
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 25 Janar 2024/ Shqiptarët e Luginës së Preshevës, rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, do fitojnë të drejta pronësore në Kosovë, duke përjashtuar në këtë rast parimin e reciprocitetit. Qeveria e Republikës së Kosovës në një mbledhje ku ka miratruar Programin Legjislativ të saj për vitin 2024 ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj në Republikën e Kosovës. “Me propozimin e ri nga Ministria e Drejtësisë, qytetarët shqiptarë, pra personat fizik dhe juridik nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci do të mund të fitojnë të drejta pronësore në Kosovë, sipas kushteve të parapara me ligj, duke përjashtuar në këtë rast parimin e reciprocitetit”, bën të ditur komunikata e dërguar nga Kryeministria.
Komunikata thekson edhe se, Qeveria e Kosovës ka “aprovuar pagesën për 375 specializantë me vetëfinancim, si dhe 21 specializantë me vetëfinancim nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, dhe Mali i Zi”.
Kabineti qeveritar, mes tjerash, ka miratuar edhe nismën për negocimin e Marrëveshjes Financiare të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime (BEI) për Projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale”.
“Ky projekt ka për qëllim ngritjen e kapacitetit gjenerues të energjisë elektrike përmes burimeve të ripërtëritshme në Kosovë. Kostoja totale e projektit është vlerësuar 107 milionë e 200 mijë euro”, vijon komunikata nga mbledhja e 186-të e Qeverisë e Republikës së Kosovës.