nga Pjetër Jaku/
Ne Foto: Nga e majta:Eliot Engel,motra e Senatorit John Kerry,Wesley Clark,Ekrem Bardha, Cameron Kerry,Donika Bardha,Richard Holbrook, Harry Bajraktari,aktori Sam Waterston/
/DHE VJEN NJË KOHË… /
E vërteta është e vetmja meritë që i jep dinjitet dhe vlerë historisë.”/
Lord Ekton/
Është shtatori i vitit 90- kur Donika Bardha me një grup shqiptarësh merr vizën për të vizituar Atdheun e ëndërruar. Pas konsultimeve me të atin, Ekrem Bardha, aktivist i njohur i çeshtjes shqiptare, ajo merr “ vizën”, edhe pse mund të rrezikohej, siç ndodhi në të vërtetë. Pas zbritjes në Rinas, Donika detyrohet nga autoritet komuniste të asaj kohe të kthehet nga kishte ardhur; nga Rinasi në Zyrih. Katër ditë në Zvicër dhe, më në fund, merr “ok” për t’u kthyer përsëri në Shqipëri.
Ç’pau në Shqipëri Donika në vitin e fundit te regjimit komunist ( sistemit politik një partiak?)
Më tregoi që bashkë me kënaqësinë që ajo ndjeu, mbasi shkeli në token e prindërve dhe u bashkua me kusherinjtë për herë të parë, gjithashtu u gershetua dhe trishtimi i madh për varfërinë që ajo pa. Ajo pa një treg shqiptar bosh, njerëz jo të shëndetshëm, dhe me fytyra të lodhura nga regjimi në fuqi.
Për vetëm pak ditë që qëndroi në Shqipëri, pasi katër ditë “i humbi”, Donika preku realitetin shqiptar dhe u kthye në Amerikë me besimin se do bënte diçka për ata njerëz, sidomos për spitalet, pasi më keq se spitalet nuk ishte asgjë tjetër.
Kishte dëgjuar dhe lexuar më parë disa shkrime të BBC, ku merrnin në analizë gjendjen në Evropen Lindore e, veçanërisht në Shqipëri. Fotot me fëmijë të sëmurë, ishin publikuar edhe në The New York Times nga gazetari i njohur Bill Hamilton.Poashtu, gazetari Stephen Kinzer, duke shkruar për konfliktin Kosovë-Jugosllavi, përshkruante edhe pamundësinë e Shqipërisë dhe gjendjen e saj për të ndihmuar shqiptarët e Kosovës. Për gjendjen e spitaleve do të shkruhej, në po këtë gazetë, edhe nga Brenda Fowler.
Donika donte të bënte diçka për situaten e rëndë që ajo pa, dhe falë njohjeve e veprimtarisë patriotike të Ekrem Bardhës, filloi të mendonte se, ç’mund të bënte për ata njerëz, që t’u lehtësonte sadopak vuajtjet?
Në atë kohë Donika punonte në zyren e babait te saj, Ekrem Bardha dhe ia shpjegoi me pak fjalë atë situatë që ajo pa në viziten e saj të parë në Shqipëri. Ekremi ndërhyri me anë të kontakteve të tij dhe, mbas pak kohe ai i thotë Donikes: “ Qeveria amerikane na ka vene ne dispozicion nga zyrat humanitare te Pentagonit transportimin e mallrave mjekesore falas.” Donika Bardha filloi menjëherë kontaktet me faks me Ministrinë e Shëndetsisë, me spitalet dhe mjekë të ndryshëm, duke kërkuar listat e nevojave me emërgjente.
/INTENSITETI I NJË PROJEKTI/
“Disa cilësi janë tepër të mira për t’ua prishur shijen me levdata.”/
Ralf Valdo Emerson/
Donika Bardha nuk kishte asnjë mundësi për të kontribuar në problemin shqiptar më parë se në vitin 1991, kohë kur filloi komunikimi me qeverinë shqiptare, për nismën e aksionit të madh në ndihmë të shëndetit të atij populli të vuajtur. Së pari duhej ndihmuar Spitali Kirurgjikal, pra Spitali Nr.2 siç njihej në Shqipëri. Në kokën e Donikes ishin saktësuar ide, të cilat duheshin vënë në funksion të aksionit në një kohë sa më të shpejtë. Tashmë Shqipëria ishte hapur e faktet ishin të mjaftueshme për të trokitur, aty ku duhej, por më parë duhej sistemuar projekti. Letërkëmbimet me spitalet intensifikohen. Donika, edhe sot e ruan posten e kësaj nisme, firmosur nga mjekët e njohur që e drejtonin; Kastriot Dauti, Panajot Boga dhe Mustafa Xhani. Komunikimet e para mbajnë datën 17 Janar 1992, ku disa klinika të këtij spitali dërgojnë kërkesat, jo vetëm për ilaçe, por edhe për mjete, nga më të thjeshtat: tavolina operacionesh, mikroskopë, matës tensioni, pjesë ashensoresh dhe disa materiale e aparatura elektrike. Gjithashtu, edhe Spitali Nr. 4, (ose Spitali Infektiv siç njihet në Shqipëri), dërgon një listë kërkesash, që në numër e kalojnë shifren e 50-të pjesëve, disa prej të cilave duheshin në mijëra copë, firmosur nga Kozma Tavanxhi. Për të gjithë përsonat me të cilët Donika punonte, nga Institucionet Amerikane të Ndihmës, i kërkoheshin dokumentat e shkollimit të tyre dhe gradat që mbanin, për të qënë sa më të besueshëm.
