
Arben Iliazi/
Arkeologët janë paraprijës për të arritur deri tek e vërteta, për të parë më në fund pamjet e brendshme të asaj bote mbi të cilën ka rënë anonimati i kohëve. Zbulimet arkeologjike, si dhe faktet që kanë mbijetuar në kronikat e autorëve të lashtë, na informojnë për aspekte të ndryshme, për strukturën materiale, si dhe kultuën shpirtërore të botës së madhe ilire. Shqiptarët, si pasardhës të ilirëve, trashëgojnë jo vetëm elemente të thelbit etnik origjinal, të vijimësisë së pakëputur të kohëve. Ata përfaqësojnë edhe një zhvillim cilësor të ri të kohëve të tjera historike. Këtë vijimësi, të kuptuar si progres të përhershëm zakonisht e sinonimojmë, duke e quajtur qytetërimi iliro-shqiptar, më thotë arkeologu dhe studiuesi i njohur i jugut të Shqipërisë, Halil Shabani, i cili ka dhënë një kontribut të çmuar në studimin, dokumentimin dhe mbrojtjen e qytetit antik të Çukës së Aitoit (Ajtoit), i cili ndodhet pranë fshatit Çiflik në bashkinë e Konispolit.
Çuka e Aitoit është një kështjellë/qytet ilir i vendosur në një kodër konike rreth 16 km në jug të Butrintit, me mure fortifikuese rreth 1,16 km të gjata, që ka shërbyer për mbrojtjen dhe kontrollin e rrugëve dhe fushës së Vrinës (Kestrinës) në periudhën helenistike dhe antiket e vona. I pari që kreu kërkime dhe gërmime arkeologjike në Çukën e Aitoit, veçanërisht me survejimet dhe gërmimet e kryera në vitet 1979, ishte profesor Selim Islami, për aktivitetin dhe punën kërkimore e studimore të të cilit kam shkruar gjerë e gjatë dhe po përgatis edhe një monografi, në bashkëpunim me prof. Neritan Cekën.
Halil Shabani ka dokumentuar se qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit rrethohej nga mure mbi 1400 metra të gjatë, të ndërtuar me të paktën tri teknika të ndryshme. Ai ka specifikuar se qyteti kishte katër hyrje të mëdha, ku njëra prej tyre ka një strukturë gjeometrike dhe mbrojtëse të ngjashme me portat e Trojës antike. Përmes studimeve të tij mbi besimet e banorëve të lashtë të Çukës së Aitoit, Shabani i ka shpjeguar se si ata përdornin simbole mistike për vetëmbrojtje, siç ishte adhurimi i perëndeshës Kybela (Nëna e Madhe e Perëndive), e cila sipas besimit popullor të kohës dilte natën për të ruajtur muret e qytetit. H. Shabani, me mbi 50 vite në arkeologji gjetjet e rralla historike dhe kulturore i ka përmbledhur në jo pak, por 18 libra.