Drilon Hoxha për Diellin: Ju rrëfej si e shkrova dhe e realizova filmin aksion “Drejt Fundit”/
– Intervistë ekskluzive me regjisorin dhe aktorin e ri e të talentuar, Drilon Hoxha- Bisedoi:Raimonda MOISIU/
Pasioni, Dëshira dhe Dashuria për kinematografinë, djaloshin nga Berati antik dhe mijëravjeçar, e kanë shoqëruar që në fëmijëri. Drilon Hoxha është një aktor i ri dhe i talentuar shqiptar. Ai ka lindur në Berat më 16-ë Qershor 1991, dhe më pas familja e tij zhvendoset në Tiranë. . Mbas mbarimit të shkollës së mesme artistike “Jordan Misja”, në Tiranë, për pikturë vazhdon Institutin e Lartë të Arteve, dhe diplomohet për regjizurë dhe aktrim. Në moshën 17-ë vjeçare, pikërisht në vitin 2008-ë, konkuron për herë të parë në shfaqjen televizive, “Ti vlen”, ku u vlerësua nga juria për talentin e tij, si “Imitues”, plot sarkazëm dhe humor. Aktori i ri premtues në talent, vazhdoi këtë garë deri në gjysmëfinale. Disa vjet më pas, në moshën 19 vjeçare mori pjesë në spektaklin “Albania Got Talent”, përsëri si imitues,
imitim i fortë që e shoqëroi derisa arriti në finale. Po atë vit aktori i ri i talentuar Drilon Hoxha, u përzgjodh në një nga shfaqjet më të mira të humorit “Portokallisë”, duke imituar shkëlqyeshëm, “personazhin kryesor”, atë – të liderit demokrat Sali Berisha. Ai qëndroi aty, për një sëzon të plotë. Ndërkohë, pasioni dhe dëshira e tij ishte për role në filma dhe roli i tij i parë si aktor në film është në komedinë e filmit “Çimi”, dhe premiera e atij filmi u çfaq më 9 gusht 2013-ë. Dy vjet më vonë në 22 Tetor, 2015-ë, regjisori dhe aktori shqiptar, Drilon Hoxha vjen me filmin e parë në zhanrin AKSION, në Shqipëri, i titulluar “Drejt Fundit”, kësaj here si regjisor, skenarist dhe aktor, në rolin kryesor. Pra viti 2015-ë shënon hapjen e prodhimit të tij të filmit aksion “D.H. Production”. Në këtë bisedë tejet interesante e mbresëlënëse, Driloni rrëfen pasionin e tij për artin dhe filmin në tërësi, si i lindi idea për të shkruar skenarin e filmit “Drejt Fundit”, dhe përse. Gjithashtu ai shpalos në këtë bisedë edhe ambicjet dhe projektet në të ardhmen. Për të mësuar më shumë ndiqni bisedën.
Bisedoi: Raimonda MOISIU
-Përgëzime dhe urime për përzgjedhjen e filmit “Drejt fundit”, në zhanrin aksion dhe faktit si filmi ka pasur sukses dhe keni marrë vlerësime e komente pozitive. Besoj se duhet të jeni shumë i kënaqur për këtë arritje të suksesshme…
-Së pari iu falenderoj. Sigurisht që ndjehem mirë aq më tepër kur vë re se puna ime vlerësohet dhe lexoj komente pozitive si nga dashamirës të filmit po ashtu edhe nga kritika e kohës. Shpresoj që ky të mos jetë as suksesi i parë, as i fundit.
-Ç’mund të na thoni, se çfarë nënkupton për ju të jesh regjisori i filmit aksion “Drejt fundit”? Çfarë iu inspiroi të bënit këtë film? Pse ky titull?
-Të jesh regjizor dhe protagonist në të njëjtën kohë nuk është diçka e thjeshtë, por është pasion, përkushtim dhe mund e djersë. Gjithashtu mendoj se vullneti dhe dëshira janë çelësi kryesor për të realizuar atë që dëshiron, në rastin konkret, filmin, dhe arritjen e një suksesi të kënaqshëm e të mirëfilltë. Filmin e titulluam “Drejt fundit” pasi vetë personazhi po shkonte drejt një fundi, drejt një rruge pa krye e pa kthim. Personazhi Çimi duket sikur e kërkon në çdo moment fundin e gjithçkaje që e rrethon.
– Fabula e skenarit të filmit është bazuar në ngjarje reale apo është “thriller”? Pra, ju punuat në bazë të ndonjë dorëshkrimi apo…? Kush e shkroi skenarin?
Skenari është përzgjedhur e shkruar nga unë. Nuk mund të them se është bazuar në një ngjarje reale, por mund të them me plot gojë, se shumë histori si këto na rrethojnë çdo ditë në Shqipëri dhe përvojat jetësore që hasim çdo ditë në të përditshmen njerëzore, të cilat unë i përmblodha në një minutazh prej dy orësh.
– Në këtë film ju keni angazhuar, figura të mirënjohura të artit, këtu e kam fjalën për Silvana Braçen, një nga shoë-girl” shqiptare, më të admiruarat e të kërkuarat në shfaqjet televizive, aktorë të njohur e të rinj, njerës realë dhe të thjeshtë. Ju i zgjodhët ata para apo pasi shkruat skenarin?
-Sigurisht që pasi mbaruam skenarin në versionin final, jemi munduar të përshtatim çdo personazh, duke filluar qa nga aparenca, pamja e deri në karakteristika më të imta, për të përcjellë emocionin e duhur. Figurat e njohura të ekranit do t’i jepnin filmit një veçanti akoma më të madhe.
