
New York, 13 Qershor 2023 – Samantha Zherka, shqiptarja e suksesshme, veprimtarja e shquar e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bashkohet Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA. Në një vizitë zyrtare në Selinë Qëndrore të Vatrës zonja Zherka u prit nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, Shefi i Kabinetit Dr. Pashko Camaj, Këshilltari i Mediave z.Dritan Haxhia dhe Editori i Diellit. Në vizitën e saj dhe anëtarësimin në Vatër zonja Zherka u shpreh e lumtur dhe falenderuese që do të japë kontributin, eksperiencën dhe ekspertizën e saj në dobi të Vatrës, komunitetit shqiptar e çështjes kombëtare në mërgatën shqiptare të Amerikës.
Samantha Zherka kandidon për pozicionin e Këshilltares së Bashkisë së New York-ut në distriktin 13-të nga Partia Republikane. Ajo i ftoi të gjithë shqiptarët në Bronx që ta mbështesin në zgjedhjet Primare që zhvillohen më 27 Qershor 2023. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha i ofroi mbështetjen e Vatrës, të miqve e të bashkëpunëtorëve të tij me qëllim që zëri shqiptar të dëgjohet fort në Këshillin Bashkiak të New York-ut përmes pinjolles së familjes së shquar patriotike shqiptare, Zherka.