
IRIS HALILI
“Sjella dhe teoritë e lidershipit janë jofunksionale nëse nuk marrin parasysh kulturën (tiparet dhe cilësitë) e ndjekësve.” Geert Hoftede.
Përse shqiptaret asnjëherë nuk kanë mundur t’I imponohen lidershipit që kanë pasur në krye apo të jenë pjesë integrale në të? Përse në disa vende diktaturat lindin dhe mbijetojnë suksesshëm e në disa të tjera ato nuk e kanë jetën të gjatë? Përse pothuaj të gjitha ligjet e të drejtave të njeriut e kanë burim prej vendeve nordike të Europës? Përse shqiptarëve apo lidershipit shqiptar u parapëlqen më shumë buja dhe fama sesa shërbimi dhe modestia? Përse liderët shqiptarë i gjejmë më shumë në konflikt sesa në konsensus? Përse nuk kemi pasur asnjëherë lidership efektiv? Këto, apo dhjetëra e dhjetëra pyetje të përafërta i kemi bërë shpesh dhe po kaq shpesh nuk kemi mundur t’u japim zgjidhje deri në fund. Ka dhe mund të ketë shumë përgjigje por njëra duket se i përmbledh të gjitha: “Kultura e një vendi është dimensioni kryesor që përcakton llojin e lidershipit”, thënë ndryshe, lidershipi është shprehje e qartë e kulturës së një shoqërie apo vendi. Studiuesi më i shquar që arriti të analizojë lidhjen midis formave të lidershipit dhe kulturave përkatëse, është holandezi Geert Hofstede. Studimi i tij zgjati gati një dekadë dhe mori në shqyrtim rreth 52 kultura të ndryshme të prezantuara nga punonjës të kompanisë globale IBM. Në përfundim, ai evidentoi katër dimensione të ndryshme kulturore që ndikojnë direct në formën e çdo lidershipi. Ato janë:
1. Distanca me pushtetin
2. Individualizmi përkundrejt kolektivizimit
3. Maskiliteti kundër feminilitetit.
4. Shmangia e paqartësisë.
DISTANCA ME PUSHTETIN
Studimi i Hofstedes arriti në përfundimin se distance mes pushtetit dhe individit është e ndryshme në kultura dhe vende të ndryshëm. Sipas tij, në disa kultura individi e sheh veten shumë afër pushtetit, ndërsa në disa kultura të tjera, apo në vende të ndryshme, kjo distancë është shumë e madhe dhe individi e sheh veten jo vetëm aspak pranë pushtetit, por e sheh këtë të fundit si të paprekshëm, gati hyjnor ose krejt të paarritshëm. Sa më e lartë distanca me pushtetin aq më të pafuqishëm janë individët për të marrë pjesë në vendimmarrje, aq më e madhe hierarkia dhe, si përfundim, aq më të pakta shanset e një shoqërie demokratike dhe shumë më të larta shanset për lidership autoritar apo diktatorial. Në të kundërtën, në vendet me distancë të vogël me pushtetin, barazia apo mundësia për çdokënd është prioritet. Atje pushteti shihet si pjesë integrale e shoqërisë dhe individi është i lirë të ndërhyjë apo të përcaktojë ndryshimet. Britania apo Shtetet e Bashkuara janë shoqëri me një distancë të vogël me pushtetin. Nuk është rastësi që edhe modelet më të arrira të lidershipit na afrohen nga këto vende. Shqipëria i takon cultures ku distanca e individit me pushtetin është shumë e madhe dhe mjaft e dukshme. Këtu gjejmë edhe përgjigjen pse shoqëria shqiptare ndër shekuj ka qenë e nënshtruar nga çdokush që ka qenë në krye. Këtu e gjejmë edhe arsyen pse modeli amerikan i lidershipit është shumë i vështirë të aplikohet në vendet ku ka një hendek e largësi në mes të pushtetit e njerëzve të zakonshëm.
INDIVIDUALIZMI PËRKUNDREJT KOLEKTIVIZMIT
Ky është një tjetër dimension kulturor i teorisë së Hoftedes. Në shoqëritë kolektiviste grupi apo klani kanë peshë të madhe. Në këto kultura individi e gjen forcën dhe suksesin e tij kur i bashkon interesat me ato të klanit. Individët brenda grupit kujdesen për njëritjetrin dhe fuqizohen brenda tij. E kundërta ndodh në shoqëritë individualiste ku individët kanë pak lidhje mes tyre dhe veprimet e secilit shfaqen përtej grupit. Në këto shoqëri, individi është më shumë i orientuar ndaj vetes dhe rrethit të ngushtë familjar e nuk del përtej tij. Vendet me shkallën më të lartë të individualizmit janë sërish Shtetet e Bashkuara, por edhe Australia, Britania e Madhe, Holanda, Kanadaja dhe Italia. Ndërsa kulturat më të spikatura kolektiviste janë në vendet e Amerikës Latine, disa vende të Europës Lindore, të Lindjes së Mesme, të Azisë Konfuciane dhe të Azisë Lindore etj. Shqipëria i takon grupit të shoqërisë me culture kolektiviste ku klani bën fuqinë. Në këtë vend mendimi i lirë apo i pavarur është shkak përjashtimi, ndërsa përfaqësimi nëpërmjet mendimit të klanit të jep famë, sukses dhe privilegje. Edhe pas vdekjes suksesi apo mohimi, harresa apo glorifikimi do të të ndjekë vetëm nëse kujtimi yt do t’i shërbejë klanit që sundon për momentin. Këtu e gjen shpjegimin fakti që shumë mendje të hapura shqiptare nuk kanë mundur të kenë sukses në vendin e tyre, pikërisht se nuk janë bërë pjesë e klaneve dhe në kërkim të suksesit ata kanë emigruar jashtë vendit.
