
– Kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani janë tmerri i Serbisë hegjemoniste.
Nga Agim Aliçkaj, Drejtor Ekzekutiv i LQSHA
Fitorja mbresëlënëse e Kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet e 28 dhjetorit ishte një goditje e rëndë për Serbinë raciste, fashiste dhe hegjemoniste. Miliona dollarë të shpenzuara për lobim në Amerikë dhe miliona të tjera për blerjen e shtypit dhe spiunëve në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare, i shkuan huç.
Nëse kjo fitore kurorëzohet me rizgjedhjen e znj. Vjosa Osmani si Presidente, dështimi serb do të shndërrohet në një arritje të madhe për Kosovën. Kombinimi i dy liderëve të mëdhenj, Osmani dhe Kurti, është një goditje serioze për ambiciet e sëmura serbe për t’u kthyer në Kosovë dhe për iluzionin e të ashtuquajturës “bota serbe”.
Për këtë arsye, politikanët serbë, të udhëhequr nga shovinisti Vuçiq, janë kapluar nga paniku. Ata tani kanë përqendruar të gjitha forcat e tyre në pengimin e rizgjedhjes së saj.
Këtë e dëshmon angazhimi i shërbëtorëve të tyre kundër Presidentes Osmani në të gjitha Trojet shqiptare. Ndër të parët doli njëfarë Shqiprim Arifi nga Lugina e Preshevës, për të shpifur kundër saj, duke u përpjekur t’a fajësojë ate për gjendjen e vështirë të popullit shqiptar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjes, të drejtat e të cilëve shtypen në mënyrë mizore nga Serbia.
Diplomatët serbë nuk marrin dot frymë në praninë e Presidentes Osmani në forumet ndërkombëtare. Këtë e përjetoi edhe krye-krimineli serb Aleksandar Vuçiq në seancën e Kombeve të Bashkuara. Fjalët e Vjosës e goditën atë si shigjeta. Ballafaqimi me viktimat e gjenocidit serb e la të gjykuar dhe të poshtëruar para mbarë botës.
Vetëm ky fakt i vetëm do të mjaftonte që “Zonja e Hekurt”, Vjosa Osmani, të rizgjidhet Presidente edhe për një mandat tjetër.
Kohët e fundit janë bërë shumë propozime për kandidatë të ndryshëm potencialë për President. Disa janë serioze, por shumica janë krejtësisht të gabuara, naive dhe nganjëherë edhe qesharake. Të gjitha janë plotësisht të panevojshme.
Kosovës i duhet një Presidente e aftë dhe e fortë, që nuk i nënshtrohet askujt, me mbështetje të gjerë popullore si Znj. Vjosa Osmani – jo një President i zgjedhur përmes pazareve dhe manipulimeve partiake.
Sigurisht, një kandidat për president është mirë të jetë unifikues. Kjo është një dëshirë apo një fjalë e bukur që nuk duhet keqpërdorur për të refuzuar votimin e presidentit. Unifikimi i të gjithëve është i pamundur. Është veçanërisht e vështirë të bashkosh ata që nuk duan të bashkohen. Pastaj, nuk mund të ketë bashkim me elementë shkatërrues dhe armiqësorë si “Lista Serbe” dhe mbështetësit e saj.
Gjëja më e rëndësishme janë kualifikimet e kandidatit. Në asnjë rrethanë Kosova nuk duhet të ketë President, Kryeministër apo Ministër të Punëve të Jashtme që nuk flet mirë gjuhën angleze. Koha e komunikimit përmes përkthyesve në takimet ndërkombëtare ka kaluar. Njohja e disa gjuhëve të huaja është e mirëpritur.
Përgatitja arsimore, anglishtja e rrjedhshme, shprehjet e qarta, përvoja politike, përkushtimi, vendosmëria, guximi, aftësia për të depërtuar në qarqet ndërkombëtare, krijimi i lidhjeve të reja, forcimi i marrëdhënieve strategjike me SHBA-në dhe vendet partnere, respekti nga figurat udhëheqëse ndërkombëtare, qasja demokratike institucionale dhe mbështetja e gjerë popullore e bëjnë znj. Vjosa Osmani një kandidate të pakontestueshme.
Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti ishin dhe mbeten liderë të shpresës, ndryshimit dhe shpëtimit të Kosovës. Liderët me aftësi të mëdha dhe karakter të fortë si ata nuk i nënshtrohen askujt. Ata janë politikanë ndryshe, të pakorruptuar, që interesat e shtetit i vendosin mbi interesat personale. Arritjet e tyre janë të përbashkëta. Ata tashmë janë bërë frymëzim edhe për vendet e rajonit dhe për demokracitë perëndimore.
