
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj “MJESHTËR I MADH”, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, rolin e kryengritjes së Kosovës dhe Malësisë së Madhe në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Prof. Zotaj analizon me detaje dukuri të kryengritjeve të mëdha shqiptare 1910-1912 dhe shprehet se këto kryengritje përbëjnë etapën e fundit dhe vendimtare të luftës së armatosuar të popullit shqiptar për liri e pavarësi nga sundimi turk. Qëllimi kryesor i kryengritjeve ishte sigurimi i autonomisë e më pas i pavarësisë. Duke patur qëllime çlirimtare ato siguruan pjesëmarrje të gjerë të popullsisë në luftë. Me Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

KRYENGRITJET NË KOSOVË DHE NË MALËSINË E MADHE

Kryengritjet e para, ato të vitit 1910 dhe 1911 nuk arritën të përhapen e të shtrihen në të gjithë Shqipërinë, por mbetën të kufizuara, përkatësisht në Kosovë dhe në Malësinë e Madhe. Secila nga ato u përfshi nga dy moment të rëndësishme të veprimeve luftarake. Në momentin e parë nisi faza e nismës, e sulmeve dhe moment i luftimeve mbrojtëse. Momenti i nismës nuk vazhdoi gjatë, nuk i kapërcyen kufijtë e zonës ku shpërthyen kryengritjet dhe brenda disa mujave, kryengritësit u gjendën përballë forcave të shumta turke të ardhura nga Rumelia, Anadolli e pjesë të tjera të Perandorisë Osmane. Me gjithë qëndresën dhe këmbënguljen shumë të madhe që treguan kryengritësit, në fund u thyen. Vetëm kryengritja e vitit 1912 pati vijimësi dhe ia arriti qëllimit. Gjatë kryengritjeve të vitit 1910 në Kosovë, e cila shpërtheu në fillim të muajt prill morën armët rreth 30.000 luftëtarë, të cilët vepruan në çeta e grupe në rajone e drejtime të ndryshme. Në këtë periudhë duke pasur epërsi ndaj forcave turke në qendrat administrative Prizren, Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë etj., kryengritësit mësymë në këto drejtime, çliruan disa prej tyre dhe rrethuan e bllokuan forcat turke në disa të tjera duke vënë faktikisht nën kontrollin e vet të gjithë Kosovën. Nga mesi i prillit shteti turk hodhi kundër kryengritësve forca të mëdha, që arritën mbi 100 batalione me efektiv të përgjithshëm 40.000-45.000 veta. Këto forca u ndeshën me 9.000-10.000 kryengritës kosovarë nga 24 prilli deri më 11 maj në grykën e Kaçanikut dhe të Caralevës. Më tej pasi thyen qëndresën e tyre gjatë qershorit deri në gusht, forcat turke zhvilluan operacionin në Kosovë, në rrafshin e Dukagjinit, në Lumë e Dibër. Në fillim të vjeshtës kryengritja ishte shtypur. Gjatë kryengritjes të vitit 1910 sidomos gjatë betejave të mëdha të saj, të Kaçanikut, Caralevës turqit pësuan humbje të mëdha material dhe mbi 10.000 ushtarë e oficerë të vrarë e të zënë rob.
KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE

Kryengritja e Malësisë së Madhe shpërtheu në fund të marsit dhe vazhdoi deri në korrik 1911. Në të morën pjesë të gjitha forcat e mundshme luftarake të Malësisë së Madhe, rreth 4.000 luftëtarë. Momenti i nismës ishte 24 marsi e që vazhdoi deri më 10 prill. Gjatë kësaj periudhe kryengritësit në fillim në çeta dhe më vonë të bashkuar në dy grupe, të Hotit e Grudës dhe të Kastratit e Shkrelit mësymë përkatësisht në drejtimet Hot-Tuz dhe Kastrat-Koplik. Duke sulmuar befasisht, me veprime të shpejta, kryengritësit brenda tre-katër ditëve të para çliruan krejt Malësinë e Madhe, duke përfshirë Tuzin, Fushën e Krajës, Fushën e Koplikut dhe Vermoshin. Gjatë gjithë muajt prill, si rezultat i ardhjes të forcave të shumta turke, afërsisht 30.000 veta, kryengritësit kaluan në mbrojtje. Në muajt prill-maj deri nga mesi i qershorit u zhvilluan një varg luftimesh të përgjakshme kundra katër divizioneve turke që zhvilluan mësymjen bashkëqendrore. Kryengritësit luftuan me një vendosmëri dhe energji të rrallë, e thuajse i gozhduan në vend forcat turke, duke i zbrapsur shumë herë e në shumë drejtime, sulmet e tyre me gjithë epërsinë e madhe që ata kishin 7-8 herë, më shumë se e kryengritësve. Nga mesi i muajit korrik luftimet morën karakter pozicional, ndërsa më tej erdhën duke rënë derisa në fillim të gushtit në bazë të një marrëveshje dypalëshe u bë armëpushimi.
