
Dr. Naim Musliu/
Lëvizja Kombëtare Shqiptare, gjatë vitit 1912,ishte në fazën më të lartë të zhvillimit të saj. Njëri nga prijësit e saj ishte edhe Hasan Prishtina. Në anën tjetër qeveria osmane asnjëherë nuk shprehu gatishmërinë për zgjidhjen dhe trajtimin e problemeve që hasnin shqiptarët nën sundimin osman. Kërkesat e shqiptarëve nuk u morën parasysh nga qeveritarët osmanë dhe kjo shtyri shqiptarët se përveç përpjekjeve politike e diplomatike të marrin edhe aksione ushtarake.
Shqiptarët kishin përfaqësuesit e tyre në parlamentin osman dhe njëri nga deputetët që angazhohej më së shumti për çështjen shqiptare ishte Hasan Prishtina. Ai në fjalimet e tija në parlamentin osman gjithnjë fliste për mohimin e të drejtave të shqiptarëve nga qeveria osmane. Madje në njërën nga seancat në parlament në fjalimin e tij, Hasan Prishtina kërcënoi se në rast të vazhdimit të politikës rrënuese në viset shqiptare, ai do të jetë njëri nga organizatorët dhe udhëheqësit e kryengritjes.
Në anën tjetër, Perandoria Osmane, në fillim të vitit 1912, ishte në pozitë të vështirë ndërkombëtare. Ajo ishte në luftë me Italinë për Tripolin. Luftën në Tripoli ndërmjet Perandorisë Osmane e Italisë dhe përqendrimine ushtrisë osmane në Tripoli, shtetet fqinje të shqiptarëve e shihnin si mundësi të favorshme për realizimin e pretendimeve të tyre territoriale në drejtim të tokave shqiptare.
Për t’i realizuar qëllimet e veta shtetet ballkanike filluan të bënin marrëveshje mes tyre. Kështu, në mars të vitit 1912, Bullgaria dhe Serbia arritën një marrëveshje për ndarjen e territoreve, në rast të hyrjes në luftë me Perandorinë Osmane. Kështu, Bullgaria dhe Serbia kishin bërë një marrëveshje për ndarjen e tokave shqiptare ndërmjet tyre.
HASAN PRISHTINA NË PARLAMENTIN OSMAN
Në këtë situatë të krijuar pas luftës ndërmjet Italisë dhe Perandorisë Osmane, Hasan Prishtina, si njëri nga drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare, duke folur në parlamentin osman për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve nën Perandorinë Osmane dhe dobësinë që po përjetonte shteti osman, më 11 janar 1912, në parlamentin osman paralajmëroi se: “…Në kjoftë se Qeveria nuk ndrron politikë dhe administrim në Shqypni, në kjoftë se shqiptarët nuk i gëzojnë të drejtat e tyne politike… vendi do të hidhet në kryengritje, do të shpërthejë revolucioni. Dhe një ndër të paret që do të marrë në dorë flamurin e revolucionit, ndofta i pari nder të paret do të jem unë”.
Më 18 janar 1912, parlamenti osman u shpërnda dhe xhonturqit hapën fushatën zgjedhore për parlamentin e ri. Xhonturqit, madjezhvilluan edhe një fushatë të egër që mos të lejoninHasan Prishtinën të zgjedhej përsëri deputet.Përkundrazi, kolonitë shqiptare u organizuan dhe bënin thirrje për të zgjedhur deputet Hasan Prishtinën. Kolonia shqiptare “Bashkimi” në Egjipt bënte thirrje për ta zgjedhurHasan Prishtinën deputet në parlamentin osman. Ajo shkruante: “Ju trima të Prishtinës, të Mitrovicës, të Gjilanit, të Preshevës e të Novi-Pazarit ju lutemi të zgjedhni për deputet zotërinë e tij Hasan Prishtinën që nderoi të tanë Shqipërinë…”. Edhe pse u zgjodh deputet nuk e filloi mandatin në parlamentin e ri që u hap, më 18 prill të vitit 1912. Hasan Prishtina me atdhetarë të tjerë, nisi përgatitjet për fillimin e kryengritjes së përgjithshme. Përpjekjet e para për përgatitjen e Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare, u bënë në Stamboll pas bisedave që u bënë ndërmjet Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës e atdhetarëve tjerë. Kështu, në lagjen Taksim të Stambollit u organizua një kuvend me personalitete të ndryshme politike dhe aty u arrit në përfundim se nuk do të ketë rrugë tjetër veçse kryengritjes së përgjithshme. Aty u diskutuan format dhe mënyra e organizimit të kryengritjes së përgjithshme dhe u vendos që kryengritja të fillonte në Kosovë dhe të zgjerohej në të gjitha trevat shqiptare. Në atë kuvend u vendos që Hasan Prishtina të fillonte kryengritjen dhe ta zgjeronte atë në tërë pjesën verilindore të Shqipërisë, Esat Toptani në Shqipërinë e Mesme dhe Mirditën, Myfit Libohova, Aziz Vrioni e Syrja Vlora të vepronin në Shqipërinë e Jugut, kurse Ismail Qemali do të qëndronte në Evropë për të siguruar armë dhe të holla.
