Dr. Ernest Nasto
Chicago/
Mendoj se romani Këpuca e Aktorit shënon një arritje kulmore të letërsisë shqipe të ditëve tona dhe është një vepër për të cilën në fakt mund të thuhet shumë, sepse kumtet e saj janë të shumëllojshme, siç është venë gjerësisisht në dukje nga kritika. Është e vërtetë që ajo mund të merret si metaforë e rrugëtimit të çalë të Shqipërisë “me një këpucë”, që ajo ka gërshetime stilesh të ndryshëm, dhe që përmban gjithashtu edhe elemente autobiografike. Por këtu dua të ndalem në një këndvështrim të veçantë duke e parë si një ndërthurje e rivalitet ndërmjet “rrugës së hirit hyjnor (grace)” dhe “rrugës së natyrës”.
Këto kategori të botëkuptimit kristian janë përdorur e shtjelluar prej kohësh nga mendimtarë e filozofë të ndryshëm, dhe posaçërisht nga danezi Soren Kierkegaard (1813 – 1855). Ndërsa lexoja librin e Zhitit, më risilleshin në kujtesë këto tema dhe mënyra si i ka trajtuar ato regjisori Terrence Malick në filmin e tij të famshëm të vitit 2011 The Tree of Life. Kjo vepër u konsiderua në masë nga kritikët si një arritje unike, dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për romanin që po analizojmë këtu.
Sipas Kierkegaard rruga e natyrës është një mënyrë të jetuari ku vetja është tërësisht në qendër, me synimin për të arritur objektivat me çfarëdo mjeti, me konkurencë të tipit “ose do të shtypësh të tjerët, ose do të shtypesh vetë”, pra “ose ti, ose unë”, dhe me hakmarrje të pamëshirshme ndaj çdo cënimi që mund të pësosh prej të tjerëve, d.m.th. ajo që Zhiti e quan diku në roman “pamëshirshmëria e kohës”. Me fjalë të tjera “rruga e natyrës” është disi e kundërt me kuptimin e fjalëve “e natyrshme” apo “natyrore” të cilat i përdorim në jetën e përditshme për të shenjuar normalen apo të zakonshmen.
Rruga e hirit hyjnor, nga ana tjetër, është mënyra e të jetuarit duke e parë jetën si dhuratë, duke venë në qendër të saj jo veten, por të mirën e të tjerëve, me mirënjohje, me dashuri, me tolerancë, me kërkim drejtësie (por kurrë hakmarrjeje) e mbi të gjitha me mëshirë e falje, duke i përhapur këto sa të mundesh rreth teje. Kjo rrugë mund të shihet edhe si një lloj nostalgjie, ose etjeje për të gjetur vendin tënd në jetë, atë për të cilën je krijuar, dhe ku gjërat janë ashtu si duhet të jenë.
E rëndësishme për mua është se këtë Hektori, si personazhi kryesor, e përfaqëson në roman po aq sa edhe Shqipëria me përpëlitjet e saj përgjatë historisë. Edhe në sensin e tri kohëve, është qartësisht e dukshme se të tre brezat e familjes Tomorri e përfaqësojnë këtë etje për rrugën e hirit, për të qenë në vendin që u takon, to feel home.
Dua të theksoj veçanërisht këtu se autori në jetën e tij e ka bërë me vendosmëri zgjedhjen në favor të rrugës së hirit, siç është evidente për të gjithë ata që kanë privilegjin ta njohin nga afër. Ai është dëshmi e gjallë e mënyrës së të jetuarit me hir, që duhet të jetë një frymëzim e inkurajim për ne të gjithë.
Ndërkaq në libër të dy rrugët ndërthuren me mjeshtëri, me stilin narrativ dhe monologjet e tipit të “përroit psiqik”, të cilat u lejojnë heronjve kryesorë të secilës pjesë, në thelb Moisiut dhe Hektorit, gjykime për çka ndodh përreth e për karakteret me të cilët ata ndeshen e ndërveprojnë gjatë jetës.
Tashti, dihet se jeta e çdokujt, dhe e çdo vendi e shoqërie, i ngërthen të dyja këto rrugë, pavarësisht se në shumë raste rruga e natyrës është mbizotëruese, por qëllimi është që ajo të jetë sa më e pakët përkundrejt rrugës së hirit. Kështu p.sh. në libër vihet re se gjatë jetës së Moisiut, pra në kohën e mbretërisë, këto janë dukshëm në një harmoni më të madhe dhe hiri është mjaft i pranishëm (sepse gjërat janë më së shumti në vendin e tyre), krahasuar me dy periudhat e mëpastajme kur harmonia dhe hiri pothuaj zhduken nën diktaturë, për t’u rishfaqur me ndrojtje, aty-këtu, në postdiktaturë.
