RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR PËRMES MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË TURQI-
Teuta Tabaku, mësuese e Gjuhës Shqipe në Bursa të Turqisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditës shqiptare në Turqi nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Teuta Tabakun bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.
MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË TURQI
Mësimi i gjuhës shqipe organizohet në mënyra të ndryshme sipas mundësive dhe kushteve që ka komuniteti Shqiptar në Turqi. Është për tu theksuar se qeveria Turke dhe Ministria e Arsimit e kanë organizuar në këto mënyra:
1- Gjuha Shqipe në shkollat fillore si lëndë me zgjedhje
2- Në shkollat publike sipas niveleve
3- Gjithashtu edhe në Universitetin e Edirnesë dega e gjuhës dhe letërsisë Shqipe në nivelin e arsimit të lartë.
Arsimi i nivelit fillor fatkeqësisht nuk pati jetëgjatësi pasi mungonte interesi i fëmijëve të cilët janë brezi i gjashtë dhe më larg. Këtu nuk duhet të paragjykojmë për arsyen e niveleve të ndryshme të arsimit dhe formimit të familjarëve. Për këtë program institucionet tona në bashkëpunim me institucionet Turke, duhet të përgatisin pedagogë ose mësimdhënës të kësaj fushe për të filluar edukimin e gjuhën amtare duke filluar nga prindërit. Së dyti ishte mungesa e teksteve të rifreskuara e nevojshme për të mbështetur procesin mësimor.
QYTETET KU MËSOHET SHQIP, KURRIKULA MËSIMORE
Mësimi i gjuhës shqipe organizohet në disa nga qytetet e mëdha të Turqisë si Bursa, Ankara, Izmir, dhe Stamboll. Unë në qytetin e Bursës për mësimdhënien punoj me programin e niveleve A1, A2, B1, B2, C1, dhe C2. Këtë program e kam filluar në vitin 2017 në shkollën publike të Bursës ku përfshihen metoda dhe materiale nga pedagogë të Universitetit të Tiranës. Duke u nisur nga përvoja ime mendoj se ky program është më i përshtatshëm për të mësuar gjuhën si gjuhë të dytë dhe për Komunitetin Shqiptar në Turqi. Ashtu sikurse e përmenda edhe më lart, mendoj se institucionet tona duhet të bashkëpunojnë për të përgatitur mësues për mësimdhënien e gjuhës Shqipe në Turqi. Në kurset e gjuhës Shqipe kam punuar me vullnet e dëshirë të madhe për të rritur interesin gjithashtu edhe numrin e nxënësve, pavarësisht vështirësive të ndryshme. Punoj dhe jap mësim vullnetarisht me disiplinë dhe korrektësi. Kjo punë ka dhënë frutat e veta dhe ka bërë që numri i nxënësve të vijë duke u rritur. Për tu mësuar gjuhën amëtare bashkëkombesve të mi këtë vit hapa edhe kursin e gjuhës Shqipe për amvisat me origjinë Shqiptare. Une çdo vıt hap 4 klasa me numër të ndyshëm nxënësish duke filluar nga 15 e deri në 25, 30 në varësi të interesit dhe kushteve. Sepse interesi mund të jetë i madh por mospërputhja e orareve të kursit me jetën e përditshme ndikon në numrin e pjesëmarrësve. Situata pandemike sigurisht krijoi vështirësi edhe në këtë fushë pasi jo të gjithë kanë mundësinë për të ndjekur mësimet online, por me durim dhe përkushtim mund të them që ia dolëm. Për këtë vit arsimor deri tani kam dy klasa online. Një të nivelit A1 me 20 nxënës dhe një klasë të nivelit A2 me 25 nxënës. Kjo e dyta ka mundësı të ndahet në dy klasa sipas kërkesave që mund të shtohen. Theksoj se është dhe kënaqësi për mua fakti që do të hap edhe një klasë onlinë me moshat e vogla, si 9 dhe 10 vjeç. Për klasat në shkollën publike besoj se ato do të hapen sipas programit dhe protokollit të Covid-19. Numri i mësimdhënësve për gjuhën shqipe është i pakët.