SHQIPTARËT KUNDËR QEVERISË OSMANE
Disa nga pretekstet që ngritën shqiptarët kundër qeverisë osmane ishin keqpërdorimet nga xhonturqit gjatë fushatës zgjedhore, aksionet policore dhe ushtarake nëpër fshatra dhe qytete pas përfundimit të zgjedhjeve. Megjithatë, Hasan Prishtina përmend edhe shkaqe të tjera që quan shqiptarët në organizimin dhe shpërthimin e kryengritjes si:shovinizmi i komitetit xhonturk, mosrespektimi i traditave dhe zakoneve nga qeveria osmane në Shqipëri, sidomos në Shqipërinë Veriore,intrigat e nëpunësve administrativë me qëllime fetare,përzierja e ushtrisë në politikë,mizoritë osmane gjatë vitit 1910,zhvillimi dhe ngritja e ndërgjegjes kombëtare në Shqipëri,sistemi mizor dhe veprimtaria e paligjshme që zhvilloi qeveria xhonturke në zgjedhjet e vitit 1912.
Nga kthimi prej Stambollit për në Kosovë, Hasan Prishtina ishte takuar me konsullin e Anglisë në Shkup, të cilin e njoftoise shqiptarët do të qohen në kryengritje për çlirim kombëtar nga Perandoria Osmane, duke kërkuarautonomi të plotë për Shqipërinë. Madje, ai i kishte thënë diplomatit britanik se nëse qeveria osmane nuk i plotëson kërkesat e shqiptarëve do të kërkohej edhe pavarësia e Shqipërisë. Për ta realizuar këtë synim, Hasan Prishtina, e kishte kërkuar ndihmën e Anglisë.
Pas përgatitjeve të para për kryengritjen e përgjithshme u shtuan veprimet e armatosura dhe u kalua në krijimin e çetave, të cilat vepronin veçanërisht në Kosovë, ku u ndërmorën edhe sulme kundër Komisionit të reformave. Gjendja u acarua më tej për shkak të përpjekjeve të autoriteteve xhonturke për manipulimin e zgjedhjeve, për të penguar çeljen e shkollave shqipe, si dhe për të imponuar alfabetin arab në shkolla.
Pasi Hasan Prishtina arriti në Shkup, më 5 maj 1912, kërkoi bashkimin e forcave shqiptare për kryengritje dhe krijimin e një komiteti për udhëheqjen e saj. Për të arritur këtë qëllim, Hasan Prishtina e Zejnullah Vuçitërna u takuan në Gojbulë me Isa Boletinin, të cilin e njoftuan për vendimet e takimit të Stambollit. Aty vendosën për kohën e fillimit të kryengritjes dhe për mbajtjen e një kuvendi të përgjithshëm për të lidhur besën dhe si vend i këtij kuvendi u zgjodh Juniku. Mbledhja e dytë për bashkimin e shqiptarëve për kryengritjen e përgjithshme u mbajt në Balincë, kurse Hasan Prishtina e Isa Boletini u takuan në Prekaz me Ahmet Delinë. Gjithashtu, u mbajt edhe një takim në Shalë të Bajgorës të udhëhequr nga Nexhip Draga dhe mbledhja e fundit para thirrjes së Kuvendit të Junikut u mbajt më 17 dhe 18 maj 1912,te Sadik Rama, në Gjurgjevik të Madh.
