Richard Lukaj:”Jam i çuditur që s’ka pasur më shumë reagim publik kundrejt udhëheqësve duke i kërkuar të përmbushin detyrimet e tyre”/
Intervistë me financierin e dalluar shqiptaro amerikan me origjinë nga Ulqini – Richard Lukaj, filantropist dhe biznesmen i suksesshëm i komunitetit shqiptar, në SHBA
Nga Beqir SINA/
NEW YORK : Muaj më parë nga Presidenti i Shqipërisë, iu dha dekorata Nderi i Kombit , mbas disa nderimeve dhe vlersimeve që ka marrënga Shqipëria dhe Kosova si dhe disa institucione ndërkombëtare. Financieri i dalluar shqiptaro amerikan me origjinë nga Ulqini Richard Lukaj, biznesmen i suksesshëm i komunitetit shqiptar, flet për herë të parë në një intervistë të posaçme për ngërçin politik në Kosovë, me gazetarin Beqir SINA.
Megjithëse me një aktivitet financiar që përfshin transaksione në të gjithë botën me vlerë prej gati gjysmë trilioni dollarë, zoti Lukaj ka gjetur kohë për të punuar edhe me komunitetin shqiptarë dhe për tu marrë me veprimtari filantropike, të ndjek dhe të kontribojë nga SHBA në disa çështje, për Kosovën, Shqipërinë, shqiptarët në Mal të Zi, Maqedoni dhe Luginën e Preshevës e Çamërinë, sidomos duke shfrytëzuar takimet me kongresmen e senator, udhëheqësit e shtetit ku ai jeton në Konektikët.
Ai thotë në këtë intervistë se udhëheqësit e Kosovës duhet të zgjidhin mospajtimet që kanë dhe të ushtrojnë sovranitetin e tyre. Çdo alternativë tjetër paraqet informalitet dhe ofendon sovranitetin për të cilin sakrifikuam kaq shumë.
Ndërsa shton për fjalët e ambasadores amerikane se simbas tij ato ” Nuk ishin fjalët më diplomatike të mundshme, por e kuptoj frustrimin që pasqyrojnë. SHBA-të, ndërkombëtarët, diaspora, dhe sidomos çdo qytetar kosovar kanë investuar shumë dhe ky ngërç politik pasqyron mungesë pjekurie politike dhe përgjegjësie”.
Lukaj tha se :”- Kostoja e këtij ngërçi është shumë e lartë për qytetarët kosovarë. Jam i çuditur që s’ka pasur më shumë reagim publik kundrejt udhëheqësve duke i kërkuar të përmbushin detyrimet e tyre.Gjatë kësaj periudhe ka pasur shumë projekte, investime, çështje ekonomike dhe strategji të ngrira nga pamundësia për të bërë biznes në Kosovë.”
Këtë javë – Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, ka përçuar një mesazh për liderët e Kosovës, duke u thënë atyre mos e prishni punën’, derisa po fliste për ngërçin politik. “Mesazhi im për politikanët është shumë i qartë, mund ta them edhe në shqip, mos e dhi punën”, tha Jacobson. Si e komentoni ju dekleratën e ambasadores amerikane ne Kosovë Tracy Jackobson ?
– Nuk ishin fjalët më diplomatike të mundshme, por e kuptoj frustrimin që pasqyrojnë. SHBA-të, ndërkombëtarët, diaspora, dhe sidomos çdo qytetar kosovar kanë investuar shumë dhe ky ngërç politik pasqyron mungesë pjekurie politike dhe përgjegjësie. Shpresoj që grupimet e ndryshme të kuptojnë që po e mbajnë shtetin e porsalindur pezull dhe zgjedhjet e reja do të kushtonin shumë. Nga ana tjetër ngërçi ka ngacmuar publikun, të cilin shpresojmë ta frymëzojë që të angazhohet më shumë në të ardhmen dhe të bëjë zgjedhje më në përputhje me interesat e tij.
A mendoni se ngërçi politik në Kosovë, duhet të zgjidhet nga vetë forcat politike dhe jo me ndihmën e shteteve të tjera, mbasi siç permendet shpesh ose siç aludohet se “Kjo nuk mund të zgjidhet pa ndërhyrjen e Uashingtonit e Brukselit”?
– Udhëheqësit e Kosovës duhet të zgjidhin mospajtimet që kanë dhe të ushtrojnë sovranitetin e tyre. Çdo alternativë tjetër paraqet informalitet dhe ofendon sovranitetin për të cilin sakrifikuam kaq shumë.
A mendoni se Tirana sado pak mund të luaj rolin e saj në zgjidhjen e këtij ngërçi politik – dhe a ka pasur deri tani nga këndëshikimi juaj njëanshmëri të trajtimin e kësj çështje – nga Tirana zyrtare ?
