
Nga Prof.dr. Skender ASANI/
Pikërisht para plot një shekull, më 2 mars 1925, në Bari të Italisë u qëllua për vdekje Luigj Gurakuqi, një prej kontribuesve më të mëdhenj të lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë. Ai nuk ishte thjesht një patriot, por një arkitekt i Shqipërisë moderne, një figurë kyçe në lëvizjen kombëtare, një njeri që me mendjen dhe zemrën e tij i dha shtysë Pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit shqiptar.
E gjithë biografia e tij jetësore është ngusht e lidhur me atdheun dhe kombin, duke mos kursyer asgjë në favor të ngritjes dhe prosperimit të shqiptarëve, si gjithë kombet tjera të civilizuara.
Nëse ndjekim diagramin e jetës dhe veprës së tij, do të hetojmë se Gurakuqi ishte present gjithkund ku vendosej për fatet e kombit të tij. Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, ku me mençurinë e tij luajti një rol të rëndësishëm në unifikimin e alfabetit shqip, duke e bërë atë një nga shtyllat e identitetit kombëtar. Nuk u ndal me kaq – në Normale e Elbasanit, si drejtor i parë i saj, ai u përkushtua për edukimin e brezave të rinj shqiptarë, duke e parë arsimin si rrugën e vetme për emancipim kombëtar dhe orientim perendimor.
Vendi i Luigj Gurakuqit në historinë tonë kombëtare do të ketë një peshë të posaçme në momentin kur Shqipëria do të shpallte pavarësinë më 28 nëntor 1912. Ai ishte aty, jo vetëm si firmëtar, por edhe shkruesi i teksti të proklamatës së Pavarësisë.
Karriera e tij politike e shtetërore ishte ngusht e lidhur me fatet e Shqipërisë, në kohën kur ajo duhej të zhvillohej si shtet dhe të ruajë pacënueshmërinë territorial nga ambicjet grabitqare të fqinjëve. Si ministër dhe si politikan, Gurakuqi vijoi të punojë për një Shqipëri të lirë dhe të bashkuar dhe pikërisht kjo kauzë atij do t’i kushtonte me jetë.
Vrasja e Gurakuqit mori jehonë të gjerë në shtypin e kohës, kurse skenën e vrasjes në mënyrë autetnike e sjellë në kujtimet e veta patrioti Sejfi Vllamasi:
“Nuk qëndroi gjatë aty, nga ora 21.00 doli nga kafeneja, kur papritmas ndjeu krismat e një revolveri. Gjithçka ndodhi kaq shpejt e pakuptuar, sa ai as nuk pati kohë të thoshte asgjë. Ra përmbys si një lis i këputur në mes, i mbytur në një pellg gjaku. Një nga tre plumbat e kishte përshkuar në zemër e porsa e hipën në karrocë që ta çonin në spital ajo zemër e madhe pushoi së rrahuri.”
Mbi vrasjen e Luigj Gurakuqit janë hedhur hipoteza e spekulime nga më të ndryshmet. Por hulumtimet e fundit që i kemi bërë në Arkivin Shtetëror të Kroacisë hedhin dritë mbi një të vërtetë tronditëse: Balton Stambolla, vrasësi i Gurakuqit, nuk ishte një vrasës i zakonshëm. Ai ishte një vrasës serik me misione të qarta politike, të urdhëruara nga qarqe armiqësore ndaj Shqipërisë.
Pas atentatit në Bari, Stambolla kishte marrë udhëzime për të vrarë edhe një firmëtar tjetër të Pavarësisë në Kroaci, si dhe një prift atdhetar shqiptar. Por shërbimet kroate e zbuluan planin e tij, e arrestuan dhe i sekuestruan armën dhe valutën që i ishte dhënë për të kryer këto atentate. Kjo e vërtetë e re shton një tjetër pjesë në mozaikun e historisë së errët të vrasjeve politike të kohës. Porositësit e kësaj vrasje ishin kundërshtarët politik të Gurakuqit, të cilët pretendonin se në këtë mënyrë do të pësonte goditje lëvizja kombëtare shqiptare, që si synim përfundimtar kishte bashkimi kombëtare. Prandaj, jo rastësisht pas vrasjes së Luigj Gurakuqit, eliminohet edhe Bajram Curri, kurse plani për të eliminuar drejtuesit e lëvizjes kombëtare nuk ndalej këtu – qëllimi final ishte goditja e Hasan Prishtinës, i cili do të vritej në vitin 1933, me ç’ka po përmbushej një dëshirë e Beogradit dhe qarqeve të caktuara në Tiranë, për të shuar rezistencën shqiptare në trevat verilindore. Me fjalë të tjera, vrasjet fatkeqësisht realizoheshin nga vet shqiptarët, por dollia ngrihej në Beograd, sepse vetëm qarqet sheveniste serbe e dini peshën dhe rëndësinë që kishin në lëvizjen kombëtare figurat si Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Hasan Prishtina etj.
Instituti ynë, si gjithmonë, edhe kësaj radhe, në bashkëpunim me Postat e Maqedonisë së Veriut, po e nderon fugurën madhore të Luigj Gurakuqit përmes një pulle postale, e cila do të qarkullojë bashkë me portretin e tij, duke bartur kështu edhe simbolikisht mesazhin përbashkues për një atdhetar që lind në çdo 100 vjet.
Kërkesa e Institutit tonë, që u pranua me kënaqësi, shënon një moment të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë tonë, përfshi edhe jetën dhe veprën e Gurakuqit. . Si anëtar i Bordit të Filatelisë, së bashku me kolegët e mi, kemi dhënë kontributin tonë për të bërë të mundur këtë nderim të merituar falë edhe angazhimit të drejtorit të Postave, për përshpjetimin e këtij procesi.
Eliminimi i Luigj Gurakuqit nuk ishte thjeshtë një luftë për pushtet, por ishte më tepër një virus vdekjeprurës që asgjësonte çdo përpjekje për konsolidim dhe bashkim kombëtar. Mbase kjo ngjarje mund të na shërbejë si reflektim edhe në ditët e sotme për të mësuar nga pësimet e historisë dhe mbi të gjitha për të shëndërruar përçarjet dhe mosmarrëveshjet në bashkëpunim dhe mirëkuptim të brendshëm kombëtar.
Fjala e Hasan Prishtinës në ceremoninë e varrimit të Luigj Gurakuqit, ndoshta mund të jetë mesazhi më kuptimplotë i këtij reflektimi:
“Lamtumirë o mik i madh, o ndera e kombit tonë. Fli i qetë Gurakuq se shpagën tënde do ta marrim dhe lulëzimin dhe përparimin e Shqipërisë do ta realizojmë. Humbja e Gurakuqit është një humbje shumë e madhe, një humbje e paharrueshme jo vetëm për Shqipërinë e pavarshme, por edhe për ata shqiptarë që patën fatin e zi të mbesin jashtë kufinit të Shqipnisë së sotme dhe që sado tue vuejtë nën grushtin e të huajve, interesohen për fatin e saj sa edhe ata që janë nën hijen e flamurit kombëtar”.
Jeta dhe vepra e Luigj Gurakuqit nuk mund të fshihen nga kujtesa kombëtare, ndërkohë që dokumentet e gjetura viteve të fundit, që hedhin dritë mbi rrethanat dhe motivet e vrasjes së tij, do të shpalosen shumë shpejt në Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë.