Rafaela Prifti/
Në Seancën e Parë të Kongresit 118 u paraqit Rezoluta 648 për Riafirmimin e Partneritetit të Ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës.
Rezoluta e prezantuar nga Kongresisti i Nju Jorkut Torres, deputetet Slotkin dhe McClain të Miçiganit në katër shtator parashtron qëndrimet dhe arritjet në shumë fusha të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe rrjedhimisht e quan “të arsyeshme vazhdimësinë e partneritetit të ngushtë të Shteteve të Bashkuara me Republikën e Kosovës dhe se edhe më tutje Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin njohjen e Kosovës si shtet sovran, të pavarur, demokratik, multietnik brenda kufijve të njohur të saj.”
Përmbajtja e rezolutës bën renditjen e arritjeve, bashkëpunimit dhe synimeve afatgjata dhe frytdhënëse për vendet tona në të mirë të interesave afatgjata kombëtare amerikane për paqe dhe siguri në Ballkanin Perëndimor dhe integrim të mëtejshëm të rajonit në bashkësinë e shteteve demokratike Euro-Atlantike. Rezoluta i referohet njohjes nga ana e Shteteve të Bashkuara e pavarësisë së Republikës së Kosovës në 18 shkurt 2008 dhe zotimit për të qenë edhe më tej një mik i afërt dhe partner i saj, duke cilësuar se “marrëdhënia e Amerikës me Kosovën mbështetet në të njëjtat vlera dhe institucione demokratike, raportet njerëzore, të drejtat e njeriut, dhe orientimi drejt paqes ndërkombëtare e sigurisë, dhe fuqizimit ekonomik. Në vazhdim, teksti vë në dukje se lidhja Amerikë Kosovë ka kultivuar bashkëpunime të vlefshme në shumë fusha përfshirë sigurinë, arsimin dhe zhvillimin ekonomik. Për sa i takon fushës ushtarake, aty thuhet se “Garda Kombëtare e Ajoa (Iowa) nëpërmjet Programit të Partneritetit Ndërshtetëror, koordinohet me Forcën e Sigurisë së Kosovës (KSF) veç forcave amerikane të inkuadruara në NATO si pjesë e KFOR-it në të mirë të sigurisë rajonale dhe bashkëveprimit. Në lidhje me investimet përmendet nënshkrimi i kontratës pesëvjeçare midis Korporatës Sfida Mijëvjeçare dhe Republika e Kosovës për $202 miljonë dollarë vitin e kaluar për të zgjeruar dhe përmirësuar sektorin e energjisë në Kosovë për ta bërë atë më të qëndrueshëm, më gjithëpërfshirës, dhe më ekonomik, “Shtetet e Bashkuara kanë investuar rreth 1 miliardë dollarë në ndihma për Kosovën që nga koha e pavarësisë,” shkruhet në Rezolutë. Nga ana e vet, Amerika vlerëson ndihmën e Kosovës me refugjatët afganë në vitin 2021. Kosova është vendi më pro amerikan në Evropë me 81 për qind të popullsisë në favor të Shteteve të Bashkuara. Amerika ka luajtur rol kyç në mbështetje të aspiratave të Kosovës për anëtarësim në institucione ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, NATO etj. dhe “do të vazhdojë të jetë nxitëse për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur krahas me integrimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare.
Rezoluta 648 e prezantuar nga anëtarët e Kongresit Torres, Slotkin dhe McClain i është përcjell Komisionit për Marrëdhënie të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. https://www.congress.gov/…/house-resolution/648/text…