NGA ERVIN FETAHU
Nuk po zgjatem tek mitologjia dhe historiku i “Kutisë së Pandorës “ ku simbolizohej izolimi i shumë të këqijave, e përpasojë njerëzit largoheshin për mos u ndeshur e përballur me problematikat që ajo mbarte në brendinë e saj. Jo më kot, po godas dhe kundërshtoj ashpër filozofinë dhe frikën e cila në kohën e shkuar, të largët apo të afërt,pra pak vite më parë,dukej sikur mbërthente e reflektonte në mendjen e një pjese të politikës, kjo nga mosdashja apo mosinformacioni këtë nuk mund ta di,por ama, di që i ka mbajtur këta politikanë konfuzë dhe të paqartë, duke mos votuar herën e parë,pra ne vitin 2004 prezencën e rezolutës së shqiptarëve të Çamërise, të drejtën e popullatës çame,e cila kërkonte një zë të fortë dhe unanim të institucionit më të lartë të vendit tonë,siç ishte “Parlamenti Shqiptar”. Sot mesa duket jemi në kushte tjera,të cilat na favorizojnë në çdo aspekt duke mos e çuar ne mendje të kundërtën. Rezoluta nuk është asgjë më tepër se një e drejtë njerëzore e humane, e cila simbolizon solidaritetin kombëtar ndaj kësaj popullate martire.Boll të shfeltojmë pak historinë do të vërejmë se shqiptarët e Çamërisë janë një nga unazat dhe hallkat më të forta të kollonës vertebrale të kombit shqiptar.Po na soset durimi,kemi gati 70 vjet në “truallin amë” ku kërkojme dorën e ndihmës dhe solidaritetit për hallin tonë madhorë, dhe asnjëherë nuk kemi parë një angazhim seriozë zyrtar, ashtu siç i ka hije shtetit shqiptarë,për këtë popullësi të dëbuar e përndjekur nga vatrat e tyre shumëshekullore.Koha nuk pret më, çështja çame duhet konsideruar si melhemi e balsami i marrdhënieve midis dy shteteve fqinj. Ajo synon drejtësi dhe ura bashkëpunimi të cilat më shumë se kurrë na lypen “Sot” dhe vetëm sot. Marrdhëniet dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërise medomosdo duhet të kalojnë nga kjo çështje,e cila që në gjenezën e saj ka okupuar dhe angazhuar faktorin kombëtar dhe atë ndërkombetar si një nyje gordiane, ku direktë apo indirektë terhqite vëmendjen e kancelarive dhe diplomacive të huaja. Kurrësesi nuk mund ta lemë në harresë këtë amanet, nuk mund ta lejojmë pa e trajtuar në gjithë specifikat që ai mbart.Këto 20-të vite tranzicioni disi të stërgjatur të vendit tonë,”kauza çame” ka ndjekur një sërë zhvillimesh, të cilat për të qenë të sinqertë kane qenë disi te ngadalta, me gjithe dëshiren e komunitetit tonë për të ecur më shpejtë drejt përmbushjes së ketij amaneti.Por ama,sot jemi në një çast të volitshëm,si asnjëherë nuk kemi pasur në parlament dy deputetë përfaqësues të kauzës tonë,dhe ja tek erdhi ora ku rezoluta të parashtrohet dhe paraqitet për votim tek 140-të deputët e parlamentit shqiptar.Opinioni publik ka vite e vite që është i përgatitur për këtë rezolutë,sepse mundi dhe sakrifica e shqiptarëve të Çamërise dhe bashke me ta edhe shqiptarët e tjerë patriot orientoheshin drejt këtij synimi,patjetër një nga këto objektiva madhore ishte votimi I rezolutës në kuvendin e shqipërisë. Pra pikërisht ngritja dhe propozimi në grup ekspertësh të hartonte me kujdes gjithë pikat kruciale,dhe më pas ta dorëzonte në parlamentin shqiptar për votim.Mendoj se jemi në limitet e kohës,s’kemi pse vonohemi,s’kemi pse druhemi, të gjithë ata që sadopak marrin vesh nga e drejta ndërkombëtare e dine fare mirë se sa shumë organizma ndërkombëtare që merren me të drejtat e minoriteteve si objekt studimi,ku “popullata çame autoktone” zë një vendë specifik ,si trajtimi i të drejtave dhe identiteteve etniko-religjoze, ku shumë katedra të fakulteteve si Harvardi, Oksfordi apo Miçigani, trajtojnë në mënyrë të hollësishme,në publikimet e tyre të drejtën e shqiptarëve të Çamërisë, në aspektin të drejtave që derivojnë si grup etniko-lingual dhe religjoz që burojnë prej qindra e mijëra vjetësh. S’ ka se si mos të angazhohet seriozisht parlamenti ynë, kur kjo çështje është tashmë trend i kohës,ku për më teper që e ka edhe detyrim kushtetues të merret me problemin madhorë dhe plagën e hapur të shqiptarëve Çam. Jam i bindur se çështja çame do të jetë një precedent pozitiv për të zgjidhur shumë çështje të mbetura pezull midis Shqiperisë dhe Greqisë,të cilat janë gangrenë për vetë shtetin grek,siç mund të jetë një nga këto probleme të shumta edhe çështja e pronës ku bashkë me