MASKILITETI PËRKUNDREJT FEMINILITETIT
Ky është një tjetër dimension kulturor që dallon shoqëritë. Një shoqëri quhet maskiline nëse është e orientuar te suksesi, pavarësia, karriera, këto apo dhe shumë vlera të tjera të njohura të seksit mashkull. Nga ana tjetër, nëse një shoqëri është e dominuar nga vlerat apo tiparet arketipa feminilë të tilla si: kujdesi, shërbimi, modestia, apo edhe tendenca për bashkëpunim, atëherë ajo quhet feminile. Në vendet me tipare maskiline, është mashkulli që merr përparësi në shoqëri dhe femra mbetet më shumë në misionin e saj klasik të kujdesit për fëmijët dhe familjen. Japonia është vendi me shifrën maksimale të dimensionit maskilin. Suedia, e pasuar nga të gjitha vendet nordike të Europës radhiten, me shifrat më të larta ndër shoqëritë feminile. Këtu gjejmë edhe përgjigjen përse të gjitha ligjet e të drejtave të njeriut e kanë burimin nga këto vende. Shtetet e Bashkuara apo Gjermania janë shoqëri maskiliste. Shqipëria është po gjithashtu një shoqëri maskiliste. Ky dimension kulturor i bën shqiptarët dhe liderët e tyre të shfaqin mungesë modestie të theksuar, kanë maninë e madhështisë, të bujës e rrëfimit të forces edhe kur nuk kanë asgjë për t’u mburrur.
Shmangia e paqartësisë
Ky është dimensioni i katërt kulturor, por mbetet edhe një ndër më të ndërlikuarit. Në shoqëritë që kanë shifër të lartë në këtë dimension, individët synojnë të kenë një jetë sa më të kontrolluar dhe sa më të parashikuar. Çdo fenomen ndryshe merret si i rrezikshëm dhe ndalohet me çdo kusht, ndryshimi në vetvete shihet si i frikshëm. Këto janë përgjithësisht shoqëri konservatore dhe aspak të hapura ndaj një opinioni të dytë. Kjo i bën liderët e kësaj kulture dhe të këtyre vendeve, që të kenë mungesë të theksuar përshtatjeje apo të mos pranojnë bashkëpunimin, konsensusin. Interesante është se individët e kësaj shoqërie kanë natyrë ekspresive dhe i shprehin hapur emocionet, inatet apo edhe reagojnë pa komplekse. Ata e shohin konfliktin si pjesë të jetës. Përpiqen për një jetë më të mirë brenda disa konvencioneve, pa tentuar ndryshimin. Kur shohin se nuk arrijnë të kontrollojnë plotësisht fatin e tyre, e vendosin atë “në dorë të Zotit”. Greqia mban shifrën rekord në këtë grup kulturor, ndërsa Shqipëria mbetet në kuota vërtet të larta. Pikërisht me anë të këtij dimensioni kulturor mund të shpjegojmë pse në Shqipëri konfliktet nuk
rreshtin kurrë apo marrëveshjet sot nënshkruhen si historike, nesër harrohen apo tradhtohen. Në luftë të
vazhdueshme me këdo, në konflikt të pandërprerë mes vetes dhe të tjerëve. Shqiptarët kanë qenë gjithmonë të paqartë në rrugën e tyre; edhe kur e kanë gjetur orientimin e duhur shumë shpejt kanë përhumbur në harresë. Konsensusi është parë si dobësi, marrëveshja si tradhti dhe bashkëpunimi si nënshtrim. E kundërta ndodh me shoqëritë që kanë tregues të ulët në këtë dimension kulturor. Në këto kultura dhe në këto vende, individët janë më të paqshëm dhe më të hapur. Për to bashkëpunimi dhe dialogu janë pjesë e pandarë e ekzistencës. Singapori mban rekordin për shkallën më të ulet të këtij dimensioni kulturor.
Konkluzione
Falë studimit të Hofstedes jemi në gjendje të kuptojmë pse lidershipi i një vendi është i ndryshëm nga ai i një vendi tjetër. Bindemi se asgjë nuk përbën forcë më të madhe në lidership, se kultura e vendit nga vjen. Në rastin shqiptar, sepse i takojmë një kulture me shkallë shumë të lartë distance me pushtetin, gjejmë përgjigjen pse kemi qenë gjithmonë të nënshtruar ndër shekuj dhe ndaj kujtdo që kemi pasur në krye.
Në faktin që jemi kulturë maskiliste, gjejmë edhe përgjigjen pse jemi udhëhequr dhe vazhdojmë të
udhëhiqemi nga liderë që drejtojnë mes arrogancës dhe forcës, më shumë për bujë dhe famë sesa për shërbim. Sepse jemi shoqëri e modelit kulturor kolektivist ndaj dhe çdo mendje e pavarur nuk ka mundur të mbijetojë jashtë klanit. Kur vepron brenda klanit, je në fuqi dhe ke sukses, kur je jashtë klanit në dështim apo emigrim! Sepse është një shoqëri që i shmanget paqartësisë dhe gjithmonë e ka pranuar me vështirësi ndryshimin, por edhe kur e ka pranuar, e ka tradhtuar atë në mes të rrugës. E shkuara është pranuar si nostalgji, e ardhmja si e frikshme, as andej as këndej, gjithmonë në një tranzicion që nuk rresht kurrë. E gjithë historia e lidershipit shqiptar është pasqyrë e qartë e kulturës së këtij vendi ku fatkeqësisht janë pleksur në një formulë të paekuilibruar të katër dimensionet kulturore më të pafavorshme dhe që fatkeqesisht të çojnë te lidershipi i pasuksesshëm!