KUVENDI I JUNIKUT
Kuvendi i Junikut i zhvilloi punimet nga 21 deri 25 maj 1912. Aty u mblodhën udhëheqësit kryesor të kryengritjes: Ramadan Shabani (Prekorupë), Haxhi Bajraktari (Lugu i Baranit), Hajdar Tafa, Niman Bala (Isniq), Sadri Azemi, Idriz Zeqa (Strellc), Riza bej Kryeziu, Ahmet Beu, Osman aga i Rashkocit, Metë Ali Poazhari, Demë Isufi, Bajram Hasani (Voksh), Zeqir Halili, Ibrahim Hoxha, Bajram Mani (Malësi), Bajram Nimani (Krasniqe), Halil Bajraktari, Brah Alia, Bajram Sylejmani (Gash), Xhemail Agushi (Prishtinë), Zejnaullah Vuçitërna dhe Ahmet Maxhuni (Vushtrri), Qerim Begolli (Pejë), Sejdi Saku, Bardh Isufi, Lul Gjoci, Isuf Veseli (Podgur), Sadik Rama, Rexhë Bajraktari, Elez Hoxha (Has), Nexhip e Ferhat Draga, Hysë Ferati (Mitrovicë), Jahja Doda me bajraktarët e Lumës dhe Hasan Ferri.
Vendimet e këtij Kuvendi ishin: pajtimi i gjaqeve dhe lidhja e besës për kryengritje. Gjithashtu, shuan zërat e elementit proqeveritar në Kuvend, si dhe që të filloj kryengritjen kundër qeverisë osmane të udhëhequr nga xhonturqit. Rolin kryesor për marrjen e vendimeve në këtë Kuvend e luajti Hasan Prishtina dhe nga ky kuvend dolën këto kërkesa: caktimi i kufijve të Shqipërisë,të përdorej flamuri shqiptar në vend të atij osman,të emërohej një sundimtar i Shqipërisë dhe të jetë nga familjet e vjetra që kanë sunduar prej kohësh Shqipërinë,në vend të nëpunësve të huaj të zgjidheshin nëpunës shqiptarë,të përdorej shqipja si gjuhë zyrtare,kërkesat e shqiptarëve të jenë të garantuara nga Fuqitë e Mëdha.
HASAN PRISHTINA: ATDHEU PRET PREJ NESH BASHKIMIN
Pas Kuvendit të Junikut, Hasan Prishtina shkroi një shpallje në gjuhën osmane drejtuar gjithë popujve të Perandorisë, e në veçanti shqiptarëve, ku theksoi se: “Atdheu pret prej nesh bashkimin. Dita asht sod e minutat janë afrue per me pështue prej të këqijave të jene-turqve. A pështim a vdekje!”.
Pas Kuvendit të Junikut, kryengritja filloi në Malësinë e Gjakovës dhe pastaj u sulmua edhePeja. Kryengritësit u organizuan edhe në Gjilan me rrethinë nën drejtimin e Idriz Seferit dhe në rajonin e Mitrovicës, Vushtrisë, Shalës e Llapit nën drejtimin e Isa Boletinit.Pas çlirimit të Gjakovës, rreth 10 mijë kryengritës të udhëhequr nga Riza Beu, Bajram Curri, Ahmet Beu dhe Bajram Daklani marshuan drejt Prishtinës. Ndërsa, në Prishtinë mbaheshin mbledhje të ndryshme me përfaqësuesit nga Shkupi, Ferizaj, Prizreni, Gjakova, Peja, Mitrovica, Pazari i Ri, Vushtrria, Gjilani dhe Presheva. Në Prishtinë pritej të vinin edhe përfaqësuesit e Tetovës, Gostivarit, Sjenicës Plavës, Gucisë dhe Beranës.
