Zaev paralajmëron bisedime me opozitën për ndryshimet kushtetuese/
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev vlerëson se qytetarët me votën e tyre në referendumin e së dielës për Marrëveshjen për emrin me Greqinë, “kanë dhënë porosi të qartë se në cilin drejtim dëshirojnë të shohin të ecë Maqedonia”.Zaev e ka cilësuar referendumin të suksesshëm, ndonëse nuk u kalua pragu i daljes prej 50 për qind.
Ai tha se nga nesër fillojnë bisedimet me opozitën për të kaluar ndryshimet kushtetuese që janë pjesë e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrin dhe në ditët në vijim do të dihet se a ka mundësi që kjo marrëveshje të arrihet.
Kryeministri i Maqedonisë tha po ashtu se nëse dështojnë bisedimet, alternativë e vetme mbeten zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbaheshin në nëntor të këtij viti.
“Zgjedhjet do të ndryshojnë gjendjet në të mirë në funksion të numrit të deputetëve për votimin e ndryshimeve kushtetuese”, tha Zaev, duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese që duhet të miratojnë deputetët e Kuvendit të Maqedonisë, me qëllim që të ndryshohet emri i shtetit nga ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, në Maqedoninë Veriore.
“Referendumi përfundoi. Qytetarët dhanë një drejtim të qartë se kah dëshirojnë të shkojë Maqedonia. Nëse ndokush në bisedime ofron ndonjë alternativë tjetër, ne jemi të hapur për bisedime. Por, askush nuk tregon se cila është alternativa për NATO-n dhe BE. Askush nuk thotë se ka marrëveshje më të mirë nga kjo që kemi arritur ose se mund të arrihet një marrëveshje më e mirë. Absolutisht janë shumë të qarta hapat kah duhet të ecë Maqedonia”.
“Nga ky aspekt, unë pres që të sillen me përgjegjshmëri të gjithë gjatë marrjes së vendimeve. Ngase në të kundërtën, nëse themi se nuk sjellim vendime të këtilla dhe nuk marrim pjesë në votim atëherë logjikisht pasojnë zgjedhjet”, u shpreh Zaev.
Sipas të dhënave paraprake të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoni, në referendumin e së dielës kanë dalë 36,311 për qind e trupit të përgjithshëm votues, apo rreth 585 mijë nga 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote.
Të dhënat kanë të bëjnë me 85.7 për qind të materialeve të përpunuara nga vendvotimet. Nga ata që kanë dalë në votime, 532 mijë apo 91.5 kanë votuar “për” kurse 31 mijë apo 5.8 për qind kanë votuar “kundër”.
Rreth 1.8 milion qytetarë të Maqedonisë me të drejtë vote ishin ftuar t’i përgjigjen pyetjes: “A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjen me Greqisë”.
***
Nuk kalohet pragu në referendumin e Maqedonisë
Në referendumin e së dielës në Maqedoni, sipas të dhënave paraprake të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në votime kanë dalë 36.11 për qind e trupit të përgjitshëm votues, apo rreth 585 mijë nga 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote.
Të dhënat kanë të bëjnë me 85.7 për qind të materialeve të përpunuara nga vendvotimet. Nga ata që kanë dalë në votime, 532 mijë apo 91.5 kanë votuar “për” kurse 31 mijë apo 5.8 për qind kanë votuar “kundër”.
Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski ka thënë se procesi i votimit është zhvilluar kryesisht në atmosferë të qetë dhe demokratike me disa parregullsi të vogla, por që janë evituar pas ndërhyrjes së organeve përgjegjëse.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev refrendumin e së dielës e ka vlerësuar të suksesshëm pavarësisht daljes së ulët të qytetarëve në votime.
Zaev ka thënë se referendumi paraqet “sukses demokratik për Maqedoninë Evropiane” dhe se koalicioni “do të respektoj vullnetin e atyre që kanë dalë në votime”. Kryeministri i Maqedonisë ka thënë se nëse në Kuvend nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Suksesi është i përbashkët i vendit tonë dhe të gjithë qytetarëve pavarësisht bojkotit të organizuar nga VMRO DPMNE-ja. Pres që shumica dërrmuese e qytetarëve që kanë votuar të kenë zgjedhur rrugën evropiane për Maqedoninë. Zëri i qytetarëve, vota e atyre që kanë votuar në këtë referendum konsultativ do të shndërrohet në aktivitete politike në Kuvend”.
“Vota e qytetarëve në Kuvend duhet të jetë votë që me përgjegjësi t’i vazhdojmë proceset për anëtarësimin përfundimtar në NATO dhe BE dhe për jetë më të mirë për fëmijët tanë. Pres nga deputetët e VMRO DPMNE-së që të respektojnë vendimin demokratik të shumicës së qytetarëve, në të kundërtën nuk do të kemi zgjidhje tjetër, do të duhet të përdorim metodën tjetër demokratike, zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, ka deklaruar Zaev.
Vlerësime për referendumin ka dhënë edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili gjithashtu ka palajmëruar se procesi i zbatimit të marrëveshjes me Greqinë do të kalojë në Kuvend.
“Ne jemi të zgjedhur që të marrim vendime të rëndësishme, vendime të guximshme, e jo të kalkulojmë për zgjedhje të ardhshme. Me votën në Kuvend, ne përcaktojmë të ardhmen tonë, të ardhmen e gjeneratave që vijnë pas nesh, por edhe të ardhmen e rajonit të Evropës Juglindore”, ka deklaruar Ahmeti.
Procesi i votimit është vlerësuar pozitivisht edhe nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, duke uruar institucionet për zhvillimin e qetë dhe demokratik.
“Qytetarët të dielën kanë vendosur të ardhmen e Maqedonisë evropiane. Vota e sovranit është ajo që vendos ardhmërinë e këtij vendi. Shpresojmë se verditki i sovranit është në drejtim të një ardhmërie më të mirë për të gjithë qytetarët dhe se ky verdikt do të jetë bazë për proceset e ardhme në institucionet e sistemit“, ka deklaruar Xhaferi.
Por, ndryshe nga partitë në pushtet, opozita referendumin e ka vlerësuar të dështuar, sikur edhe politikat e kryeministrit, Zoran Zaev.
“Numri i qytetarëve që i kanë dhënë mbështetje, përkatësisht numri që kanë abstenuar është shumë më i madh se i atyre që kanë votuar marrëveshjen. Populli i tha “Jo” marrëveshjes me Greqinë. Populli tregoi pjekuri të lartë demokratike dhe ndërgjegje patriotike. Populli dërgoi mesazhin e fuqishëm për ruajtjen e emrit të Maqedoninë. VMR DPMNE-ja mbetet me popullin dhe do të fitojmë. Kjo nuk është vetëm se disfatë për referendumin, por edhe për krimin e kësaj qeverie. Qeveria ka humbur legjitimitetin dhe duhet të respektojë vullnetin e qytetarëve”, ka deklaruar lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Ndërkohë, para Kuvendit të Maqedoni, kundërshtarët e referendumit kanë nisur festimin e siç thonë fitores së tyre për bojkotin e referendumit.
Para institucionit ligjvënës janë tubuar disa qindra qytetar në organizim të kongresit botëror maqedonas dhe të partisë pro-ruse “Maqedonia e Bashkuar”. Ata kanë përgëzuar siç thonë “guximin e qytetarëve të cilët nuk Iu përgjigjen thirrjen për të votuar marrëveshjen që kapitulluese për gjuhën, kulturën dhe identitetin maqedonas”.
Rreth 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote ishin ftuar t’i përgjigjen pyetjes: “A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjen me Greqisë”.(Kortezi RFL)
***