NGA ASLLAN BUSHATI/
Zakonisht në përvjetorët e ditlindjes time kam bërë shaka me rrotullimet e tokës rreth diellit ; duke e parë veten si një pasagjer dëshmitar në rrethrrotullimin orbital njëvjeçar të tokës.
Por këtë vit, kam vendosur të tregoj një rrëfenjë. Do të sjell në kujtesën e familjarëve, të afërmve, të lagjes, të fshatit, të krahinës time, madje edhe të disa usharakve, copëza jete të moshatarin tim të paharruar Nazmi Sula.
Vite më parë në Mat (nuk e di sot), në vazhdën e një trashgimnie shumë shekullore, nata e Verës fillonte në muzgun e 13 marsit me ndezjen e zjarreve në majat e kodrave. Kjo do të thoshte se pranvera kishte ardhë. Pas zjarreve festa vazhdonte me ndezjen e daulinave (tufa shkurresh, barë i thatë, kashtë gruri e thekre që rrutulloheshin të ndezura). Ky rit, bëhej edhe më 14 e 15 mars, madje nata e fundit ishte më e “zjarrta” me idenë e konkurencës se kush fshat (lagje) ua kalonte të tjerve,kush e kishte bërë më mire organizimin.
Nga kodra e Bushatve, zjarret shiheshin qartë deri në Macukull, Burgajet, Kurdari, Klos, Guri i Bardh, Gurrat, Frankth, Bazi, e deri në Perlat të Mirditës. Për tri net Mati vishej me magjinë e zjarreve të pranverës dhe të daulinave .
Po ashtu ishte bërë zakon që edhe krisma e një pushke lajmëronte lindjen e një djali në lagje ose në fshat. Kështu në mëngjezin e datës 16 mars 1949, midis orës 5-5:30, në fshatin Midhë, u dëgjuan dy të shtëna pushke. Pra në një diferencë prej 10-15 minutash erdhën në jetë dy djem nga i njejti fshat e në një distacë rreth 300- 400 metra në vijë ajrore. Ata ishin Nazmi Sula dhe Asllan Bushati të cilëve fshati u kishte vënë me shaka nofkat :”djemt e daulinave”, “djemt e pranverës”, “penda e qeve të mëngjezit”etj.
Duke lindur në të njejtën datë, ditë e vit me Nazmi Sulën, u ndodhëm edhe në të njejtën klasë e të njejtën shkollë për shtatë vite. Klasa e tetë na ndau se unë studiova në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, kurse Nazmiu në Gjimnazin e Burrelit. Më pas jeta e solli që të takoheshin edhe në kolegjin ushtarak të kohes, ai për gjitharmësh, kurse unë për kimist.
Pas diplomimit oficer, ai filloi punë në Burrel , kurse unë në Berat. I dërgonim letra njeri tjetrit (atëherë nuk kishte celular si sot), por për arsye të punës dhe distancës takoheshim më rrallë. Në verën e vitit 1974 (verë e vështirë për ushtrinë), unë isha në stërvitjet me përdorim të lëndëve helmuese luftarake (një nga stërvitjet më të vështira dhe të rrezikshme), në një vend që quhet Cerosten. Atje më erdhi një telegram befasues nga vllai im i ndierë Xhaferr, ku thuhej: ”Ra gjama. Vdiq Nazmi Sula bashkë me dy ushtarë në tunelin e Qafdëllenjës nga gazi”.
U shokova. Nuk mbaja dot lotët. Nga fushimi stërvitor nuk mund të largohesha. Vetëm pas dy javëve u ktheva në fshat dhe shkova për ngushëllim tek familjarët e shokut tim të ngushtë. Tronditja nuk mu fashit por u ndez më shumë. Takova kolegë miq e shokë dhe eprorë të Korpusit të Burrelit, me synim që ky rast të vlerësohej si heroik se Nazmiu dha jetën e tij për të nxjerrë nga tuneli dy ushtarët . Qe e pamundur të bashkoheshin me mendimin tim, se të gjithë thonin (për të larguar çdo gjë nga vetja), se ka thyer rregullat. Ka përdorur amonit malor (i ndaluar për hapje tuneli), koha e ajrimit pas plasjeve duhet të ishte më e madhe, kur nuk u kthye ushtari i parë duhet të njoftonte komandën urgjent e të tjera sofizma, vetëm që fajin ta merrte me vete ai që u largu nga kjo jetë.
