Bujar Leskaj/
Nga sot çmimi i naftës në nivele dramatike, 265 lekë për litër! Jemi vendi me çmimin më të lartë të karburantit, jo vetëm në rajon, por edhe më tej. Këtë çmim vendosi sot “Bordi i Transparencës”, për llogari të sektit Rama. Dhe në këtë çmim mbi 60% janë taksa që mbushin xhepat e sektit në pushtet dhe zbrazin xhepat e qytetarëve. Përtej absurdit të përcaktitmit të çmimeve nga një bord që s’dihet se cilës burse i referohet, ajo që e bën më shumë shqetësuese këtë zhvillim kaq të rëndë ekonomik është rritja e jashtëzakonshme e çmimeve që do të pasojë, që do të kalojë ekonominë dhe familjet shqiptare në kolaps financiar. Në fund të njoftimit për ndryshimin e çmimeve thuhet se Bordi është vazhdimisht “në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë”. Megjithatë, çmimi i vendosur sot nuk reflekton aspak atë që po ndodh në bursë. Çmimet e naftës vijuan në ulje edhe këtë të premte, një rrugë që e kanë nisur tashmë prej të paktën një jave. Nafta e papërpunuar Brent ra 56 cent, ose 0,5%, në 119,25 dollarë për fuçi dhe nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor ra me 78 cent, ose 0,7%, në 116,81 dollarë. Në vend që qeveria të reagonte duke hequr ose ulur disa taksa, kryetari i sektit në pushtet duket se do t’ju kujtojë përherë shqiptarëve atë shprehjen e tij të famshme: “S’keni parë gjë akoma!”. Vera do të kalojë shpejt, por dimri do të jetë i vështirë për të gjithë! Ndaj është nevojë imediate një reagim i fuqishëm qytetar!