
Nga pasthënia e librit: Myrvete Dreshaj-Baliu&Begzad Baliu/
Lëreni, le të flasë Adem Demaçi! – kështu i përgjigjej Profesor Qosja propozimit të anëtarëve të kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, sa herë kërkohej prej tij apo prej Adem Demaçit, që të flasin për një çështje letrare, për një dukuri apo fenomen shoqëror, kulturor apo politik.
Kemi folur gjatë ne, – thoshte Profesor Rexhep Qosja, – kur Adem Demaçit në burgjet jugosllave i është ndaluar fjala; kemi shkruar gjatë ne, kur Adem Demaçit në burg i është marrë edhe fija e shkrepsës, nga frika se mund të shkruajë ndonjë mesazh në margjinat e gazetës ditore; kemi botuar ne, pothuajse krejt çka kemi dashur, në një kohë kur Adem Demaçit, i është ndaluar të lexojë çka ka dashur në burgjet jugosllave. Le të flasë prandaj sot Ai, Adem Demaçi, për letërsinë, për filozofinë, për çështjet politike dhe intelektuale, për dukuritë dhe fenomenet shoqërore, për Kosovën dhe Shqipërinë, për bashkimin kombëtar dhe rrugët që duhet të ndiqen, për marrëdhëniet shqiptaro-serbe, për Europën dhe Amerikën, për demokracinë dhe shpërdorimin e saj, për kulturën, librin, kritikën dhe perspektivën e saj. Lëreni, le të flasë Adem Demaçi edhe kur pajtohemi edhe kur nuk pajtohemi me mendimet e tij! Lëreni, le të flasë Ai, mendimin e të cilit nuk e kemi dëgjuar dhe nuk kemi mundur ta dëgjojmë shpesh, e megjithatë për më shumë se një shekull jemi udhëhequr prej idealeve të tij, prej filozofisë së mesazheve të tij, prej koncepteve përbashkuese të romanit të tij Gjarpijt e gjakut, prej prirjeve moderne të tregimeve të tij, prej atdhetarizmit të tij, prej sakrificës së tij.
Le të flasë Ai, Adem Demaçi, dhe ne le të dëgjojmë!