–Protestat në Miçigen, Ohajo, Karolinën Veriore, Minesota, Utah, Virxhinia dhe Kentaki,janë në krah të presidentit që po lufton për zhbllokimin e konomisë/
NGA DALIP GRECA/
Edhe dita e Premte kishte oshilacionet e veta në shifra për ecurinë e koronavirusit në Shtete e Bashkuara të Amerikës, por pozitiviteti qëndron në treguesin e lehtësimit të spitaleve dhe uljen e numrit të të shtruarëve të rinj. Statistikat e infeksionit dhe numrit të viktimave ende janë të larta. Numri i të vdekurëve regjistroi shifrën ditore 2 mijë e 535, duke e çuar numrin e të vdekurëve në 37 mijë e 158, ndërkohë që të infektuar të rinj u raportuan 32 mijë e 165, duke e rritur numrin total të të infektuarëve në 710 mijë 021. New Yorku pat një prapaktheu në ditët e këqia për numrin e viktimave, regjistroi 1 mijë e 25 të vdekur(nga 606 një ditë më parë), duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurëve në 17 mijë e 131, ndërsa shifra ditore e të infektuarëve ishte 7 mijë e 753, me një shifër totale 233 mijë e 951. New Jersey raportoi shifrën ditore të 322 të vdekur (numri i përgjithshëm i viktimave 3 mijë e 840), ndërsa të infektuar të rinj ditorë 3 mijë e 175 (shifra në total e të infektuarëve 78 mijë e 467). Massachusetts raportoi 159 të vdekur gjatë ditës së Premte, Michigani 134, Pannsylvania 120, Kalifornia 90, Ilinois 62, Florida 58, Georgia 51,Connecticut 65 etj.
***
Edhe pse kjo tablo shifrash duket e zymtë, gjithandej po flitet për hapjen e ekonomisë. Madje në disa prej shteteve ka pasur demonstrime që vënë nën presion qeveritë e shteteve. Protestat, në të cilat u është bërë thirrje autoriteteve për t’i dhënë fund izolimit janë zhvilluar në Miçigen, Ohajo, Karolinën Veriore, Minesota, Utah, Virxhinia dhe Kentaki.
Presidenti Donald Trump, i cili duket se i përkrah këto protesta, po përcjell udhëzimet që shtetet të fillojnë të hapin ekonomitë e tyre të mbyllura nga pandemia e koronavirusit.
Plani që u bë publik të enjten,dhe që u komentua gjërsisht të premten, përfshin tre faza. Ky plan u jep qeveritarëve autorizimin të marrin vendime se si shtetet e tyre do të procedojnë në javët dhe muajt e ardhshëm për një hapje graduale.
Udhëzimet ” Riapja e Amerikës” u njoftuan të enjten në Shtëpinë e Bardhë pas një komunikimi me guvernatorët e të 50 shteteve dhe u komentuan gjërsisht të premten. Presidenti u jep shteteve autoritetin të marrin vendime se si të procedojnë. Trump kishte thënë në fillim të javës se ishte autoriteti i Tij, që do të vendoste se kur do të pushonin kufizimet, por gjatë javës ai u tërhoq nga ky pretendim duke pasur kundër, jo vetëm guvernatorët, por edhe figura të njohura republikane.
“Disa shtete do të hapen më shpejt se të tjerët”, sepse nuk kanë të njëjtën situatë, argumentoi presidenti Trump, duke sjellë shembuj krahasimor.
Plani tre fazor nuk do të fillojë derisa shtetet të kenë 14 ditë rresht ulje të rasteve të koronavirusit dhe të kenë kryer testime masive si dhe të kenë siguruar aftësi spitalore për t’iu përgjigjur ndonjë goditjeje të COVID-19. Udhëzimet e mbylljes aktuale të përcaktuara nga grupi i punës i Shtëpisë së Bardhë përfundojnë më 1 maj, por disa shtete si ato të Verlindjes, kanë përcaktuar 15 majin.
Plani Tre fazor i presidentit ka patur mbështetje dhe kundërshtime. Dy mjekë nga Harvardit vlerësuan natyrën graduale të planit të Presidentit Donald Trump për rihapjen e vendit, por të dy thanë se kombi duhet të forcojë aftësitë e testimit. Barry Bloom, profesor i shëndetit publik dhe William Hanage, profesor i asociuar i epidemiologjisë, e quajtën planin “të menduar”. Hanage theksoi se problemi, që duhet zgjidhur qëndron tek Testimi.
