Lefteri Metkaj, mësuese e gjuhës shqipe në diasporën e Greqisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditës shqiptare në Greqi nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me mësuesen Lefteri Metkaj bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.
MESAZH KOMBETAR: “GJUHA SHQIPE NA THËRRET”
Gjuha jonë e ëmbël shqipe, është gjuha që na ndez krenarinë të gjithëve,por sidomos më shumë ne mësimdhënësve të gjuhës shqipe në diasporë. Sot kam për të gjithë këtë mesazh, për t’a sjellë më afër të nesërmen e gjuhës sonë amtare. Gjuha amtare është identiteti më i spikatur i një kombi dhe të mësuarit e gjuhës amtare nuk është vetëm një proçes arsimimi ,por është edhe më shumë, është vlerë e kulturës dhe e traditës kombëtare. Populli ynë thotë: “Gjuha ruhet aty ku shkruhet!” Pikërisht për këtë dua të falenderoj punën e gazetarit Sokol Paja, i cili reflekton me përvojën e tij, opinionin e gjerë shqiptar, duke i dhënë edhe më shumë përparësi, mësimit shqip në diasporë.Gjithashtu përshëndes me nderim nga Athina e me mirënjohje përgëzoj për punën e tyre atdhetare gjithë bashkatdhetarët e mi, anëtarët e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” në New York, aty ku ka zemrën gjithë shqiptaria, pranë VATRES SUAJ. Ju nderoj pa kufi për veprimtaritë kombëtare qe zhvilloni, ju patriotë që i shtoni nderin kombit. Ju falenderoj nga zemra ju që jeni dhe investitorë të shtypit tuaj Gazeta “Dielli”, e cila shpërndan fjalën shqip, aty ku ka bukurinë fjala shqip. Ajo ecën me rrezet diell që shpërndan shqip Gazeta “Dielli”, e na percjell shqip zërin e vëllezërve shqiptarë në Amerikë, në Atdhe dhe në mbarë mërgatën e diasporës shqiptare.
SI ORGANIZOHET DHE FUNKSIONON MËSIMI SHQIP NË GREQI
Në Greqi egziston Shoqata me karakter jopërfitues me titull, ” LIDHJA E MËSUESVE SHQIPTARË NË GREQI”. Selia e shoqatës ndodhet në qytetin e Athinës, por shoqata ka shtrirjen e saj në gjithë Greqinë. Shoqata e mësuesve emigrante në Greqi ka qëllimet e saj të cilat janë: Ruajtja e identitetit kombëtar, mësimi i gjuhës shqipe në të folur e të shkruar, njohja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore, e traditave, njohja e teritotit gjeografik, e historise dhe e simboleve kombëtare të Shqipërisë. Për të arritur suksesin e këtyre qëllimeve vlen për t’u përmendur se puna jonë për mësimin e gjuhës shqipe bazohet tërësisht mbi baza vullnetare dhe gjithçka sigurohet nga vetë mësuesit , si nxënësit ashtu dhe ambientin. Nxënësit që marrin pjesë janë të moshave tē ndryshme që variojnë nga mosha nga 6 deri në 16, por here – here ka edhe me te rritur, mbi 20 vjeç. Koha e mësimit është dy orë dhe mesimi zhvillohet çdo të shtunë ose të dielë nga ora 11.00 – 13.00 , por dhe në mbasdite sipas kushteve të përcaktuara nga bashkëpunimi i këshillit te prindërve dhe mësueses së klasës.
NË CILAT QYTETE ORGANIZOHET, PREJ SA KOHËSH, ÇFARË KURRIKULE MËSIMORE PËRDORNI.
