
Dritan Laci, gazetari me përvojë 14 vjeçare në mediat kryesore të Tiranës si Opinion Tv Klan, Top Channel, shtypin e shkruar dhe së fundmi nga platforma mediatike “Syri.net” analizon Shqipërinë politike dhe shpjegon fenomenin se pse po shpopullohet Shqipëria. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, gazetari Laci shprehet se shqiptarët po ikin pasi Shqipëria sot është një shtet autoritar ku legjitimon vetëm kulti i njëshit, vendi është zhytur në keqqeverisje dhe arrogancë, mazhoranca është e lidhur ngushtësisht me oligarkinë, kryeministri shkeli me këmbë institucionet dhe eleminoi demokracinë në vend. Zgjedhjet Parlamentare të 25 prillit 2021 sipas gazetarit Dritan Laci, janë motivi që shqiptarët të mos ikin dhe tua lënë vendin e tyre ta zhvasin batakçinjtë. Mes Bashës një lidër perëndimor shfaqet Rama autoritarist, totalitarist ku një mandat tjetër sipas gazetarit Laci do e kthente Shqipërinë në një Republikë të pestë Putiniane. Me gazetarin Dritan Laci bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.
PSE PO IKIN SHQIPTARËT NGA SHQIPËRIA?

Në 8 vite qeverisje të Rilindjes, situata është përkeqësuar mjaftueshëm sa për të krijuar bindjen te shqiptarët se ëndrra për një Shqipëri demokratike, për një Shqipëri pa diferenca të theksuara midis klasave shoqërore është shumë larg të qenit e prekshme. Mjafton të shikojmë vitet e fundit, sidomos mandatin e dytë të qeverisjes së Ramës, ku të rinjtë po e braktisin me shpejtësi Shqipërinë. Sot ne po flasim për një hemoragji të pandalshme që po tkurr demografikisht popullatën shqiptare, për shkak të keqqeverisjes dhe arrogancës së maxhorancës në pushtet, e lidhur ngushtësisht me oligarkinë. Një arrogancë që e po e kthen Shqipërinë dalëngadalë në një Republikë të Pestë Putiniane në Evropë, pas Rusisë, Azerbajxhanit, Biellorusisë, Serbisë dhe Turqisë që tashmë janë kthyer në shtete autoritare ku legjitimon vetëm kulti i njëshit dhe ku opozitat thuajse janë asfiksuar, duke u synuar eleminimi i tyre. Ky është edhe rreziku i madh që sot kërcënon Shqipërinë, me një Rilindje e cila qëllimin e saj ka eleminimin e plotë të demokracisë në vend. Kur pasi e ka lënë vendin pa institucione, po përpiqet me çdo mënyrë të asgjësojë edhe opozitën që është kolona e fundit e shpresës për ta mbajtur vendin në shinat e demokracisë. Zgjedhjet e 25 prillit janë pikërisht shansi dhe motivi që shqiptarët të mos ikin dhe ta lënë vendin e tyre ta zhvasin batakçinjtë. Dhe ndoshta me dhimbje e them që mund të jetë shansi i fundit përpara se të biem në një autoritarizëm të thellë. Ne para se të zgjedhim të ikim nuk duhet asesi ta lejojmë që të biem, që Shqipëria të jetë vendi ku do të jetë e vështirë në një të ardhme të kthehemi. Sigurisht që opozita në Shqipëri nuk është opozita e mrekullirave që do të donim. Sigurisht që njerëzit nuk kanë humbur besimin. Por kjo opozitë me Bashën në krye, po tregon dhe ka një platformë ekonomike për një Shqipëri normale. Kjo është edhe teza e tij dhe besoj që kjo i duhet edhe Shqipërisë në këto momente, që duhet të ndahet njëherë e mirë nga Shqipëria e fasadës, e propagandës dhe likeve. Shqiptarët e kanë kuptuar që liket në facebook_un e Kryeministrit nuk ua paguajnë dot faturat gjithmonë e në rritje në fund të muajit. Liket nuk ua paguajnë dot ilaçet. Liket nuk ua paguajnë dot karburatin më të shtrenjtë në Evropë. Liket nuk ua paguajnë dot arsimin më të shtrenjtë. Sot Shqipëria, dhe ky është realiteti, është një dramë që ka tendenca të kthehet në tragjedi, në mos ka marrë trajtat e tilla. Pandemia ka lënë me mijëra të papunë, të cilët përballen me talljen dhe nënqeshjen e një Kryeministri që nuk del dot jashtë sarajeve të tij. Të një Kryeministri që shkakton terror në popullatë, duke u prishur banesat qytetarëve dhe duke mos i dëmshpërblyer. Dhe jo vetëm kaq por duke u çuar edhe fatura miliona lekë për mbetjet e ndërtimeve që u ka prishur. Madje duke i sorollatuar edhe nëpër gjyqe për të hequr faturat e një pushteti që nuk njeh kufinj në babëzinë. Këto dhe shumë arsye të tjera, janë ato që i bëjnë të rinjtë të marrin valixhet dhe të mos shikojnë shpresë në vendin e tyre.
