-SI E KTHEU ENVER HOXHA NGA HERO NË TRADHËTAR ABAZ KUPIN…/
-Enver Hoxha:”….Në Durrës luftonte Abaz Kupi kundra mijëra e mijëra fashistëve që po zbarkonin. Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun të kthehej në vapore e të linte në Molo me qindra të vrarë. Major Bazi ishte kudo, në çdo pozicion dëgjohej zëri i tij: “Djema! Godisni armikun pa mëshirë, se kështu e lyp ndera e Atdheut!”/
Nga Dalip Greca/
Edhe në përkujtimin e 39-të të vdekjes së heroit të 7 Prillit, heroit kombëtar,(me 28 Nëntor 2014 u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani me Urdhërin”Gjergj Kastrioti Skënderbeu”),-u përmend sërish kthimi i eshtrave në Atdhe. Komandanti i qëndresës antifashiste me 7 prill të ’39-tës, e ka vendin atje pranë Mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogut. Por kush do ta kthejë? Qeveria s’ka gjasa, shqiptarët e Amerikës duhet t’i dalin për zot vetë këtij kthimi.Djemtë energjikë të Legalitetit duhet t’i drejtohen diasporës dhe t’i dalin për zot kthimit.Ndoshta ky kthim shërben edhe si model për kthimin e nacionalistëve të shumtë, eshtrat e të cilëve duhet të prehen në Atdhe. Është e pafalshme që politika shqiptare, për një cerek shekulli demokraci, nuk ka kthyer eshtrat e Mit’hat Fashërit dhe nacionalistëve të tjerë!
Le të kthehemi tek Abaz Kupi: Ka 39 vjet që shqiptarët e Amerikës, i përulen me nderim heroit kombëtar, por ende historishkruesit shqiptar, nuk duan t’i japin Abaz Kupit ç’ka është e tij.Paskal Milo kërkon për Enver Hoxhën,” Jepi Cezarit atë që i takon Cezarit”, por nuk e kërkon këtë për Abaz Kupin, për të cilin do të mjaftonte vetëm qëndresa e 7 prillit, për t’u vendosur me nderime në historinë e Shqipërisë.. Ende shkruhet nëpër gazeta se Abaz Kupi e tradhëtoi Lëvizjen për çlirim!
Në fakt Abaz Kupi nuk pranoi të hyjë në labirinthet e luftës, kur ajo mori drejtim vëllavrasës, orientuar nga jugosllavët së bashku me Partinë Komuniste. Historia dëshmon se Abaz Kupi ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të Konferencës së Pezës më 16 shtator 1942 dhe u zgjodh anëtar i KANÇ. Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët të luftës kundër italianëve, ai u bë nismëtari i Konferencës së Mukjes mbajtur në 1-2 gusht 1943, për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Marrëveshja e Mukjes u pagëzuar në zjarrin e armëve në betejën e përbashkët me 4 dhe 5 gusht 1943, dy ditë pas Kuvendit të Mukjes, në një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë-Shtamës, kundër ushtrisë italiane, që marshonte për në Mat. Çetat partizane dhe ato të Ballit Kombëtar, nën komandën e majorit Abaz Kupi e shpartalluan armikun, duke i shkaktuar humbje të rënda: 150 të vrarë, 40 të plagosur dhe 7 robër.Mirëpo komunsitët nën diktatin e jugosllavëve, e hodhën poshtë Mukjen. Në shtator të 1943,në Konferencën e Labinotit Enver Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen. Abaz Kupi u largua nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar.Enver Hoxha e shpalli tradhëtar dhe e dënoi me vdekje me një urdhër të posaçëm të komandës së Shtabit.