KRYENGRITJA E VITIT 1912 PATI KARAKTER MË MASIV

Ajo përfshiu të gjithë Shqipërinë, por rolin kryesor e luajti përsëri Kosova. Ajo shpërtheu në fillim të muajt maj, kryesisht nga grupet e kryengritësve kosovar, të cilët deri nga fillimi i qershorit rrethuan forcat turke në Gjakovë e në Pejë. Gjatë muajit qershor rreth 5.000 kryengritës që kishin rrethuar këto qytete, të sulmuar mëse nga 20 batalione turke u detyruan të tërhiqen në malësitë e Rugovës, Pllavës, Gucisë, Tropojës, Drenicë, Sanxhak etj. Vetëm nga fundi i qershorit pas një goditje të fuqishme prej kryengritësve të krahinave të Tropojës kundër katër batalioneve turke në Qafën e Prushit, kryengritësit në Kosovë dhe në mbarë Shqipërinë shpërthyen në sulme e mësymje me forca të shumëfishuara. Megjithëse me një raport thuajse të barabartë forcash, rreth 60.000 luftëtarë në secilën palë, kryengritësit morën dhe e ruajtën nismën deri në fund. Në Kosovë, forcat kryengritëse, në përbërje të tri grupeve të mëdha: të Rrafshit të Dukagjinit, Drenicës, Prishtinës, të Fushë Kosovës arritën10.000-15.000 luftëtarë secili, zhvilluan mësymjen bashkëqendrore drejt Prishtinës. Më tej, pasi çliruangjithë Kosovën ato u drejtuan për në Shkup dhe çliruan viset shqiptare rreth Shkupit. Po kështu grupet e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut deri nga fundi i gushtit në bashkëveprim me njeri-tjetrin çliruan Krujën, Tiranën, Elbasanin, Korçën, Përmetin, Vlorën, Fierin etj. Në këtë mënyrë nëpërmjet kryengritjes së përgjithshme më 1912 u realizuan përmbysejet e pozitave strategjike të ushtrisë turke në Shqipëri dhe u hap rruga drejt shpalljes së Pavarësisë.