– Jam i sigurt që Shqipëria është e angazhuar dhe është e informuar mjaft mirë mbi zhvillimet në Kosovë. Shqipëria vazhdon të tregohet një lojtare e pjekur dhe konstruktive në rajon, duke e kuptuar që angazhimi i saj rajonal përmban shumë përgjegjësi dhe shpeshherë vetëpërmbajtje të rreptë.
Heqja dorë nga Kryeparlamentari, a e zbeh fuqinë e veprimit të Bllokut, në “bllok” ashtu si u nisë dhe a mendoni se këtu me këtë rast “veproi” ose pati një farë indicie, deklerata e ambasadores amerikane ne Prishtinë?
– Nuk i di me aq imtësi detajet e negociatave të zakonshme të ndërmjetësuara nga presidentja Jahjaga, por di të them që SHBA-të dhe ndërkombëtarët do dëshironin ta shihnin këtë çështje të zgjidhur nga udhëheqësit e votuar për ta çuar kosovën përpara.
Ban Ki Moon tha sot se :Liderët kosovarë ta zgjidhin krizën politike. Mirëpo çfarë kërkohet nga lideret kosovar që të dilet nga kjo gjendje në se ajo nuk zgjidhet ? edhe tani
– I nderuari z. Ban Ki Moon ka përsëritur dëshirat dhe shpresat të shprehura dhe nga të tjerë mbi këtë çështje. Nëse udhëheqësit kosovarë nuk japin zgjidhje, atëherë gjithçka që po i ndodh dhe që mund t’u ndodhë shqiptarëve të Kosovës do jetë në konsideratën e elektoratit për zgjedhjet e ardhshme kurdo qofshin. Unë i qëndroj besnik demokracisë së njomë të Kosovës si dhe shqiptarëve të Kosovës, të cilët kanë kaluar sfida shumë herë më të mëdhaja se ky ngërç.
Fakti është se kanë kaluar afro pesë muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve në Kosovë dhe institucionet qeverisëse ende nuk janë krijuar. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë ngërç politik në të cilin e gjejnë veten sot politikanët e Kosovës?
– Kostoja e këtij ngërçi është shumë e lartë për qytetarët kosovarë. Jam i çuditur që s’ka pasur më shumë reagim publik kundrejt udhëheqësve duke i kërkuar të përmbushin detyrimet e tyre.Gjatë kësaj periudhe ka pasur shumë projekte, investime, çështje ekonomike dhe strategji të ngrira nga pamundësia për të bërë biznes në Kosovë.
A mendoni se nëse në këtë mënyrë po shkohet drejt zgjedhjeve të reja dhe a mund të shërbejnë këto zgjedhje si zgjidhje e këtij ngërçi?
– Shpresoj që jo sepse kostoja është tashmë shumë e lartë dhe ajo është rruga më e dëmshme për të gjithë shtetasit, por nëse çështja merr atë rrugë shpresoj të jetë paqësore dhe e efektshme.
– A duhen përpjekje të bashkërenduar nga të gjithë, dhe a po bëhet kjo në Kosovë?
Ka shumë pozicione dhe qëndrime për të ardhmen e Kosovës për të cilat janë dakord të gjitha palët. Të gjithë dëshirojnë ta afrojnë Kosovën afër institucioneve euroatlantike, kërkojnë dhe promovojnë zhvillimin ekonomik, duan të zhvillojnë siguri më të fortë dhe predikojnë për rend dhe struktura më të sigurta drejtësie. Gjithashtu të gjithë pretendojnë se po luftojnë kurrupsionin dhe sipërmarrjet kriminale. Thonë që janë të interesuar dhe për reforma të infrastrukurës arsimore për të përballuar nevojat e kapitalit intelektual të vendit.
Ndryshimi mes këtyre grupimeve qëndron tek përvoja, strategjitë e ndryshme dhe prioritetet përsa i përket këtyre çështjeve. Qytetarët kosovarë duhet të gjykojnë se me sa sinqeritet i ka klasa politike këto nisma, gjithashtu dhe aftësitë e këtyre grupimeve për të mbajtur premtimet e tyre zgjedhore.
-Si e komentoni vizitën e Kryeministrit Rama në Beograd e lidhur me situatën në Kosovë ?
Mendoj se vizita ishte e domosdoshme dhe respektoj shumë kurajon dhe profesionalizmin e treguar gjatë përfaqësimit të interesave të Shqipërisë.
– Së fundi në se ka mundësi edhe një mesazh nga ju për lexuesit tanë
Dëshiroj që të gjithë shqiptarët të angazhohen konkretisht, sepse jo vetëm kemi shumë çështje për të zgjidhur, por dhe shumë shanse të mrekullueshme për të realizuar sakrificat e bëra gjatë gjithë këtyre viteve. Vetëkënaqësia thjesht do të na bëjë të humbim dhe si pasojë të kemi shpërdëruar investimet kohore, energjitë, burimet dhe gjakun.