NGA HERO, ENVER HOXHA E SHPALLI TRADHTAR ABAZ KUPIN
Ende dëgjohen përrallat e Nexhmije Hoxhës, që vazhdon të shkruaj kujtimet e Enverit dhe kujtimet e saj,ku Abaz Kupi paraqitet me ngjyra të errta, si personazh negativ i letërsisë së realizmit socialist. Ajo harron se çfarë ka pasë shkruar vetë Enveri në Zëri i Popullit, 13 shkurt 1943, ku s’lë epitet, krahasim e metaforë, pa përdorur për të ngritë lartë trimëritë e Bazit të Canes. E risjellim pa koment të plotë fragmentin që i kushtohet Abaz Kupit, me shpresë se ithtarët e Enverit dhe të Nexhmijes do ta gjykojnë ndryshe heroin e 7 prillit:“Ditët e para të prillit 1939, populli shqiptar ishte në këmbë, me një zemër, me një parullë: Luftë invazorit! I madh e i vogël bërtiste, bërtiste: në Durrës, Shëngjin, Vlorë për të mbrojtur Atdheun. Në Durrës luftonte Abaz Kupi kundra mijëra e mijëra fashistëve që po zbarkonin. Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun të kthehej në vapore e të linte në Molo me qindra të vrarë. Major Bazi ishte kudo, në çdo pozicion dëgjohej zëri i tij: “Djema! Godisni armikun pa mëshirë, se kështu e lyp ndera e Atdheut!” Nga çdo anë, nga çdo mur, derë, nga çdo penxhere e Durrësit gëlonte pushka. Bazi i Canes nuk po ja lëshonte vendin, megjithëse armiku përdori topa e aeroplanë, djemtë e Shqipërisë nuk trembeshin. Lufta vazhdoi me orë, armiku hidhte si në furrë me mijëra bersalierë dhe përpara kësaj hordhie të madhe të veshur me çelik, Bazi i Canes u tërhoq, por i pathyer, i papërkulur, me zemrën plotë dashuri për Atdheun dhe me urrejtje për okupatorin. Në emigracion këtij nuk i rrihej…prandaj çau malet me borë, çau bjeshkët e Veriut dhe u fut në Atdhe, atje ku e lyp detyra, ku e lyp ndera e Atdheut, u fut me forcat e tij, me atë të shokëve shqiptarë që ishin çu në këmbë. Fshatrat e Krujës zienin, fshatarët rrokën pushkët, pse era e hakmarrjes kish arritur, pse Bazi i Durrësit ishte kthyer me marrë pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar…Bazi i Canes që luftonte për një qëllim të shenjtë: Çlirimin e Atdheut nga zgjedha italiane, e ka kuptuar fare mirë se trimi i mirë me shokë shumë, se ky hall i madh ka mbuluar gjithë Shqipërinë dhe se një bashkim i fortë i gjithë shqiptarëve do të jetë shpëtimi i vendit tonë. Bazi i Canes nuk tutej por thoshte “Vallja vjen pas”. Patrioti i vërtetë nuk lufton me fjalë, por me vepra dhe Bazi i Canes mendimet e tij i realizonte në fushën e luftës dhe solidar deri në vdekje u hodh në luftën Nacionalçlirimtare… Bazi i Canes, Bazi i Krujës, Bazi i Pezës do ta vazhdojë luftën deri në fitore…”-Shkëputur nga artikulli i Enver Hoxhës, “Bazi i Canës, Myslym Peza dhe Babafaja Martaneshi”, Zëri i Popullit, 13 shkurt 1943
Pa koment…!
ABAZ KUPI PËRBALLË HISTORISË DHE HISTORIANËVE
Duket si lojë fjalësh ky nëntitull, por e vërteta duket sheshazi, ka një kontraditë mes historisë dhe historianëve rreth Abaz Kupit. Abaz Kupi përballë historisë është i dneruar, ai e ka kryer detyrën ndaj Kombit.Shumë kombe e shtete më të mëdhenj se Shqipëria dhe shqiptarët, e kanë ëndërruar një pushkë të shkrehur kundër pushtuesve,ndërsa shqiptarët organizuan qëndresë të armatosur, por historianët tanë nuk duan ta vlerësojnë.Një pjesë e tyre nuk duan ta ngisin Abaz Kupin në piedestalin që i takon për shkak se një pjesë e pidestaleve janë të zëna me heronjtë e rremë të krijuar nga historianët militantë,duke u nisë nga Enver Hoxha, që ende mbanë titullin Hero i popullit. Do të mjaftonte vetëm 7 prilli për t’ia ngritë monumentin Abaz Kupit….
