Nga Nelson CABEJ/
Krahina e bylinëve “ager Bullinum” (trojet e Bulinëve)1, gjëndej në krahun e djathtë të lumit Vjosa (Aoos), i cili i ndante ata nga fisi i amantëve. Sipas Stefan Bizantinit, βουλῖνοί ose bulinët (kështu shqiptohej ky emër fisi në greqishten klasike) ishin një fis në Iliri (ἔϑνος περὶ Ἰλλυρίαν), kurse kryeqendra e tyre ishte Βύλλις2, që shqiptohej Bylis në greqishten klasike dhe Bulis në greqishten e lashtë. Edhe latinët emrin e fisit e shënonin Bullini. Në juglindje krahina kufizohej me trojet e parauejve, kurse në veri – me taulantët, por sipas Tit Livit (59 p.e.s.-17), ajo shtrihej deri në brigjet e Adriatikut.
Bylisi ka ekzistuar si qytet të paktën që nga shekulli IV p.e.s. dhe arriti lulëzimin e tij të plotë para pushtimit romak të Ilirisë, në shekujt III-II p.e.s. Pas kësaj ai provoi një rënie graduale deri në shuarjen e plotë të jetës qytetare në të nga shekulli VI, siç duket, si pasojë e sulmeve barbare. Megjithatë, në shekullin VI, në afërsi të qytetit të lashtë, aty ku gjëndet Ballshi i sotëm, u ndërtua një bazilikë dhe më vonë, në shekujt XI-XII, në këtë vëndbanim u bënë ndërtime me lëndën e sjellë nga rrënojat e Bylisit të lashtë. Bashkë me lëndën, njerëzit, duke braktisur qytetin, mbartën emrin e tij në vendbanimin e ri. Vazhdimësia fizike dhe historike e qytetit të lashtë në Ballshin mesjetar, dëshmohet jo vetëm nga të dhënat historike dhe arkeologjike por dhe nga pikëpamja gjuhësore toponomastike.
Autorët e lashtë na kanë lënë dy rrënjë alternative bul- dhe byl- e para për emrin e fisit dhe e dyta për emrin e qytetit Bulis (Βύλλις)/Bylis. Në përdorimin e këtyre dy formave të emrit të qytetit nuk mund të përjashtohen edhe shtrembërimet eventuale, që lidhen me veçoritë e fonetikës e të drejtshkrimit të greqishtes së lashtë e të latinishtes. Në përpjekjen për të përcaktuar se cila prej këtyre dy formave i përgjigjet më mirë shqiptimit original ilir të toponimit na krijohet tablloja krahasimtare e më poshtme.
Forma Bylis eshtë më e përhapur, por pranimi i kësaj forme nxjerr një vështirësi të pakapërcyeshme gjuhësore: as rregullat fonetike të shqipes, as ato të greqishtes e të latinishtes nuk mund të na shpjegojnë shndërrimin yàa, që vihet re në formën Balis (Philocaris episcopus Ballidi”) në një dokument të vitit 4583 dhe si qendër peshkopate “Ballidi in Epirus nova”4.
Forma Boulis (Bulis) lejon dhe shpjegon evolucionin fonetik të këtij vëndemri që vihet re në burimet e lashta, d.m.th. format Belis dhe Balis. Ky evolucion mund të shpjegohet me rregullat fonetike të shqipes ku janë të njohura shndërrimet ouàe dhe ouàa, që kërkohen për të dalë në format Belis dhe Balis.
Në qoftë se do ta shpinim këtë hetim më tej në lashtësi, do të gjenim se rrënja indoevropiane *bhel kishte kuptimin “fryhet”, që në gjermanishten ka dhënë “bal” – ‘top’ dhe në shqipen dha emrin “ballë ” e po kështu dha fjalët për ballë edhe në prusisht (ballo) e në indishten e vjetër (bhālam).
Hipoteza se me po atë rrënjë *bhel dhe me fjalën *bala, që është faza ilire e fjalës shqipe “ballë”6, doli vëndemri Boul(is), gjen një mbështetje të fortë në një fakt tjetër historiko-gjuhësor. Në kohën e sundimit bullgar kur Boulis u ripagëzua nga pushtuesit si Gllavinica [gllava (глава) është fjala e bullgarishtes mesjetare për kokë], që shihet qartë se ishte një përkthim nga shqipja për nevojat e administratës dhe kishës në kohën e sundimit bullgar në shekujt IX-XI. Po kështu, emri Boulis (Bulis) del i përkthyer edhe në burime mesjetare bizantine si Kephale nga greqishtja κεφαλή ‘kokë’.
Përkthimi i vëndemrave gjatë sundimit sllav dhe zëvëndësimi i emrave shqip ose përdorimi parallel i tyre është një dukuri e njohur në trojet shqiptare. Kështu ka ndodhur me përkthimin e emrit Zagori nga vëndemri Prapamal. Emri Prapamal përdoret ende në ditët tona nga banorët e rrethit të Përmetit, por jo nga ata të Gjirokastrës, të cilët, duke qënë më pranë qendrës administrative të sundimit bullgar dhe sërb përdorin për këtë krahinë emrin Zagori. Po kështu, sipas gjuhëtarit rus A.M. Selishçev (1886-1942), ka ndodhur edhe me vëndemrin e sotëm Velipojë në rrethin e Shkodrës, që deri vonë quhej Fushgjanë dhe me fshatin Starovë në rrethin e Pogradecit që më parë quhej Plakoni7.
Forma Balis mund të kalojë rregullisht (në baze të rregullave të fonetikës historike të shqipes) në formën e sotme Ballësh, që është emri i këtij qyteti, fqinj të vëndbanimit të lashtë Bulis.
Fakti që evolucioni i toponimit të lashtë ilir Boulis në Ballsh ndodhi në përputhje me rregullat e fonetikës historike të shqipes, krahas faktit që në burimet mesjetare bizantine ky qytet del si përkthim i fjalës kokë në greqisht e bullgarisht përkatësisht si kephale (κεφαλή) dhe Gllavinica, tregon se qysh nga lashtësia dhe pa ndërprerje ai qytet ka qenë banuar nga shqiptarë.
Referimet
1. Titus Livius (Livy), The History of Rome, Libri 36, 7.
2. Stephani Byzantii ethnicorum quae supersunt. Red A. Meineke, 1849, Berlin.
3. Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, doc. no. 23.
4. Fabricius, J.A. Bibliotheca græca: sive, Notitia scriptorum veterum …, volumes 11-12, f. 274.
5. Pokorny J. (1959). Indogermanisches etymologisches Wörterbuch. Bern : Francke, 1959-1969.
6. Çabej, E. (1976). Studime Gjuhësore I, Rilindja, Prishtinë, f. 53.
7. Селищев, А. (1931). Славянское население в Албании. София.