MBI STRATEGJINË E KRYENGRITJEVE TË MËDHA

Detyrat strategjike kryengritjet e mëdha i zgjidhën dhe i plotësuan duke u mbështetur në forcat e popullit shqiptar dhe në përputhje me mundësitë e rrethanat konkrete të vendit. Metoda bazë ishte ajo e kryengritjeve massive e shpërthimit të luftës dhe e veprimeve luftarake në të gjithë vendin. Plani strategjik i kryengritjeve të viteve 1910, 1912 përshkohej nga ideja e çlirimit dhe mbështetej në zhvillimin e veprimeve masive luftarake, në vijimësi, duke shfrytëzuar luftën për një kohë të gjatë, të zhvillohej mësymja që të arrihej dëmtimi i rëndë i taborëve ushtarakë turke dhe pastaj të detyroheshin ato të kapitullonin dhe të largoheshin prej Shqipërsië. Për këtë qëllim ata u mbështetën në pjesëmarrjen e të gjithë masave popullore, në mobilizimin dhe organizimin e formacioneve popullore të mëdha luftarake. Kështu në vitin 1910, efektivi i forcave luftarake në zonën e Kosovës, Lumës, Dibrës, gjatë momentit të nismës arriti rreth 30.000 luftëtarë; kurse gjatë Kryengritjes së Përgjithshme në vitin 1912 vetëm në Kosovë numëri i luftëtarëve arriti rreth 40.000, ndërsa në të gjithë Shqipërinë mëse 60.000 luftëtarë. Njësitë bazë të formacioneve ishin çetat patriotike, të cilat me thirrjen për tu hedhur në kryengritje u bashkuan dhe krijuan grupe të mëdha; në vitin 1910 dhe 1911 me efektiv nga 2.000-6.000 luftëtarë, kurse në vitin 1912 nga 10.000-15.000 luftëtarë. Megjithëse grupimet, kryengritësve ishin formacione luftarake vullnetare të përkohshme dhe nuk kishin strukturë ushtarake të rregullt. Gjatë veprimeve luftarake ruajtën kompaktësinë, realizuan mirë bashkëveprimin me njeri-tjetrin. Kështu në vitin 1912 ndërsa grupimet mësymëse në Rrafshin e Dukagjinit dhe Kosovë në kordinim me njeri-tjetrin, grupimi që drejtohej nga Idriz Seferi zuri gryjat e Kaçanikut, Caralevës, të Gjilanit etj., për të ndalur çdo ekspeditë turke që mund të vinte nga drejtimi i Maqedonisë. Problemin e armatosjes dhe të furnizimit me ushqim të kryengritësve, udhëheqësit kryengritës e mbështetën kryesishtnë popull. U bënë dhe disa përpjekje për blerjen dhe marrjen e armëve nga jashtë, por ato qenë fare të parëndësishme kundrejt nevojave që kishin kryengritësit. Një nga tiparet dalluese të kryengritjeve të mëdha 1910-1912 ishte lufta për kapjen dhe zotërimin e nyjeve dhe pozitave më të forta, nga mbrojtja e të cilave varej mbarëvajtje e kryengritjeve. Më 1910 në Kosovë rajoni kyç për të cilin u bënë betejat më të përgjakshme ishte ai i Fushë-Kosovës ose rreth qytetit të Ferizajt dhe nyjet rrugore rreth tij, Kaçanikut, Ceraleve, drejtimi Ferizaj-Gjilan etj. Ideja e kryengritjeve ishte që për të zotëruar këtë rajon të azgjësonin grupimin turk prej 16.000 veta që u vendos atje nga mezi i prillit. Zotërimi i këtij rajoni kyç nga ana e kryengritësve do të bënte të pamundur zhvillimin e operacionit turk në viset e Kosovës e të Shqipërisë së Veriut. Nga viti 1912 strategjia e kryengritësve shtroi nevojnë e përmbysjes në tërësi të pozitave ushtarake strategjike turke në Shqipëri dhe sidomos në Kosovë ku ishin përqëndruar forca e mjete të shumta turke. Një nga çështjet e strategjisë së kryengritjeve ishte edhe sigurimi i udhëheqjes dhe drejtuesve ushtarkë të kryengritjeve. Gjatë kryengritjeve të Kosovës dhe të Malësisë së Madhe për udhëheqjen e luftës u formuan grup ose këshill drejtues prej krerëve të krahinave përkatëse në krye të të cilave u vunë patriotët dhe luftëtarët e shquar Isa Buletini, Idriz Seferi, Hasan Budakovës, Mehmet Shpendi, Ded Gjon Luli etj. Po kështu drejtimi i çetave e grupeve luftarake realizohej nga krerët malësorë dhe prijsat popullorë me cilësi të larta morale, me autoritet e përvojë luftarake të pasue dhe aftësi ushtarake. Gjatë kryengritjeve të përgjithshme në vitin 1912 u sigurua edhe një udhëheqje politike e vetme mbarë shqiptare e cila u muarr me përgatitjen, organizimin dhe drejtimin në tërësi të luftës. Për drejtimin e veprimeve luftarake në rajonet të ndryshme u formuan dhe shtabe ushtarkë kryesorë, për Kosovën, Lumën e Dibrën; për Shqipërinë e Mesme dhe për Shqipërinë e Jugut. Këto shtabe organizuan, udhëhoqën, koordinuan dhe drejtuan veprimet luftarake në zonat përkatëse. Krahas këtyre shtabe ose qendrave të operacioneve kryesore për çdo krahinë dhe grup luftarak kryengritës u krijuan bërthamat drejtuese ushtarke të përbëra prej patriotësh, prijsash popullorë dhe ushtarakë shqiptarë që dezertuan ose u larguan nga ushtria turke.
