Nga NELSON CABEJ/
Me këtë emër njihet lugina e rrjedhjes së sipërme të lumit Drino, në rrethin e Gjirokastrës. Përgjithësisht pranohet se emri i Dropullit rrjedh nga emri i një qyteti të lashtë iliro-epirot që është lokalizuar me siguri në atë rajon, rreth 14 km në jug të Gjirokastrës. Në dokumentet e lashtësisë ky qytet del me emrin Hadrianopolis (Άδριανούπολις) dhe është thënë se këtë emër qytetit ia kanë vënë për nder të perandorit romak, Hadrian (76-138 të erës sonë), që sundoi si perandor për 21 vjet, nga viti 117 deri në vdekjen e tij në vitin 138.
Megjithatë, dokumente autentike, joanekdotike, se ky qytet e mori emrin nga perandori Hadrian, me sa di unë të paktën, nuk ka. Ne dimë se për nder të atij perandori u emërtua Hadrianopolis, qyteti mbi të cilin është ngritur Edreneja në Turqinë europiane, dimë për Murin e Hadrianit që ai ngriti në veri të Anglisë, dimë se ai perandor ngriti një bibliotekë madhështore në Athinë si dhe një lagje krejtësisht të re, që për nder të tij u quajt Hadrianupolis1,2. Ndonëse Hadriani u shqua për vizitat që bëri anembanë perandorisë, si kurrë ndonjë perandor tjetër, nuk dimë që ai ta ketë vizituar ndonjëherë këtë qytet, e mbase as rajonin e Epirit. Ai ndërtoi shumë ujësjellsa, amfiteatre, duke përfshirë amfiteatrin në Durrës, biblioteka dhe banja por nuk dimë të ketë bërë ndonjë gjë të tillë në “Hadrianopol”.
Për të gjitha arsyet e sipërpërmëndura, prejardhja e vëndemrit Dropull duhet kërkuar edhe diku tjetër dhe, lidhur me këtë, duhet mbajtur mënd se për pesë shekuj para se të bëhej Hadriani perandor, d.m.th. që nga koha kur u themelua në shekullin IV p.e.s., ai qytet ka pasur një emër. Cili duhet të ketë qënë ai emër?
Në gjysmën e parë të shekullit VI qyteti del në formën Hadrianupolis (Ἀδριανούπολις)3 te Synecdemos e Hieroklit.
Ndërkohë që nuk kemi të dhëna të tjera të lashta që mund të shfrytëzoheshin për të gjetur prejardhjen e vëndemrit Dropull, ne kemi nje burim gjuhësor, që është shfrytëzuar për herë të parë nga E. Çabej (1987). Është fjala për emrin e lumit Drino nga i cili, mendonte ai, ka dalë emri Drino-polis (qyteti i Drinos), në bregun e majtë të të cilit ky qytet shtrihej para se të zhvendosej në kodrat e fshatit të sotëm Peshkëpi, në të djathtë të rrjedhjes së Drinos, në periudhën e sulmeve barbare nga shekulli VI, kur administrate bizantine e ripagëzoi këtë qytet me emrin Justianianopolis. Siç na bën të dimë Prokopi i Cezaresë: “Këtu, gjithashtu, ai ndërtoi qytetin Justinianopolis, i cili më parë quhej Adrianopolis”)5. Por vetëm tre shekuj më vonë, në shekullin X, Konstantin Porfirogeneti, në një listë të qyteteve të Epirit të Vjetër, e jep përsëri emrin e qytetit në formën klasike Hadrianopolis (Άδριανούπολις)6.
Emri Drin është një emër tipik i lumenjve në Iliri. Në trojet e Ilirisë së jugut sot ky emër del në lumin Drino -degë ë Vjosës- (Gjirokastër) si dhe në Drinin e Bardhë dhe Drinin e Zi, kurse në trojet ilire të veriut ai del te lumi Drina në Bosnjë. Ne dimë se emrat e lumenjve në Iliri janë përdorur për të emërtuar qytetet që shtriheshin në brigjet e tyre ose në luginat e tyre (kujto Salonën, Naronën dhe Rizonin në bregdetin dalmat, Devollin dhe dhe Skampën e lashtë, p.sh.). Për këtë arsye, ngjashmëria e emrit të qytetit mbi Drino (Drinopolis) me emrin e perandorit Hadrian mundtë ketë ndikuar në autorët e lashtë për të quajtur atë qytet Hadrianopolis (kujto këtu se Ptolemeu quan Albanopolis kryeqendrën e fisit të albanëve, ndërkohë Zgërdheshi i sotëm ku është lokalizuar me siguri ai qytet, pas gjithë gjasash, ka qënë quajtur Skydreon polis (Σκυδρέων πόλις) e mbase thjesht Skydreon).
