Me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, më 22-23 tetor, në Prishtinë i zhvillon punimet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një organizim i pari i këtij lloji në historinë e Kosovës. Forumi organizohet në bashkëpunim me zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme, znj. Donika Gërvalla Schwarz dhe mbështetet nga partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Në edicionin e parë të tij, WPS, pritet të grumbullojë mbi 400 pjesëmarrës, nga vende të ndryshme të botës, në fokus të të cilit do të jetë trajtimi i çështjeve që ndërlidhen më gratë, paqen dhe sigurinë.
Në këtë Forum, pritet të marrin pjesë liderë botërorë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj dhe përfaqësues nga grupe të tjera të interesit.
Forumi synon të diskutojë jo vetëm sfidat në përballje me paqen dhe sigurinë globale, por edhe trajtimin dhe zgjidhjet eventuale.
Ndryshe, WPS është Forum, i cili paraqet një nga zotimet e institucioneve të Republikës së Kosovës për Samitin për Demokraci, të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.
***
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken me adresim të veçantë në hapje të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të organizuar nga Presidenca
Në hapje të edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili fillon punimet nesër (e shtunë) dhe mbahet me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pjesëmarrësve do t`i drejtohet me një adresim të veçantë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë me temë “Ndërtimi i Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”, organizohet për herë të parë në historinë e re të Kosovës dhe përbën një nga zotimet në kuadër të Samitit për Demokraci.
Fjalimi i Sekretarit Blinken është dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme dhe e partneritetit të palëkundur ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve që bazohet mbi vlerat e përbashkëta të demokracisë, paqes dhe prosperitetit.
Ndryshe, Forumi në edicionin e parë të tij do të mbledhë 126 folës nga 33 shtete, 6 kontinente dhe mbi 400 pjesëmarrës, të cilët gjatë dy ditëve do të trajtojnë çështje që ndërlidhen më gratë, paqen dhe sigurinë.
Në këtë Forum, pritet të marrin pjesë liderë botërorë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj dhe përfaqësues nga grupe të tjera të interesit.