
Intervistoi: Sokol Paja/
1. Z. Krasniqi, si lindi ideja e realizimit të filmit “The Journalist’s Mission”?
Ideja lindi nga dëshira për të treguar një histori që nderon sakrificën e popullit të Kosovës dhe mbështetjen vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë luftës. Filmi është një falënderim për SHBA-në, NATO-n dhe të gjithë ata që kontribuan në shpëtimin e popullit të Kosovës, si dhe një kujtesë për brezat e rinj që historia të mos harrohet.
2. Cili është mesazhi që dëshironi t’i përcillni publikut ndërkombëtar përmes këtij filmi?
Mesazhi kryesor është se liria nuk erdhi rastësisht. Ajo u arrit falë sakrificës së popullit të Kosovës dhe vendimit historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të NATO-s për të ndërhyrë ushtarakisht kundër regjimit serb, duke shpëtuar mijëra jetë. Ky film është një shprehje mirënjohjeje për atë mbështetje dhe një thirrje që e vërteta historike të mos harrohet.
3. Çfarë përfaqëson personazhi kryesor në film, ai i gazetares amerikane, dhe çfarë simbolizon ai në rrjedhën e ngjarjeve?
Personazhi kryesor është një gazetare amerikane, e cila rrezikon jetën e saj për të shpëtuar një vajzë të vogël amerikane, familja e së cilës vritet gjatë luftës në Kosovë. Me ndihmën dhe bashkëpunimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë, ajo arrin ta nxjerrë vajzën nga zona e luftës dhe t’i shpëtojë jetën. Ky personazh simbolizon humanizmin, guximin dhe përkushtimin e njerëzve që, edhe në kohë lufte, vendosën jetën e të tjerëve përpara jetës së tyre.
4. Premiera e filmit në Amerikë do zhvillohet gjatë sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York. Sa e rëndësishme ishte kjo zgjedhje?
Ishte një zgjedhje me rëndësi të veçantë, sepse gjatë kësaj periudhe në New York mblidhen liderë botërorë, ambasadorë dhe diplomatë nga e gjithë bota. Synimi ynë është që mesazhi i filmit dhe historia e Kosovës të arrijnë tek publiku ndërkombëtar në momentin kur vëmendja e botës është e përqendruar aty.
5. Ju vetë interpretoni rolin e një luftëtari të luftës për lirinë e Kosovës. Si ishte për ju të riktheheshit emocionalisht në ato ngjarje?
Ishte një përvojë shumë emocionale. Ky rol më riktheu tek kujtimet e luftës dhe sakrificat që përjetoi populli ynë. Ishte një përgjegjësi e madhe ta interpretoja me dinjitet, në nderim të të gjithë atyre që luftuan dhe dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës.
6. Çfarë sfidash hasët gjatë realizimit të këtij filmi?
Sfida më e madhe ishte rindërtimi sa më realist i ngjarjeve të luftës, duke respektuar faktet historike dhe emocionet që ato mbartin. Ishte gjithashtu sfiduese të realizonim skena komplekse lufte dhe efektesh vizuale, duke ruajtur autenticitetin dhe mesazhin e filmit.
7. Çfarë prisni të marrë me vete publiku amerikan dhe ai ndërkombëtar pasi të shohë “The Journalist’s Mission”?
Shpresoj që publiku të kuptojë më mirë historinë e Kosovës, sakrificën e popullit të saj dhe rëndësinë e ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s në shpëtimin e mijëra jetëve. Mbi të gjitha, dua që filmi të shërbejë si një shprehje mirënjohjeje për miqtë tanë amerikanë dhe si një kujtesë që historia e Kosovës të mos harrohet kurrë.