
Sot, në Shqipëri nuk kemi të një debat politik normal. Politika shqiptare është një mekanizëm mbijetese për aktorë të konsumuar nga luajtja e të njëjtit rol. Me moton gatopardiste “gjithçka duhet të ndryshojë, që gjithçka të mbetet siç ishte”, politika shqiptare e ka humbur sensin e misionit si art i së mundshmes.
Në Shqipëri është ndërtuar një sistem ku pushteti nuk balancohet, por grumbullohet. Grumbullohet pushtet per të dominuar shtetin. Parlamenti është kthyer në një zgjatim të ekzekutivit. Deputetët nuk përfaqësojnë më qytetarët, por disiplinën e partisë. Ligjet nuk debatohen, thjesht votohen. Kush del nga rreshti, përjashtohet dhe izolohet.
Reforma në drejtësi, e cila u shit si shpëtim kombëtar, sot është kthyer në një strukturë të brishtë. SPAK vepron në një mjedis presioni politik të vazhdueshëm. Nëse SPAK do mbetet një ishull i izoluar, atëherë reforma e ka humbur betejën politike. Patjetër, që duhet lejuar drejtësia që të bëjë punën e saj, por duhet që edhe politika të distancohet nga modelet e zyrtarëve të degraduar deri në palcë. Dhe për këtë nuk është e nevojshme pritja e stërzgjatur.
Ndërkohë, institucionet e drejtësisë së re që duhet të garantonin pavarësinë e sistemit, janë kthyer në institucione të mbyllura. Aty mungon transparenca dhe besueshmëria publike. Ekziston rreziku i drejtësisë selektive. Ku disa goditen, të tjerët mbrohen. Pyetja që shtrohet sot në republikën tonë është, a jemi ne sot “të gjithë të barabartë para ligjit”?!
Modeli aktual po e sfilit Shqipërinë. Shqiptarët shohin një realitet me çmimet që rriten dhe emigrim masiv. Mungon shpresa. Kemi një ekonomi që funksionon vetëm për një grusht njerëzish.
Sot, ne kemi në skenë mjeshtra të xhonglimit në arenën e cirkut politik. Ato që na mungojnë janë kampionët e mëdhenj në fushë. Mungojnë ata që i japin shpirtin vetë lojës.
Media?! Një pjesë e madhe e saj mbahet në jetë nga interesat ekonomike të lidhura me pushtetin. Pak janë ata që flasin lirshëm. Më shumë janë ata që heshtin për të mbijetuar. Zërat kritikë ose izolohen, ose etiketohen. Kritika zbehet, ndërsa servilizmi shpërblehet.
Siguria?! Siguria kombëtare fillon nga karakteri i lidershipit. Shtetet nuk dështojnë vetëm nga armiqtë e jashtëm, por nga dobësia e tyre e brendshme. Dhe historia nuk i fal shtetet e papërgatitura. Ky është mësimi që duhet të marrim. Dhe këtu qëndron thelbi.
Ekonomia?! E përqendruar në pak duar. Koncesione, PPP, tendera të përsëritur, kompani të njëjta që fitojnë gjithmonë. Një kapitalizëm klientelist, ku suksesi nuk vjen nga konkurrenca, por nga lidhja me pushtetin. Transparenca është minimale. Llogaridhënia pothuajse zero.
Opozita?! E dobët, e përçarë, e pabesueshme. Lidershipi nuk është zhurmë, është nerv. Udhëheqësia ruan, nuk konsumon. Ne nuk kemi nevojë për njerëz që janë të gatshëm të djegin kombin deri në themel, me qëllim që të sundojnë mbi hirin e tij.
Kjo është arkitektura e sotme politike. Historia shqiptare na e ka treguar këtë film edhe më parë. Në vitet ’930, shteti u personalizua. Pas Luftës së Dytë Botërore, pushteti u absolutizua. Sot, rreziku nuk vjen nga ideologjia, por nga apatia. Nga ideja se “kështu janë gjërat” dhe se “nuk ndryshon gjë”. Sot, rreziku vjen nga një sistem i butë, i qetë dhe i sofistikuar. Aty gjithçka duket normale, por asgjë nuk funksionon siç duhet.
Stabiliteti pa lirinë e vërtetë është vetëm një formë tjetër kontrolli. Liria formalisht është aty, por frika dhe varësia e kufizojnë. Historia na mëson një gjë të thjeshtë, pushteti nuk vetëkufizohet kurrë. Ai ndalet vetëm nga shoqëria e qytetëruar.
Zgjedhjet tona janë pasqyra e shpirtit tonë. Një dhunti kjo e falur nga Zoti. Prandaj, kur pushteti nuk ka frikë, atëherë qytetari duhet ta rikujtojë. Jo me dhunë. Jo me kaos. Jo me zhurmë.
Demokracia nuk mbahet në këmbë vetëm nga vota. Ajo mbahet gjallë nga karakteri dhe morali i atyre që e ushtrojnë dhe mbrojnë atë. Sepse, arma më e fortë në historinë e njerëzimit është dedikimi moral.
Dr. Evarist Beqiri