Një reminishencë bajate e Luftës së ftohtë/
Shkruan : Rexhep Kasumaj/Berlin/
1.
Një ish-spiun nga koha e Luftës së ftohtë fërkon duart ngazëllyeshëm. Tash sa vjet shef i Kremlinit (edhe kur nuk ishte banor i tij), Wladimir Putini, shpreson të ketë ngritur një Perde të re mes tij dhe botës së lirë. Premieri ukrajinas, Mykola Asarow, dekretoi ndalimin e nënshkrimit (pritej javën e ardhme në Vilnusin baltik) të Marrëveshjes së asociiimit me Bashkimin europian. Kijevi përplasej moti në vorbën djegëse se ç’anë duhej të zgjedhte: Rusinë apo Perëndimin! Zgjedhja nuk kje e lehtë. Dhe as vetëm politike. Ndarja përgjatë lumit Dnjepër i jepte asaj përmasën e vështirë identitare. Çorientimi etnik i gjysmës popullore dhe shantazhi ekonomik rus, do të vulosnin vendimmarrjen e gjunjëzuar për aderim në Unionin doganor me fuqimadhin e vogël verior.
Europa do të indinjohej keq, kurse Putini (që thuase ishte kthyer prapa në vitin 1939 të Hitlerit a Stalinit të tij, si e përshkruan SZ e Mynihut) ekzaltohej nga fitorja e ligë: arriti të mblidhte mbetje të pluhnosura nga rudimenti i Murit të rrëzuar. Ukrajina, së paku ajo, duhet të kompensonte atë. Të ishte tamponi mbrojtës përreth rrezatimit të vlerave të qytetnisë europiane. Ai i trëmbet, si mortit, afrisë së tyre. Fine e, njëkohësisht, përflakëse, ato lëkundin themelet e despotisë së tij: si frymë dhe praktikë e vjetër lindore.
2.
Po a s’është ky një moment reflektimi dhe për Europën vetë? E para, meqë duket pakëz e rënduar për integrimin flatrues të Rumanisë e Bullgarisë, të parritura ende për vrujimet e saj, a duhej të ngarendte sërish drejt dështakut të radhës: pa një profil unik kulturor, pa caksynim të definuar strategjik dhe pa demokraci të absolvuar parlamentare?!
Pastaj, e dyta, deri ku venë kufijtë e saj? Deri aty ku mësojnë lektyrat shkollore apo deri aty ku ajo refuzohet si hemisferë e huaj?
Europa nuk mund të ngryset në Bosfor dhe të gdhijë një ditë të bukur në malet e Hindukushit, duke përvetësuar problemet që nuk janë të saj. Kështu e ka zakon të thotë shpesh Helmut Schmidt, ylli akoma i pashuar i socilademokracisë, krahut politik gjerman, e kontinental përgjithsisht, që shprehet përherë më i hapur për vende e popuj që rrojnë larg, shumë larg gjeografisë së saj. Më të rreptë akoma janë eurocentristët që mbahen tëpër të rezervuar dhe nuk entusiazmohen fare me teoritë përshtrirëse dhe multikulturale. Ata janë të gatshëm ti ofrojnë, Turqisë fjala vjen, statusin e partneritetit të privilegjuar dhe asgjë më shumë. Mirëpo dhe nga ithtari ngulmëtar për integrim komunitar, i ftohur a reislamizuar, vjen një mesazh tjetër lehtësues: tani vetëm 30 përqind e më pak të banorësisë turke mbështesin idenë e përbashkimit me Europën.
Ndaj, ç’do dhe ç’shenjon ajo, njëmend, në horizonte të tillë? Është rezoni i gjeopolitikës që mbipeshon kulturën e demokracisë – apo kjo e fundmja është ai shpirti mijëvjeçar që gjakon të zbardhë hapsirat e errta? Janë, mbase, të dyjat bashkë. Ajo, si përherë, ka mision planetar, ndërkohë që, në anën tjetër, vajtja andej ngjan të jetë krejt e natyrshme. Fundja, ukrajinasit gjenden pranë, në oborrin e saj, kurse pishtarin përndritës e mban poaq dhe Lindja e vjetër. “Konfederata ose Paqja e Varshavës” e vitit 1573 (Pax dissidentium) që fabrikoi termin nismor të disidencës (aherë kishtare) bënte një gur të fortë në ngrehën e historisë dhe kulturës së mendimit të lirë (Freidenkerei) në Europë.
3.
E prandaj, tundimi a përulja e fqinijit të poshtëm të Moskës që i thërret lojës së moçme të konfrontimit, ndoshta nuk është veçse një ndërmjetëz e brishtë në midisaktin e dramës. Shfaqja nuk ka mbaruar ende dhe gjithçka do rizhvillohet mbi ligjërinë e historisë. Flamuri i triumfit në Kremlin valëvitet dridhshëm nga era e së Drejtës dhe Lirisë që fryn nga Europa dhe Perëndimi i rinosjes së paprerë. Edhe “vëllezëria myslimane” vodhi tinëzisht e mashtrueshëm (J.Kerry) produktin e përgjakur të revolucioneve pranverore arabike, por jo jetëgjatësisht. Gjaku nuk shkon dëm kurrë dhe tiranët e çdo fytyre s’ndjehen të sigurtë askund.
As Putini me “Perden” e re poashtu. Humbja tashmë i ka lënë takim në një kohë të dytë.
Berlin, vjeshtë 2013