
Sokol Paja/
Kryeministri i Shqipërisë Rama publikisht dënoi me “riedukim 3 mujor” gazetarin Klevin Muka, një linçim tipik komunist si armiqtë e popullit para Koperativave Bujqësore, Frontit Popullor, Organizatave të Masave apo Revolucionarëve të Partisë e Pushtetit Popullor. Partia-shtet e personifikuar me Kryeministrin Rama, njësoj si në diktaturën e proletariatit, e fton gazetarin në spektaklin e qeverisë dhe nëse nuk i pëlqejnë pyetjet, shpallet direkt armik i partisë, popullit dhe pushtetit popullor, dënohet me riedukim, kombinuar me internim në prodhim, në fshat, në kooperativë bujqësore, qarkullim kuadrosh siç bënte dikur nëna parti. Një sistemik i neveritshëm bolshevik në epokën digjitale. Njësoj si dikur, partia të fton, partia të vlerëson, partia të gjykon, partia të dënon, partia të riedukon.
Një praktikë kjo tipike staliniste e censurës, shantazhit e kontrollit mediatik mbi veprimtarinë mediatike të garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Ligjet, Kodet Mediatike dhe Liritë e të Drejtat Themelore të Njeriut. Këto sulme e ndëshkime janë këmbanë alarmi jo vetëm për gazetarët por për të gjithë shtetasit e Republikës që i besojnë medias. Në të gjithë aktivitetin e tij politik, sjelljen publike, menaxhimin e pushtetit dhe raportin me median, Rama ka demonstruar të gjithë arsenalin e tij prej një stalinisti brutal.
Sharës, kërcënues, ofendues, shantazhues, denigrues dhe dënues në vazhdim si me gazetaren Ambrozia Meta apo shkartisjet ndaj gazetarëve në studio mediatike, dëshmojnë sikletin dhe fundin ku ka rënë Kryeministri. Rama pasi ka zaptuar të gjitha institucionet e varura dhe të pavarura në Shqipëri, po tenton të gllabërojë dhe 5% të mediave që ende nuk janë në shërbimin e tij për ta kthyer në monizëm institucional dhe mediatik. Pasi qeverisja e Ramës ka shpartalluar konceptin e shtetit dhe funksionimit të institucioneve, sulmet mbi gazetarët janë një rrezik për shtetin demokratik, për shoqërinë, për lirinë e medias për imazhin e Shqipërisë në botë. Një shtet i rënë në prehrin e krimit, korrupsionit e shpërdorimit, një shtet i kapur që do të kapë dhe mediat.
Një qasje denigruese e Kryeministrit Rama tashmë të zhytur në korrupsionin e Inceneratorëve, që sillet si bandë grabitqare mbi paratë publike, duhet larguar një orë e parë nga drejtimi i shtetit. Rama paraqet rrezik të shtuar për mediat, për shtetin për kombin. Kush prek mediat, ka prekur vijën e kuqe. Të gjithë tiranët që janë përplasur me median, kanë pasur fund të dhimbshëm. I tillë duhet të jetë dhe fundi i Kryeministrit më të keq të tranzionit 30 vjeçar.
Sulmet e Ramës mbi mediat, masat ndëshkimore ndaj gazetarëve, presionet e shantazhet duhet të neveriten me përbuzje prej gazetarëve e mediave në Shqipëri. Gazetarët në Shqipëri përveç se duhet ta bojkotojnë Ramën, është detyrë patriotike ti ekspozojnë korrupsionin qeveritar, keqqeverisjen, shkatërrimin e shpopullimin e Shqipërisë, lidhjet me bandat dhe oligarkët që e mbajnë në pushtet.
Foto: Gazeta Panorama