Nga Nelson CABEJ/ NJ, SHBA/
Damastioni ka qënë një qytet ilir që përmendet nga Straboni (63 p.e.s.- 26 të e.s.) në fillim të erës së re, në një kontekst të tillë:
“Mbi Epidamnin dhe Apolloninë, deri në malet Keraune banojnë bilinët, taulantët, partinët dhe brigët. Diku aty afër gjënden minierat e argjëndit të Damastiumit, rreth të cilave kanë vendosur sundimin e tyre dyestët dhe enkelejtë (që quhen edhe sesaretë) dhe afër këtyre popujve janë edhe linkestët, territori i Deriopit, Tripoliti pelagonian, eordët, Elimea dhe Eratyra”1 Përshkrimi i hollësishëm i fiseve që banonin rreth Damastionit, tregon se Straboni e njihte relativisht mirë lokalizimin e këtij qyteti ilir.
Damastioni ishte i njohur në botën e lashtësisë për minierën e argjëndit dhe për monedhat e argjendit që priste ky qytet si dhe qyteti fqinj Pelagia për një periudhë që zgjati deri nga shekulli IV p.e.s. Monedhat e argjendit me stampën Damastinon (ΔΑΜΑΣΤΙΝΩΝ) janë gjetur në territore shumë të gjera të Ballkanit (Shqipëri, Sërbi, Greqi, Maqedoni, Bullgari e, në veri, deri në Trieste). Nuk dimë që në burimet e lashta ky qytet të jetë përmendur në ndonjë kontekst tjetër të zhvillimeve politike, shoqërore ose kulturore të Ilirisë së jugut.
Në shekullin XIX u bënë përpjekjet e para për ta lokalizuar këtë qytet të lashtë. Në vitin 1874 numismati zviceran Friedrich Imhof-Blumer (1838–1920) parashtroi hamëndjen se ky qytet mund gjëndej në fshatin Damës të Tepelenës, me sa duket duke u mbështetur kryesisht në ngjashmërinë e vëndemrit të lashtë me emrin e fshatit Damës. Kjo hamëndje u vu në dyshim nga Philippson në vitin 1900 sepse, sipas tij “sot nuk njihen vëndburime argjëndi në ndonjë pjesë të Ilirisë jugore ose të Epirit”, andaj ai e lokalizon atë në Argyrium (Gjirokastër) duke u bazuar kryesisht ne lidhjen e emrit të këtij qyteti me fjalën argjënd. Historiani çek Konstantin Jireçek, në një studim që botoi në vitin 1916, shprehu mendimin se Damastioni mund të gjëndet në Dibrën e sotme.
Mungesa e vendburimeve të argjëndit në Ilirinë e jugut bëri që vëmëndja e studiuesve të drejtohet ndaj atyre rajoneve që dihet se kanë vëndburime argjëndi. Kështu, studiesi nga Kosova, Zef Mirdita, në një studim të botuar në 1981 e lokalizoi Damastionin në territorin e Dardanisë e këtij opinioni i përmbahen edhe hartuesit e Fjalori Enciklopedik Shqiptar në zërin ‘Damastion’2. Kohët e fundit (2007) studiuesi sërb Popović e ka lokalizuar atë në Sërbinë juglindore, që banohej në lashtësi nga nënfisi agrian i fisit ilir të peonëve3.
Lidhur me hamëndjen e parë të lokalizimit të Damastionit në Damës të Tepelenës, duhet thënë se atë e bën të pabesueshme jo vetëm mungesa aty e vëndburimeve të argjëndit më shumë se sa fakti që as enkelejtë, as linkestët, as pelagonët nuk kanë qënë afër këtij rajoni në lashtësi.
Edhe hamëndja e lokalizimit të Damastionit në Dardani dhe në Kale Krsevica të Sërbisë është po kaq e pabesueshme, për arsye se gjeografikisht është shumë larg fiseve që, sipas Strabonit banonin në afërsi të Damastionit.
Ka historianë që besojnë se një nga arsyet e themelimit të kolonive greke në Epir kanë qënë minierat e argjëndit të Damastionit. Kështu, në shekullin VII p.e.s. tirani i dytë i Korinthit, Periandri (c. 628–588) “themeloi kolonitë korinthiane në bregdetin e Epirit për të vënë nën kontroll minierat e argjëndit të Damastionit … mund të ketë qënë argjëndi i Damastionit që e lejoi Korinthin të priste monedha”4. Kundër lokalizimit të Damastionit në Dardani flet edhe fakti që në Damastion u prenë monedha argjëndi deri ne shekullin IV p.e.s., kurse jeta qytetare në Dardani ka filluar jo më parë se shekulli III p.e.s.
