(Në përkujtim të burrave të Pavarësisë, që shkruan histori 112 vite më parë, në përkujtim të babait të kombit Ismail Qemal bej Vlora, që në rrugëtimin historik nga Stambolli evropian në Vlorë bëri 4122 kilometra, që historia e kombit tonë ta rregjistronte si heroin e shqiptarëve që shpalli pavarësinë shqiptare; në nderim e respekt të 40 firmëtarëve të pavarësisë si dhe gjithë delegatëve të Kuvendit të Vlorës, por dhe qeverisë së parë të përkohshme të Vlorës, që përfaqësonte gjithë trojet shqiptare).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
RRUGËTIMI HISTORIK I ISMAIL QEMALIT NGA STAMBOLLI NË VLORË: 4122 Km.
Me rastin e ditës së përvjetorit të shpalljes së pavarësisë, mbarë shqiptarizma është me sy e veshë nga Vlora e flamurit, ku në imazhin e shqiptarëve brenda e jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë, tek vepra e madhe e para 112 vitesh, tek shpallja e mëvetëqsisë. Ligjërata e plotë e Ismail Qemal bej Vlorës, të mbajtur më 28 Nëntor 1912 në ngjarjen më madhore të kombit shqiptar, atë të ngritjes së flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, ishte postulat i shekujve, për realizimin e ëndërrës së shumëpritur shekullore të shqiptarëve. Është pikërisht ligjerimi i një kombi të tërë që historia e ka gdhendur në histori madhore e së shkuarës kombëtare, dhe si detyrim i së ardhmes, fjalët e zemrës të mendjendriturit shqiptar Ismail Qemal bej Vlora, që bëri rrugëtimin historik nga Stambolli në Vlorën e tij të dashur, për të shpëtuar kombin në prag të shkërmoqjes së perandorisë osmane dhe urisë e lakmisë së fqinjëve për troje nga toka arbërore e drobitur prej vuajtjeve nga pushtimet e gjata. Ismail Qemal bej Vlora i cili jetoi në disa shtete si në Turqi, Greqi, Itali, Bullgari, Siri, për pak kohë në Francë, Angli, Zvicër e Gjermani, erdhi në Shqipëri, si kryeministër, si kryetar i parë në historinë e shtetit shqiptar, që drejtoi nga 28 Nëntori i vitit 1912 deri në 22 janar 1914 për 12 muaj e 56 ditë. Ishte Ismail Qemali që vendosi vulën historike të burrit të madh të flamurit, të Pavarësisë së shqiptarëve, të diplomatit e shtetformuesit që shkroi histori epokale për shqiptarët. Pavarësia shqiptare dhe epoka e rilindjes shqiptare dhe e rilindësve nuk mund të ndahen, për vetë kushtet që u poqën nga një brez i madh intelektualësh eruditë që punuan gjatë për mëvetësinë dhe krijimin e shtetit. Pavarësia udhëtoi nga Moti i Madh i Gjergj Kastriotit tek Moti i Madh i Ismail Qemalit 4 shekuj e 63 vjet. (1443-1912). Ismail Qemali me udhëtimin e tij të famshëm, plaku i bardhë të flamurit, në nëntor 1912 rrugëtoi 4122 kilometra nga Stambolli evropian në Vlorë. Ai me patriot të tjerë përshkruan rrugën Stamboll-Konstancë- Bukuresht; nga Bukureshti në Vjenë; nga Vjena në Budapest; nga Budapesti sërish në Vjenë; nga Vjena në Trieste; nga Trieste në Durrës për tu finalizuar në Vlorën e përjetësuar të flamurit. Pavarësia për shqiptarët ka qenë shpesh në rend të ditës, në penën e intelektualizmit shqiptar, në mendjen gjeniale të rilindjes shqiptare të frymëzuar edhe nga iluminizmi francez. Por nga ana tjetër Pavarësia ka qenë edhe në grykën e pushkës e në majën e jataganit në qindra beteja nëpër shekuj. Amaneti i gjakut të shqiptarëve udhëtoi përmes shekujsh për t’u naltuar më 1912-tën.