Fillesat e para të mësimit shqip në Greqi faktojnë me kronika të shumta aty në fillim të vitit 1998 nga Shoqata ‘SHQIPTARËT E SELANIKUT” ku drejtohej nga mësuesja e gjuhës shqipe znj. Mimoza Bejkollari Dako, e cila më 7 Mars të vitit 2001, përpjekjet e saj i kurorëzoi me çeljen e MËSONJËTORES SË PARË SHQIPE NË SELANIK. Ajo ditë shënoi për herë të parë mësimin shqip në Greqi. Nismës së saj iu bashkuan dhe shumë mësues të tjerë. U çelën dhjetëra shkolla të tilla paralele, u shtua me qindra numri i nxënësve shqiptarë. Ishte entusiazëm i madh për mërgatën e shqiptarëve të Greqisë. Në këtë fillim të vitit të ri shkollor 2020 – 2021 e përshëndes me mirënjohje mësuesen vizionare, atdhetaren znj. Mimoza Bejkollari Dako, po ashtu vlerësoj kompetencat e saj intelektuale,tashmë të dallueshme. Për të, ne mësuesit vullnetarë në Greqi jemi krenarë ,e cila u përballua me rrethana tejet të vështira dhe na çeli udhën e A.B.C- së. Kjo udhë e hapur përshkroi koordinata dhe çeli të tjera shkolla në qytete e ishuj ku banojnë bashkatdhetarët tane si në : Athinë (Omonia, Kukaqi, Kato Patisia, Rendi), Volos, Patra, Lamia, Korintho, Kretë, Arta, Kallabaka, Janica, Dhomoko, Elefsina, Madra, Luca, Artemisë, Spatha, Rafina, Elehokori. Si dhe në ishujt: Salamina, Tinos, Siros. Në Greqi afërsisht për 20 vite mësuesit vullnetarë kanë investuar vetë librat, fletoret, bazën materiale didaktike që duhen për të zhvilluar mësimin shqip, po ashtu dhe për veshjet festive në veprimtaritë me karakter artistik ,kulturor e kombëtar. Sivjet është viti i dytë shkollor që tekstet shkollore dhe jashtëshkollore na vijne nga Qëndra Botuese e Diasporës, Tiranë. Këto tekste shkollore janë të miratuara nga Ministria e Arsimit, janë programe didaktike për shkollat në Atdhe, por çdo mësues për klasën e tij, harton planin tematik – mësimor vjetor, sipas standarteve të kompetencave kyçe gjuhësore ,i cili duhet të bëjë planifikimin, dhe të realizojë 36 tema mësimore në lëndën e Abetares dhe të Gjuhës Shqipe.
NUMRI I KLASAVE , MËSUESVE, BASHKËPUNËTORËT.
Me sakrifica të shumta mësuesit atdhetarë morën përsipër një detyrë të vështirë në një mjedis jo shumë miqësor. Morën përsipër që mësimin ta bëjnë si vullnetarë, të vazhdonim traditën e rilindasve tanë dhe shëmbullin e të madhes, Nënës Terezë. Ende dhe sot shteti ynë nuk i ka mbështetur mësuesit vullnetarë, moralisht, financiarisht dhe ligjërisht. Të kesh mësues vullnetarë për 20 vite dhe të mos i mbështetësh kjo është, mos o Zot! Këto vetëm në shtetin tonë ndodhin. Shteti ynë ne mësuesve na ka lënë një barrë të rëndë mbi supë. Vetë ne mësuesit vullnetarë jemi investitorë të mësimit shqip në Greqi. Mësuesi i cili zhvillon mësimin e gjuhës shqipe në mënyrë vullnetare është atdhetar, por kur ai shkon dhe punon dhe një punë të dytë që të mos futë dorën në buxhetin e familjes së tij, është HERO! Këta mësues heronjë kanë çelur dhe mbajnë hapur 46 klasa të mësimit shqip në Greqi. Numri i mësuesëve shtohet vazhdimisht ,por mësimdhënësit aktivë së bashku me mësuesit rezervë janë afërsisht 60 mësimdhënës. Bashkëpunetorët më të mirë të mësimit shqip në Greqi mbeten Ministria e Diasporës dhe ajo e Arsimit të shtetit të Kosovës. Rezultati i këtij bashkëpunimi është realizimi i Seminarit vjetor në Greqi dhe atij mbarëkombëtarë, konkurset e dijes, ekskursionet të njohim historinë dhe trojet shqiptare, kampet verore ku u jepnin mundësinë fëmijeve të njiheshin me shumë nxënës që jetojnë në Kosovë e në diasporë, të cilët mësojnë edhe ata gjuhën shqipe. Po ashtu dhe trajnimin e vazhdueshëm të mësuesëve në koordinimin dhe bashkëpunimin e përvojave të mësimdhënësve, në hartimin e programeve,në funksion të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.
ROLI DHE PESHA E SHQIPTARËVE NË GREQI.