Shumë guvernatorë kanë deklaruar se kufizimet do të përfundojnë në maj; disa janë bashkuar në aleanca rajonale për planet e rihapjes. Presidenti Trump duket se dëshiron të sigurojë të paktën një kornizë ligjore Kombëtare për mënyrën se si vendi do të rihapet, përkundër paralajmërimeve nga të gjitha anët se kapaciteti i testimit për koronavirus është ende shumë i vogël.
Një numër i guvernatorëve u shprehën se ndërsa do të merrnin në konsideratë udhëzimet e presidentit, ata do të jenë të kujdesshëm të lëvizin gradualisht.
Disa nga guvernatorët, i pari ai New Yorkut, kanë dhënë alarmin për çështjet e pazgjidhura, si mungesa e testimit në masë.
Testimet janë të domosdoshme dhe të dobishme ,- tha Guvernatori demokrat i Connecticut, Ned Lamont, të premten në TV NBC.
Guvernatorja e New Meksikos, Michelle Lujan Grisham, ndërsa pranoi sugjerimet e Shtëpisë së Bardhë, u shpreh në mënyrë figurative tek tha se “fakti i qartë thelbësor është se ne nuk mund ta vendosim karrocën para kalit.”Ajo u shpreh se ekspertët e shëndetit publik kanë paralajmëruar se New Mexico nuk ka arritur ende në pikën e sigurisë për rihapje, nëse do të vepronim para kohe, do të rrezikonim shumë njerëz.
Gjithësesi Plani “Trump” kërkon që para hapjes shtetet të përmbushin disa kritere si : rënie e rasteve të COVID-19,rënie e shtrimeve spitalore për një periudhë dy javore etj. Nëse i kanë këto, shtetet mund të fillojnë hapjen e bizneseve, restoranteve dhe shkollave në faza të ndryshme. Guvernatorët kanë fjalën e fundit se si shtetet e tyre do të rifillojnë hapjen.
Guvernatori republikan i Maryland Larry Hogan, njëkohësisht dhe kryetar i Shoqatës Kombëtare të Guvernatorëve, tha që përpara se qeveritarët të fillojnë të lehtësojnë kufizimet e vendosura për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit, shtetet e tyre, duhet të kenë aftësinë për të testuar më shumë njerëz, si dhe të kenë aftësi për të kryer gjurmimin e kontaktit. Spitalet gjithashtu duhet të kenë pajisje të përshtatshme mbrojtëse personale për punonjësit e kujdesit shëndetësor, tha ai në një deklaratë të Premten.
Presidenti Trump duke shigjetuar në distancë guvernatorin e New Yorkut Andrew Cuomo, tha se përgjegjës për testimet janë vetë shtetet. Më herët Presidenti kritikoi qeveritarët e New Yorkut se kishin bërë kërkesa të fryra për hapsira spitalore, shtretër dhe ventilatorë, më shumë se ç’ishin nevojat. Nga ana e tij guvernatori i New Yorkut replikoi, duke ia hedhur fajin zyrtarëve të presidentit që parashikuan shifra të fryra.
Gjithësesi Guvernatori Cuomo, krahas ankesave dhe kërkesave për më shumë fonde nga Qeveria Federale dhe duke ia hedhur asaj topin në fushë për të siguruar materialet testuse, ka thënë se do të lëshoi Urdhrin Ekzekutiv, që iu drejtohet të gjithë laboratorëve publik dhe privat të NYS për të koordinuar me Departamentin e Shëndetit të Shtetit për t’i dhënë përparësi Testimit Diagnostik të Koronavirusit.
Ky veprim është pjesë e përpjekjeve të Shtetit për të shtuar testimet. Urdhri Ekzekutiv do të ndihmojë në bashkëpunimin e 301 laboratorëve dhe spitaleve në shtet, që janë të liçensuar për të kryer analiza të tilla.
Guvernatori përsëriti gjithashtu thirrjen e tij për qeverinë federale të sigurojë fonde të pakufizuara për shtetet për të ndihmuar në stabilizimin e ekonomisë dhe t’i lejojë shtetet të kryejnë funksionet e tyre për rihapjen.