VULLNETI I POPULLIT SHQIPTAR FINALIZOHET 112 VITE MË PARË
Në mendjen dhe zemrat e shqiptarëve tingëllon edhe sot pas 112 vitesh fjalët e Ismail Qemalit, që mbajti në atë kuvend historik, në ngjarjen më të rëndësishme për shqiptarinë dhe shqiptarët, më 28 nëntor 1912, në atë kuvend që u hap në orën 16, pasdite, në shtëpinë e kushëriut të Ismail bej Qemalit, Xhemil bej Vlorës dhe ku morën pjesë 42 delegatë. Ligjërata e pavarësisë ishte: “Shqiptarët nuk e kanë harruem kurrë as gjuhën e as kombsin’e tyne, dhe prova mâ e mira janë përpjekjet dhe kryengritjet qi kanë bâmë herë mbas here e sidomos ndër këto katër vjet e fundit për të ruejtun të drejtat e zakonet e veta. Qeverija othomane nuk e kuptoi kurrë interesën e saj e nuk deshi kurrë t’u shpërblejë me të mirë Shqiptarët shërbimet e mëdhá që i kishin bâmë. Tashti vonë pati rrëfyem nji farë deshiri qi të merrej vesht me popullin t’onë. Por prap nuk vûni të gjithë vullnetin e mirë e nuk muer të gjitha masat e nevojshme për të kënaqun e paqsuem Shqiptarët. Qe ndër këto rrethana qi plasi lufta me katër Pushtetet balkanike, të cilat kërkojshin prej saj reforma e të drejta për vllaznit e tyne të nji kombi e të nji bese. Por këto, si panë se lufta po u vente mbarë, e harruen qëllimin e parë e u muerën vesht për coptimin e pjestimin e mbretnisë e pra edhe të Shqipnisë. Shqiptarët, të cilët kishin marrë pjesë në këtë luftë mâ fort si të zott e vêndit e për të shpëtuem veten e tyne se si ushtarë, kur e panë se ushtrija e Tyrqisë u mund e s’po mûjte me qëndruem mâ, nxituen me marrë masat qi u impononte gjêndja për të shpëtuem vêndin e vet. Kështu u bâ që un u nisa nga Stambolli e, mbasi u mora vesht edhe me Shqiptarët e Bukureshtit, vota në Vjenë, ku fillova kontaktet me ato Pushtete të mëdha që kanë interesa mâ të gjalla në Balkan. E mbasi nuk mbetej mâ asnji shpresë me e shpëtuem Shqipninë me armë, e vetmja udhë shpëtimi ishte të shkëputunit e saj prej Tyrqije. Ky mendim u pa me vend edhe nga an’e Pushteteve të mëdha e sidomos në Vjenë e në Romë. Vetëm Rusija mund të mbahet pakëz e ftohët nga shkaku i fqije t’anë slavë, por as ajo nuk e mohon kombsinë shqiptare..” dhe që finalizohet me shprehjen e vullnetit të popullit “që Shqipëria me sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.. (sipas Revistës “Flamuri”, të publikuar në korrik-Shëndre 1952, nr. 31-36, faqe 3, në Romë; si dhe “Besa”, nânduer 1954, nr.15, Istanbul (Constantinople). Është fakt historik se, ligjërimi 5 minutësh i Ismail Qemalit në pasditen e 28 Nëntorit 1912, Vlorë, përmbante 450 fjalë. Ndërprerja më e gjatë e fjalimit të Ismail Qemalit është në momentin që ai nxjerr flamurin dhe e valëvit atë në ajër dhe thotë “Rroftë Shqipëria e Lirë!” dhe ndërkohë Pavarësia e Ismail Qemalit përfshinte të gjitha trevat shqiptare, Kosova, shqiptarët e Maqedonisë, Çamëria dhe pjesa e shqiptarëve, që u shkëput më vonë nga Mali i Zi.
SHQIPTARËT & TROJET SHQIPTARE: “TË LIRË TË PAVARUR DHE MËVEHTE..!”
