Publicisti ma i madh Atdhetar Shqiptar Don Lazer Shantoja, kur ishte endè gjallë Bajram Curri, ka parandjenjen se me Plakun e Dragobisë do të ngrihet një Permendore!/
Nga Fritz RADOVANI/
Ne Foto: BAJRAM CURRI (1862 – 1925)/
Pak e aspak Burra si Bajram Currin kishte e ka edhe sot Shqipnia me trojet e veta! Atdhetari Bajram Curri ka lé në Gjakovë në 1862; dhe asht vra nga Ahmet Zogu, me 29 mars 1925 në Shpellen e Dragobisë. Nuk do të persëris mendimet e mija në lidhje me këte figurë të madhe të Popullit Shqiptar, që gjithnjë sa vjen e rritet bashkë me hijen që tradhëtarët e Shqipnisë mundohen me i vue portretit heroik e legjendarë të Bajram Currit, edhe se vepra e Tij plot dritë do të ndrisë perjetë fletët e Historisë e Lavdishme!
Publiçisti ma i madh Atdhetar Shqiptar Don Lazer Shantoja, kur ishte endè gjallë Bajram Curri, ka parandjenjen se me Plakun e Dragobisë do të ngrihet një Permendore!
Tek vorri i Avni Rustemit, Shantoja pyet:
“E sot? Çka shef sot Avni Rustemi? Sot Avni Rustemi shef mbi vorrin e tij Plakun e Kosovës, veteranin patriot, babën e Shqiptarizmës, luftarin vigan, shkatrronjësin e esadizmës, esponentin ma të naltë e të paster të rracës sonë të vjetër! Sheh Plakun qi tash tri vjet jetoi në shoqëni të bishvet t’ egra mbi male e ndër shpella i dëbuem, i dënuem, i ndjekun porsi i rrezikshëm porsi tradhëtor prej njerzvet, emnin e poshtër të cilvet ia lidhë emnit shejt t’ atdheut vetem intriga, tradhëtia, despotizma.
Sot mbi vorrin e tij, heroi djalosh sheh heroin Plak, sheh Bajram Currin!
Sot po vertetohet fjala e kolegut tim Halim Xhelos: Vlona u ba me të vertetë Jerusalem, Meka e Shqipnisë!
Me ardhjen e Bajram Currit në qytetin tuej të famshëm, zen fillë, o vllazën vlonjatë, proçesioni i patriotëve, shtegtimi i patriotizmës tu vorrezat e lumnueshme t’ atyne të cilët me urti dhe me gjak na siguruene nji Shqipni!..
…Nuk ishte prandej e mundun qi Bajram Curri, patritot i patriotëve, mos ti gjegjte thirrjes patriotike të popullit të Vlonës e të Labërisë… Sikur ju lajmoi telegrafisht Bajram Curri vjen në Vlonë per me mbushë nji dëshirë dhe me krye nji detyrë.
Po! Me mbushë nji dëshirë! Dëshiren e zemrës, e zemrës njaj Plaku, e zemres së njaj luftari, e zemres njaj patrioti.
Kur shtime në dhe Avni Rustemin Plaku i Kosovës dergoi gjashtë burra kosovarë të kjajshin mbi vorrin e Deputetit të Kosovës; e na i pame tue kja lot qi mbas nji moji u bane gjak!
Por Plaku vetë nuk mund të vinte: Vetem shqiponjat e maleve bartën mbi fletët e tyne lotët e Plakut, e lotët e Plakut elektrizuene djalërinë, lotët e Plakut alarmuen kombin, lotët e Plakut ndezne Shqipninë flakë! Perse ishin lotët e atij Plaku qi Ahmet Zogollin me shokë i karakterizoi tradhëtorë kur na, ndoshta, u derdhshim turpnisht kêmin e adhurisë!..
Sot ky Plak ka fatin me dalë prej shpellavet, ka fatin me kenë i pritun gjithkund ngadhnjyes prej Popullit Shqiptar, i cili me këto demonstracione i thotë: Pate arsye me ndejë në mal, o Babë, o Shqiptar i vjetër!
Sot ka fatin n’e mramë, mbas sa lodje, me prue dhe kunoren e luleve mbi vorrin e atij qi kje lulja e djalërisë Shqiptare!
Bajram Curri tu Avni Rustemi! Baba tu djali! Kosova e robnueme tu perfaqsojsi i vdekun!.. Sot Bajram Curri kjan prap, por janë lotët e gzimit, janë lotët e fitimit! Oh këqyrnje, o vllazen, lotët e Plakut! Oh sa e sa lot të tjera do të kenë derdhë syt e Plakut në mal rreth këtyne tri vjetëve! Sa lot!.. Jo pse i tretun, jo pse i ndjekun, jo pse me krye në rrezik, jo pse i mshefun ndër shpella kjante Bajram Curri, po kjante per turpin tonë, per turpin e Popullit Shqiptar të robnuem, kjante per Shqipninë e tradhëtueme, kjante tue pa patriotët e rrejtun, kjante tue pa se tetë bejlerë të flligtë që kishin ba skllav tetqindmijë Shqiptar të lirë; kjante tue pa se Shqipnia e Skënderbeut dhe e Ismail Qemalit duronte mbi fronin e tyne nipin e Esad Toptanit!..
