Nga Namik Selmani/ Shkrimtar/
Joo. Nuk e besoj vërtet se u nga nga jeta miku ynë, shkrimtari, studiuesi, gazetari, skenaristi Riza Lahi. Thuajeni sa të doni! Si të doooooni! Vendosni çdo fjalë të shqipes, të anglishtes, të frëngjishtes diku në nekrologjitë internetike, diku në shtyllat e bulevardeve, në ndonjë kronikë televizive aty nga fundi i lajmeve! Ai është mes nesh Mjafton që të hapim një libër, një kronikë takimi e do ta kemi atë sa të menduar, sa të mençur, sa gojëtar, sa hokatar. Ishte vetvetja jonë më e mkrë Sa keq që televizionet shqiptare nuk e dhanë një njoftim për të Ato, televizionet merren me sa e sa kronika kriminelësh e nuk kujtohen që të flasin shumë më tepër për këtë Fisnik të Fjalës Shqipe që për dekada ka punuar për ta bërë atë sa më të bukur të brezi i tij i krijuesve, por edhe tek më të rinjtë. Dhe jo vetëm në Shqipëri, po edhe në Kosovë, në trojet amtare në diasporë Madje në të gjithë botën. Se kudo kishte miq të mirë Riza Lahi. Për ta bërë sa më të njohur në botë bash si rilindas i kohëve moderne. Njeriu nuk ka bërë deri tani një peshë të saktë për dhimbjen njerëzore. Ka krijuar Peshore për të peshuar qoftë edhe miligramët e një trupi apo ato të shkëmbinjve të mëdhenj, të makinerive, të raketave kozmike me tonelata të tëra peshë, po jo atë të dhimbjes. E ndarja me Rizain fort na dhembi! Iku pa pyetur miqtë që e donin aq shumë dhe ia vlerësonin fjalën e tij. Vite me radhë fluturoi në Qiejt e kaltër si pilot i patrembur. Gati si pilot i lindur. Me sy të fortë shqiponje. Shumë herë thoshte se ishte pilot. Madje na thoshte edhe gradën e merituar nënkolonel. Kur e pyetën në një emisin televiziv se cila ishte poezia e tij më e dashur ai tha se ishte një poezi për një pilot veteran që kishte lënë qiellin e ishte në tokë. Në poezinë e tij flitej për një pilot që të gjitha sekretet , dashuritë emocionet e vërteta njerëzore ai ia kishte truguar mikut më të mirë .. qiellit. Mos kishte ndodhur edhe me të kështu në të gjallë a në vdekjen e tij.
Kur e la qiellin me avionë e u ul në tokë mes luleve, zhurmave, dyfytyrëshve, baltovinave bulevardeve me zhurma shumë e me semaforë të panumërt, para ferrave që na janë futur në këmbë, u bë shumë herë nostalgjik për qiejt. Atëherë dhe deri në ditën e ndarjes. Qoftë me mjegullnajë, me shi, me flutura bore, me dritë kaltërore qiejt ishin dadhira e madhe e jeëtsb së tij . Ishte Kurora që ai ia vinte çdo fjale çdo mendimi.. Veçse pa autostrada me sinjale Rizai kishte brenda vetes me dhjetra qiej, ylberë, satelitë të veçantë hapësinorë që ndriçonin dhe e zbukuronin aq shumë shpirtin e tij madhështor dhe atë mirësi zemre që rrallëkush e kishte. Që në atë kohë ai krijoi Simbolikën e Qiellit. Të Qiellit të Fjalës E ku ai mbeti më fitimtar se fitimtarët. Mos vallë copëzat e qiejve, të mjegullave apo çarçafët e borëruar që ai i kishte dashur aq shumë, po edhe i kishte sfiduar si fitimtar në ditënetët e jetës së tij, ia kishte dhënë këtë si Medaljon të Shpirtit të tij shkodran, të atij shkodrani hokatar dhe aq të mencur? Pas avionit mori biçikletën. Një poet romancier, përkthyes i talentuar një studiues, gazetar i spikatur që ia përpinin gazetat shkrimet e tij, po ecte në Tiranë me biçikletën. Ndoshta i qëndronte besnik Shkodrës së tij aq të njohur për këtë mjet udhëtimi. Ndoshta se ishte mësuar me fllad qiejsh në gjoksin e tij që po i thinjej ashtu si dhe flokët. Tani Shkodrës ai donte t’i jepte çdo gjë të bukur, fjalën. Kudo e përqafoi denjësisht këtë qytet të bukur. Para pak vitesh do të botonte librin poetik “Hanibales ande portas”. Kur e pa Shkodrën e tij të përmbytur aq sa edhe loti i burrit nuk ishte turp, i erdhi më mendje ky varg. Po bënte mjeshtërisht elegjinë për Shkodrën të mbytur që donte ndihmë