RILINDJA MES KEQQEVERISJES DHE PROJEKTEVE POLITIKE MAFIOZO-OLIGARKIKE
Rilindja tashmë është e gjithëditur dhe tashmë e dukshme për gjithëkënd që ishte një projekt mafioz-oligarkik për të sjellë Ramën dhe sektin e tij në pushtet. Askush sot nuk ka dyshim se Rama erdhi në pushtet me bekimin e bandave dhe parave të pista që e investuan për të marrë pushtetin. Askush sot nuk ka dyshim që krimi që u prodhua në 8 vite qeverisje të Ramës dhe Rilindjes është haraçi që Rama duhet t’u kthente bandave si shpërblim për ngjitjen e tij në pushtet. Mjafton të kujtoj këtu kanabizimin e vendit, avionët e vegjël që fluturonin nga fushat e kanabisit drejt Italisë, bandat që u vunë në shërbim të pushtetit si në asnjë maxhorancë tjetër, për të vjedhur votat. Kush mund të besojë se krimi mund të ketë një zhvillim kaq të hapur pa një vullnet politik, dhe pikërisht Rilindja dhe Rama janë kapur në përgjime duke bashkëpunuar me krimin për të rrezikuar demokracinë. Dhe a ka rrezik më të madh për një shoqëri demokratike se sa kur një maxhorancë e votuar në vitin 2013 e ndan pushtetin me bandat, u jep atyre fonde publike, i nxjerr nga burgu, të gjitha këto me një qëllim për të eleminuar votën e lirë. Dhe faktet sot janë kokëforta. Shqipërinë e qeverisin Rilindja dhe bandat. Shqipërinë nuk e qeverisin shqiptarët, ndaj është imediate që Rama dhe Rilindja jo vetëm të sterilizohen, por të hidhen në gropën septike të historisë, ndryshe të gjithë do të jemi të rrezikuar të shpopullohemi nga ky vend.
