Nga Ilir Levonja/
Gjatë këtyre ditëve, karshi opinioneve të mia rreth taksës a tarifës në rrugën e kombit…, kam marr shume e-maile, mesazhe ku midis shumë e shumë syresh, më pyesin se po ti, a nuk paguan taksë rruge aty ku jeton? Pse bën kështu? Pse je kundër taksave etj. Po e vërtetë paguaj. Paguaj kur futem dhe kur dalë. Por prapë thelbi nuk është ky në rastin tonë. Dhe krahasimeve sot ka ardhur koha që, tu vihet veshi jo për metaforizëm por si realitet. Çfarë dua të them. Këtu unë paguaj por tarifa nuk është që të më bjeri kokës. Nga ana tjetër rrugët janë disa, e kam fjalën me pagesë dhe pa pagesë. Pra, sikundër ka rrugë me pagese, produkte a investime qofshin këto konçesionare a shtetërore, ka edhe nga ato pa pagesë. Që domethënë, je ti ai që e zgjedh drejtimin. Në punë, tek miku, a në një qytet tjetër mund të shkosh si të zgjedhësh, përmes një rruge me pagesë, por edhe një rruge pa pagesë. Zakonisht rrugët me pagesë janë më pak të rënduara nga trafiku për rrjedhoj arrihet më shpejt destinacioni. Kurse rrugët pa pagesë më të ngarkuara dhe para se të niset gjithkush e di që e pret një lloj trafiku a koha e rrugës do marri ca më shumë. Tani si i bëhet halli kur ti ke vetëm një rrugë. Dhe kur qeveritari jot vendos arbitrarisht, pa asnjë konsultim paraprak për një pagesë e cila vërtetë është e lartë për popullatën aty. Ku kryekëput mungojnë edhe elementet më minimale të komunikimit, siç janë mbikalimet dhe rrugët dytësore. Ose këto pa pagesë. Ne, filluam investimet, por në atë entuziazmin tonë, rrugët dytësore i groposëm, ose i aneksuam. E keni vënë re, që duken si relike muzeale karshi urave të reja të superstradave tona. Pra askush, sidomos qytetarët nuk kanë mundësi zgjedhje. Jam i bindur se, nëse do të kishin, jo vetëm Edi Rama, por cilido kryeministër bashkë me partnerët e tij mund të vinin çfarë takse të donin. Asnjë kuksian nuk do të ngrihej e të protestonte. Por edhe nëse do ta bënin, nuk do kishin këtë solidarizim social. Dhe të jeni të bindur se fal atyre marrëveshjeve mes Ramës e Bashës, mbi kohën në pushtet , sot ka një mëdyshje që shprehet me plasje shpirti. Se me siguri me një opozitë tjetër, kam parasysh këtu fytyra të merituara, jo të përfolura, që ju kanë lodhur, do e kishin rrëzuar që atë ditë në qafën e Morinit Edi Ramën. Por shqiptarët në përgjithësi, jo vetëm kuksianët aktualisht, nuk kanë mundësi tjetër operimi përmes rrugëve me dhe pa pagesë. Jepjani këtë, se në fund të fundit, janë pjesë e konkurrencës së ekonomisë së tregut. Problemi tek ne qëndron tek arbitrariteti dhe tek insistimi kaq dhe pikë. Shikoni vetëm një detaj, paralel ”ndjesës” së kryeministrit tonë në studion e një televizioni, ai i Kosovës pohonte se nuk kemi pasur asnjë lloj njoftimi a kërkese për të diskutuar rreth taksës së rrugës së kombit, pasi po të kishim do të arrinim një marrëveshje, madje edhe subvencioni për qytetarët shqiptarë të Kosovës. Çfarë mund të presësh më nga një ndarje kaq flagrante e pikëpamjeve dhe interesave ekonomike brenda shteteve të shqiptarëve. Asgjë, veç dështim. Dhe korrupsion galopant që fillon pikërisht me këtë mënyrë të dhunëshme të vendosjes së tarifave dhe taksimit. Ndaj e them se nuk bëhet krahasimi midis nesh dhe rrugëve të botës. Kjo i ka vendosur në shina. Do të shkosh shpejtë diku, paguan. Por komunikimi është shumaplanësh. Jo një rrugë dhe aq.