Intelekti, talenti dhe dora e artë punëtore e shqiptarëve ka hyrë pothuajse në çdo strukturë institucionale shtetërorë greke. Për të hyrë në këta sektorë shtetërorë ,për të patur një punë, një rol, një funksion si politikan,si artist, si sportist , si mjek apo si një punëtor i thjeshtë, një pjesë e shqiptarëve nga shkaku i ksenofobisë ndërruan fenë dhe identitetin. Kjo plagë e rëndë vazhdon ende dhe tani që kanë kaluar mbi 25 vite emigracion dhe tashmë nuk janë më ato pengesa të pakapërcyeshme dhe ky fenomen ndodh vetëm ne, komunitetin shqiptar, ku me dashje ose të imponuar nga kushtet bëjmë këto ndryshime të pa justifikueshme. Ndërsa jemi diaspora më e re, 30 vite, ndërruam kombim, fenë dhe si pasojë dhe kulturën. Janë shumë të dhimbshme këto dukuri që po ndodhin me ne shqiptarët e diasporës më të re , ne kemi rrënjët tona ,identitetin tonë , duam të përparojmë të integrohemi në vendet ku banojmë, POR JO TË ASIMILOHEMI. Shqiptarët duhet të kuptojnë se puna e ndershme, sjellja korrekte qytetare ,arsimimi ,respektimi i ligjeve të shtetit helen bënë diferencën për të qënë i pranueshëm e për të patur rol në shoqërinë greke. Brezi i dytë i shqiptarëve në Greqi është ajo pjesë që dominon me sukses në shoqërinë vendase. Të rinjtë dhe fëmijët shqiptarë janë studentët më të suksesshëm në universitete dhe nxënës të shkëlqyer në sistemin mësimor grek . Kanë patur gjithmonë rolin e Flamurtarëve në festa kombëtare, ku kanë nderuar veten, shokët, mësuesit e shkollave ku studiojnë , familjet e tyre , por dhe ne si komunitet shqiptarë ne Greqi. Megjithëse ngërçit të ksenofobisë ka shumë fakte që shqiptarët kanë integruar me dinjitet deri në instancat më të larta shtetërore të cilët kanë ndikuan të vendosin ura , baza të forta të reciprocitetit ,të komunikimit qytetar dhe të miqesisë së mirë shqiptaro – greke.
SI PRITET NË GREQI MËSIMI I SHQIPES, SI REAGON SHOQERIA ATJE
“Mblidhmani gjakun se do t’u duhet fëmijëve për të shkruar fjalët e shqipes”…Keto fjalë tha mësuesi PETRO NINI LUARASI dhe mbeti ne historine e mesimit shqip mësuesi i përjetshëm, mbeti mesuesi MONUMENT I SHKRONJËPËRHAPJES. Mërgata e Greqisë mbart shumë dashuri për gjuhën shqipe, per identitetin dhe ruajtjen e traditave shqiptare. I përkushtohet me kaq vlera dhe me kaq rendësi gjuhës së bukur shqipe. Por kësaj mërgate i mungon organizimi i mirë që është dobësia më themelore e mërgatës. Kur u kërkon bashkatdhetarëve ndihmë për gjuhën shqipe të gatshëm janë ,kur i fton për aktivitete përsëri nuk ngurojnë të marrin pjesë ,të investojnë. Por nuk mjafton vetëm patriotizmi ,duhet sensibilizim total në komunitet që prindërit të sjellin fëmijët të mësojnë shqip. Po të bëjmë një qëmtim të kujdesshëm nga jeta e historisë së mësimit shqip, dje dhe sot ,vëmë re se mërgata ka qënë më mirë e organizuar dje për mësimin shqip, ka patur një pjesëmarrje më të madhe nxënësish ,me shtrirje më të gjërë të kurseve të gjuhës shqipe në teritorin grek, me interesim më të madh të prindërve dhe të komunitetit. Pra mungon organizimi në komunitet jo dëshira. Vite të shkuara ka qenë më i mire interesimi për ruajtjen e identitetit kombëtar. Mungojnë organizime të mirëfillta për mësimin e gjuhës shqipe.Të gjitha shoqatat , organizatat në programin e tyre të parën temë duhet të kenë çështjen e mësimit shqip. Po nuk kanë realizuar në programin e tyre çështjen e ruajtjes së gjuhës shqipe dhe të identitetin kombëtar atëhere nuk ka realizuar çështjen më madhore. Bashkërisht i gjithë komuniteti ynë ,shoqata e organizata, intelektualë, individë bisnesmenë atdhetarë ,të gjithë jemi përgjegjës për ecurinë jo të mirë që egziston në ruajtjen e identitetit kombëtar e të mësimit të gjuhës shqipe. Më parë përgjegjësia