Çdo hamëndje e besueshme për lokalizimin e këtij qyteti ilir duhet të mbajë parasysh tre kritere:
a. Një kriter historik, d.m.th. të përputhet me të dhënat e hollësishme të Strabonit për lokalizimin e tij,
b. Një kriter gjuhësor, d.m.th të gjëndet nje vendemër i sotëm që ruan, sigurisht në një formë të evoluar, rrënjën e vendemrit Damastion, dhe
c. Një kriter gjeologjik, d.m.th. të mund të provohet se në afërsi të qytetit ka pasur në atë kohë miniera/minerale argjëndi.
Nga pasazhi i Strabonit, që sollëm në fillim të këtij shkrimi, del se ky qytet u përkiste dyestëve dhe/ose enkelejve/desaretëve. Ndërkohë që fisi i dyestëve nuk del në ndonjë burim tjetër të njohur të lashtësisë dhe për lokalizimin e tyre nuk mund të flitet me siguri, fiset fqinjë të tij si linkestët dhe eordejtë, që përmënd ai, gjënden rreth liqenve të Prespës dhe Ohrit. Kjo kërkon që ta drejtojmë vëmëndjen nga ai rajon i Ilirisë së jugut.
Duke shqyrtuar të dhënat e mësipërme del se në perëndim të Damastionit gjëndeshin taulantët, partinët dhe brigët kurse në lindje të tij ishin linkestët paionët dhe eordejtë. Këto të dhëna historike e ngushtojne mjaft zonën ku duhet ta kërkojmë Damastionin: në zonën në perëndim të liqenit të Ohrit.
Pikërisht në këtë zonë të ngushtë gjëndet një vëndemër që plotëson jo vetëm kriterin gjeografik por dhe kriterin gjuhësor të lokalizimit të Damastionit. Ky vëndemër është Domosdova që njihet kryesisht me emrin Fusha e Domosdovës, e njohur veçanërisht nga beteja e madhe që mendohet se prijsi i madh i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu me ushtrinë e tij zhvilloi kundër ushtrive turke në vitin 1444. Vëndemri Fusha e Domosdovës menjëherë të kujton emrin e Damastionit dhe përmban të plotë rrënjen e atij vendemri ilir. Kështu, ky vëndemër plotëson si kriterin gjeografik (bazuar në të dhënat e Strabonit) dhe kriterin gjuhësor (ai përmban thuajse të pandryshuar rrënjën ilire të vëndemrit Damast-).
Megjithatë, fakti që sot në atë rajon nuk ka miniera argjëndi duket sikur flet kundër hamëndjes së lokalizimit të Damastionit në fushën e Domosdovës ose diku afër saj. Por, kjo vështirësi nuk është e pakapërcyeshme, po të mbahet parasysh se shumë miniera argjëndi që do të shfrytëzoheshin aq herët, qysh në agimin e jetës qytetare në Iliri, nga shekulli VI p.e.s., do të shteronin me kohë. Veç kësaj, historianë të huaj njoftojnë, por pa dhwnw burimin) se rajoni kufitar shqiptaro-maqedon në afërsi të liqenit të Ohrit ishte i njohur në lashtësi për minierat e tij të pasura të argjendit5.
Në të mirë të hamëndjes sonë flet edhe një tregues tërthor por elokuent, që është ekzistenca ekzistenca ende sot në atë rajon e mineralit të nikel-kobaltit, që shumë herë përmban edhe argjënd.
Një etimologji popullore e ka lidhur prejardhjen e vëndemrit Domosdovë me fjalën turke domuz, që do të thotë derr. Sado afërmëndsh që të duket, një etimologjizim i tillë nuk mund tu bëjë dot ballë disa kritikave.
Së pari, në qoftë se ky vëndemër do të ndahej në dy përbërës: domus dhe dova, ky përbërësi i dytë dova nuk do të mund të shpjegohej as me turqishten as me shqipen as me ndonjë nga gjuhët e sotme ose të lashta të popujve fqinjë ballkanikë.
Së dyti, në qoftë se, ashtu siç mund të jetë në të vërtetë, në atë përbërës do të dallonim mbaresën sllave –ova, mbetet e pashpjeguar futja e d-së midis dy përbërësve.