TAKTIKA E LUFTIMEVE TË KRYENGRITJEVE TË MËDHA
Taktika si nga forma dhe përmbajtja ishte orgjinale e mbështetur kryesisht në tabanik kombëtar dhe në përvojën luftarake shekullore. Taktika e këtyre kryengritjeve arriti zhvillimin më të madh në krahasim me të gjtiha format e përdorura më parë në luftën e armatosur të popullit shqiptar kundër sundimit otoman. Në kompleksitetin e veprimtarisë luftarake në këto kryengritje u shfaqën forma të larmishme luftimi mësymës dhe mbrojtës. Luftimi mësymës u zhvillua në vitet 1910-1911 dhe thujase gjatë gjithë periudhës së kryengritjes së përgjithshme në vitin 1912. Tipari i përgjithshëm i mësymjes ishte se ato fillonin nga rajone fshatare e zona malore dhe drejtoheshin mbi forcat turke në qytete dhe zona të ulta. Si rregull, pas dhënies së sinjalit ose lajmërimit disa çeta dhe grupe niseshin për luftë. Në rrugë e sipër ato bashkoheshin, ndanin e përcaktonin detyrat, i afroheshin objektivit dhe pastaj në kordinim me njera-tjetrën hidheshin në sulm. Pas kësaj në ndihmë të tyre shkonin edhe vullnetarë të tjerë të rrethinës së qytetit ose çeta e grupe krahinash të afërta. Si rrjedhojë e shpejtësisë, befasisë, shtimit gradual të forcave dhe sulmeve të shpeshta ato në shumë raste i detyruan forcat turke të tërhiqen. Në prill të vitit 1910 grupet luftarake të kryengritësve kosovarë, fillimisht të përbëra nga disa qindra luftëtarë u nisën nga rajonet rreth qyteteve të Prishtinës, Gjilanit, Mitrovicës dhe brenda pak ditësh me rreth 30.000 luftëtarë krijuan epërsi numerike ndaj forcave turke. Në sajë të manovrës, shfrytëzimit të terrenit dhe epërsisë në raportin e forcave u çliruan disa nga qytetet dhe u rrethuan plotësisht forcat e mëdha turke brenda qyteteve të tjerë. Në vitin 1911 mësymja dhe sulmet e kryengritësve të Malësisë së Madhe patën zhvillime tepër të shpejtë, ishin të befasishëm, lëvizja e forcave u bë natën dhe fillimisht në më pak forca se ato të armikut që ishte objekt i mësymjes së tyre. Sulmet filluan natën në 24 mars nga një çetë prej 10 luftëtarë që kishte shtatë pushkë kundër postës turke që kishte 30 ushtarë. Po këtë ditë u hodh në sulm dhe një çetë tjetër po kaq e vogël, ndërsa deri në mbrëmje, numëri i luftëtarëve të këtyre çetave arriti në rreth 100 luftëtarë. Deri në mëngjezin e 26 marsit ishin formuar shumë çeta me rreth 800 luftëtarë, të cilët sulmuan të gjitha postat kufitare dhe repartet turke. Në kuadrin e këtyre sulmeve pak malësorë sulmuan natën afërsisht 350 ushtarë turq në fortifikatat e Malit të Deçiçit dhe u shkaktuan dëme të rënda e i detyruan të tërhiqen prej andej. Mbi bazën e sukseseve të sulmeve të para dhe të epërsisë numerike që arritën kryengritësit e Malësisë së Madhe formuan dy grupe të mëdha më 1.000 luftëtarë secili dhe zhvilluan mësymje prej Hotit e Grudës në drejtim të Tuzit e Krajës dhe prej Kastratit të Sipërm e Shkrelit drejt Koplikut. Ndërkaq në drejtimin e Vermosh-Selcë u kalua në mbrojtje ndaj forcave të shumta turke, afërsisht një division, të ardhura prej Rrafshit të Dukagjinit. Pasi çliruan rajonet e mësipërme u planëzua mësymja në drejtim të qytetit të Shkodrës. Në vitin 