E , kur iku , në një ditë fundviti vetëm pak ditë para ditës së lindjes (16. janar 1950) besoj se me plot gojë ai e kishte fituar garën me Qiellin e Fjalës, me Qiellin e poezisë, me Qiellin e Shpirtit Njerëzor, duke u futur në radhën e atyre njerëzve të mirë që nuk i gjen sot as me kandilin diogjenian. Nuk mundem të gjykoj dot se sa i aftë ishte ai që të pilotonte, po entuziazmohesha aq shumë si fëmijë i burrëruar kur e shihja se si fliste për to, se sa dashamirës që ishte për shokët pilotë. Më gëzonte se sa bukur e fliste ai për pilot e për familjarët e tyre., Po, po, fjala e tij i ngjante një Sofre të madhe ku mund të gjeje mrekullisht një miqësi të sinqertë, një poezi tejet të vecantë sociale, atdhetare, filozofike ndjesore, erotike lirika natyre . Ai pikturonte si një Lasgush shkodran Bunën, Kalanë Taraboshin. Pikturonte brigjet ulqinake, ku ishte nip se nëna e tij ishte nga Ulqini. Para pak kohësh u bashkuam në një aktivitet që dibranët bënin për artistin e tyre Haziz Ndreu. Më solli një antologji të botuar në Mitrovicë. E kishte botuar Shoqata e Shkrimtarëve të Mitrovicës që është një nga më prodhimtaret dhe më të fuqishmet në Kosovë, krahas asaj të Pejës, Gjakovës, Prizrenit, Gjilanit etj. Titullohej “Poetët për Mitrovicën”. Poeti Sabit Idrizi, kryetar i kësaj Shoqate dhe kryeredaktor i revistës “Fjalë e valë“ kishte zgjedhur Riza Lahin që të përkthente në gjuhën angleze të gjithë poezitë e librit. Dhe fort mirë kishte bërë aid he vetë Komuna e Mitrovicës.,. Një botim luksoz dhe me dinjiitet me një botim si në vendet më të zhvilluara perëndimore. Pas këtij përkthimi të Riza Lahit në fund të librit prej rreth 300 faqesh ishte dhe një përshëndetje e tij. Në këtë libër antologji kisha edhe unë një poezi me titull “Po ti na qenke, o Urë e Ibrit?” Nuk ishte vetëm nderi i pjesëmarrjes në të, por edhe se këtë po ma sillte në anglisht pena e Rizait tim të dashur që do ta kem kujtim për shumë vite. Kur erdhi një ditë nga Mitrovica rasti na solli që të bënim udhëtimin nga Prishtina në Tiranë së bashku për 6 orë e që na u duk kaq i shkurtër. Aty ishte edhe proza poetike e Rizait “Buna në muzg”. Kërkonte që Antologjia të promovohej në Mitrovicë ku të kishte edhe përfaqësues nga Evropa nga Tirana, Çamëria. Që ata evropianët ta kuptonin edhe artistikisht shpirtin e madh të shqiptarit liridashës. Një ditë edhe mbase mund të bëhet një aktivitet i tillë, por do të mungojë ai që i përktheu germë më germë të gjithë poezitë, miku ynë Riza Lahi. Karrikja e Rizait do të mbesë bosh. Nuk do harrojmë të vëmë luet më të mira në të. Në dy gjuhët ajo sot lexohet nga ushtarët që ruajnë Urën e Ibrit, nga shefat e tyre, nga diplomatët, nga serbët, anglezët amerikanët, nga shqiptarët e Tiranës e të Vlorës. Atë ditë më thoshte se do të ishte mirë që të bëhej ky promovim madhështor i atij libri ku të merrnin pjesë sa më shumë evropianë e amerikanë që të shihnin poetët e këtij kombi se sa e duan lirinë bashkëjetesën mes kombeve. Si poet e kishte bërë detyrën, tani ishte zëri i patriotit Riza që fliste e që uroj të dëgjohet një ditë.