Me Klubin Shqiptaro-Amerikan të Partisë Republikane, kryetar i të cilit ishte Ekrem Bardha, i kërkohet bashkëpunim për të garantuar mbështetjen dhe ndihmën e tyre. Problemi me i madh dhe, pothuajse i pamundur, ishte transporti i këtyre ndihmave. Ndihma e Ekrem Bardhës për sigurimin e transportit ishte vendimtare. Me njohjet e tij i siguron së bijës një takim në Pentagon, ku një avion ushtarak i tonazhit të rëndë do të vihej në dispozion të transportit të këtyre ilaqeve nga Amerika në Itali. Mjetet e grumbulluara mund të dërgoheshin edhe direkt në Shqipëri, por aeroporti i Rinasit nuk ishte i mundshëm për zbritjen e avionve të tillë. Ndaj, nga Italia në Rinas u përdoren aeroplanë të tonazhit të lehtë, duke bërë tre fluturime. Korespodenca e Donikës me Bill Barta, Ralph Plumb, John Garvin, Dave Farguhar, David Janey, Paul Baumguart etj. ruhet e sistemuar edhe sot në arshiven personale të saj, nje dossier mbi 50 faqe nga kjo pune.
/DONIKA BARDHA DHE SHOQATA E NDIHMAVE”THE ALBANIAN AIDS SOCIETY”/
”Historia e gjërave që nuk kanë ndodhur, nuk është shkruar kurrë.”/
Henri Kisinger/
Në fund të fundit çdo aksion në të mirë të një çeshtje madhore mbetet në histori. Çdo veprim i yni që i shërben një kauze, mbetet e i shënuar diku, që dikush nesër t’i referohet. Faktet asnjëherë nuk mungojnë dhe nuk pushojnë së ekzistuari, edhe nëse dikush mundohet t’i injorojë. Jetojmë në kohën e kronikave të ruajtura dhe arshivave përsonale, të cilat sa më vonë të shkoi, marrin më tepër rëndësi. Sipas dokumentave, puna e Donikës fillon në vjeshtën e vitit 1991 dhe përfundon në Mars 1993. Thuhet, por jo e shkruar deri më sot, se Donika ishte koordinatore për sigurimin e nevojave, të mjeteve, medikamenteve dhe të transportit, kurse Donikës në të gjitha korespodencat i duhej të nënshkruante si Drejtore Programi. Këtë e kërkonin rregullat e punës në Amerikë.
Dërgimi i më shumë se dy milion dollarëve, ( vlerë medikamentesh dhe mjetesh spitalore ), është një shumë që kërkon menaxhim dhe angazhim të gjatë. Donika Bardha u desh të angazhohej për sigurimin e mjeteve dhe ilaçeve, duke levizur për një kohë të gjatë. Donika Bardhës iu desh të shkonte disa herë në Washington, konkretisht në Pentagon me ndërmjetësimin e të atit për të kontaktuar Greg Touma, përsonin që ndihmoi në sigurimin e transportit, i cili edhe i shoqëroi ndihmat në Shqipëri. Edhe me Ambasadorët Amerikan në Londër e Shqipëri iu desh Donika Bardhës të mbante korespodencë të rregullt, lidhur me aksionin e ndihmave, ( R.Saitz dhe W.Rajerson ), korespondencë e cila do t’i kalonte caqet e ndihmës për Shqipërinë, duke u futur në problemet e Kosovës, sidomos Ambasadori Amerikan në London G.H. Saitz. Bash për këtë, Donika ruan letërkëmbimet me Profesor Ali Aliun dhe Dr. Bashkim Xhafen, deri te Ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu, lidhur me pjesën që do të dërgoheshin në Kosovë, duke u shpjeguar hollësi të paketimeve dhe të etiketave të veçanta që mbanin. Firmën e Donika Bardhës mban edhe falenderimi që bëhët në emër të The Albanian Aid Society, kompanisë së njohur amerikane, “ Northwest Medical Teams International, INC.” Nga kjo Kompani merr pergjigjen me 3 shtator 1992, prej Zv/Presidentit Carl Britton Leëis; “It is a privilege to have you as part of our team”.