Rruga e hirit shprehet në kohën e parë tek karakteri i Bukuranit, gjyshit të Hektorit, me tiparet si mikpritja, kujdesi për të tjerët, etja për kulturë e drejtësi, dhe sidomos tek figurat historike që autori ka futur si personazhe në roman. Kjo është vetë një meritë e veçantë dhe aspekt i rrugës së hirit, sepse synon drejtësi për figura të tilla, dikur të anatemuara nga regjimi diktatorial.
Hiri shprehet tek Safet Butka (“profesori i Butkallinjve”) për të cilin autori thotë se “kishte shumë butësi në pamje, edhe në sytë që i ndriçonin”, me inkurajimin që ai i jep Mojsiut të ri për shkollën dhe për të vazhduar ëndrrën e tij për t’u bërë aktor, sepse me atë do t’u japë të tjerëve qytetërim. Po ashtu At Gjergj Fishta, me “zërin e altartë”, me nxitjen për përhapjen e dijes, sepse “edhe dija asht dashni”. Apo edhe Mit’hat Frashëri, me fjalët plot pasion për kulturën e librat, me dashurinë për shqiptarët, me përpjekjet e mëdha për të ndaluar vëllavrasjen, sepse edhe ata të anës së kundërt “janë djemtë tanë”, një shprehje e qartë shpirtmadhësie.
Në rrugën e hirit është edhe Moisiu në Elbasan, me teatrin e Normales dhe revistën Normalisti, që shpërndan qytetërim dhe synon të edukojë të rinjtë, ashtu si edhe tërë vendin, asokohe shumë i ri, me vlerat më të mira klasike (kjo për mua ka edhe një jehonë personale, sepse nëna ime ka luajtur Borëbardhën në moshën 11 vjeçare si aktore e teatrit të ciklit të ulët të Normales, duke u përgëzuar për këtë në faqet e Normalistit).
Sa për Marien, gruan e Moisiut, tërë jeta e saj është mishërim i hirit, edhe vetë Hektori bën më vonë paralele fort të gjetura të së ëmës me Shën Mërinë dhe Nënë Terezën.
Në pjesën e dytë, nën diktaturë, jeta e Hektorit-aktor përshkohet nga tensioni i vazhdueshëm ndërmjet të dy rrugëve, megjithëse prania e hirit është ulur ndjeshëm, sepse çdo gjë është përmbys. Vihet re se tek Hektori ka shumë tallje, qesëndi e ironi, por urrejtja s’është e pranishme, e madje edhe për tipa si Çaçoja Hektori shpreh kryesisht përbuzje. Ndërkaq Çaçoja, siç simbolizohet edhe nga vetë emri, është shembull i vrazhdësisë e mizorisë, i rrugës së natyrës në mënyrë absolute, pa asnjë fije hiri hyjnor, pa asgjë pozitive, vetëm me veten e tij në qendër, plot me intriga e prapaskena, me vigjilencë për të luftuar armikun e kudogjendur, etj.
Janë disa çaste kur edhe tek Hektori mbizotërimi i natyrës përshkruhet veçanërisht bukur, si p.sh. tek thyerja e pjatave të mira, në një kundërvenie të dukshme me të shoqen, Erikën, e cila është, edhe ajo si e vjehrra, mishërim i rrugës së hirit. Tensioni është i pranishëm në mjaft shprehje të goditura, si p.sh. kur Hektori, meqë banonte të lagjja Komuna e Parisit, thotë “Parisin e dua, por Komuna më tremb”.
Ndërkaq në pjesën e tretë në përgjithësi mund të thuhet që rruga e hirit fillon të ketë shfaqje të ndrojtura, pavarësisht se zhgënjimi është i madh dhe toni mbizotërues kthehet drejt ironisë. Përçuesja më e madhe e rrugës së natyrës, me dhunë dhe arbitraritet, mbetet qeveria me aktin e prishjes së teatrit si kuadri në të cilin vendoset i gjithë romani. E megjithatë duket se shembujt e të vepruarit sipas rrugës së hirit rriten mjaft në krahasim me kohën e diktaturës dhe futen gjithashtu personazhe që përfaqësojnë fort hirin, si Atjoni dhe Irisi. Prania e tyre duket qartë që e shtyn fort edhe Hektorin drejt rrugës së hirit, dhe shtytja vetë është shprehje e kësaj rruge.