Pas gjendjes së rënduar në viset shqiptare, më 17 korrik 1912, qeveria xhonturke dha dorëheqje. Më 23 korrik 1912, u krijua qeveria e re osmane nën udhëheqjen e Ahmet Myftar Pashës. Përveç krijimit të qeverisë së re kryengritësit kërkuan edhe shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare.Qeveria e re osmanekërkoi ndërprerjen e veprimeve luftarake kundër kryengritjes shqiptare dhe, më 27 korrik 1912, dërgoi një komision për të biseduar me kryengritësit. Për kryengritësit ishte e nevojshme që të shkëputeshin nga propaganda italiane dhe që përfaqësimi i shqiptarëve të bëhej nga të gjitha viset shqiptare. Komisioni do të fliste në emër të kombit shqiptar dhe do të paraqitej para Komisionit qeveritar osman me programin për autonominë territoriale dhe administrative të Shqipërisë. Megjithatë, për bisedime me Komisionin osman u krijuan dy grupe. Grupi i parë udhëhiqej nga Hasan Prishtina, Riza Beu, Isa Boletini, Bajram Curri, etj., që ishin udhëheqës të kryengritjes. Kurse, grupi i dytë ishte i përbërë prej përfaqësuesvetë moderuar të shumicës së qyteteve të vilajetit të Kosovës. Në këto bisedime Hasan Prishtina parashtroi këto kërkesa si: të njiheshin zyrtarisht kufijtë e Shqipërisë, autoritetet civile e ushtarake të ishin të kombësisë shqiptare, ushtria shqiptare të shërbente në vend dhe të komandohej nga oficerë shqiptarë, shqipja të ishte gjuhë zyrtare në Shqipëri.Ibrahim Pasha i quajti këto kërkesa të papranueshme sepse ky ishte një hap drejt shkëputjes nga Perandoria Osmane. Ibrahim Pasha iu kishte thënë shqiptarëve se si myslimanë që ishin“nuk iu ka hije të bënin kërkesa të tilla”. Kurse, Hasan Prishtina i kishte thënë Ibrahim Pashës se: “…Feja nuk ka shka të baj me komsi… nuk pranoj kurrfarë përgjegjësie në kjoftë se këto pika nuk pëlqehen e na mund të hecim kështu deri në Stamboll e aty mund të mirremi vesh me Turkin. Besojmë se kjo punë nuk asht aq e vështirë për ne”. Në këto rrethana, bisedimet e Prishtinës ndërmjet kryengritësve dhe qeverisë osmane dështuan dhe kryengritësit vazhduan për në Ferizaj.
HASAN PRISHTINA PARAQITI 14 PIKA NË KUVENDIN E FERIZAJT
Kështu, udhëheqësit e kryengritjes, më 2 gusht 1912, arritën në Ferizaj, kurse më 5 gusht 1912, me nismën e Hasan Prishtinës u thirr Kuvendi. Në këtë kuvend Hasan Prishtina paraqiti 14 pika, si:1. Me perdorue në Shqypni nëpunës të praktikuem qi dijnë gjuhën e zakonet e vendit; 2. Me ba sherbimin ushtarak vetem në Shqypni e Makedoni, per jashta kohës së luftës; 3. Me ba e me vu në zbatim ligjë tue u bazue ne ligjen e maleve (xhibal) për disa krahina në të cilat asht forcue me fakte se nuk mund të xierret kurrnji fryt prej organizmit të drejtsis; 4. Me i dhanë shqyptarve armët e nevojshme e moderne, mënyra e të damit të cilavet do t’i perkitte Qeveris. (Do t’u bajshin nder vende të randësishem deposita armësh, të cilat, në rasë të nevojes, do të mund t’i merrshin shqyptarët); 5. Me themelue e me hapë shkolla reale në të gjitha Prefekturat e qandrave të Kosoves, të Monastirit, të Shkodrës e të Janinës qi numrojnë ka nji popullsi ma se 300.000 frymesh; me hapë edhe shkolla bujqsije si të Salonikut, mbassi vendi me krejt kuptimin asht nji vend bujqsije; si edhe me shti në program të mësimeve gjuhen e vendit; 6. Me hapë shkolla theologjike moderne ndër vende ku asht nevoja; 7. Me kenë i lirëshëm në Shqypni të hapunit e të themeluemit e shkollave private; 8. Me u mësue gjuha e vendit në shkollat fillestare, qytetse e në gjymnaze; 9. Me i dhanë randsi të posaçme tregtis, bujqsis e punve botore si edhe me plotsue e me perhapë udhët e hekurit; 10. Me vu në veprim organizimin e krahinave;11. Me u kujdesue me ruejtë ma fort se perpara zakonet e tradicjonet komtare; 12. Me çpallë amnistin (faljen e pergjithshme), pa vështrue klasë e racë, per të gjith othomanët qi kanë marrë pjesë ne kryengritje, per komandantat, oficerat, nepunesit e ushtaret qi kanë lanë ushtrit e vendet e veta si edhe per të liruemit e t’ikunit prej burgut ne kohen e kryengritjes; 13. Me u dhanë çdamim, mbas çmimit të vertetë, prej Qeveris Turke për të gjitha ato shpija qi u prishen ma para e nuk u kje dhane të zotve çdamimi si edhe për ato qi u prishen e u rrenuen kësaj here; 14. Me i marrë në gjyq të naltë pjestarët e kabinetvet të Haki e të Sait Pashes.