Pra, problemi nuk është ai i Abaz Kupit me historinë, por i historianëve militantë me të.Ndërsa historianë si Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu,Uran Butka e të tjerë, e kanë trajtuar realisht këtë figurë,ende ka historianë të tipit Kotani, Milo,që pretendojnë se zotërojnë materiale sekrete të arikivave(të Nexhmijes), ndërkohë që anglezët e kanë ngritur në qiell Abaz Kupin.
Ende e kujtoj një shprehje të djalit të Abaz Kupit, Bardhit, qëndrestarit të burgjeve komuniste dhe kampeve të internimit:” …Anglezët e kanë veshur Abaz Kupin me ar’, shqiptarët me lecka…!”. S’ka nevojë për koment kjo shprehje.
Në këtë këtë shkrim do t’i referohem studiuesit, dr. Vangjel Kasapi, i cili në librin e tij”Yjet e Gjeneralëve” e vështron me objektivitet figurën e Abaz Kupit. Ai kërkon nga historianët e kohës së sotme, që ta vlerësojnë dhe studiojnë Abaz Kupin si shqiptar dhe si ushtarak, duke iu shmangur politizimeve e subjektivizmit, pasi s’mund të gjejmë portrete të përkryera, të marra jasht konteksteve historike.Abaz Kupi nën këndvështrimin e këtij studiuesi, si personalitet lufte, i përket periudhës së lavdërueshme të popullit shqiptar për pavarësi Kombëtare 1911-1922, si dhe etapës së luftës Antifashiste, me prolog 7 prillin 1939. Edhe pse nuk e kishte arsimin ushtarak, shquhej për zgjuarsi e prakticitet të rrallë pune e drejtimi në fushën e luftës.Nga natyra shfaqi dhunti ushtarake, si prirja për të pasur e për të përdorur armë, guximi për të vepruar, urrejtja për të huajin pushtues etj. Këta tregues të karakterit të tij nisën nga fundi i sundimit turk (1910) e vazhduan deri në fundin e Luftës së Dytë Botërore. Në një moshë fare të re, vetëm 15 vjeçar zgjidhet anëtar i këshillit Kombëtar të qytetit historik të Krujës. Ishte vetëm 17 vjeç, i ngarkuar nga ky komitet, kur egzekuton filoturkun Llan Hoxha, pse ai pat përbuzë Flamurin Kombëtar, duke e zëvendësuar me atë turk. Në ngjarjet e pavarësisë më 1912, Abaz Kupi ishte në krye të krahinës së tij, duke qëndruar si prijës pro Kuvendit Kombëtar dhe Qeverisë së Vlorës. Ai konfirmon me vepra se është armik i shovinizmit fqinj, duke u rreshtuar në radhën e nacionalistëve që luftonin për Shqipërinë Etnike. Në vitin 1922 serbo-malazezët rrezikojnë me hordhitë pushtuse territoret e Koplikut dhe të mbi Shkodrës. Në këtë front lufte Abaz Kupi shquhet si komandant me të dhëna të plota ushtarake, organizator e udhëheqës me talent ushtarak i një reparti me rreth 400 krutanë. Goditjet e tij mbi ushtritë sllave qenë rezultative duke i thyer ata e duke i detyruar të tërhiqeshin nga krahina veriperëndimore.
