
Nga ROLAND QAFOKU/
Në historinë e medias shqiptare por edhe të historisë shqiptare një emër kalon pa asnjë bujë. Për gjithçka çfarë Refat Gurrazezi bëri në jetë në Shqipëri mori dënimin më të rëndë që mund të marrë dikush: harresa dhe mospërmendja e emrit. Ndonëse me statusin e “të harruarit”, në këtë 117 vjetor të themelimit të gazetës legjendare “Dielli” në SHBA, emri i tij shkruhet me gërma të arta. Refat Gurrazezi jetoi 85 vjet, 2 muaj e 1 ditë dhe në jetën e tij dy ishin punët dhe impeniimet e tij më të mëdha. Djaloshi nga fshati Gurrazez i Skraparit që u largua drejt SHBA në moshën 22-vjeçare, prej vitit 1929 deri në 1940 ishte kryeredaktori i gazetës “Dielli” dhe nga viti 1926 deri në 1940 ishte sekretar i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”. Jam tejet krenar që në librin tim “100 personalitetet e Skraparit” kam sjellë të plotë historinë e jetës së tij përmes një profili me fakte, detaje, dokumente, gazeta, intervista e shumë të tjera. Por më e rëndësishmja prej tyre është se kam transkriptuar nga një kasetë të digitalizuar një fjalim të tij të mbajtur më 30 nëntor 1969 në një simpozium të Federatës “Vatra”.
Me këtë rast falënderoj Ilir Ikonomin që së bashku arritëm të dallonim zërin e Refat Gurrazezit që referonte bashkë me Dhimitër Beratin, Gjergj Guzzetta-n, Giuseppe Schiuro-n dhe Nelo Drizarin. Dhe dallimin e bëmë nga fjalët me dialekt të Skraparit që ai përdote si: këndoj, lëvdoi, tjatër, zemërqëruar, fjalëkripur, burrë me fletë, ca (disa), harxhe. Ndonëse ishte larguar nga Skrapari me miqtë e tij korçarë dhe në SHBA ishte rrethuar kryesisht nga korçarë, Refat Gurrazezi nuk e harroi dialektin e Skraparit.
Gjatë kësaj kohe ai ishte padyshim një nga figurat kryesore të komunitetit shqiptar në SHBA aq sa Faik Konica e çmonte pa masë punën që ai bënte me disa fjalë të zgjedhura që ai rrallë i lëshonte kollaj nga goja dhe rrallë i shkrunte me penë:
“Gëzohem kur marr Diellin (me editor Refat Gurrazezin) se në çdo numër shoh që ju i mbani kurdoherë përpara syve të mendjes fjalët që i çkëmbyem dhe përdorni një shqipe e cila ka ktheillsinë, ngjyrën, tingëllimin e gjuhës së gjallë të gjyshërve t’anë. Lavde më të madhe se këte s’kam”.
Vërtetë Refat Gurrazezi ishte një profil i lartë pikërisht pse nuk bënte thjesht punën e një kryeredaktori, por edhe të një sakrifikuesi të madh për menaxhimin e gazetës. Ja çfarë shkruan vetë ai për drejtimin e gazetës Dielli:
“Kur mora drejtimin e Diellit në dorë në 1929, e nxora gazetën dy herë në javë për një mot e ca: më von, një herë në javë, më pastaj kur u keqësua ndodhja ekonomike, (Shënim: kriza ekonomike n’Amerikë e 1930-ës) një herë në dy javë dhe ndonjëherë më rrallë. Ca nga lufta e kundërshtarëve këtu edhe përtej Adriatikut, më tepër nga zia e papunësisë, vërtetë Dielli s’dolli dot në rregull sikundër duhesh por prapë vazhdoi të dali. Nuk u mbyll si disa gazeta të tjera edhe s’dha falimento si shumë banka amerikane”
Por përse emri i tij u fsheh, përmendej rrallë ose nuk përmendej fare? Përse nuk vlerësohej dhe nuk çmohej për atë kontribut të amdh që ka dhënë për çështjen kombëtare por edhe të medias?
E para ishte natyra e tij tejet modeste. Por më kryesorja lidhej me faktin se Refat Gurrazezi ishte dishepull i Faik Konicës. Ai ishte një nxënës ekskluziv i tij dhe duke e patur mentor, në shumë raste emri dhe fama e Refat Gurrazezit mbuloheshin nga emri i madh i Faik Konciës. Madje kishte histori të tilla që në gazetë ai vijonte replika me ata “sojsëz shqiptarësh” siç i quante ai që sulmonin Faik Beun dhe në ato shkrime nuk vendoste emrin e vet. Lexuesit e merrnin sikur i shkruante vetë Faiku, por në fakt ishin shkrime të Refat Gurrazezit. Një gjë e tillë është e vërtetuar që ka ndodhur me dhjetra raste. Kjo solli edhe armiqësi që ai në fakt nuk i kishte. Një prej tyre ishte me Fan Nolin. Mes të dyve, Refat Gurrazezi zgjidhte të rreshtohej në krah të “Usta Faikut”. Sigurisht që ai e dinte këtë por jo vetëm nuk merakosej por e quante për nder të kishte për mentor Faik beun. E rëndësishme për Refat Gurrazezin ishte që ai ishte konician. Studiuesi Idriz Lamaj e përmbledh këtë në pak fjali raportin me Faik Konicën:
“Për një kohë shumë të shkurtër Refat Gurrazezi e përvetësoi stilin e shkrimit të Faik Konicës në një mënyrë aq të përsosur sa pak kush mund të dallojë formën e shkrimit të tij nga shkrimi i Konicës. Ky burrë i heshtur nga natyra, me sjellje fisnike, i dashur, anëtar i palodhur i “Vatrës” dhe ndihmës i rregullt me shkrime i gazetës “Dielli”, jo vetëm tërhoqi vemendjen e Konicës, por arriti të bëhej miku i tij më i ngushtë ”. Ai që ka kërshërinë për të lexuar të plotë historinë e jetës së tij mund ta lexoj këtë në librin tim. Ajo që mund të themi në këtë përvjetor të gazetës “Dielli” është se kujtimi për Refat Gurrazezin nuk do të tretet kurrë.