1912 kryengritja e përgjithshme në pikëpamje të vijimësisë, të përmasave dhe të përgatitjes e organizimit të luftimeve u shndërrua në mësymje të përgjithshme. Ndonëse u zhvillua jo si një proces i pandërprerë dhe jo me një front të vetëm, por me rajone pak a shumë larg njeri-tjetrit, ajo përfshiu gjithë Shqipërinë, prej Kosovës deri në Çamëri. Qëllimi i saj ishte të dëmtonte rëndë dhe të thyente përfundimisht forcat turke. Në Kosovë mësymja filloi në maj me dy grupe prej 5.000 luftëtarësh, rreth qyteteve të Gjakovës dhe të Pejës, kurse në korrik ajo u zhvillua nga tre grupime të mëdha. Grupimi nën drejtimin e Bajram Currit që mësynte në drejtimin Tropojë-Gjakovë-Drenicë-Prishtinë; grupimi nën drejtimin e Isa Buletinit në drejtimin Novipazar-Mitrovicë-Prishtinë si dhe grupimi nën drejtimin e Idriz Seferit i cili pasi mbuloi e siguroi me në pjesë forcash mbrojtjen e Grykave të Kaçanikut e Caralevës, Bujanovës etj., me pjesën tjetër të forcave vijoi mësymjen drejt Prishtinës dhe Shkupit. Gjatë mësymjes u arrit bashkëveprim i mirë. Për çlirimin e qyteteve kryesore të Kosovës (Prishtinë, Prizren, Mitrovic, Shkup etj) mësymja u zhvillua bashkëqendrore me manovra të shumta. Po kështu ndikoi në Shqipërinë e Mesme sidomos në luftën kundër forcave turke në rajonet e Lezhës, Krujës, Durrësit e Elbasanit, në Shqipërinë e Jugut, sidomos në rajonin e Korçës, të Vlorës e Fierit. Kryengritësit zhvilluan pa ndonjë mbështetje të rëndësishme me artileri lëvizjet për afrim dhe manovrat bëheshin në kolona e natën. Formacioni i luftimit në mësymje përbëhej nga çetat dhe grupet të vendosura në një vijë dhe kur forcat ishin të shumta, u krijuan dhe rezerva taktike.
LUFTIMET MBROJTËSE GJATË KRYENGRITJEVE TË MËDHA
Luftimet mbrojtëse patën karakter të qëndrueshëm dhe aktivitet të madh. Mbrojtja në këto kryengritje synoi të ndalonte përparimin e armikut, ta dëmtonte rëndë atë, madje dhe ta azgjësonte. Në përshtatje me këtë qëllim ajo u organizua me forca të mëdha, u shfrytëzua me mjeshtëri terreni, u përdor mashtrimi i armikut, futja e tij në kurth etj. Kështu në vitin 1910 për të penguar futjen e grupimit kryesor turk nën komandën e gjeneralit turk Shefqet Turgut pashës, u angazhuan në mbrojtje afërsisht 10.000 kryengritës, prej tyre 5.000-6.000 të grupimit të drejtuar nga Idriz Seferi, 2.000 kryengrites nga Isa Buletini dhe 2.000 të tjerë nga Hasan Budakovës. Duke filluar nga 24 prilli grupet e mësipërme zunë përkatësisht grykën e Kaçanikut, Caralevës dhe të Jezercës. Ideja e luftimit mbrojtës të tyre ishte që të dëmtonin rëndë dhe të detyronin të tërhiqej grupimi turk i Shefqet Turgut pashës prej 16.000 vetësh që u vendos në Ferizaj, ose edhe ta azgjësonin. Për azgjësimin e tij kryengritësit planëzuan edhe ardhjen e mëse 10.000 luftëtarë të tjerë nga Dibra, Luma dhe Rrafshi i Dukagjinit. 