Në çastet e vështira që kalon shteti shqiptar ka dalë në pah shërbimi i përkushtuar i Abaz Kupit ndaj shtetit. Pas vitit 1925 ai është ithtar i vendosjes së rendit dhe qetësisë duke luftuar ashpërsisht anarkinë. Në atë kohë ishte një ndër drejtuesit e operacioneve ushtarake ndaj atyre që kundërshtonin shtetin. Zgjuarsinë ushtarake dhe aftësitë komanduse, guximin dhe vendosmërinë tradicionale të prijësve krahinorë si dhe krenarinë e familjes, ai i vuri në shërbim të shqiptarizmit.Kur Atdheut i troket në prag agresioni fashist, Abaz Kupi nxjerr në pah cilësitë më të spikatura të shqiptarizmës.Shteti shqiptar, disi i paralizuar me kapacitete të kufizuara ushtarake, duket i pamundur për t’u përballur me agresionin. 1 milionë kundër 40 milionëve, ç’mund të bëhej në këtë përballje të pabarabartë? Gjithësesi me vendim Parlamenti, major Abaz Kupi vihet në krye të komandës për rezistencën e 7 prillit.
Studiuesi Kasapi na jep këtë informacion: Sipas planit të orientuar nga komanda e përgjithshme e UKSH-së, Abaz Kupi është në komandë të 500 vetave të Zonës së Parë, për mbrojtjen e drejtimit më të rëndësishëm operativ të Shqipërisë, atë Durrës-Tiranë, posaçërisht të portit strategjik të Durrësit. Ai u përpoq të mabjë në det ushtrinë pushtuse në portin kryesor. Luftimet i drejtoi në brendësi, që ta pengonte përparimin e shpejtë të motorizatave italiane, gjë që ishte e pamundur, por ai e kreu me nder aktin e atdhetarit.Abaz Kupi largohet përkohësisht jashtë Shqipërisë, ndërkohë që familja i internohet në Himarë, e më pas në Itali. Italia e shndrroi Shqipërinë në një teatër lufte e trampolinë për në Lindje. Emri dhe kontributi i Abaz Kupit doli sërish në skenën e qëndresës shqiptare.
Studiuesi konstaton se: Një kapitull më vete në biografinë e personalitetit të Abaz kupit formon vija e tij në raport me fashizmin italian.Ai s’i fsheh opsionet e një rendi kushtetues monarkist me Ahmet Zogun si mbret. Por Shqipëria etnike e lirë qëndron mbi pikpamjet që lindën në truallin e pushtuar.Në atë kohë Abaz Kupin e gjejmë në krye të aksioneve, por tepër i zgjuar,afrohet dhe drejton përgatitjet e gjithanshme ushtarako-politike dhe mobilizimin e popullit për ditët e ardhshme. Viti 1942 bëhet i padurueshëm, kështu që detyrohet të emigrojë në Jugosllavinë e pushtuar nga nazi-fashizmi. Abaz Kupi duke u investuar me fonde nga jashtë, nisi të mbledhë rreth vetes emigrantë bashkatdhetarë edhe nga Kosova pro luftës për shqiptarizëm. Shpërngulet që andej me ideale e fuqi ushtarake me qëllim që t’i shërbejë çështjes kombëtare. Në Bogë (Shkodër) Abaz Kupi kryen një akt të lartë patriotizmi, ngre Flamurin Kombëtar, duke rishfaqur personalitetin e tij ushtarako-atdhetar.
Abaz Kupi ishte një personalitet në qendër të vëmendjes prandaj është në qendër të kërkesave për dialog, qoftë nga pushtuesit fashistë, qoftë edhe nga Fronti Nacional-Çlirimtar si dhe Balli Kombëtar. Nisur nga interesat më të larta të Kombit, si dhe nga kërkesat imperative, si ajo e luftës çlirimtare kundër nazi-fashizmit, ai përkon me platformën e bashkimit kombëtar e në përpjekjet për zgjidhjen e detyrës kapitale. Kupi pajtohet dhe jep ndihmesë me pjesmarrje në organizimin e mbledhjes të krerëve dhe përfaqësuesve të popullit, siç ishte Konferenca e Pezës, 16 shtator 1942. Kupi është në një front me nacionalistët por pranon bashkëpunim edhe me komunistët për çlirimin e atdheut. Mukja, ishte momenti, ku nacionalizmi i Kupit shfaqi cilësitë e tij prej atdhetari gjithëetnik, por komunstët, nën diktatin e Miladinit dhe Mugoshës, e revizionuan konferencën e bashkimit kombëtar.
