New York, datë 5 Korrik 2021, Drejtori i gazetës “Devolli” inxhinjer Qemal Zyfi së bashku me vajzën e tij farmaciste Dea Zyfi e cila jeton dhe studion në Masachussets, vizituan selinë qendrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Qemali dhe Dea pasi u anëtarësuan, u shprehën shumë të lumtur për vizitën në Vatrën e Nolit dhe Konicës dhe shprehën falenderime e mirënjohje për punën e jashtëzakonshme që Vatra ka bërë në çastet më të vështira të Shqipërisë. Ata u pritën nga Editori i Diellit z.Dalip Greca, ish nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati dhe gazetari Sokol Paja. Biseda vëllazërore u zhvillua rreth rolit të Vatrës në kohët e sotme dhe afrimi në Vatër i intelektualëve dhe profesionistëve që jetojnë e punojnë në USA. Dea Zyfi do të jetë aktive në Boston së bashku me grupin e studentëve dhe të rinjve shqiptarë atje për të organizuar themele të forta dhe të qëndrueshme në “shtëpinë” ku lindi Vatra. Dea Zyfi po ndjek studimet Master në Boston në Mcphs. Qemal Zyfi drejton kompaninë elektrike të tensionit në lartë “ElbNdertuesi” që operon në Shqipëri, Kosovë, Bullgari dhe Rumani. Inxhinier Qemal Zyfi ka sjellë nga Shqipëria për gazeten Dielli disa kopje të gazetës Devolli, një listë me emrat e 2270 vatranëve devollinj në vitet 1920 dhe solli 3 libra kushtuar Koste Cekrezit, nje devolli me kontribute të mëdha për çështjen kombëtare. Në takimin vëllazëror u diskutua bashkëpunimi mes gazetës Dielli dhe gazetës Devolli dhe ngritja e një muzeu të Vatrës në shtëpinë e Kostë Çekrezit në Tiranë. Takimi u mbyll shumë miqësisht me premtimin për tu angazhuar maksimalisht me qëllim për të çuar përpara axhendën e Vatrës në sfidat me të cilat përballet shteti ëmë dhe kombi ynë.(SP)