Ja ligjërata e tij me flamur në dorë menjëherë pasi ishte nënshkruar pavarësia: “Vëllezër shqipëtarë! Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur. Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, duke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë. Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija. Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të lirë të pavarur dhe mëvehte, prandaj: qeshni e gëzoni!
Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Shqiptarët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë). Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest. Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë. Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë. Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë. Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipërija!”. (Sipas origjinalit në AQSH, Fondi dokumentar 245/II, Dosja 1. faqe 43; si dhe libri “Ismail Qemali (Përmbledhje dokumentesh) 1888 – 1919”, Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1982, faqe 231-232). Kabineti i qeverisë së Vlorës është i dokumentuar në këtë mënyrë: Kryeministër dhe minmistër i jashtëm: Ismail Qemali; Zëvendëskryeministër Nikoll Kaçorri, më vonë Ministër i Jashtëm Myfit Libohova, Ministër i Luftës Mehmet Pashë Dërralla, Ministër i Drejtësisë Petro Poga, Ministër i Arsimit Luigj Gurakuqi, Ministër i Financave Abdi Toptani, Ministër i Bujqësisë Pandeli Cale, Ministër i Post Telegrafit Lef Nosi.
FJALËARTI ISMAIL QEMALI DHE FLAMURI I SHQIPËRISË SË LIRË
Pas shpalljes së mëvehtësisë, perpjekjet 14 mujore të qeverisë së parë të përkohshme nuk rreshtën në kushtet tejet të vështira, por në kujtesën e kombit nuk harrohen fjalët e Ismail Qemalit për Kosovën kreshnike dhe krejt Shqipërinë e përbashkuar në një shtet të vetëm dhe të unifikuar. Është pikërisht ligjërata e babait të kombit, Ismail Qemalit në Vlorë në tetorin e vitit 1913, që shprehej: “Zotërinj! Ju lutem të më ndjeni që ju bëra të më prisni por kam për t‘ju thënë një lajm të mirë që ma solli zoti koshull/konsull i Austrohungarisë, me të cilin fola gjer tani. Ky lajm do ta shpërblejë mundin që muarrtë të prisnin gjer tani. Zoti Kushull më lajmëroi se, Serbët u hoqën nga të gjitha viset që kishin zënë kohët e fundit edhe këto ditë do të hiqen nga ato nja dy vise ku gjenden akoma. Kam shpresë që për së shpejti do t‘u jap edhe një lajm të mirë që Grekët u hoqën nga viset të vendosura t‘i mbesin Shqipërisë. Kërkova të piqem me ju edhe t‘ju thom se ç‘bëri e ç‘nuk bëri qeverija gjer më ditën e sotme edhe përse u banë disa vepra të cilat ndofta nuk duheshin të ishin bërë. Tani mbushet njëmbëdhjet muaj që kur se po rrojmë nën hijen e flamurit të Shqipërisë së lirë. Sot e një mot mot, kur të huajt i shkelën të gjitha viset e Shqipërisë, po thua, pa kurrë farë kundërshtimi, neve të bijve të këtij vendi, nuk na kishte mbetur veçse një detyrë; të përpiqemi për të formuar një qeveri, e cila duke i mbajtur të liruara viset që nuk kishin rënë akoma nën pushtetin e të huajve, të përpiqemi e të ngrejmë zërin tonë për shpëtimin e viseve të tjera e për të drejtat e Kombit Shqiptar”. Fjalëarti, plaku i bardhë i flamurit e donte Shqipërinë përtej kufijve të “Shqipërisë londineze”, në kufijtë që kërkonte që në prillin e 1913-tës, në kryeqendrat e kancelarive europiane.