Natyrisht, ata nuk janë plotësisht të pagabueshëm, por gabimet e tyre kurrë nuk i kanë dëmtuar interesat shtetërore dhe kombëtare. Për të vazhduar sukseset e tyre, ata duhet të afrojnë dhe të angazhojnë shumë kuadro të aftë, të arsimuar, profesionalë dhe të pakorruptuar.
Bashkëpunimi i ngushtë i Presidentes me Kryeministrin, qeverinë dhe institucionet shtetërore për interesat e shtetit është krejtësisht normal dhe i domosdoshëm. Natyrisht, ajo duhet të bashkëpunojë edhe me partitë opozitare sipas nevojës. Preferencat dhe simpatitë pa anim të theksuar janë të kuptueshme. Por nuk mund të pritet prej saj të bashkëpunojë me ata që punojnë kundër interesave të popullit dhe të shtetit.
Vazhdimi i shumë punëve të mira dhe përfundimi i proceseve tashmë të nisura në interes të shtetit e bëjnë të pashmangshme nominimin e znj. Vjosa Osmani për Presidente nga Kryeministri Albin Kurti. Këtë e pret me padurim edhe shumica absolute e popullit të Kosovës.
Rizgjedhja e saj është në interes të shtetit dhe të kombit, por edhe të të gjitha partive politike nëse i shohin gjërat me mençuri. Përgjegjësia për të votuar Presidenten Osmani u takon të gjithëve, jo vetëm partisë fituese. Do të ishte një gabim i madh që deputetët e opozitës të bllokonin procesin normal të votimit duke braktisur vendet e tyre të punës në Parlament. Ky do të ishte një veprim antidemokratik dhe antishtetëror.
Nëse opozita vazhdon me bllokada me shpresën se do të përfitojë nga krijimi i kaosit institucional, ajo do të bëjë një gabim katastrofal. Populli është lodhur nga zgjedhjet e panevojshme. Dërgimi i vendit në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme do të ndëshkohet rëndë nga populli. Kështu, Kosova rrezikon të mbetet me një opozitë shumë të dobët ose edhe pa opozitë fare.
Kjo do të dëmtonte edhe marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtarë, veçanërisht me Amerikën, e cila padyshim ka preferenca për znj. Osmani. Si do ta arsyetonte opozita prishjen e marrëdhënieve me miqtë, kur nuk ka pushuar kurrë së akuzuari Kurtin për të një gjë të tillë?!
Katër njohjet e reja gjatë vitit të kaluar dhe zgjedhja e saj në Bordin e Paqes të krijuar nga Presidenti Trump e bëjnë të pamundur pë cilindo politikan normal të bllokojë rizgjedhjen e saj.
Votimi për Presidenten Osmani do të ishte shenja e parë që do t’u tregonte qytetarëve se partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK i kanë kuptuar gabimet e së kaluarës dhe do të ndryshojnë për mirë. Vetëm atëherë mundësitë e tyre për të fituar votat e popullit në të ardhmen do të bëheshin reale.
Formimi i institucioneve shtetërore, miratimi urgjent i buxhetit dhe i marrëveshjeve financiare ndërkombëtare, si dhe rizgjedhja e Presidentes Osmani pa vonesa dhe pa probleme, janë detyra urgjente të cilat e vendosin Kosovën në një pozitë shumë të favorshme.
Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti plotësojnë njëri-tjetrin në mënyrë të përkryer në udhëheqjen e shtetit, secili nga pozita e vet. Populli me të drejtë pret shumë prej tyre në këtë mandat, si në zhvillimin e brendshëm ashtu edhe në politikën e jashtme.
Me aftësitë, përvojën dhe punën e tyre të përkushtuar, gjasat janë shumë reale për një Kosovë të zhvilluar, të fortë ekonomikisht dhe ushtarakisht. Anëtarësimi në NATO dhe hapja e rrugës drejt integrimit në Bashkimin Evropian gjatë këtij mandati mund të bëhen realitet.
Asgjë dhe askush nuk mund ta ndalë Kosovën tonë Dardane në rrugën e saj të shenjtë të lirisë dhe pavarësisë, drejt bashkimit kombëtar. Amaneti i heronjëve dhe dëshmorëve të rezistencës shekullore për liri duhet të përmbushet.