Së treti, është e pabesueshme që, në troje shqiptare, një vëndemër turk, d.m.th. i futur kaq vonë, pas shekullit XV të mirrte mbaresën sllave –ova.
Hedhja poshtë e këtij etimologjizimi popullor, në mënyrë të natyrshme na bën ta kërkojmë futjen e mbaresës sllave –ova në epoka më të hershme, si rrjedhim i ndikimeve administrative, fetare e kulturore të sundimit bullgar (shekujt IX – XI) ose të sundimit sërb (shekujt XIII-XIV). Le të mos harojmë se një qytet arbëror si Ohri, që ishte në afërsi të drejtpërdrejtë me Domosdovën, ka qënë edhe kryeqytet dhe kryeqendra fetare e perandorisë bullgare.
Një shqyrtim gjuhësor tregon se rrënja domosd- e vëndemrit Domosdovë përputhet fare mirë me atë të Damastionit dhe shndërrimet a > o dhe d > t në pozicionet përkatëse kanë ndodhur në pajtim me ligjet fonetike të shqipes.
Duke u mbështetur në topografinë e krahinës, ne mund të arrijmë në përfundimin hipotetik se Damastioni ilir ka qënë aty ku ndodhen sot rrënojat e një qyteze të lashtë ilire të shekullit VII p.e.s. në fshatin Rrajcë (gjetjet më të hershme në këtë rajon i takojnë neolitit) të rrethit të Librazhdit.
Jeta në Damastion, si dhe në shumë qytete të tjera ilire, mund të jetë shuar në lashtësinë e vonë, si pasojë e dyndjeve barbare dhe kjo mund të ketë bërë që emri i qytetit të fshihej nga vetëdija historike e banorëve të rajonit. Por ka arsye të mjaftueshme për të besuar se emri dhe kujtimi i qytetit u përjetësuan në një monument gjuhësor, në emrin që i dhanë banorët e asaj ane fushës që shtrihej në këmbët e Damastionit, fushës që sot e njohim si Fusha e Domosdovës.
Referimet
1. Strabo, Geography, Libri VII, 7: “τῆς γὰρ Ἐπιδάμνου καὶ τῆς Ἀπολλωνίας μέχρι τῶν Κεραυνίων ὑπεροικοῦσι Βυλλίονές τε καὶ Ταυλάντιοι καὶ Παρθῖνοι καὶ Βρῦγοι: πλησίον δέ που καὶ τὰ ἀργυρεῖα τὰ ἐν Δαμαστίῳ, περὶ ἃ Δυέσται συνεστήσαντο τὴν δυναστείαν καὶ Ἐγχέλειοι, οὓς καὶ Σεσαρηθίους καλοῦσι: πρὸς δὲ τούτοις Λυγκῆσταί τε καὶ ἡ Δευρίοπος καὶ ἡ τρίπολις Πελαγονία καὶ Ἐορδοὶ καὶ Ἐλίμεια καὶ Ἐράτυρα.”.
2. Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985). Akademia e Shkencave e RPSSH, Tiranë.
3. Popović, P. (2007). Numismatic finds of the 4th-3rd centuries BC from Kale at Krševica (southeastern Serbia). Arheološki vestnik 58, 411-417.
4. The Solonian Reform. Internet:
http://www.metrum.org/measures/solonian.htm: “established colonies on the coast of Epiros in order to obtain control of the silver mines of Damastion. … it may have been the silver of Damastion that allowed Corinth to strike coins”
5. Cabanes P. (2008). Greek Colonisation in the Adriatic f. 155-185 (170). Në Greek Colonisation – An account of Greek colonies and other settlements overseas II, Red. G.R. Tsetskhladze, Brill, Leiden-Boston.The Albanian-Macedonian border region, in the vicinity of Lake Ohrid, was known in antiquity for its rich silver mines; the growth of rich princely families, marked by contacts with the Aegean world. The name of Damastion was associated in the 4th century B.C. with good quality silver minting. Corinth was able to mint fine silver coins from very early on, but it could not extract the silver essential for this from its own territory. Finally, it serves to recall that Strabo (7. 7. 8) reports that the king of the Lyncestians was a member of the Bacchiad family from Corinth, which might lead one to believe that the mines were exploited for profit by this Greek metropolis before money was minted in the city of Damastion.