Shumë i dëshpëruar, nga sa më sipër, shkrova një artikull të gjatë për gazetën “Luftëtari” (gazeta e ushtrisë së asaj kohe), ku në esencë vija në dukje se akti i Nazmi Sulës ishte e duhet të vlerësohej edhe nga ushtria si akt heroik. Artikulli (më tha gazetari Ibrahim Gani) nuk mund të publikohet se i kalon kompetencat e redaksisë së gazetës. Më pas bisedova me ish ushtarakun e lartë Sul Domi i cili ishte edhe deputet. Edhe ai ishte i shqetësuar, por i pafuqishëm ta conte më tutje këtë problem. Nëpërmjet eprorit tim (i ndieri Veli Blaceri) kontaktova me Zotin Tahir Minxhozi i cili ishte drejtuesi i Partisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Më priti mirë, më tha se edhe ai ishte i piklluar dhe se ishte marrë gjatë me rastin e Nazmi Sulës. Por më tha se synimi juaj për ta iniciuar si akt heroik, është një lodhje e kotë. Ai sipas dokumentave, ka thyer rregullat në punimet operative, madje po të ishte gjallë, ndoshta do të ishte dënuar. Shumë i dëshpëruar i thashë po eprorët e tij a kanë përgjegjesi për këtë tragjedi apo fajtori i vetëm është ai që iku nga kjo jetë?
Më kanë thënë, (por unë vetë nuk e kam parë) se Mehmet Shehu (në atë kohë ish edhe Ministër Mbrojtje), në faqen e komunikatës operative të asaj dite, kishte shkruar diçka që e pengonte çdo diskutim në sensin pozitiv për Nazmiun. Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja dhe burimi i “gjuhës së drunjtë” që u përdor.
Arma e fundit që më mbeti, ishte një kartolinë për atë vit të ri të cilën ua dërgova mësuesëve dhe nxënësve të Shkollës “Ali Metra” Komsi, Burrel. Në kartolinë u uroja virtualish atyre vitin e ri në emër të Nazmi Sulës, po ashtu (vetkuptohet) edhe në emrin tim, me qëllim që nga atje të mund të lindëte ndonjë inisitivë që emri i Nazmi Sulës të mos harrohej, por t’i vihej ndonjë rruge ose objekti në Burrel.
E pranoj se unë dështova në nismën time për të përjetësuar emrin e vërsnikut tim, shokut të shkollës e të profesionit, bashkfshatarit dhe shokut më të ngushtë të fëminisë. Por dështimi nuk ishte vetëm i imi. Mbi të gjitha dështimi ishte i atij sistemi vrasës që disave u mori jetën (si Nazmi Sulës), disa i gjymtoi, e disave na mori rininë nëpër tunelet e qendrat e zjarrit, transhetë e hendeklidhjet, me një shfrytëzim deri në rraskapitje për disa ide idiote (mbrojtëse) komuniste.
Unë sot dëshiroj që mendimi politik i së djathtës dhe i së majtës në Shqipëri, të zhillohen me kohën, në konkurencë me njeri tjetrin dhe të gjenerojnë energji kombëtare si në botën e civilizuar. Një e djathtë ekstreme do të ishte e papranueshme dhe burimi i një ekstremizmi djathtist (ndoshta lufte). Një e majtë ekstreme e tipit enverist do të ishte fatalitet i ri, të cilën e provuam për pesëdhjetë vite. Madje me keqardhje shoh se edhe sot shumë nga bashkmoshatarët e mi, nuk kanë dalë akoma nga istikamet e murtajës enveriste.
E solla në vemendje Nazmi Sulën, jo vetëm se ai sot së bashku me mu ka ditëlindjen, por se si historia e tij ka shumë e shumë (Nazmi) të tjerë, të cilët në moshë të re u larguan nga kjo jetë vetëm për faj të regjimit.Nazmiu u prehtë në paqe e përjetësi.Ti rrojnë familjarët e tij. Ai e meritonte këtë dedikim në ditën e tij të lindjes prej shokut të fëminisë. Por këtë e meritojnë edhe të gjithë ushtarakët e tjerë që fatkeqsisht (jo për faj të tyre), shkuan parakohe në jetën e amshueme. Ndoshta koha për ta ekspozuar një temë të tillë sot, është e papërshtatëshme , për këtë kërkoj ndiesë. E them këtë se duket si “dashuri në kohë të kolerës” se koronaviruesi është nëpër këmbë në Shqipëri e në botë, por edhe ditlindja e Nazmiut është vetëm më 16 mars.Respekte miq, shokë, kolegë, vatranë e dashamirë.