Te personaliteti i Abaz Kupit spikati qëndrimi burrëror dhe lufta me armë kundër fashizmit deri në kapitullimin e Italisë. Periudha 4-vjeçare e nxjerr atë si prijës ushtarak që bashkëpunoi me faktorët e tjerë të interesuar. Ai ndërmori edhe aksione të përbashkëta me UNÇSH-në, duke drejtuar me po aq aftësi sa dhe komandantët e tjerë. Kryengritja popullore e Matit qe një provë e madhe edhe për Abaz Kupin. Luftimet në Mat dhe në Dibër ishin një tërësi veprimesh sulmuse kundër garnizoneve të Burrelit, të Shkronjanit e të Qafës së Buallit, që u bllokuan për ditë të tëra. Major Kupi e mori zonën me ngarkim duke manovruar nga njëri vend në tjetrin, bashkëorganizon pritë pas prite me mjeshtri, sidomos me çetat partizane në Qafë-Shtamë. Kjo pritë shpartalloi dhe shpërbëu regjimentin italian”Guida”. Po ashtu ai thyen operacionin italian, që vinte nga Dibra dhe nxjerrjen nga rrethimi i forcave shqiptare. Abaz Kupi shfaqet kamandues tipik në pritat mbrojtëse për gjatë rrugës për Burrel, Klos, Kurdari, e Suc. Italainët pësojnë humbje të ndjeshme.Asnjë historian nuk mund t’ia fshijë me një të rënë të lapsit këto kontribute Abaz Kupit.
Deklarata e tij konfirmon shqiptarizmën e kulluar:”Unë jam gati të bashkëpunoj me çdo shqiptar të ndershëm pa dallim feje, krahine apo ideje. Unë nuk kam gajle se ju jeni komunsitë.Unë jau respektoj çdo bindje politike, por me kusht që ju të jeni komunistë shqiptarë…”
Nënkuptohet se Abaz Kupi duke vënë theksin tek”komunsitë shqiptarë”, aludonte mos komandimin e tyre nga sllavo-komunsitët sepse pavarsisht nga ideologjia e re komuniste, sllavët kurdoherë e kanë lakmuar sundimin e Shqipërisë.
Deklarata e Abaz Kupit se “Unë nuk dua që të shpallemi parti politike në këtë lufte se partitë politike përçajnë popullin”- konfirmon pikëpamjen e tij kombetare perëndimore.
Kuvendi i parë pluralist mbarëkombëtar i Pezës e konfirmoi Abaz Kupin si prijës patriot me vizione lufte për liri, e dëshmoi si strateg popullor, ndërsa Mukja konfirmoi vizionin prej nacionalisti.Ndarja nga Fronti erdhi, kur ai u bind se Partia Komuniste i ktheu shpinën Kosovës dhe tradhëtia e Mukjes, ia përshpejtoi këtë vendim.
KRONIKA E PËRVJETORIT TË 39-TË TË VDEKJES
Përkujtimi i 39-të i ndarjes nga jeta të heroit Abaz Kupi u shënua nga Partia Lëvizja e Legalitetit për ShBA dhe nga familja Kupi, Dani e Çupi me 10 Janar 2015 në Kew Gardens, Queens, New York. Takimin e ka hapë nënkryetari i PLL, z. Ahmet Hoti. Pas përcjelljes me solemnitet të dy hymneve Kombëtare, Amerikan dhe Shqiptar, është mbajtë një minut heshtje-në kujtim të Abaz Kupit dhe të gjithë dëshmorëve të Kombit. Kryetari i PLL për SHBA, z. Hakik Mena, përmes një kumtese evokoi jetën prej heroi kombëtar të Gjeneral Abaz Kupit. Prof.dr. Muharrem Dezhgiu përcolli kumtesën “Rrethanat historike të vendosjes së Legalitetit në Shqipëri, 24 dhjetor 1924”.
Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës përshëndeti nënkryetari i saj, z. Asllan Bushati.
Veprimtari i komuniteti çam, Sali Bollati, ashtu si dhe vitet e tjerë ka përshëndetur duke vlerësuar kontributin kombëtar të Abaz Kupit.
