

Sokol Paja/
Hartford, Connecticut, 14 Dhjetor 2024 – Patrioti Ilir Gjomarkaj me propozim të të gjithë anëtarëve pjesëmarrës u zgjodh kryetar i Federatës Vatra në Hartford. Pas një procesi diskutimesh e riorganizimi, veprimtari i çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës z.Ilir Gjomarkaj pas votëbesimit unanim falenderoi mbështetësit dhe kërkoi më shumë organizim dhe angazhim të çdo anëtari të Vatrës e çdo shqiptari për të mirën e Vatrës dhe komunitetit shqiptar në Hartford, Amerikë. Sipas z.Gjomarkaj vatranët e shqiptarët e Hartford do kontribuojnë me aktivitete patriotike sidomos në hapjen e shkollës shqipe në Hartford dhe aktivitetet e ndryshme patriotike. Ish kryetari Prof.Milaim Tahiri ekspozoi vlerat e Vatrës ndër vite dhe renditi disa problematika të funksionimit të degës dhe propozoi Ilir Gjomarkajn duke bërë thirrje të gjithë vatranëve për bashkëpunim të ngushtë në përpjekjet për çështjen kombëtare dhe komunitetin shqiptar në Hartford. Ai renditi në fjalën e tij punën e domosdoshme për shkollën shqipe në mënyrë që fëmijët shqiptarë të flasin shqip e të ruajnë identitetin shqiptar. Diskutuan në takim edhe arkëtari i Vatrës z.Besim Malota, kryetari i Vatrës në Jacksonville z.Adriatik Spahiu, dhe vatrani kontributor z.Nesim Muçollari etj. Në fjalën e tij, kryetari i Federatës Vatra Dr.Elmi Berisha lavdëroi punën e Vatrës Hartford prej 1 dekade dhe siguroi mbështetjen e pakufishme të Vatrës Qendrore në një proceset kombëtare të përpjekjeve për çështjen shqiptare në mërgatën e Amerikës dhe partneritetin e Vatrës me institucionet amerikane. Dr. Berisha përmendi punën e shkëlqyer diplomatike dhe institucionale të Vatrës në vitet e fundit dhe projektet në vazhdim. Federata Vatra zhvillohet e fuqizohet çdo ditë e më tepër duke qenë prej 112 vitesh lideri i padiskutueshëm i proceseve patriotike dhe atdhetare në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.