Burimet e lashta dhe mesjetare përgjithësisht janë konservative në kuptimin që forma në të cilën shfaqen emrat e qyteteve në ato burime shpesh janë forma të vjetruara ose libreske, larg emrave të vërtetë bashkëkohorë (shëmbuj, Berati, Vlora, Gjirokastra, Butrinti)
Është me interes të vihet re se të dy emrat libreskë Hadrianopolis dhe Justinianopolis nuk mbijetuan dhe u shuan jo vetën nga kujtesa e banorëve të atyre anëve por gradualisht edhe nga burimet historike bizantine. Të paktën që nga fillimi i shekullit IX, d.m.th. dy-tre shekuj pas futjes së emrit Justianopolis ai qytet del me emrat Adrianopoulis/Dryinopolis si qendër peshkopate7. Në vitin 1018 qyteti del me emrin Dryinoupolis, krahas njëmbëdhjetë qyteteve të tjerë Epirit, Nikopolit (Νικόπολις), Dodonës (Δωδώνη), Finiqit (Φοινίκη), Anhesmit (Άγχιασμός), Butrintit (Βουϑρωτός) dhe ujdhesave të Korfuzit (Κερκυρα) e të Itakës (Ίϑάκη) 8. Shihet se pas shekullit X emri Adrianopoulis ka humbur A-në fillestare për të dhënë formën Dryinopolis, që do të mbizotërojë në burimet e mëvonshme bizantine. Kështu, në shekujt XI-XII del si një nga peshkopatat ndihmëse (suffragane) të peshkopatës metropolitane të Naupaktit, krahas atyre të Janinës, Butrintit, Artës etj. 7, 10 .
Për të shpjeguar këtë dukuri fonetike duhet ose të pranohet se format Hadrianopolis dhe Justinianopolis janë forma letrare skolastike të variantit hipotetik *Drinopolis ose shpjegimin alternative se emri i qytetit Hadrianopolis duke filluar nga shekulli X kishte evoluar në Drinopolis, evolucion që mund të shpjegohet me regullat fonetike të shqipes, por të asnjë gjuhe tjetër të popujve fqinj të Ballkanit ose të latinishtes.
Ndërkohë që hipoteza e Çabejt se emri original i qytetit ka qënë Drinopolis4 ka përparësi për arsyet që u parashtruan më parë në këtë shkrim, hipoteza që e lidh emrin e Adrianopolisit me emrin e perandorit Hadrian, nga e cila anon Profesor Demiraj8 nuk mund të hidhet poshtë përfundimisht.
Thelbësore këtu është se cilido shpjegim i prejardhjes së emrit Drinopolis të pranohet, evolucioni i këtij emri u bë në bazë të fonetikës shqipe, gjuhës së banorëve të lashtë të luginës së Drinos.
Referimet
1. Brockhaus` Konversationslexikon, 1902-1910, II, 14 Auflage, Brockhaus, Leipzig-Berlin Wien, f. 24.
2. Cybulski, S. (2013). Die Kultur der Griechen und Römer: Bilderatlas der Gebrauchsgegenstände und Bauten. BoD – Books on Demand, f. 31.
3. Hieroclis Synekdemos (Guide). Sipas Ernest Honigmann, Le Synecdèmos d’Hiéroclès et l’opuscule géographique de Georges de Chypre, Bruxelles 1939 referenca 651, 8).
4. Çabej, E. (1987). Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes III, Tiranë, f. 319.
5. Procopius Buildings Libri IV, 1, 36.
6. Corpus Scriptorium Hisotoriae Byzantinae. Constantinus Porphyrogenitus. Ed. B.G. Niebuhr, Bonn, 1840, p. 392-393.
7. Prinzing, G. (2012). The AutocephalousByzantineEcclesiasticalProvince of Bulgaria: Hoë independent ëere its archbishops? Bulgaria Mediaevalis, III, 355-383 (376).
8. Demiraj, Sh. (2008). Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët. Infbotues, Tiranë, f. 170-71.
9. Haldon, J.F. (1999). Ëarfare, State and Society in the Byzantine Ëorld, 565-1204. Psychology Press, f. 89.
10. Angold, M. (2000). Church and Society in Byzantium under the Comneni, 1081-