U bënë disa javë që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është vënë përballë opinionit publik shqiptar dhe i vetëm lufton me marrëzi për implementimin e prijektit serbo-rus të ndarjes së Kosovës dhe ndryshimit të kufijve midis të dy shteteve. Por ajo që e ka tronditur atë është përballja me kundërshtimin e prerë të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Përballja e parë e Berishës me idetë e ndryshimit të kufijve nga ana e zotit Thaçi dhe zotit Vuçiq me këmbim territoresh, apo korrigjim të kufirit ekzistues midis Kosovës dhe Serbisë ishte si ndeshje “gladiatorësh”! Që në fillim Dr. Berisha e etiketoi Thaçin si “argat të Beogradit”! Ndërsa presidenti i Kosovës nuk vonoi pak orë për t’iu kundërvënë liderit historik shqiptar me akuza dhe fabrikime të tilla për “bashkëpunimin e ish-Presidentit shqiptar e Sllobodan Milosheviçin”. Thaçi foli si triumfator, edhe pse në përgjigje të kritikës së ashpër të Berishës. Por asnjëri nuk përmendi emrin e njëri-tjetrit. Pavarësisht kësaj çdokush e pati të qartë se për kë është fjala! Ndërkaq zoti Berisha krahas kundërshtisë përsëriti se akuzat e zotit Thaçi ishin sajesa të qëllimshme të Beogradit dhe se këto sajesa po I përdor kundër tij presidenti i Kosovës! Por që në fillim u bë e qartë se me përfshirjen e Berishës në debatin për kufijtë Hashim Thaçi do të ishte i dështuar. Reagimi i vendosur dhe njëkohësisht i matur i Sali Berishës pati dy efekte: Në planin e brendshëm shërbeu për të homogjenizuar qëndrimet politike të Kosovës kundër idesë së çmendur të Hashim Thaçit për ndryshim kufijsh. Ndërsa në planin e jashtëm Perendimi, sidomos Gjermania dhe Britania e Madhe, por edhe shumë liderë amerikanë, kuptuan se ndryshimi i kufijve midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të shkaktonte vetëm efektin zingjir në Ballkan, por edhe një konflikt brendashqiptar. Konflikti në politikën shqiptare në Kosovë, Shqipëri e gjetkë është kështu ashtu i ashpër. Po të lejohej dhe aplikimi i tezës beogradase të Thaçit për ndryshimin e kufijve, ky konflikt rrezikonte dhe rrezikon destabilizimin e Kosovës. Destabilizimi i Kosovës është automatikisht destabilizm i Ballkanit. Prandaj dhe në Berlin e Londër kundështitë e Berishës u lexuan si pashmangshmëri e konfliktit. Ndonëse këto dy kryeqytete ishin skeptike për idetë e Thaçit dhe Vuçiq, dalja në skenë e Sali Berishës i bëri përfundimmisht ato kundërshtare të vendosura të idesë së dy presidentëve të të dy vendeve në konflikt. Ndërkaq në tryezat politike të Europës u shtrua edhe një llogari tjetër: Kush ishin dy iniciatorët dhe protagonistët e ndarjes së Kosovës? Ishin dhe mbeten dy presidentët e të dy vendeve. Po këto dy vende janë demokraci parlamentare?! Atëherë doli abstraksioni: Nëse i lejojmë presidentët e demokracive parlamentare të imponohen deri te çeshtja e territoreve, përligjet kështu antidemokracia, shteti autokratik, ndërkohë që këto vende tentojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian?! Ndaj në Europën e qytetëruar nuk u gjend asnjë arësye të rërzohej kundërshtia e Berishës dhe e kritikëve të tjerë brenda dhe jashtë Kosovës për idetë e ndryshimit të kufijve të Kosovës në favor të Serbisë. Duke ndjerë këtë ngërç, zoti Thaçi hodhi idenë se marrëveshja do të miratohet në Kuvendin e Kosovës dhe nëse nuk miratohet, atëherë ajo bëhet e pavlefshme… Hileja ishte dhe mbetet në prag të derës! “Na lejoni të diskutojmë, të vendosim, të nënshkruajmë një marrëveshje e pastaj ju zihuni dhe vrituni në betejën për ta miratuar ose jo atë”! Pikërisht këtë mënyrë të imponimit të idesë, me konflikt të brendshëm në Kosovë e jashtë saj, mënjanon edhe qëndrimi i prerë dhe i vendosur i Sali Berishës. Por Hashim Thaçi e kuptoi se përballja me Berishën e rrëzon përtokë atë. Në fakt duket se në këtë aventurë të jetë shtyrë për të shkuar në fundin e karrierës së vet politike. Atëherë u frikësua dhe filloi të thotë se “unë nuk e kam përmendur Berishën”! Qëllimi ishte jo shmangja e reagimeve të ish-kryeministrit të Shqipërisë, por “një ujdi” me të. Ndaj angazhoi “forcat speciale” të ndërjetësimit me kallauz Baton Haxhiun, me qëllim aranzhimin e një takimi të tij me Hashim Thaçin. Doktori nuk pranoi, pavarësisht ofertave të shumta e në disa drejtime. Batoni dhe Hashimi dëshmuan në këtë rast se nuk e njohin Doktor Berishën. Ata bënë çmos, kërkuan ndjesë për reagimet antiBerishë dhe u përulën me një AMAN të madh, vetëm që TV-të ta jepnin presidentin e Kosovës në krah të Sali Berishës! Takimet e Albin Kurtit, Behgjet Pacollit, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt me zotin Berisha do të fshiheshin nga kujtesa, nëse Hashim Thaçi do të arrinte të ulej në zyrën e Doktorit! Prandaj ky i fundit e refuzoi kategorikisht një takim të tillë. Ndërkaq pati dhe një arësye tjetër pse Berisha refuzoi takimin me Thaçin: Presidenti i Kosovës donte të shkonte në zyrën e Sali Berishës për ta legjitimuar idenë e tij absurde të ndarjes së Kosovës. Nuk po shkonte aty që t’i thoshte publikut shqiptar” “Më falni! Unë gabova! U bëra spiker i Aleksandër Vuçiq! Nuk para ndonjë qëllim të keq, por u mashtrova! Heq dorë nga udhëheqja e negociatave e kjo nënkupton se heq dorë dhe nga çdo përpjekje për korrigjim apo ndryshim të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë”! Jo, Hashim Thaçi donte të shkonte në katin X të Coin-it si misonar i Aleksandër Vuçiq e në këto kushte kompromisi ishte i pamundur. Po ashtu një shtrëngim duarsh midis tyre! Më së fundi duhet thënë se Sali Berisha ka meritën e padiskutueshme për atë që ai imponoi: E bëri të pamundur misionin antishqiptar të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq! Tirane, 19.09.2018