6.000 dibranë dhe lumjanë të mashtruar nga një tradhëtar u kthyen pa arritur në rajonin e mësipërm, ndërsa nga Rrafshi i Dukagjinit u grumbulluan forca, por edhe ato nuk shkuan në kohë, kështu kryengritësit që ishin organizuar për luftim rreth Ferizaj, zhvilluan fillimisht luftime mbrojtëse aktive dhe më pas luftime mbrojtëse manovruese. Në tërësi organizimi i mbrojtjes dhe manovrat e kryengritësve iu përmbajtën idesë për të futur armikun në kurth. Grupimi më i madh i kryengritësve, ai i Moravës që drejtohej nga Idriz Seferi i filloi luftimet i pari. Një mashtrim i goditur me anë të zjarreve të shumtë që ndizeshin natën në malet në veri të Ferizajt, bëri që komanda turke të besojë se forcat shqiptare ishin në atë krah, ndërkohë që ato u hodhën në mësymje e kapën grykën e Kaçanikut, ku organizuan mbrojtjen. Ky grupim përballoi mësymjen e dyanshme të frocave turke: 16.000 prej Ferizaj dhe rreth 3.000 prej Shkupit dhe zhvilloi shumë luftime të përgjakshme në formë pritash, sulmesh e goditjesh të pandërprera ditën dhe natën. Më pas u përhap në Malësinë e Moravës e Kaçanikut me grupe të vogla prej 150-200 luftëtarësh dhe zhvilloi shumë luftime mbrojtëse e manovruese. Luftime mbrojtëse aktive zhvilluan dhe dy grupimet e tjerë, i Isa Buletinit dhe Hasan Budakovës kundër mëse 20.000 trupave turke. Pas thyerjes së forcave kryesore qëndresa e kryengritësve vazhdoi e shkëputur me grupe të vogla, por e ashpër në dy drejtimet e mësymjes së forcave turke, atij të Rrafshit të Dukagjinit-Malësia e Tropojës-Nikaj Mërtur dhe atij Prizëren-Lumë-Dibër. Luftime të ashpëra u zhvilluan në Qafën e Morinës, në Qafën e Kolçit, në Reç e Dradh, në Qafën e Agrit, ku 250-300 malësorë të Nikaj-Mërturit, Shalës e Shoshit mbajtën për mëse dy javë të gozhduar një njësi turke prej 3.000 ushtarë deri sa i detyruan ata të kthehen prapa e të tërhiqen për në Gjakovë. Në tërësi në vitin 1910, kryengritësit e organizuan mbrojtjen në vija përballë frontit të mësymjes së forcave turke. Duke u tërhequr ata zinin vija më prapa duke i dhënë asaj thellësi. Në vitin 1911 luftimet mbrojtëse të Malësisë së Madhe patën karakter të qëndrueshëm dhe veprues. Si rregull kryengritësit mbronin të gjitha drejtimet e kalueshme që çonin thellë në Malësi duke i dhënë mbrojtjes formë rrethore. Vija e parë e mbrojtjes së tyre kalonte prej Tuzit, në Helm, gjatë bregut lindor të liqenit të Shkodrës, gjatë përroit të Thatë-Koplik dhe përpara Vermoshit. Në pamundësi që të zinin të gjithë këtë vijë, kryengritësit u mbështetën në përqëndrimin me grupe secili prej disa qindra luftëtarësh në pika të caktuara si Deçiç, Dinosh-Millesh, Brizha, Bajzë, Vukëpalaj, Koplik, Selcë etj. Me dukjen e armikut në një drejtim, një ose disa grupe së bashku zinin një vijë mbrojtjeje të caktuar ose hidheshin menjëherë në kundërsulm dhe i vinin përpara forcat armike. Luftimet më të përgjakshme u bënë sidomos për Malin e Deçiçit, ku zakonisht 200 luftëtarë dhe vetëm në raste të rralla arritën në 500-600, përballonin dhe thyenin sulmet e njëpasnjëshme të disa batalioneve turke. Gjatë luftimeve në vijën e parë të mbrojtjes, kryengritësit thyen disa herë edhe përpjekjet për zbarkim të reparteve të veçuara turke të ardhura nëpërmjet liqenit. Kundërsulmet e goditjet e befasishme ditën e veçanërisht natën, kryengritësit dhanë pasi forcat turke u futën në rajonin e Hotit të Sipërm, thellë në Kastrat Shkrel e Selcë. Gjatë organizimit të luftimeve