për organizimet dhe bashkëpunimet e mirëfillta me shoqatat, të sensibilizojë komunitetin, të nxisë këtë veprimtari më gjërë duhet ta bëjë Shoqata e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi. Ndaj ne mësuesve na bie pëgjegjësia profesionale dhe humane, na shtohet si detyrë të bashkëpunojmë me shoqatat e të sigurojmë nga prindërit pjesëmarrjen, të na sjellin femijet e t’u mësojnë gjuhën shqipe falas. Mungojnë programe bashkëpunimi me shoqata dhe organizata ,dhe ato kurse ku mësohet shqip janë hapur me iniciativa individuale të mësuesve vullnetarë . Praktikat e deritanishme nuk janë aspak të favorshme ,numri i nxënësve që marrin pjesë në mësimin shqip është jashtëzakonisht i ulët në krahasim me numrin e fëmijëve shqiptarë në Greqi. Problemi është , çfarë bëjmë ne sot për Gjuhën Shqipe? E shohim këtë veprimtari shumë rallë në mërgatë, shohim që nuk ka nxitje për artin e gjuhës shqipe, për fjalën e shkruar shqip që të shkojë bukurisht në një brez më të ri, të rritur larg Atdheut. Pra duhet një sensibilizim më tërheqës që të depërtojë në mërgatë ,të tërheqë më tepër vëmëndje. Mësimi i gjuhës shqipe meriton vëmendje të veçantë sidomos sot, sepse ne shqiptarët kemi shumë probleme me qëndrimin ndaj gjuhës sonë. Popujt evropiane , anglezët, francezët, gjermanët..po ua mësojnë gjuhën e tyre popujve të tjerë që nuk janë anglezë, francezë, gjermanë…Kurse ne, s’po arrijmë që t’ia mësojmë gjuhën tonë as vetes sonë! Ky padyshim është një nga turpet që na rëndon ne ,brezit të sotëm të shqiptarëve dhe shtetit tonë. I rëndon e do t’i rëndojë më shumë fëmijëve që sapo kanë lindur dhe te ata që ende s’kanë lindur.Nuk po përmend emra ,por të gjithëve mund të na kujtohen disa nga personalitetet me famë botërore që e kanë deklaruar se janë shqiptarë. Ata krenohen që janë shqiptarë, ngrenë lart dhe Flamurin Kuq e Zi ,e puthin atë, por që për faj të prinderve nuk flasin shqip ,gjuhën shqipe nuk e dinë.Ç’fajë kanë ata që prindërit nuk morrën përgjegjësitë e tyre që fëmijëve t’u mësonin gjuhën e tyre kombëtare ? Eshtë puna e mirë dhe e vetme që duhet të bëjmë që fëmijët në Greqi të rriten dhe të edukohen me vlera kombëtare. Pikërisht në rrugën me vlera kombetare që na e patën hapur aq ndritshëm Frashëllinjtë, Mjeda, Noli, Fishta të cilët na mësojnë ende mënyrën si të duam gjuhën tonë, si të veprojmë për pasurimin e saj ,na mësojne si të ndjejmë dashurinë dhe pasurinë e pafund të gjuhës që flasim, NE !!!
MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR DIASPORËN NË USA
Bashkatdhetarë të mërgatës shqiptare në USA! Nga zemra iu falenderoj për gjithçka që bëni për ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar. Aty, “VATRA” juaj në Amerikë në çdo periudhë historike kombëtare ka qënë zemra e shqiptarisë, ka qëne vatra e ndërgjegjësimit kombëtar për shqiptarët kudo në botë . “VATRA” me zërin e saj të fuqishëm ka qënë Motoja e Shqiptarëve: TA DUAM KOMBIN AQ SA TA NDRYSHOJMË ATË. Këta shqiptarë atdhetarë larg Atdheut patën armë të fortë dashurinë për kombin ,dashurinë për gjuhën amtare, për flamurin. Mos të harrojmë më pas dhe mërgimtarët politikë ,vështirësitë e tyre si pasojë e persekutimit në Shqipëri për shkak të bindjeve të tyre politike antikomuniste dhe kombëtariste, ata deshën dhe luftuan për një Shqipëri demokratike ,të lirë e pluraliste. Ata braktisën gjithçka për të shpëtuar jetën ,nderin dhe dinjitetin e tyre ,por ata nuk i braktisën asnjëherë aty në Amerikën e largët ,gjuhën amtare, kulturën, traditat dhe fisnikërinë shqiptare, bindjet dhe vlerat morale të mbartura brez pas brezi, si dhe besimin se një ditë historia do t’u jepte të drejtë. Diasporën shqiptare në Amerikë dëshiroj t’a shoh më të avancuar se në periudhën