Nga brezi i ri përshëndeti presidenti i “Rrënjët Shqiptare” Marko Kepi. Musli Mulosmanaj, veprimtar i hershëm i komunitetit shqiptar, vatran, në përshëndetjen e tij, bëri apel, që së bashku me gjeneral Abaz Kupin, të nderohen edhe nacionalistët e tjerë, të cilët prehen në të njëjtën varrezë me të.
Anëtari i kryesisë së PLL për SHBA, Tomor Selamani lexoi kumtesën e gazetarit Erald Capri”Mbreti Zog dhe tentativa për një triumf të dytë të Legalitetit”, ndërsa Ahmet Hoti, i cili ishte dhe udhëheqësi i veprimtarisë përkujtimore, lexoi fragmente nga libri i Julian Amery.
Në emër të familjes Kupi, Dani dhe Çupi, ka përshëndetur Sokol Kupi, nip i gjeneral Abaz Kupit, i cili falenderoi organizatorët dhe pjesmarrësit për nderimin që i bënë gjyshit të tij. Sokol Kupi bëri thirrje për organizim dhe bashkim të nacionalistëve të vërtetë, të cilët vetëm të bashkuar do ta shpëtojnë Shqipërinë e rrezikuar nga korrupsioni, ringjallja e komunizmit dhe pseudodemokratët. Për Sokol Kupin, kombi shqiptar nuk mund të shkojë në Europë kështu i dobsuar, inferior, i kërcënuar me shpërbërje në trojet e veta etnike, i shpërndarë në gjashtë shtete. Në Europë, tha duhet të shkojmë me dinjitet. Dhe dinjitetin Kombit ia kthejnë nacionalistët.
Takimi përkujtimor u mbyll me vizitë tek varri i heroit të 7 Prillit në “Maple Grove Cementry” në Kew Graden( Queens), ku u vendosën kurora me lule dhe u bënë fotografi.
Në këtë takim përkujtimor morën pjesë edhe vatranët:Asllan Bushati, Zef Balaj, Sejdi Hysenaj, Uk Gjonbalaj,Lek Përlleshi si dhe editori i Diellit.( Shkrimi u botua në Diellin e printuar, 27 Janar 2015)
Sali Bollati says
ATDHETARI I NDERUAR ABAS KUPI ESHTE FIGURE SHUME E ÇMUAR E SHQIPTARIZMES.
Me ka mbetur ne mendje nje bisede e zhvilluar para me shume se 40 vjete ne Tirane me Atdhetarin krutan z.Hamdi Subashi. Atehere I nderuari H.Subashi me ka treguar :
“Me 1941, ne tavolinen e nje kafe ne Kruje ishin duke biseduar disa burra. Ne bisede e siper kur flitej per A.Kupin, njeri prej tyre filloi ta ofendoi duke e quajtur frikacak se ishte larguar nga Shqiperia.Por ne moment njeri nga burrat ngrihet dhe e godet me nje shpulle te forte. Duke I bertitur se fikacak je ti dhe jo Bazi I Canes.Abazi ishte Trim I Madh Shqiptar kur bashke me ushtaret Shqiptare I doli me pushke ne dore pushtuesave fashiste italiane me 7 Prill, kur ti ishe fshehur si frikacak.
Dhe jo per cudi Burri qe e goditi nuk ishte krutan, por ishte Shqiptar nga Çameria”. I nderuari Atdhetar Rexhep Çami ishte internuar nga Tirana ne Kruje nga italianet. Ai megjithese ishte derguar nga Kominterni ne Tirane, si Atdhetar I vertete mbrojti me force ATDHETARIZMEN E A.KUPIT
Po e permend biseden me te ndjerin H.Subashi se TRIMERITE,ZGJUARESIA DHE ATDHEDASHURIA E ABAS KUPIT LEGJENDAR JANE JO VETEM PER TI KUJTUAR POR EDHE PER TA VENDOSUR NE PIEDESTALIN E BABALLAREVE TE KOMBIT, ATY KU E MERITON!