mbrojtëse, kryengritësit shfrytëzuan mirë terrenin si në pikëpamje të ruajtjes së forcave të veta, por edhe për të dëmtuar sa më rëndë e për të thyer armikun. Në Kaçanik-Caralevë dhe Jezercë, pozicionet e mbrojtjes së kryengritësve ishin në lartësi zotëruese ndaj rajoneve të mësymjes së forcave turke. Pozicionet e tyre ishin në pyje të fshehta e të maskuara. Po kështu edhe në Qafën e Morinës, Qafën e Kaloshit e të Kolosianit, ata ishin në pika më dominuese se armiku. Në Qafën e Agrit, në Selcë, Kastrat të Sipërm ata zunë shtigjet e vetme në kreshtat malore e shkëmbore ku ishin të detyruara të kalonin forcat turke. Në sajë të shfrytëzimit me mjeshtëri të vetive të terrenit malor të thyer, të maskuar, të pyllëzuar etj., kryengritësit e vunë armikun thuajse gjithnjë përpara të papriturave. Oficerë turq, pjesëmarrës në shtypjen e kryengritjes të vitit 1910 pohonin: “… ajo që ngjau atje ishte e tmerrshme. Trupat luftojnë kundër një armiku të padukshëm, të pakapshëm, ata shtinin nga prapa pemëve, prapa shkëmbinjëve, ushtarët tanë binin të vrarë. Ushtria jonë qëllon në tym. Kryengritësit nuk i shohim, numërin e tyre nuk e dimë… kishim të bënim me një armik që duket në një pikë, sulmon, pastaj zhduket për të dalë në një pikë tjetër”. Në sajë të qëndrueshmërisë dhe aktivitetit të madh që arriti luftimi mbrojtës në vitet 1910 e 1911, kryengritësit mjaft nga luftimet i përfunduan me ndeshje trup me trup. Kështu gjatë betejsë së Kaçanikut më 1910 u zhvilluan luftime trup me trup në disa pika e secili prej tyre vazhdoi për disa orë resht. Formacioni i luftimit të kryengritësve për mbrojtje i përmbahej idesë për ta bërë mbrojtjen sa më të qëndrueshme dhe sa më dëmtuese për armikun. Forcat përgjithësisht vendoseshin në një vijë e mbanin rezervë. Në krahë ose dhe më përpara tyre vepronin çeta në formën e nënreparteve të sigurimit. Gjatë zhvillimit të luftimit, formacioni bëhej shumë elastik dhe pranonte ndryshime. Njësitë e dedashmentet e ndryshme manovronin sa në një krah në tjetrin nga thellësia në front e anasjelltas, zëvendësonin njeri tjetrin etj. Pasi thyheshin në një vijë kryengritësit në tërësi përhapeshin ose shpërndaheshin, tërhiqeshin me urdhër e të organizuar me grupe, duke e bërë kështu të pamundur ndjekjen nga ana e armikut. Në një dokument thuhet: “Duke parë këmbënguljen me të cilën mbronin pozicionet kryengritësit, trupat turke u detyruan të përdornin artilerinë. Atëherë mbi kryengritësit ra një shi i vërtetë predhash. Këta – dhe kjo është një hollësi e çuditshme – nuk iknin në mënyrë të çrregullt, por u tërhoqën progresivisht, duke u mbrojtur me të shtëna pushkësh”. Gjatë kryengritjeve të mëdha pati përpjekje edhe për koordinimin e veprimeve mësymëse të malësorëve me forcat popullore të qyteteve që mbaheshin nga forcat turke. Lufta e armatosur e popullit tonë gjatë kryengritjeve të mëdha 1910-1912, për nga fuqia dhe mjeshtëria shënoi shkallën më të lartë në krahasim me etapa e mëparshme. Ato përmbajnë vlera të artit ushtarak orgjinal shqiptar, dukuri dhe karakteristika që herë pas here ja vlen që t’u shkohet në thellësi të elementeve cilësorë të tyre.