DOKUMENTI I PAVARËSISË SHQIPTARE DHE FIRMËTARËT E PAVARËSISË
Dokumenti i pavarësisë është ekspozuar për herë të parë në nëntor 1937 me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, fotografuar nga Marubi. Revista e përmuajshme “Përpjekja shqiptare”, nr.13, datë 13.1.1938, fq 52 (Kapitulli “jeta dhe librat”); rol në ruajtjen e dokumentit ka luajtur Lef Nosi, anëtar i kuvendit të Vlorës dhe ministër në qeverinë e Ismail Qemalit; dhe që ky dokument ka qenë ruajtur në një nga kasafortat e Bankës së Shqipërisë, edhe sipas Aleksandër Xhuvanit, por edhe sipas Kristo Frashërit dhe që është sot një mister i që shkon deri në vitin 1962, në 50-vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe më tej që që ka aludime që duket se nuk po hedhin dritë realisht mbi të vërtetën. Asambleja e Kuvendit të Vlorës prej 40 delegatëve në qytetin e Vlorës më 28 nëntor 1912, hartoi një procesverbal, ku u radhitën firmat e të dërguarve të përzgjedhur delegatë të kuvendit kombëtar të Vlorës. Dokumenti u diktua nga Ismail Qemal bej Vlora, u shkrua në shqip nga Luigj Gurakuqi dhe në osmanllisht nga Shefqet Dajiut. Teksti i procesverbalit ka këtë përmbajtje: “Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/1912, pas fjalëvet që tha z. Kryetar Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”. Pasi u përmendën prej Ismail Qemal Beut Kryetarit të Kongresit, rreziqet e mjerimet në të cilat ndodhet Shqipnia, kongresistët me nji zâ pranuan Independencën edhe e proklamuan Shqipniën Shtet Independent e të lirë. Nënshkruesit e delkaratës së Pavarësisë janë: Ismail Kemal bej Vlora (1844 -1919); Dom Nikoll Kaçorri (1862-1917); Vehbi Dibra Agolli (1867-1937); Jorgji Karbunara – Babë Dudë Karbunara (1842-1917); Elmas Boce (1852-1925); Veli Harçi (1850-1914); Qazim Kokoshi (1882-1945); Jani Minga (1872-1947); Rexhep Mitrovica (1888-1960); Dhimitër Tutulani (1875-1937); Aristidh Ruçi (1875-1950); Abdi Toptani (1864-1942); Abas Dilaver Celkupa (1855-1926); Mit’hat Frashëri (1880-1949); Shefqet Dajiu (1882-1946); Zihni Abas Kanina Hamzaraj (1885-1957); Xhelal Koprëncka (1782-1919); Hajredin Cakrani (1860-1942); Qemal Karaosmani Elbasani (1875-1949); Iljaz Vrioni (1882-1932); Sali Gjuka (1876-1925); Dhimitër Beratti (1888-1970); Dhimitër Mborja Emanoil (1884-1945); Dhimitër Zografi (1878-1947); Murad Toptani (1867-1918); Pandeli Cale (1879-1923); Luigj Gurakuqi (1879-1925); Bedri Pejani (1885-1946); Spiridon Ilo (1876-1950); Thanas Floqi (1884-1945); Qemal Mullaj (1881-1966); Lef Nosi (1873-1946); Dr. Hafiz Myrteza Ali Struga; Nuri Sojliu (1870-1940); Mustafa Merlika Kruja (1887-1958); Ferit Vokopola (1887-1969); Ymer Deliallisi (1873-1944); Xhemal Deliallisi (1880-1941); Nebi Sefa (1861-1942); Zyhdi Ohri (1872-1938). Ndërsa më 1962 përvjetorin e 50-të të shpalljes së Pavarësisë, Nexhip Pelivan Alpan (nga Zhulati i Gjirokastrës), botoi në Turqi librin “Arnavutlugun Bagimsizligi ve Avlonyali Ismail Kemal” (Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë…), ku në faqen 24, Nexhip Alpan ka përkthyer shkrimin në osmanllisht që thotë se në dokumentin “Dokumenti i shpalljes së Pavarësisë” dhe përfundi katër rreshta në turqisht: “Ismail Qemal Beu, kryetar i Kongresit (Kuvendit) deklaroi rreziqet e mjerimet ku ndodhej Shqipëria dhe kongresistët pranuan me një zá independencën dhe proklamuan shqipërinë shtet independent e të lirë”.