Sokol Paja/
New York, 3 Nëntor 2024 – Qendra Islame Shqiptaro-Amerikane në Queens, promovoi dhjetë libra nga studiuesi i mirënjohur krajan Hamid Alaj. Me pjesëmarrjen e gjerë të komunitetit krajan në New York, aktivistëve të komunitetit shqiptar në New York e me gjërë, veprimtarëve e atdhetarëve, studiuesve e kërkuesve shkencorë, mediave e personaliteteve të shquara shqiptare në mërgatën e Amerikës, nën prezantimin e regjizorit Selman Haxhimurati, promovimi i veprave të studiuesit Hamid Alaj u kthye në një festë libri për të gjithë pjesëmarrësit. Në hapje të promovimit skenaristi Selman Haxhimurati rrëfeu disa emocione nga fëmijëria dhe shoqëria e pandërprerë 55 vjeçare me Hamid Alajn dhe dha mesazhe patriotike unifikuese e përbashkuese komunitare.
Më pas promovimi vijoi duke u shfaqur videomesazhe nga Kraja duke vlerësuar veprimtarinë shkencore e publicistike të Hamid Alajt. Isuf Lagja, Ali Gjeçbritaj, Musa Alaj dhe nipi Gazmendi emocionuan të pranishmit me mesazhet e tyre prekëse. Imami i shquar Edin Gjoni, figurë e lartë atdhetare e fetare përshëndeti në emër të Qendrës Islame dhe çmoi lart e vlerësoi aktivitetet e Hamid Alajt si fetar, patriot e veprimtar i komunitetit shqiptar në New York. Kryetari i Këshillit të Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane z.Ahmet Velaj tregoi me detaje biografinë e stdiuesit Hamid Alaj duke renditur veprimtaritë studimore, patriotike, kontributin në shoqatat shqiptaro amerikane, shkrimet e studimet në media dhe arritjet më të shënuara të jetës së tij.
Artisti Shaban Lajçi recitoi disa prej pjesëve të përzgjedhura nga krijimtaria poetike e Hamid Alajt duke ngjallur shumë emocione për të gjithë të pranishmit. Hysen Kraja mbajti një fjalim në emër të Shoqatës Kraja dhe komunitetit krajan. Ai theksoi se përkushtimi i Hamid Alajt për të dokumentuar kulturën dhe historinë tonë është një angazhim i thellë që shkon përtej tregimit të thjeshtë. Këto botime të Hamid Alajt shërbejnë si një lidhje jetike me rrënjët tona, duke lejuar brezat e ardhshëm të lidhen me prejardhjen e tyre dhe të mësojnë për të kaluarën e Krajës. Nëpërmjet punës së tij, Hamid Alaj nuk është thjeshtë një tregimtar; ai është një gardian i historisë sonë, i letërsisë sonë i kulturës sonë dhe këto vepra do ta mbajnë të gjallë trashëgiminë tonë kombëtare në përjetësi.
Editori i Diellit përshëndeti në emër të Federatës Vatra dhe gazetës Dielli ku vlerësoi veprën e studiuesit Hamid Alaj dhe shprehu mirënjohjen për komunitetin krajan për mbështetjen që i japin Vatrës në aktivitetet patriotike e komunitare. Historiani Dr.Paulin Marku lexoi një analizë të dy veprave të Hamid Alajt: “Veshja e nusënisë krajane” dhe “Institucionet islame dhe imamët e Krajës”. Ai deklaroi se “Veshja e nusënisë krajane” është një studim i mirëfilltë dhe i shërben kulturës, traditës dhe historiografisë krajane dhe me gjerë.
Libri i shërben antropologjisë, etnografisë dhe instituteve të ndryshme që merren me studime të kësaj krahine të rëndësishme, siç është Kraja. Ne libër autori i paraqet lexuesit shumë fakte, ngjarje, ilustrime nëpërmjet fotove dhe stilit të veshjeve të veçanta dhe po aq të bukura, siç janë veshjet tradicionale krajane. Punimi është i pasur me hulumtime dhe reflektime, i radhitur sipas tematikave të studimit që nga origjina e veshjeve, materiali i përdorur dhe objektet e qëndisjes, ku për këto veshje tradicionale, i japin vlera të rëndësishme folklorike historike. Punimi na jep informacione dhe detaje të shumta për veshjen krajane, strukturën e veshjes, dizajnin, dekorin e tyre dhe për stolitë e përdorura, duke i dhënë vlerën dhe imazhin e një përfaqësimi dinjitoz të femrës krajane.
Libri “Institucionet Islame dhe imamët e Krajës” sipas studiuesit Dr. Marku është një libër i rëndësishëm për ti bërë të njohur opinionin publik si u ndërtuan Institucionet Islame në Krajë, për shtrirjen dhe ndikimin e besimit në popull në këtë krahinë duke parashtruar një historik interesant, si erdhi besimi mysliman dhe mënyra si praktikantët e këtij besimi iu bashkuan imamëve të Krajës. Libri ka një biografi për çdo imam qe ka shërbyer ne trevën e Krajës dhe plotësohet edhe me imamët krajanë me kontribut të çmuar jashtë vendlindjes së tyre. Hamid Alaj arrin të ndërthurë një punë mjaft skrupuloze, këmbëngulëse dhe të detajuar nisur prej vitit 1602 kur u themelua institucioni Islam në Krajë si dhe duke pasqyruar edhe veprimtarinë e imamëve krajane nëpër botë. z. Alaj ka shpalosur me detaje, historinë, fenë, vlerat e traditë e trevës së Krajës si dhe te studimit te Institucioneve Islame dhe te imamëve ne Krajë.
Kam bindjen se krajanet përfaqësohet denjësisht me z. Hamid Alaj, dhe meriton vlerësimet më të larta për punën kërkimore që nëpërmjet botimeve të shumta lartëson popullit krajanë dhe më gjerë, në rrjedhat e historisë, u shpreh Dr. Marku.
Përshëndetën me vlerësime promovimin tudiuesi Bajram Doka e prozatori Mëhill Velaj ku vlerësuan veprimtarinë publicistike e kërkimore të Hamid Alaj.
Fjala e përzëmërt përmbyllëse e studiuesit Hamid Alaj ishte një mirënjohje e thellë dhe shpjegime shkencore mbi hulumtimet e studimet rreth trevës së Krajës dhe risitë shkencore që sjellin librat e tij. Promovimi i shkëlqyer u xhirua nga media “Noli Tv” i cili po zhvillon një mbulim mediatik fenomenal të aktiviteteve kombëtare e komunitare të shqiptarëve të Amerikës.