![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2022/03/275644936_1312655365812707_643799262844965263_n-1024x577.jpg)
Shani Pnishi/
Bashkësia Shqiptare e Kuebekut në Montreal ka paralajmëuar se nga 19 marsi riaktivizohet Shkolla Shqipe “Nënë Tereza” në këtë qytet. “Shkolla Shqipe Nënë Tereza do te rihapet nga dita e shtunë 19 Mars, në ambientet e Cégep André-Laurendeau, deri në fund të muajit prill. Ku: 1111 Rue Lapierre, LaSalle, QC H8N 2J4. Ajo do të jetë e hapur çdo të shtunë ora 10:00 deri ne 13:00, ndërsa gjysma aktivitet ne klasë, dhe gjysma aktivitet fizik, gjithmonë SHQIP”- thuhet ndër të tjera në njoftimin e shoqatës postuar në faqen e saj në Facebook, ku jepen edhe detaje të tjera të shkollës dhe kostos. Kryetari i kësaj shoqate, e cila e mirëmban shkollën, Noel Dedja në një bisedë për gazetën “Dielli” thekson: “Është një moment lumturie dhe krenarie pa dyshim por edhe një lehtësim për të gjithë anëtarët e bordit. Që në ditën e parë kur morëm përsipër misionin e ringritjes së Bashkësisë Shqiptare të Montrealit e kishim të qartë që qëllimi jonë parësor nuk ishin mbrëmjet apo koncertet, por Shkolla Shqipe Nënë Tereza. Ajo u pezullua pa afat për shkak te COVID-19”- Disa prej nesh ishim dhe jemi akoma studentë dhe e kuptojme më së miri vështirësinë e të mësuarit nga kamera, ndaj dhe e ndjenim shumë të rëndësishëm rikthimin e Shkollës Shqipe kur te hapeshin klasat për aktivitetet parashkollore. Në këto dy vite ato herë u hapën e herë u mbyllën, por nga tani e më tej shpresojmë të shohim vetëm përpara. Heqja e maskave do të jetë një tjeter lehtësim. Provinca e Québec ka qënë mbase më e rrepta në Amerikën e Veriut për sa i përket masave mbrojtëse ndaj COVID-19”. Ai shprehet “se formati i veçante por edhe filozofia e cila ne sollëm para dy vitesh e kërkojnë akoma më shumë prezencën fizike. Së pari, nxënësit do të kalojnë një orë në klasë për të mësuar gjuhën dhe pastaj zhvendosen drejt palestrës për aktivitete fizike, lojra, valle, etj. Së dyti, vizioni jonë i shkollës shqipe është ai i një vendi ku fëmijët jo vetëm mësojnë gjuhën, por edhe argëtohen dhe mbi të gjitha krijojnë lidhje të çmuara miqësore me bashkëmoshatarët e komunitetit”. Në njoftimin e shoqatës thuhet se prindërit të cilët kishin fëmijët të regjistruar përpara se Shkolla Shqipe të pezullonte aktivitetin do të kontaktohen personalisht për t’u pyetur nëse dëshirojnë apo kanë mundësi t’i regjistrojnë fëmijët përsëri, gjithnjë duke mirëpritur edhe nxënës të rinj.