Vargu dhe fjala e tij e shkruar është njohur në Greqi, SHBA, Rumani, Maqedoni, Kosovë madje deri në Indi dhe në Iran. Ishte kënaqësi që ta dëgjoje atë duke folur në tribunat e poetëve. Ashtu si dhe ta dëgjoje duke recituar fort bukur sa që e ngrinte sallën në këmbë..Ai ishte i natyrshëm në atë që thoshte. Përherë e shoqëronte me fabul të veçantë, shenjë e kulturës së gjuhës për një njeri. Me gjeste të bukura. Me një dallgëzim emocionesh. Aq më tepër se përvoja e tij jetësore, leximet në disa gjuhë kisht bërë që ajo të ishte e larmishme e gjithanshme. Aq sa duhet të zgjasje veshin dhe kokën për të mos të të ikur asnjë fjalë e thënë, asnjë gjest, asnjë muskul fytyre në plastikën e tij. Shumë herë duhet ta dëgjoje edhe për t’ia “vjedhur“ pak stilin e tij aq të spikatur të gojëtarisë.
Shumë herë shqetësohej për antivlerat që shfaqeshin kudo . Trishohej kur fliste se paratë nuk shkonin në botimet e poetëve që mbanin sa e sa vlera të paqarkulluara se iu mungonin të hollat për t’i botuar. Prej disa vitesh shkonte shumë herë në Korçë. Kishte mik të ngushtë Mihallaq Andrenë. Mjeshtri Mihallaq shumë tekste i kishte edhe nga Rizai. Ishte ndoshta shkodrani më i mençur që kishte ngritur një Urë nga më të fortë mes Shkodrës dhe Korçës. Kishte bërë dhe një skenar të mrekullueshëm për këngën e tij. Kishte disa vite që bashkëpunonte edhe me Gurali Mejdanin që drejton komunitetin e romëve. Fliste me aq entuziazëm, dashamirësi dhe emocion për kulturën e romëve, O zot edhe këtu Simbolika e Qiellit nuk i ndahej Riza Lahit. Një shkrimtar dhe poet që i donte të gjithë pjesët e kulturës së kombit të tij, aq sa edhe Shkodrën e tij dashurore trëndafilore me jaret e papërsëritshme. Shkonte edhe në turnetë që bënin shoqata kulturore jasht vendit si gazetar, si poet, si organizator. Përherë mbeti një shkodran hokatar. Dikur në një dialog poetik me “Motrën Tone” të Kolë Idromenos (me origjinë nga Çamëria, shprehte keqardhjen se Shkodra duket se po harronte disa vlera kulturore të krijuara në vite e shekuj. Po, Riza Lahi ishte edhe ulqinak i mirë. Një nga librat e parë që kam lexuar nga Rizai para 8 vitesh ishte “Nën hënën e Ulqinit”. Ishte nip nga Ulqini dhe thoshte se nëna e tij ishte vajzë ulqinake. Para 8 viteve hapa një ekspozitë fotografike në Ulqin në Ulqin shumë miq të tij më flisnin me kaq dashuri për të. Në vitet e fundit po bëhej më shumë mbretëror. Mbretëror me poezinë e tij të përkryer. Ai ishte kaq risitar edhe në vargun e tij, po dhe në atë varg që përkthente nga shqipja në anglisht. Që kur kishte nisur punë për përkthimin e poezive të sulltanëve dhe vezirëve të Turqisë diku në një lokal bashkë me mikun tonë të përbashkët Ahmet Dorsun, një shqiptar i lindur në