhe sundoi për vite. Megjithëse kongolezët jetonin në skamje, presidenti zotëronte vila në Europe dhe jetonte si aristokrat. Ai nuk kishte asnjë arsye të hapte vendin, t’i bënte institucionet politike përfaqësuese sepse rrezikonte pushtetin dhe fitimet që rridhnin prej tij.Në 100 vjet shtet, Shqipëria ka ndërtuar institucione politike dhe ekonomike ekskluzive. Mbledhja grusht rreth partisë dhe udhëheqësit e ka bërë Shqipërinë një nga vendet më të prapambetura në Europë.