
Sokol Paja/
Qëllon shpesh në bisedat e përditshme me miq e të njohur se si dëshirë e fundit e shumë bashkatdhetarëve është: të vdes në Shqipëri, trupin ma dërgoni në Shqipëri apo e kish lënë amanet që ta varrosnin në Shqipëri etj. Të ikur prej vitesh, mërgimtarët dëshirojnë të pushojnë aty ku sot po ikin të gjithë. Atdheu sot ngjan me një arratisje, me një vetmi, me një harrim, me një mërzi. Duket sikur po shkohet drejt një vetmie masive: Paqja e vetmisë së përjetshme. Fraza tragjike përmbledh dramën e kombit tonë: shpopullimin, ikjet, largimet, harresën, moskthimet. Kohë e dhimbshme. Kohë e tmerrshme. Kohë ikjesh. Kohë vetmie. Kohë dramash. Kohë tragjedie. Të gjithë ia kthyem shpinën Atdheut. Ca e harruan, ca mërguan, ca ikën, ca shkuan dhe sot ca zuzar me Atdheun bëjnë pazar. Toka ku “balta është më e ëmbël se mjalta” na ndjek si mall, si dëshirë, si vëgim, si amanet, si paqe, si dhimbje, si dramë, si përjetësi, si jetë, si vdekje. Atdheu sot shihet veç vend i dëshirës për të vdekur. Ne ikëm të gjithë, Atdheun e vramë, vendin tonë të bekuar, vetëm e lamë. Ikjet dihen gjithmonë, kthimet asnjëherë. Pa ne, Atdheu ka veç dimër e kurrë pranverë. Atdheu sot nuk na do të vdekur por të gjallë. Dhe pse të shkojmë rrallë, mjafton të shkojmë, të shuajmë një dhimbje, një lot, një mall. Të puthim një gur, një copë tokë, të ndërtojmë një urë, të thajmë një lot. Atdheu do ta vizitosh, të investosh, të marrësh pjesë, ti qash një hall, ti shërosh një plagë, të kontribuosh e kurrë mos ta harrosh. Atdheu është dashuri pa kushte, është sakrificë sublime, është palcë e kockave tona në mërgim. Shqipëria është e bekuar dhe bijtë e saj janë si bij drite. Atdhe, kurrë ske për t’u shuar, falë dhe bijëve që ti rrite.