Turqi dhe tash romancier e poet, banor i Tiranës, më fliste me aq pasion për të. I recitonte si të ishin poezi të dala nga shpirti i tij i behartë. Poezitë dashurore që kishin bërë sulltanët në jetën tyre ishin po kaq befasi sa edhe përkthimi i tij. Bujkur! Dhe u botua edhe pse ne jemi në goditjen e madhe të një informacioni të pakët për librat që botohen dhe për një mungesë të shpërndarjes së vlerave që krijohen. tek ne Në ditët e fundit po “matej” me Xheladin Rumiun. Një Vexhi Buhara tjetër, do të thoja unë. Kishte marrë me meritë edhe një titull të lartë të “Përkthyesit më të mirë të anglishtes në Shqipëri.” E kishte vënë si sqarim në një libër, po ai ishte shumë modest. Ai ishte bërë vetë një Rumi me atë filozofi që po përcillte çdo ditë në atë që shkruante që fliste. Kishte disa muaj që e shqetësonte një këmbë e sëmurë. Ishte enjtur . Ende nuk ia gjente arsyen. Veç të dhimbej Rizai. Natën, thoshte, këmba qetësohej e ditën rëndohej. Dhe kur? Kur?!!!! Kur atë e prisnin një nga një miqtë e tij të panumërt miket që e dëgjonin me kaq vemendje elegancën e të folurit të tij. E pritnin gazetat me reportazhet më të mira të viteve të fundit. Të jashtëzakonshëm. Botonte në “Tirana Observer” te “Republika“.dhe shkrimet e tij ishin më të lexueshmet Që në titujt shumë intrigues. Ai kishte kurajon e njeriut të ditur. E përkëdhelte fjaën e bënte si brumin e amvisave në ditë feste. Vazhdonte të protestonte me veten për këmbën. E sërish mbi biçikletën e tij gati proverbiale migjeniane ecte në qytet më këmbën e sëmurë të enjtur. Madje të shkonte edhe në Bullgari në Turqi.
Qënka pak e vështrirë që të përfshish të gjithë qiejt e panumërt të Fjalës Lahiane në një ese kujtese. Ani. Duhet bërë, edhe se me pengje të mëdha se nuk e tregojmë sa duhet atë hapësirë që kishte ai si njeri si intelektual. Si njeri. Si mim që rrallë të vjen në jetë . Shihnim vetveten në këto ditë të jetuara me të me kaq vrull, me kaq patriotizëm. E çka duhet më shumë për të vënë Kurorën më të ndritshme të patriotit, të këtij njeriu kaq të ditur e kaq të mirë???? I mençur në poezi, në roman ( Kujtoj këtu romanet e tij “Vorri i ashikut” dhe “Një serenatë korçare në Njy Jork”), Përkthyesi, miku i ngushtë i të mençurve e ka fituar plotësisht betejën me HARRESËN. Ai, flokëkërleshuri i veçantë do të mbetet përjetësisht mes kujetsës. Shpesh herë ia merrte era e qiellit ato flokë që po i thinjeshin me shpejtësi. Ishte kënaqësi që e kishim mes nesh. Është obligim për ta kujtuar. Ishte Lumturia jonë dikur dhe sot po e themi me plot gojë dhimbja jonë. Prej shumë kohësh ai do të mbetet Princi i Kujtesës qiellore të Fjalës Shqipe, Zgalemi fitimar i qiejve të panumërt të fjalës Shqipe.
Tiranë, 1 janar 2014