BASHA LIDËR PERËNDIMOR, PROGRAMI I OPOZITËS JEP SHPRESË
Partia Demokratike ka nisur një proces pa kthim drej modernizimit, drejt një partie me vlera evropiane aty ku i takon. Sigurisht që për të qenë një parti e tillë, fillimisht duhet të pranosh gabimet e së shkuarës dhe të mos i bësh ato në të ardhmen. Vetë figura e Lulzim Bashës i jep ndriçimin e duhur Partisë Demokratike për të qenë një parti evropiane, larg demagogjisë që paraqet pala kundërshtare. Vetë fakti që Partia Demokratike ka nisur një proces nga poshtë-lartë të zgjedhjes së kandidatëve për deputetëve, ndryshe nga partia në pushtet ku drejtuesi ka mbledhur rreth vetes banditë oligarkë të cilët më pas i vesh me kostumin e deputetit, tregon për hapjen e madhe që po ndodh në këtë parti, që do ta çojë drejt një standardi shumë më afër simotrave të saj. Basha po ravijëzon edhe në këtë periudhë të vështirë politike ku ndodhet Shqipëria, portretin e një lideri të ardhshëm, të aftë për të drejtuar me ritmin dhe pasionin e duhur vendin. Basha në raport me Ramën, dallon në atë që quhet gjuha që një politikan duhet të përdorë në zgjidhjen e problemeve. Nëse për Ramën gjuha zbret kërcënueshëm nga lart-poshtë dhe rreth vetes ka vetëm pak sejmenë dhe puthadoras, Basha ka një shtrirje horizontale të programit ekonomik, duke mos e mbështetur atë në disa duar. Kjo është shumë e rëndësishme për një ekonomi të cilën Rilindja e ka bërë share në një grup njerëzish të lidhura në interesa okulte me Ramën. Po ta shikoni në vitin 2017, Rama nuk u prezantua me program elektoral, por vetëm me tepsi, dajre, kazan dhe gjithëfare sendesh. Edhe pse i mori tepsinë, kazanët etj, tashmë dihet se si fitoi me anë të grabitjes së votave, dalë kjo edhe nga përgjimet e Bild, Rama vazhdoi të mos bëjë asnjë punë. Tashmë që e ndjen rrezikun e një humbje të sigurtë në zgjedhjet e vitit 2021, i gjendur përballë një opozite të gatshme për ta hedhur në tapet, Rama ka filluar të shfaqet në publik me një program gjysmak, dhe atë të kopjuar nga Basha që është gjithmonë e më pranë njerëzve. Dhe që këta të fundit e ndjejnë që Rama ka kohë që nuk ka çfarë ti japë më Shqipërisë, përveç mashtrimeve që tashmë nuk i mbulon dot as me shoshë në dritën e diellit.
DËSHTIMI I QEVERISË RAMA NË RRUGËTIMIN EUROPIAN TË SHQIPËRISË

Rama kur erdhi në pushtet erdhi me politikën ‘Zero probleme me fqinjët’. Sigurisht që është një idiotizëm që vetëm ai mund ta prodhonte. Por sot që po flasim, problemet me fqinjët, në mos janë shtuar, janë aty të pazgjidhura. Dhe këtu i referohem marrëdhënieve me fqinjin tonë verior, Greqinë, ku Rama tregoi edhe njëherë paaftësinë për të qenë dialogues. Fakti që Rama dështoi në një marrëvëshje me Greqinë, ndryshe nga Maqedonia, dhe kërkon ti drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare, tregoi edhe njëherë se politika e tij e jashtme ka dështuar. Dhe kur them ka dështuar, flas këtu për shumë lëshime që Shqipëria i ka bërë Greqisë në favor të një marrëvëshje për Integrimin Evropian, siç janë varret e ushtarëve grekë, të drejtat e minoritetit grek, lëshime të cilat shkojnë në disfavor të palës shqiptare në momentin që pala tjetër ka synime edhe me irredentiste, siç është futja 12 milje në detin Jon. Rama ka dështuar edhe në marrëdhëniet me Kosovën. Si rrallë politikan shqiptar, Rama ka hyrë në konflikt të kohëpaskohshëm me drejtuesit politikë të Kosovës, duke bërë lojën e Vuçiç. Kujtoj këtu padinë ndaj Haradinaj, problemet me Albin Kurtin, projektin e Minishengenit me Vuçiç, i pakonsultuar me drejtuesit politikë në Kosovë. Pra nga politika ‘zero probleme me fqinjë’, Rama u kthye në problemin kryesor me fqinjët, dhe kjo për shkak të megalomanisë së tij të liderit global. Shikoni sot Ramën si drejtues të OSBE-së. Një Ramë që më shumë i ngeci kjo detyrë dhe që nuk e përfill askush në politikën evropiane. Nuk i hapi telefonin as i ngjashmi i tij në Biellorusi, Lukashenko. Rama ka humbur njëkohësisht edhe besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe miqve të Shqipërisë. Si mundet që një vend i vogël si Shqipëria të ketë luksin të drejtojë OSBE-në, dhe kreun e këtij vendi të mos e presë askush në vendin më mik të Shqipërisë, Gjermaninë. Kjo mund të ndodh me Ramën, që tashmë është i zbuluar plotësisht në demagogjinë e tij. Shqipëria e Ramës ka ngecur në perspektivën europiane. Nëse në qeverisjen e PD-së. patëm disa proçese të rëndësishme si liberalizimi i vizave, hyrja në NATO dhe kishim vetëm 4 kushte për të hapur kapitullin e integrimit, keqqeverisja e Ramës na ka çuar në një kapitullim të plotë, ku sot kemi 12 kushte dhe mundësinë e kthimit pas në proçes.
