Behie Alushi/
Të vizitosh Shqipërinë vitet e fundit është kthyer në trendin e kohës. Së fundmi është folur në media prestigjoze botërore për këtë vend në zemër të Ballkanit, i cili qëndroi i mbyllur për plot 36 vjet. Izolimi i Shqipërisë nga bota si rezultat i politikës së brendshme solli një zhvillim të vonshëm në kohë por të vrullshëm e të pabesueshëm vitet e fundit veçanërisht në fushën e turizmit. Mediat e huaja kanë shkruar shpesh për bukuritë dhe atraksionet e bregdetit shqiptar, duke nënvizuar të bukurën, të virgjërën dhe të pakrahasueshmen. Bregdeti shqiptar shpesh përmendet për çmime më të ulëta krahasuar me vendet e tjera të bregdetit të Mesdheut, si Greqia apo Italia, duke ofruar një përvojë të ngjashme për turistët me buxhet të arsyeshëm. Madje së fundmi përmes një artikulli të gjatë prestigjiozja italiane “Corriere Della Sera ka shkruar: Për të disatin vit me radhë, turistët italianë e kanë bërë Shqipërinë dhe plazhet e saj si zgjedhjen e tyre të parë të pushimeve.
Por çfarë më panë sytë dhe fotografova në Shqipërinë e tjetërsuar të 2024-ës…
Relievi Shqiptar, aq sa i larmishëm po kaq I bukur mbetet destinacioni i frekuentuar nga të gjithë përfshirë këtu malet, lumenjtë, liqenet dhe bregdetin e mahnitshëm. Natyra e virgjër dhe mundësitë për ecje dhe eksplorim janë shpesh në fokus. Përshtypjet e vizitorëve të huaj janë nga më të ndryshmet ku përshtypje u bënë ushqimi, natyra e bukur, plazhet e kristalta dhe peisazhet rurale të paprekura dhe të rrezikshme. Në përgjithësi, me të drejtë mediat vendase por edhe ato të huaja janë tërhequr nga bukuria natyrore dhe mundësitë për të përjetuar një përvojë të veçantë në bregdetin shqiptar, duke e promovuar atë si një destinacion tërheqës dhe të veçantë.
Sot kjo Tokë e Shqiponjave është krejtësisht e vizitueshme
Shqipëria e cila 40 vite më parë ua ndalonte hyrjen turistëve me flokë të gjata ose mjekra, me funde të shkurtra, bluza ekstravagante dhe pantallona xhins, sot nuk ka ndryshim nga luku i vizitorëve të vendeve të ndryshme të botës. Përshtypjet e nje vizitori spanjoll kanë qenë interesante, sipas tij duke filluar nga Vlora deri në Ksamil nuk kishte cilën bukuri të bregdetit jugor të veçonte si më mbresëlënësen, pasi i gjithë bregdeti jugor është dhuratë nga zoti.
Vlora, një prej bukurive në jug-perëndim të Shqipërisë, e cila ofron një pamje të mrekullueshme të detit Adriatik dhe Jon, si dhe një histori të pasur kombëtare. E njohur për plazhet e saj të bukura, me ujëra të pastër dhe rërë të bardhë, ku mund të veçojmë plazhin e Radhimës. Qyteti historik gjithashtu përmendet për për portin e tij dhe për vendet historike, përfshirë Kështjellën e Vlorës dhe Muzeun Historik. Duke vazhduar udhëtimin e duke lënë Vlorën, ndeshim mrekullitë e natyrës, disa nga plazhet më të bukura të Shqipërisë: Jalën relaksuese, Himarën me një një gamë të gjerë restorantesh dhe kafenesh, Dhërmiu me perëndimin më të bukur të diellit, Qeparoin me bulevardin e qetë që ndriçon netët, Borshin, Bunecin, Lukovën dhe Sarandën e bukur me Ksamilin, plazhin e Pasqyrës, pazhin e Pulëbardhave dhe Manastirin.
Një nga atraksionet kryesore në Sarandë është Kështjella e Lekursit, e cila ofron pamje panoramike të qytetit dhe detit Jon. Saranda gjithashtu ndodhet afër disa vendeve arkeologjike të rëndësishme, si Butrinti, një sait i mbrojtur nga UNESCO që përmban rrënojat e një qyteti të lashtë. Në qytet, vizitorët mund të shijojnë një gamë të gjerë restorantesh , beach-baresh dhe kafenesh të projektuar sipas një arkitekture e cila ndërthuret me fantazinë. Pjesa më e madhe e jetës së natës dhe aktiviteteve kulturore ndodhin në bregdet, duke e bërë Sarandën një destinacion tërheqës për ata që kërkojnë një përvojë unike gjatë pushimeve të tyre.
Këto zona janë të njohura për ujërat e kristaltë me një kombinim spektakolar ngjyrash, për plazhet e bukura dhe peizazhet mahnitëse që kombinojnë bregdetin me malet përreth. Në këtë rajon, vizitorët mund të shijojnë jo vetëm plazhe të mrekullueshme dhe ujë të pastër, por edhe të eksplorojnë fshatrat e bukur që ofrojnë një shije autentike të jetës shqiptare. Aktivitetet në natyrë si ecje në mal, not në det dhe ekskursione në zona arkeologjike ofrojnë një përvojë të pasur për ata që kërkojnë të shijojnë bukurinë natyrore, kulturën dhe historinë e këtij vendi.
