
Eneida Jaçaj/
Pas shpalljes së pavarësisë, Shqipëria u përball menjëherë me sfidën e madhe të mbijetesës politike, shtetërore dhe kulturore. Në një rajon ku interesat e fqinjëve ishin të fuqishme dhe ambiciet e Fuqive të Mëdha të dukshme, diplomacia shqiptare u bë arma kryesore e mbrojtjes së pavarësisë. Në këtë kuadër, roli i diplomatëve shqiptarë nuk kufizohej vetëm në paraqitjen e dokumenteve dhe kërkesave, por ishte një mision i gjerë: ruajtja e identitetit kombëtar, mbrojtja e gjuhës shqipe dhe njohja e Shqipërisë, si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Roli i diplomacisë shqiptare në vitet 1912–1939, ishte vendimtar për mbijetesën e shtetit shqiptar. Diplomatët shqiptarë nuk ishin thjesht përfaqësues politikë: ata ishin mbrojtës të identitetit, gjuhës dhe kulturës. Nga ana tjetër, përdorimi i shqipes në administratë është një tjetër çështje që vlen për t’u diskutuar, i cili ka qenë një proces i gjatë dhe i vështirë, i lidhur ngushtë me luftën për pavarësi dhe ndërtimin e shtetit. Para vitit 1912, administrata në trojet shqiptare funksiononte kryesisht në osmanisht, duke e lënë shqipen të kufizuar në jetën e përditshme dhe në arsimimin kombëtar të fshehtë.
Duke iu referuar viteve, 1912-1913, Shqipëria nuk kishte institucione të konsoliduara shtetërore; diplomacia e saj në këtë fazë u mbështet kryesisht te patriotët dhe përfaqësuesit që kishin njohje ndërkombëtare. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), delegatët shqiptarë, edhe pse shpesh të përçarë në qëndrime, përpiqeshin të bindnin Fuqitë e Mëdha se shqiptarët ishin një komb më vete, me gjuhën dhe kulturën e tyre, që meritonin shtetësinë. Përballë pretendimeve të fqinjëve (Serbia, Greqia, Mali i Zi), diplomatët shqiptarë u detyruan të përdorin argumente historike dhe gjuhësore: fakti që shqipja ishte një gjuhë e lashtë dhe e ndryshme nga gjuhët e tjera të rajonit, ishte një element identiteti që ndihmonte kauzën e tyre. Edhe pse vendimet e Londrës e coptuan Shqipërinë, vetë pranimi i një shteti shqiptar ishte një fitore e diplomacisë së kohës. Lufta e Parë Botërore e ktheu Shqipërinë në fushëbetejë dhe e copëtoi nga pushtime të ndryshme. Megjithatë, diplomacia shqiptare nuk pushoi. Patriotët dhe diplomatët në mërgim, si Mid’hat Frashëri, Mehmet Konica, Fan Noli e të tjerë, punuan në kryeqytete evropiane për të mbajtur gjallë çështjen shqiptare. Ata botuan artikuj, memorandume dhe libra, për të treguar se shqiptarët kishin identitet të qartë dhe se shqipja ishte një gjuhë e mëvetësishme.
Pas luftës, ekzistonte rreziku real që Shqipëria të zhdukej si shtet. Delegacionet shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919, paraqitën memorandume, ku theksohej e drejta e shqiptarëve për shtetësi. Këtu dallohet figura e Fan Nolit, i cili jo vetëm si klerik dhe intelektual, por edhe si diplomat, arriti të paraqiste argumente të fuqishme në mbrojtje të kombit shqiptar. Kjo diplomaci kulturore dhe politike lidhej ngushtë me gjuhën shqipe: çdo herë theksohej se shqiptarët kishin gjuhën e tyre, letërsinë e tyre dhe traditat e tyre, pra, nuk ishin një degë e kombeve fqinje. Rezultati i këtyre përpjekjeve ishte Kongresi i Lushnjës (1920), i cili krijoi një qeveri kombëtare që rifilloi marrëdhëniet diplomatike. Një nga sukseset më të mëdha ishte pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, një fitore e pastër diplomatike që vulosi ekzistencën ndërkombëtare të shtetit shqiptar.