..Këqyrnje, o vllazën, Bajram Currin tu vorri i Avni Rustemit! Ç’ kuader madhshtor! Sot qi mbi germadhat e feudalizmës së shgatrrueme kemi ngritë flamurin e demokracisë ngadhnjyese… Këqyrni atë vorr! Këqyrni ketë Plak!
N’ atë vorr pushon nji djalosh martir: Këtij Plak i thonë Bajram Curri!
E deri sa Shqipnia të ketë djelmosha me zemren e Avni Rustemit, e deri sa të ketë Burra patriotë si Bajram Curri, Shqipnia do të rrojë!
Rrnoftë Shqipnia!” (Vlonë, 30 Korrik 1924, Gazeta “Bashkimi”)
Don Lazer Shantoja shkruen: “…Lodja qi derdhim mbi êmnin e Bajram Currit âsht lodja e dhimbjës; lodja qi derdhim mbî êmnin e Luigj Gurakuqit âsht edhé lodja e deshprimit. Bajram Curri vdiq me të tana rrethanat e heroizmës: Lindi në mal, jetoj në mal, luftoj në mal e vdiq në mal. Vdiq me armë në dorë, ndërmjet të Shqipnisë së robnueme e të Shqipënisë së lirë. Vdiq si meritonte të vdiste Bajram Curri!
Të kishte vdekun në sallen e ndoj klinikës evropjane, jetës së Bajram Currit, i ishte hjekun kapitulli mâ i bukur.”
***
Shpeshë jam ndalue tek jeta e Bajram Currit, e ajo asht një Kalvar’ i vertetë!
Nuk mund të percaktohet kur ishte i rij mbasi që në vitin 1899, kur ban pjesë nder organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës, dhe deri sa u vra tradhëtisht nga njerzë të shitun tek sllavët armiqtë shekullor t’ atyne Viseve luftarake, Bajram Curri ishte dhe mbeti sinonim i emnit Shpella e Dragobisë, e “Dera” e saj, Kunora e lavdisë së Historisë!(Melbourne, Mars 2014./
SHPELL’ E DRAGOBISE
(Elegji për Bajram Currin)
Nga Fan Noli
Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi një brek të Dragobisë
Priret Flamur’ i lirisë.
Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,
Rrufe-shkab’ e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.
Vendi dridhej, ay mbeti
Se s’tronditej nga tërmeti.
Dif drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.
0 Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell’ e Dragobisë,
Yll i rrall’ i burrërisë.
Thon’ u-shtri e thon’ u-vra,
Po ti s’vdiqe, or Baba,
As te shkëmb’ i Dragobisë,
As te zëmr’ e Djalërisë.
As je vrar’ e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.
Me Zjarr Shenjt u-ndrit kjo shpellë.
Gjer në qjell u-ngrit Kështjellë
Për çlirimn’ e Shqipërisë
Katakomb’ e Dragobisë.
Tommy Agolli says
Me falni,por permbajtja nuk ka lidhje me titullin e shkrimit.
Vildan says
Nuk ka fjale apo shkrim qe mund te pershkruaje kete figure mbinjerezore,kete patriot te patrioteve,shqiptarin e mirefillte,
BAJRAM CURRI. Bashke me Hasan Prishtinen,jane patriotet
me te medhenj qe njeh historia e kombit shqiptar.Nuk jane keto
fjalet e mia,por kujtimet e pavdekshme qe keta pishtare te medhenj
nguliten ne Vloren e Pavaresise, qytetin qe i bashkoi shqiptaret pas
pese shekuj te roberise turke.Ne ato vite Vlora priti dhe percolli shume
patriiote,por BAJRAM CURRI ishte mbi te gjithe.(Kujtimet e familjes qe i priti dhe strehoi keta atdhetare te medhenj ne Vlore)
Shaip Jusufi says
Zogu frigohej shume nga Kosovaret dhe gjithmone I drohej Kosovarve. Kurr gjat te sundimit te tije katrembdhet vjeqar nuk arrit qe vetem nje her ta vizitoj kete pjese te ndare nga nga trungu amnor. Çdo njeri i afte dhe i zoti nga Kosova ishte e nje menyre si kundershtare I tij. Nuk kishte deshire asni her te bisedonte per Kosoven. Te bisedojm per Shqiperine thoshte ai duke ike nga tema e Kosoves. Çka na nevoiten neve Kosovaret kur ata jan numerikisht pesemdhet her ma shume se na dhe kur ekonomikisht ata jan pesdhet her ma te forte se na. Do te na skllavronje neve Kosovaret. Keto dhe refrene te njejta degjoheshin ne Shqiperi ne fillim te viteve njezeta te shekullit te kaluar dhe ketu lindin te gjitha shkaqet e eleminimit fizik te te gjithe Kosovarve, nga Zogu dhe te gjithe pasardheseve tjere,
te me ze te kohes si eshte fjale e Bajram Currit Hasan Prishtines etj. Zogu dhe zogistet pasardhes Kosovaret i kan pa Rapa si pretendant kryesore te ftonit dhe ne kete menyre ata i kan eliminue ne çdo menyre. Eleminimi i Kosovarve ka kene prioritet i Zogut dhe njeherit edhe qetesim shpirteror qoft edhe per nje kohe te shkurte. Let mbesin nen Serbi nuk na nevoiten neve Kosovaret degjoheshin zera shtetin ame ne keto vite te trubullta te fillimi te shekullit te kaluar . Zogu kurre nuk ka guxue as ta permend e as ti he dhe syte nga Kosova. Frigohej se mos po vine Kosovaret.