Donika thotë: “… një ndihmë të madhe kanë dhënë të gjithë ata që u angazhuan me këtë projekt. U krijua një bashkepunim me Albanian Aid Society me coordinator Gjevalin Gegaj dhe të gjitha qendrat fetare në Komunitetin Shqiptar të Detroit-it, me personat si Kasem Myftari, Tony Juncaj, Julian Cefa, Niazi Bardha, Shaban Shemsedini, etj. Por, një meritë të veçantë ka dhe mjeku shqiptar Ramazan Hajdini, që u kontaktua nga Gjevalin Gegaj, i cili nga Chicago siguroi disa medikamente mjeksore me rëndësi për spitalet shqiptare. Albanian Aid Society u muar me grumbullimin e të hollave për të paguar shpenzimet e ndryshme gjatë këtij aksioni.”
Gjithashtu, Donika ruan dhe është në gjendje të shpjegoi gjithë dokumentacionin përcjellës të mjeteve, deri në dorëzimin e tyre në destinacionin e duhur ( biletat e udhëtimit dhe shpenzimet e hoteleve që kanë pasur në Shqipëri), ku Tony Junçaj dhe Kasem Myftari punuan disa ditë për shkarkimin dhe sistemin e tyre.
/ ME NE FUND…/
Nga kureshtja për të ditur më shumë rreth këtij projekti e pyes Donikën se, pse ajo ka heshtur kaq kohë, pa vënë në pah punën e saj?
Si gjithnjë modeste, Donika përgjigjet: “Flasim per nje histori qe ka ndodhur 20 vite me pare, ne nje kohe, kur une pashe nga afer gjendjen emergjente qe po kalonte populli shqiptar. Atëhere i vetmi preokupim i imi, ishte që të vija veten time në dispozicion të kësaj ndihme dhe fatmirësisht, babai im, më siguroi ndërmjet ndihmes së Departamentit të Mbrojtjes, aviona ushtarakë për transportimin e mallrave, që unë dhe të tjerët kishim grumbulluar.
Komuniteti i Shqiptareve në Micigan ishte dhe është edhe sot, nje grup i veçantë, plot aktivistë, njerëz me zemër të madhe, dhe me dashuri për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Sadisfaksioni im dhe i grupit nga Detroiti, ishte që të arrinim të përfundonim me sukses dergimin e mallrave (përfshi medikamente etj) në destinacion. Për të gjithë stafin, njerëzit që ne punuam, unë edhe sot ruaj një respekt për ta dhe bashkëpunim tonë.
Mbasi përfundoi kjo ndihmë modeste, se çfarë u tha, apo se si u komentuan ngjarjet, kjo nuk ishte shumë e rëndësishme.”
15 Shkurt 2013
Riza Sadiku says
Pershendesh te gjithe protagonistet ne krye me Zonjen Donika Bardha, te cilet me nje prepjekeje te jashtzakonshme jane munduar me e ndihmue popullin shqiptare, ne rastin konkret spitalet. Artikuj te tille duhet te shkruhe me shpesh per me e kujtua te kaluaren e hidhur dhe kontributin e veprimtarve te dalluar te mergates shqiptare, te cilin kontribut, nje numer i madhe i politikaneve ne te dy shtetet shqiptare, sidomos ne Kosove, jane duke e harruar, ne kete kontekst mikut e nderuar Zoteri Pjeter Jakut i uroj sukses qe ne te ardhemen te publikoj sa ma shume artikuj te tille, kurse Zonja Bardhe, dhe te gjithe te tillet qe kane kontribuar te krenohen per veprat humane dhe kombetare qe kane bere per popullin shqiptare.
Pasi disa nga protagonistet e artikkulit i njohe personalisht, dhe kemi korrespndence kohe pas kohe, ne rastin konkret, kur permendet emri i Ramazan Hajdinit per kontributet qe ka dhene, dua te theksoj se ai nuk eshte mjek me profesion, por eshte regjisor, ka bere disa filma dokumentar, ne vecanti dallohet filmi dokumentar kushtuar Fan Nolit. Me kete interevenim, nuk dua ta nenecemoj artikullshkruesin, por te kunderten dua ti ndihmoj, Me respekt Riza Sadiku, Prishtine.