Këto ishin kërkesa që në thelbin e saj kërkohej autonomia e Shqipërisë. Mirëpo ishin mëtë zbutura se sa kërkesat e Kuvendit të Greçës e të Junikut. Këtë hap e bëri Hasan Prishtina edhe për të mënjanuar përçarjen e brendshme, por edhe nga ndikimi i faktorit të jashtëm ku shtetet ballkanike përgatiteshin për të hyrë në territoret shqiptare.
15.000 SHQIPTARË NËN UDHËHEQJEN E HASAN PRISHTINËS HYNË NË SHKUP
Pasi, as këto kërkesa nuk u pranuan nga qeveria osmane, atëherë kryengritësit,më 2 gusht 1912, hynë në Shkup. Aty arritën rreth 15.000 shqiptarë nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Isa Boletinit, Riza Beut dhe Idriz Seferit. Duke parë rrezikun nga forcat shqiptare, qeveria osmane përsëri dërgoi një Komision për të biseduar me kryengritësit. Kryengritësit ia parashtruan Komisionit 14 kërkesat që i kishte përpiluar Hasan Prishtina. Më 18 gusht 1912, qeveria osmane deklaroi se i pranonte disa ngakërkesat të parashtruara nga Hasan Prishtina.
Shtetet fqinje ballkanike ishin përgatitur dhe pritnin momentin e caktuar për të filluar luftën me Perandorinë Osmane. Më 8 tetor 1912, Mali i Zi i shpalli luftë Perandorisë Osmane, kurse Serbia dhe Bullgaria më 15-17 tetor 1912, hynë në luftë me Perandorinë Osmane, ndërsa Greqia filloi luftën, më18 tetor 1912.
Fillimi i Luftës Ballkanike, Lëvizjen Kombëtare Shqiptare e gjeti të papërgatitur, ngase sapo kishte dalë nga lufta me ushtrinë osmane.Megjithatë, Hasan Prishtina organizoi mbledhje të shpejt, më 14 tetor 1912, të “Komitetit të Shpëtimit” dhe të Organizatës “Shoqnija e Zezë” të Sofjes, në Shkup. Aty u shqyrtua vetëm se si të mbrohet Shqipëria pasi Perandoria Osmane mund ta humbte luftën.
Gjithashtu, më 16 tetor 1912, pas mbledhjes së “Komitetit të Shpëtimit” dhe “Dorës së Zezë” atdhetarët shqiptarë ia dërguan një letër Fuqive të Mëdha, ku i njoftuan se Shqipëria ka rrokur përsëri armët, jo për të forcuar Perandorinë Osmane, por për t’i dalë zot tokave të veta.
Me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike, Hasan Prishtina me atdhetarë tjerë, organizuan mbrojtjen e kufirit me Serbinë dhe Bulgarinë, për të penguar depërtimin e ushtrive pushtuese. Lufta ishte e përgjakshme, por ushtritë serbe e bullgare arritën t’i pushtojnë viset shqiptare duke vrarë shumë vullnetarë shqiptarë. Kështu, më 14 nëntor 1912, Hasan Prishtina u zu rob nga ushtria serbe në viset e Shkupit. Së bashku me Hasan Prishtinën, serbët burgosën edhe Idriz Seferin, Nexhip Dragën etj. Ata mbaheshin në burgun e Beogradit. Me kërkesën e Ismajl Qemalit për Fuqitë e Mëdha dhe me presionin e Austro-Hungarisë, Serbia u detyra t’i lironte nga burgu Hasan Prishtinën, Nexhip Dragën, Idriz Seferin, etj.
Luftërat Ballkanike krijuan një shqetësim të madh për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Me gjithë kontributin e dhënë të Hasan Prishtinës, i cili ishte i burgosur nga serbët, udhëheqësit tjerë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, arritën të realizonin synimin e tyre.Kështu, më 28 nëntor 1912, nën kryesimin e Kuvendit të Vlorës, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe kështu i dhanë fund një lëvizjeje të gjatë rezistence ndaj pushtimit osman, por shteti i ri shqiptarrrezikohej nga një pushtim tjetër prej shtetevefqinje ballkanike në kuadër të Luftërave Ballkanike, që kryesisht u zhvilluan për copëtimin e tokave shqiptare.