Irisi nga ana e vet e vazhdon rrugën e hirit, sidomos me dashurinë dhe respektin e madh për të atin: ajo vjen në 60 vjetorin e tij në mënyrë spektakolare, në një gjest mirënjohjeje të pafund, dhe dihet se mirënjohja është një nga shfaqjet kryesore të hirit.
Një personazh i veçantë që tregon vetëm hir është studenti nga Milano, Atjoni, për të cilin Irisi thotë “ky djalë i mrekullueshëm… si tepër për të qenë e vërtetë”.
Hektori ndërkaq vazhdon me tensionin ndërmjet të dyjave, siç thamë, dhe shprehje e tensionit janë talljet plot me ironi therëse, sipas rrugës së natyrës, që ai bën për sistemin e ri, demokraturën, por nga ana tjetër ai është në rrugën e hirit me mospranimin për t’u bërë deputet, sepse, si aktor, ai është plotësisht në vendin e vet. Them që Hektori i ka të dyja, sepse shumë herë ato s’mund të ndahen kollaj, por megjithatë hiri është shtuar në mënyrë të dukshme.
Edhe vetë etja e Hektorit për drejtësi në fund të fundit shpreh hir, sepse e tillë është çdo ndjenjë e akt që i kundërvihet së keqes, edhe pse me shumë ironi…”ata u bënë të pasur, por ne fituam moralisht, a ka pasuri më të madhe se morali?”
Një figurë tërësisht me hir është Nënë Tereza, të cilën Hektori e përshkruan me admirim të dukshëm, si një “enigmë shtatpakët dhe “dritë përqarkuese shumë më e madhe se ajo vetë”. Skena e shenjtërimit të murgeshës shqiptare nga Kalkuta mendoj se është një nga kulmet e hirit, kur Hektori reciton vargjet e saj “jeta është dhuratë, dhuroje” d.m.th. jepni jetë, krijojeni, duajeni jetën dhe të mirën për të gjithë, dhe kur aktorët “me gjuhën e trupit dhanë ca kumte sa të lashtë, po aq edhe modernë, të përgjithmonta”.
Rruga e hirit është kulmore edhe tek takimi i Hektorit me Atjonin, kur ky i jep idenë për të sjellë teatrin tek njerëzit në kovën e ekskavatorit gjatë pandemisë, si edhe e tërë skena në ëndërr me Atjonin, Irisin e Marinin. E po ashtu fund e krye me hir është fjalimi i Hektorit nga kova për dashurinë e njerëzve për njeritjetrin, për bukurinë (që “do të shpëtojë botën”) dhe për sinqeritetin (“mbani maskat, por mos harroni fytyrat”).
Edhe në fund Hektori po lutet, megjithëse në dëshpërim, dhe skena me Atjonin vjen si kurorëzim i gjithshkaje të hirshme që kemi parë gjatë librit: “si i dërguar nga Qielli… nga andej vij… për kaq isha… sa për ty…”. Në atë çast ndriçimi hyjnor Hektori mendon se “studenti duhet të jetë engjëll, s’mund të jetë ndryshe”, ndërsa bie në gjunjë në lutje para ikonës së nënës së tij, Maries.
Vazhdimësia e rrugës së hirit jepet nga Irisi dhe Marini, me vendosmërinë për përhapjen e dashurisë e të kulturës, dëshmuar nga nisja me avion për në Ukrainë, për të dhënë shfaqje në mes të luftës. Dhe një mbyllje tepër e gjetur është fjalia e mbrame e romanit: “Unë jam shtatzënë, – mërmëriti (Irisi) dhe ndjeu brenda vetes qiell plot dritë”.
Kush fiton ndërmjet këtyre dy rrugëve? Kur natyra i mbaron të gjitha, kur ajo e shteron vetveten, a do ta ketë hiri fjalën e fundit?
Vërtet që jeta e Hektorit në roman ka shumë dramë dhe ironi, pra ka rrugën e natyrës, por në fund dhe vendosmërisht, ashtu si edhe tek autori, triumfon qartë rruga e hirit.