GJUHA SHQIPE SI MJET I RUAJTJES SË IDETITETIT KOMBETAR
Mësimi i gjuhës shqipe jo vetëm që ndihmon në ruajtjen e identitetit por është rruga e vetme për brezat e ardhshëm që ta transmetojnë në brezat e tjerë. Duke folur e shkruar Shqip mbrojmë identitetin, rrënjët dhe traditen tonë. Komuniteti Shqiptar në Turqi duhet të jetë më i bashkuar për të mbrojtur identitetin dhe kulturën. Komuniteti Shqiptar është i organizuar në shoqata civile dhe kulturore të cılat janë të ligjshme në Shtetin Turk. Ashtu sikurse dihet Komunıtetı Shqiptar në Turqi ka një rol të rëndësishëm në çdo fushë dhe sukseset janë pafund.
TË MËSOSH SHQIP NË TURQI, REAGIMET
Edhe këtu mësimi i gjuhës shqipe është pritur mirë sepse komuniteti Shqiptar është një nga komunitet më të vjetra që jetojnë e punojnë bashkë me popullin Turk. Normalisht pritet mirë sepse historikisht kanë patur marrëdhënie vllazërore. E rëndësishme është se duke ruajtur e jetuar traditat e veta çdo komunitet ka respekt reciprok. Po bëjmë një punë shumë të mirë në shërbim të identitetit, kulturës, traditës, miqësisë me bashkëpunimin me vendin ku jetojmë.
MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË USA
Mesazhi im për diasporën në USA është se duhet të bashkëpunojmë të gjithë së bashku kudo ku jemi. Vetëm nëse kemi bashkëpunim mund të jetë e mundur të mbrojmë dhe promovojmë gjuhën dhe kulturen tonë kombëtare.
KUSH ËSHTË MËSUESE TEUTA TABAKU
Teuta Tabaku, mësuese e Gjuhës Shqipe në Bursa të Turqisë. Ajo u largua nga Shqipëria në qershor të vitit 1992. Pas një periudhe të gjatë integrimi, u angazhua vullnetarisht për të dhënë kontributin e saj në komunitetin shqiptar në Turqi, për informimin dhe zhvillimin e Diasporës atje. Me hapjen e Konsullatës së Nderit, një hap i rëndësishëm nga ana e saj ishte hapja e Kursit të Gjuhës Shqipe (pa pagesë), identifikimi dhe regjistrimi i të gjitha familjeve shqiptare që emigruan në Turqi në vitet ’90. Ky regjistrim solli pajisjen e tyre me dokumente dhe regjistrimin e fëmijëve të emigrantëve në Shkollat Publike Turke. Përgjatë viteve 2003-2015 në strehën e Konsullatës së Nderit, ajo organizoi aktivitete të ndryshme kulturore e historike lidhur me njohjen reciproke të trojeve shqiptare dhe turke, si dhe për përkrahjen sociale e ekonomike të nxënësve, studentëve dhe familjeve të tyre. Këto aktivitete vazhdojnë edhe në ditët e sotme. Për thuajse tri dekada, ajo ka punuar për ruajtjen e identitetit dhe të gjuhës shqipe në komunitetin shqiptar atje, i cili përfshin bashkëkombës nga të gjitha trojet shqiptare. Në vitin 2017, me mbështetjen e bashkisë, ajo hapi zyrtarisht Kursin e Gjuhës Shqipe në shkollën Publike të Bursës në Turqi. Ka marrë pjesë në shumë konferenca e seminare për informimin, mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare, zhvillimin e marrëdhënieve turko-shqiptare, si në Turqi, ashtu dhe në trojet shqiptare. Për kontributin e saj vullnetar për komunitetin, Teuta Tabaku u nderua me titullin “Ambasadore e Kombit”. Në vitin 2019, Qeveria dhe Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës e vlerësoi me çmimin “Gruaja në Diasporë, Digë e fuqishme kundër asimilimit”.