Gjirokastra, qyteti jugor më pranë Sarandës është shndërruar së fundmi në destinacion turistik për shtëpitë e gurit, muret pa dritare poshtë dhe frëngjitë lart – çdo shtëpi një fortesë, trashëgim i shekujve ,sot restauruar në një stil unik dhe të veçantë.
Përballë Ksamilit shikon Ishullin grek të Korfuzit i cili sa i largët dukej dikur kaq pranë është sot, saqë vizitorë nga vende të ndryshme vijnë nëpërmjet guidave turistike nga Korfuzi në Sarandë për të parë vendin tonë. Ëndërr e shqiptarëve e bërë realitet!
Ksamili. Ky vend është padyshim një nga perlat e bregdetit jugor shqiptar.
Ky destinacion është veçanërisht i popullarizuar gjatë sezonit turistik për natyrën e bukur dhe plazhet piktoreske. Plazhet e Ksamilit janë krahasuar me Ishullin Bora-Bora, për rërën e bardhë dhe si vendi ideal për relaks dhe aktivitete në ujë. Një karakteristikë e veçantë e kësaj zone bregdetare është grupi i ishujve të vegjël që ndodhen përballë plazheve, të cilët mund të arrihen me anije ose skafe për të eksploruar natyrën e virgjër shqiptare. Ksamil gjithashtu është i njohur për kuzhinën e tij të shkëlqyer që ruan shijen dhe freskinë e natyrshme të detit. Në zonë, mund të shijoni gjithashtu fruta të detit të përgatitura në mënyra të ndryshme, si dhe specialitete të tjera lokale.
Gjatë ditës mund të shkoni në ishujt më të afërt ku mund të shijoni ujrat e kristaltë dhe gjatë natës mund të ndani njëbisedë të ngrohtë familjare në restorante , kafene ose lokal nate. Ksamili padyshim është qendra e aventurës, e rinisë, sportit , plazhit, shndërruar vitin e fundit në një destinacion turistik jo vetëm veror por edhe dimëror.
Të përshkruash zhurmën e gjinkallave në fshatrat jugore apo pëshpërimin e detit është diçka tjtër nga t’a jetosh. Peisazhe mbresëlënëse, panoramike, ku deti unifikohet me qiellin, nën perëndimin e diellit ku dita I lë vendin natës, e cila përqafon rininë. E ku ka më bukur! Ata janë frymëzimi, ata janë e ardhmja! Eufori që të zgjon! Mund të them se duket si një konkurrencë e shëndetshme mes trinomit diell, yje, hënë, ku kjo e fundit duket sikur nuk do të largohet për t’i lënë vendin ditës. Për rreth 6 orë zemra e Ksamilit pulsonte nga jeta, për të rënë sërish në heshtje…
Vizitorët e huaj zakonisht i kalojnë netët në bare, taverna, restorante dhe hotele, ku kuzhina shqiptare është konsideruar nga më të shijshmet dhe ushqimin 100% bio e gjeni në çdo Agroturizëm vendas.
Delvina, një copëz mrekullie, 12 minuta larg Sarandës, është një zonë e cila njihet për ushqimet bio të zonës dhe i zhvilluar vitet e fundit në fushën e Agroturizmit. Ky qytet i vogël por me traditë, kulturë e dashuri të madhe për njerëzit është një mundësi ideale për të qenë sa më pranë natyrës. Vetë pozita gjeografike favorizon zonën madje brenda një fundjave mund të vizitoni të gjitha llojet e turizmit. Shqipëria duke qenë një vend i vogël me distanca të shkurtra, brenda 15 ditësh mund të vizitohen atraksionet turistike jo vetëm në bregdetin jugor por edhe në veri. Buzi lumit te Bistrices (25 km i gjatë) i cili buron nga mali i gjerë e derdhet në detin Jon, shtrihen magjishem bujtina autentike në të cilat mirëpriten turistë vendas dhe të huaj nën ambjente çlodhës dhe argetuese. Gjatë ditës mund të shkoni buzë lumit ku mund të shijoni ujërat e kristatltë të thesarit të fshehur shqiptar. Mos harroni të vizitoni dhe një numër të madh xhamish, teqesh, kishash dhe manastiresh, të një arkitetkure bizantine. Këtë vend do t’a veçoja si një nga shtetet me një tolerance të jashtëzakonshme fetare ku jetojnë harmonikisht disa fe , ku varri i një myslimani dhe një të krishteri prehen krah njëri –tjetrit. Shqipëria nuk është kthyer vetëm në një dashuri vere, por në një vend ku vizitorë nga vende të ndryshme investojnë për të blerë shtëpi ose për t’u kthyer në çdo stinë të vitit. Për pushime të shkëlqyera me çmime të arsyeshme , shërbim cilësor, vend ideal për t’u argëtuar mbetet margaritari shqiptar, bregdeti jugor i cili ngrihet magjishëm duke përqafuar gjithë kombet e botës.
Një copëz jete ky udhëtim, i këndshëm, i përsosur, një nga guidat më mbresëlënëse në xhevahirin jugor shqiptar. Një eksperiencë të cilën nuk do të donit t’a linit pa jetuar. Të jetosh për pak ditë shqiptarçe, me të bukurën dhe të egrën, me të paqtën dhe rrëmujën, me kaosin dhe magjinë por mbi të gjitha të rrethuar nga mikpritja, traditat dhe zakonet në perlën më të bukur ballkanike.
Behie Alushi, Delvinë 08/03/2024