Në periudhën e Zogut, diplomacia shqiptare u institucionalizua. U hapën ambasada në kryeqytetet kryesore evropiane dhe u konsolidua përdorimi i gjuhës shqipe, si gjuhë shtetërore në administratë dhe në dokumentacionin zyrtar. Edhe pse në komunikimet ndërkombëtare përdorej ende frëngjishtja ose italishtja, brenda aparatit shtetëror u bë përpjekja që shqipja të ishte gjuha e plotë e administratës. Diplomatët shqiptarë përballeshin me sfidën e madhe të balancimit mes Fuqive të Mëdha. Ata përpiqeshin të ruanin pavarësinë përballë ndikimit italian, duke lidhur marrëveshje edhe me Britaninë dhe Francën. Në këtë periudhë, diplomacia nuk ishte vetëm politikë e jashtme, por edhe mjet për të njohur identitetin kombëtar brenda dhe jashtë vendit. Megjithë përpjekjet e diplomatëve shqiptarë, Shqipëria nuk arriti t’i shmangej presionit italian. Megjithatë, puna e diplomatëve nga 1912 deri në 1939 nuk shkoi dëm, ajo kishte hedhur themelet që shqiptarët të njiheshin si komb i veçantë dhe që gjuha shqipe të mbetej e pandashme nga shteti i tyre.
Me shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912, për herë të parë shqipja u përdor në dokumentet zyrtare të qeverisë së Ismail Qemalit. Megjithatë, kalimi nuk ishte i menjëhershëm, pasi mungonin administrata të përgatitura në gjuhën amtare. Kuvendi i Vlorës shpalli “Aktin e Pavarësisë” në gjuhën shqipe. Ky akt përfaqëson dokumentin e parë shtetëror, ku shqipja u përdor si gjuhë e administratës. Po ashtu, qeveria e Ismail Qemalit nisi të nxjerrë urdhëresa dhe njoftime në shqip, edhe pse për një periudhë kalimtare në disa institucione u përdorën paralelisht osmanishtja dhe italishtja. Kongresi i Lushnjës në vitin 1920, ishte një hap i rëndësishëm për konsolidimin e institucioneve shqiptare, ku shqipja filloi të zinte vend të qëndrueshëm në shkresat dhe komunikimet zyrtare. Vendimet e Kongresit dhe procesverbalet e tij u hartuan në shqip, duke i dhënë gjuhës një bazë të re ligjore dhe institucionale. Në histori duhen theksuar pluset dhe minuset e liderëve të kohës.
Gjatë periudhës së Zogut (1925–1939), procesi i shqiptarizimit të administratës mori hov të plotë. Ligjet, dekretet dhe aktet shtetërore u hartuan në gjuhën shqipe, duke i dhënë asaj statusin e gjuhës zyrtare. Pas Luftës së Dytë Botërore, me krijimin e shtetit komunist, përdorimi i shqipes në administratë dhe në jetën publike u bë i detyrueshëm, duke konsoliduar përfundimisht rolin e saj. Roli i gjuhës amtare në një shtet sovran është themelor, pasi ajo mishëron identitetin kombëtar dhe garanton funksionimin e institucioneve. Botimi i Fletores Zyrtare në vitin 1922 dhe më pas hartimi i Kodit Civil të vitit 1928 në gjuhën shqipe shënuan formalizimin e plotë të gjuhës amtare si gjuhë ligjore dhe administrative. Kjo periudhë konsiderohet nga studiuesit si koha kur shqipja fitoi përfundimisht statusin e saj të gjuhës zyrtare.
Pas Luftës së Dytë Botërore, me krijimin e regjimit komunist, përdorimi i shqipes në administratë u bë detyrim ligjor. Në vitet ’70 u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit në vitin 1972, i cili standardizoi gjuhën shqipe dhe e unifikoi përdorimin e saj në administratë, arsim dhe botime. Ky akt shënoi përfundimin e procesit të institucionalizimit gjuhësor. Prandaj, çështja shqiptare dhe ruajtja e gjuhës shqipe janë përpjekje shumë të mëdha që kanë bërë që sot të kemi një Shqipëri si territor dhe një gjuhë të folur dhe të shkruar shqipe. Sakrificat e ditëve të sotme duhet të jenë zgjatim i pambarimtë i atyre përpjekjeve që e kanë larë me gjak mbrotjen e kombit dhe gërmat shqipe.