e Nolit e të Konicës ,ashtu si dhe më pas, ku shumë atdhetarë të cilët aty në mergatën e amerikës mbajtën një peshë të madhe në dobi të çështjes kombëtare për rrëzimin e diktaturës komuniste. Po ashtu të mos harrojmë diasporën shqiptare në SHBA të cilët ndikuan në qëndrimin e Qeverisë Amerikane dhe të opinionit botërorë për çështjen e spastrimit etnik Serb ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.Mbrojtja e trojeve etnike dhe identiteti kombëtar për këta patriotë ishte çështja e qëllimit më madhore. Këta atdhetarë patën një ndikim të fuqishëm patriotik dhe intelektual në opinionin e realitetit shqiptar. Uroj që kjo vatër shekullore shqiptare të vazhdojë traditën, të mbajë lidhjet me çdo trevë të Shqiperisë, Kosovës, Presheves, Maqedonise, Malit te Zi. Sot aty duhet të kemi më shumë shqiptarë që të jenë patriotë si klasiket, Noli, Konica , Musineja, Mit’hat Frashëri. S’më duket e ndershme sot të mburremi shpesh me rilindasit e me personalitete të diasporës së hershme. Vërtet i nderojmë dhe i kemi imazh për të vazhduar në breza traditën identitare shqiptare. Ne krenohemi me veprat e tyre, por ato i kanë arritur ata vetë si shqiptarë me dashurinë për Atdheun, me zellin e punës për Kombin. Por më shumë e pranueshme është të krenohemi ne, me veprat tona për Kombin. Ç’bëjmë ne, për gjuhën shqipe dhe identitetin kombëtar? A kemi arritur ne të ruajmë një gjuhë të bukur e me fuqi shprehëse që të përjetojmë ende pathosin atdhetar të Naimit, Pashko Vasës, Migjenit, Fishtës, Asllanit, Agollit, Rugovës, Podrimjes, Arapit. A kemi punuar ne, për edukimin e identitetit kombëtar shqiptar? Fëmijèt tanë kanë turp të thonë: Jemi shqiptar! Pra kemi shumë-shumë për të bërë. Dua të shtoj diçka reale. Diaspora shqiptare asnjeherë nuk e ka kursyer kohën,mundin, paranë kur e ka lyp nevoja. Mërgata e Greqisë ka bashkëpunuar me mërgatën e SHBA-së, e ka ftuar në veprimtarinë kombëtare me rastin e 550- vjetorit të amshimit të Heroit tonë Kombëtar, GJ.K.SKENDERBEU. Trupa e Teatrit Kombëtare në Amerikë me Drejtor Z.Xhevat Limani, ka luajtur në Athinë ,Dramën Poetike,GJ.K.SKENDERBEU. Ky bashkëpunim ishte një takim vëllazëror, nje bekim ndjenjash, një ngushëllim i mrekullueshëm kombëtar. Pra, çdo secili prej nesh me punën e tij është një ambasador i mirë i Atdheut, për çështjen shqiptare dhe integritetin në vendet ku jetojmë. Pavarësisht punës sime si infermiere pranë një spitali shtetëror në Athinë, të ardhmen e jetët sime përsëri e shoh pranë fëmijëve shqiptarë në Greqi duke iu mësuar gjuhën tonë të bukur dhe duke promovuar vlerat e kombit në komunitet. Kam zgjedhur këtë mënyrë si më e mira punë vullnetare për të sfiduar asimilimin e fëmijëve shqiptarë në shtetin Grek të cilët “goditen”përditë nga gjuha vendase.Dëshiroj që fëmijët tanë kudo në diasporë t’i shoh në konkurencën greke, evropiane, botërore, të bëhen më shumë mjekë, akademikë, shkencëtarë, shkrimtarë, artistë dhe sportistë të suksesshëm. Kjo intervistë le të jetë një shpresë, një pikë e vogël ç’malljeje në largësinë e madhe të mërgimit, se malli për vendlindjen dhe bashkëkombësit është mall fisnik që nuk tretet, e s’paska ilaç t’a lehtësojë. Bashkimi yne dhe punët për kombin janë ilaçi më i mirë për të lehtësuar shpirtin larg, MËMËDHEUT! Të dashur bashkëkombës, punë të mbarë ju uroj dhe shumë më shumë dashuri , bashkëpunime, veprimtari atdhetare që na vëllazërojmë paçim. Të gjithë në diasporë të jemi tè pandarë për gjuhën ,për identitetin, të punojmë për ta përparuar e për ta bërë zonjë gjuhën tonë, flamuri ynë të ketë nderin qe na la babai i kombit ,Ismail Qemal Vlora, Isa Boletini, Hasan Prishtina. Rroftë Flamuri yne kombëtar! Rroftë Shqiptaria! Përqafime dhe urime nga Athina.