SULMI I QEVERISË MBI INSTITUCIONET E VARURA DHE TË PAVARURA SI NJË DUKURI TOTALITARE.
Ajo që po përjeton sot Shqipëria me mungesën e institucioneve të pavarura është një nga historitë që do shkruhet dhe komentohet gjatë në librat e jurisprudencës, si i vetmi vend që për vite të tëra nuk pati Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë e me radhë. Sigurisht që i vetmi që ka përfituar nga kjo situatë, që i ka krijuar kushtet vetes për të qeverisur i pashqetësuar nga kjo situatë e paprecedentë, është Rama dhe klika e tij. Kjo që po ndodh, përngjet vetëm me sisteme totalitare ose me gjysmë autokraci, eksperimente që mund ti shkojnë për shtat vetëm kukullave laboratorike të krijuara nga Xhorxh Sorros, siç është edhe Rama.
NJËANSHMËRIA E NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE SI QASJE AUTORITARE QEVERITARE
Rama ka treguar se nuk njeh vetëpërmbajtje kur vjen puna për pushtet të pakufizuar. Edhe pse e fitoi me banda pushtetin, qoftë atë ekzekutiv dhe atë lokal, Rama tregon se nuk ka ndërmend të ndalet në rrugën e tij për autoritarizëm të plotë. Mjafton të kujtoj këtu luftën me Presidentin Meta, tashmë një betejë pa kthim midis një gardiani të sovranit dhe Mugabes së Evropës moderne, që kërkon të kapë çdo gjë. Shikoni sjelljen me median me ligjin anti-shpifje, ku edhe pse Venecia ia ktheu pas duke i dhënë të drejtë Presidentit Meta. sërish Rama nuk tërhiqet, pavarësisht edhe kërcënineve të Evropës, se kjo mund ta çojë Shqipërisë drejt sanksioneve të forta dhe një izolimi të ri.
QEVERISJE NGA PPP NË 3D, NË THEMEL KORRUPSIONI GALOPANT
Nëse do i referohesha një ish zv/ministre të Financave të hedhur në kosh nga Rama, duke cituar atë unë do thosha që PPP-të janë një bisturi për ekonominë që Rama ua ka lënë në duar disa diletantëve të veshur me kostumin e oligarkut. Por nëse do isha disi më largpamës, do thosha që PPP-të janë një formë e ushtrimit të pushtetit politik që e lidh Partinë Socialiste për 30 vite me pushtetin ekonomik. Dhe kjo në këndvështrimin tim është edhe më e rrezikshme jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe për demokracinë, pasi një pushtet i tillë ekonomik-politik i lidhur në kohë kaq të gjatë në kontrata mund të ushqejë humbjen e vendimeve sovrane nga një parti që tashmë nuk ka lidhje me emrin dhe klasën shoqërore që përfaqëson. Nëse dikush më gjen sot një ministër socialist që shkon me biçikletë në punë, atëherë unë do thosha menjëherë që PPP-të janë një e mirë publike që do i shërbejë ekonomisë shqiptare. Por në Shqipëri, PPP-të përveçse zhvasin ekonominë e dobët shqiptare, do jenë një gangrenë nga e cila e vështirë se do kurohemi. Mjafton të kujtoj që sot Kryeministri i Shqipërisë që edhe ajrin po e jep me PPP-të, fëmijën e tij e lindi në një spital privat, po e edukon në një shkollë private, dhe do isha naiv të besoja që kur të rritet ky fëmijë do zgjedhë të marrë shërbim në shërbimet PPP-të që ka firmosur babai i tij dikur Kryeministër.