-Dhe më pas si regjisor i filmit –ju- si një artist që jeni, – i cili merr një dramë të dhimbëshme sociale të fuqishme në lidhje me jetën sociale-ekonomike-politike në të përditshmen njerëzore, mes krimit e ndëshkimit! Si ia keni dalë ta bëni këtë?
-Unë mendoj nëse ia arriin të futësh keto tre elementë në një dramë, atëhere ke arritur të përcjellësh jo vetëm emocionin e duhur por ngjarjen si reale së bashku me mesazhin, që si shoqëri duhet të jemi të sinqertë ta pranojmë, qoftë i lumtur qoftë i trishtë.
-Keni xhiruar në mënyrë kronologjike?
-Po është mmëse e vërtetë që xhirimet kanë zgjatur rreth dy vjet. Një film aksion kërkon shumë punë, pasion e spontanitet, përkushtim e inteligjencë..
– Ishte vështirë të xhiroje në vend të tilla larg me reliev të thyer, skutave të krimit, në Tiranë, apo edhe afër? Përveç kushteve atmosferike të motit, si diell, shi, borë, etj, cilat ishin vështirësitë e tjera?
-Përveç kushteve atmosferike nuk besoj se kemi hasur ndonjë vështirësi tjetër.
– Unë do të doja të përmendja, si keni punuar me muzikën e filmit. Çfarë është më e rëndësishmja e muzikës dhe tingujve natyrorë për ju? Cilat ju preferoni?
-Filmi shumicën e kohës ka një instrumemnal, i cili i përshtatet aksionit, por sigurisht që në momentet e dramës, ajo muzikë duket sikur kthehet në dhimbje të madhe shpirtërore. Muzika është çelësi kryesor i përcjelljes së një emocioni. Instrumentali muzikor i filmit është realizuar nga Ervin Gonxhi, ndërsa dublimin Edlir Begolli.
-Cilat janë sfidat më të mëdha që ju keni hasur në realizimin e këtij filmi? Ç’mund të na thoni në lidhje me stafin tuaj? Me cilët keni punuar më ngushtë në këtë film?
-Stafi ka pasur shumë bashkëpunim.Të gjithë realizonin detyrën përkatëse që u takonte. Jam munduar të punoj me çdo aktor, në mënyrë, që ta trajtonin personazhin, në mënyrën e duhur dhe me artikulimin e qartë të fjalëve.
– Si është pritur filmi deri më tani? Çfarë lloj mbështetje keni marrë deri më tani?
-Roli kryesor në premirën “ Drejt fundit”, ” është luajtur nga ju, si iu bën kjo të ndjeheni?
-Është pritur goxha mirë, brenda dy javëve kemi marrë dy milion klikime në Youtube. Çdo ditë marr urime pa fund. Ndjehem mjaft mire, që filmi është pëlqyer nga të gjithë.
-Çfarë mendoni për pikat më të forta që ju kini paraqitur në karrierën tuaj si regjisor? Po dobësitë?
-Për pikën e dobët nuk mund të kem një përgjigje se jam ende në kërkim të saj, por është edhe audienca e filmit që vlerëson dobësitë. Ndërsa pika e fortë e një filmi është si puna e “një trainer I mirë duket nga lojtarët e dobët, se me lojtarët e fortë dihet që ecën dhe korr fryte të këndshme e të realizueshme, pra besoj është e kuptueshme pika e fort.
– Cili është roli juaj më i preferuar në karrierën tuaj si aktor ? Po si skenarist dhe regjisor nga e merrni frymëzimin për të shkruar një skenar filmi?
-Roli im i preferuar deri më tani është Çimi, pasi është një personazh me ndërthurje të ndryshme karakteresh, rol epik e historik, të cilin e bën mjaft të veçantë. Për sa i përket skenarit më pëlqen të shkruaj gjëra interesante dhe që mbajnë në aknth një publik të tërë.
-Ç’mund të na tregosh rreth vetes dhe rreth lidhjeve tuaja, vini nga ndonjë familje artistësh?
-Unë kam lindur në Berat dhe jam rritur në Tiranë. Biles origjina ime reflektohet edhe në të folurën time me dialektin dhe aksentin beratas, të cilit për hir të së vërtetës unë i qëndroj besnik në rolin e Çimit në film, me seriozitetin dhe humorin e tij. Kjo për ta bërë filmin sa më real dhe të ndjeshëm. Nuk është se vij nga një familje artistë, megjithëse se artin etë trashëguar nga brezat më parë të qytetit antik e i lashtë, 2500 vjeçar i Beratit.
-Mund të na tregoni pak më shumë për karrierën –dhe cili është background-i tuaj akademik?
-Karriera ime ka filluar në Spektakëlin Televiziv “Ti vlen”, duke pasuar në një tjetër Spektakël “Albania Got Talent”, dhe si aktor i Portokallisë, për një periudhë kohe, jo shumë të gjatë. Pasioni dhe dëshira për kinematografinë më kanë shoqëruar gjithmonë, derisa më në fund arrita projektin tim 100 % “Produkt Drilon Hoxha”.
-Çfarë projektesh kini aktualisht?
-Kemi nisur një projekt të ri, një film tjetër shqiptar të titulluar “Jeto ndryshe” realizuar nga D.H:Production, me producent Dashnor Asllani. Jemi në bashkëpunim me kolegë nga Kosova dhe Maqedonia. Do xhirojmë në shumë vende jashtë Shqipërisë, aktualisht përfunduam xhirimet në Kosovë.
-Urime e Suksese!
-Ju faleminderit!
Bisedoi: Raimonda MOISIU