shqiptarët e Çamërisë përfshihen edhe shumë shqiptarë të Shqipërisë. Ku dihet fare mirë se të drejtat pronësore të shqiptarëve e kalojnë territorin e Çamërisë,pra ato zgjaten në shumë territore të tjera si Thesalia, Selaniku, Kavalla, Traka e gjetkë, dhe këtu nuk po flasim për kuptimin e rëndomtë të pronës,por për shenjtërinë që ka trualli jonë,po flasim për mijëra vjet autoktoni të cilat janë të shoqëruara me vula të arta si “krisovule apo tapi” me një gjenalogji që të mahnit për nga saktësia,dhe këto i njeh e drejta jonë historike,i njeh e drejta ligjore,i njeh tradita dhe kultura jonë e pasur. Një tregues optimist është edhe një debat i kahershëm midis shtetit Turk dhe atij Grek për rikthimin e objekteve pronësore,individuale,religjoze dhe kulturore respektivisht të nënshtetasve të dy vendeve. As më shumë e as më pak shteti jonë duhet të fillojë nga ketu e të kërkojë në mënyrë aktive dhe dinamike,me anë të pikave të arsyeshme që përmban ky projekt-rezolutë,me pak fjalë gjithë ato çka na takojnë nga trashëgimia jonë dhe asgjë më shumë.Rezoluta do angazhonte shtetin tonë që në çdo takim bilateral, me ngritjen e një komisioni dypalësh ku të diskutohej për pikat që parashtrohen brenda saj,e jo ta lejë çështjen çame si përmendje sporadike me gjysëm zëri të mekur.Nëse Greqia pretendon se është vend me qasje europiane,i takon të distancohet nga masakrat e ushtruara mbi ne gjatë fillimshekullit të kaluar,pse jo dhe një falje publike,shembuj ndjese kemi plot,Gjermania ka kërkuar falje për shfarrosje ndaj Hebrenjve,poashtu Izraeli kërkoi ndjese ndaj shtetit Turk,dhe kjo jo shumë,por pak ditë më pare për maskren e anijes humanitare drejt Rripit të Gazës, pra ndjesa nuk është gjë tjetër veçse një xhest fisnikërie. Kthimi i gjithë të drejtave “legale” pronësore, kulturore dhe religjoze, të cilat janë të shumta në numër e në vlerë , patjetër do të na bënte ti shikonim gjërat me sy optimist.Do doja të cekja shkurtimisht disa monumente muzeale, që na bëjnë të ndihemi krenar,edhe pse ka shumë herë më shumë se kaq,por po e filloj me kishën e prijësit legjendar “Gjin Bue Shpata”,e cila ndodhet në Filipjadhe,dhe druhem ta them,por me ato çka kam lexuar ajo gjendet në kushte mjerane. Duke kaluar më pas tek xhamia muze e “Asllan Pashës” në Janinë, varrin e “Ali Pashë Tepelenës” sërisht në Janinë,dhe pa harruar gjimnazin “Zosimea” ku prej tij kanë dalë një pjese e mirë e korithejve të rilindjes kombëtare.I bindur dhe me keqardhje theme, se zyrtarisht asnjë nga shtetarët tanë nuk i ka vizituar këto monumente trashëgimie, për mos përmendur më tej pazaret,çarshitë,kullat,xhamitë,teqetë dhe tyrbet e shumta.Ndërsa nga pala tjetër dhe kur nuk ka gjë për të vizituar,modoemos shpikin diçka. E pra këto janë pjesë e identitetit tone kombëtar,e kush tjetër veç nesh do kujdeset dhe interesohet për këto vepra të rralla monumentale qe i kanë rezistuar shekujve.Sot më shume se kurrë jemi ne epokën e teknologjisë së shpejtë informative,ku çdo studiues që dëshiron të hulumtojë për çështjen çame e ka gjithë mundësinë e informacionit, dhe aty shikon fare lehtë se sa shumë është përmendur kjo çështje në librat e autorëve dhe studiuesve të huaj, saqë me vete pëshpërit e thua,sa pak paskam ditur për Çamërinë…! Në informacionet e mia,janë gati më shumë se 300 libra dhe autor të huaj,ku dikush direkt e dikush indirekt,apo diku në mënyrë tangente kanë trajtuar gjurmët që ka kaluar çështja çame në gjithë dimensionet e saj historike,etnike,religjoze,diplomatike,humane dhe mbi te gjitha si nje popullatë e vuajtur,me një spastrim etnik nga më të egrit në gadishulin e Ballkanit.Nuk arrij dot ta kuptoj “Akademinë e shkencave të Shqipërisë” heshtje totale, asnjë reagim zyrtar prej saj për këtë çështje kaq patriote dhe sensitive.Ndaj klasa jonë politike duhet të jetë krenare dhe e privilegjuar që në këtë legjislacion u hidhet për votim në tavolinat e tyre kjo rezolute fisnike,që bart mbi vete çelësat e miqësisë së mirë mes dy vendeve duke parë nga e ardhmja dhe njëkohësisht mos harruar të shkuarën,duke falur dhe jo duke urryer, ndërkohë të gjitha këto bëjnë pjesë në kuadrin e të drejtave dhe lirive të njeriut.Dhe nëse ka një popullësi shqiptare qe “de juro” është në bashkimin europian,ajo sigurisht ështe popullësia çame…!