
Nereida Xhakolli/
Sapo morëm vesh që edhe sivjet do bëhej e mundur zhvillimi i Seminarit të XVIII të mësuesve të Diasporës filluam menjëherë kontaktimet mes kolegësh e një nga pyetjet që më bëhej ishte: sivjet do vishesh me veshje sepse ty pa to nuk të imagjinojmë? Edhe personalisht unë pa kostumet nuk ndihem e plotë sidomos në seminare të tilla e kështu u lidha menjëherë edhe me dy bashkëpunëtoret e mia në Shqipëri të kostumeve tradicionale; Tefta Qose e Buqe Muka të cilat në kohë rekord mundësuan realizimin e dy kostumeve me të cilat do paraqitesha në ditët e këtij seminari. Për mua ishin emocione shumë të forta edhe për vetë faktin që po kthehesha në qytetin e Shkodrës plot mbas 32 viteve mbasi në atë qytet, në universitetin “Luigj Gurakuqi” unë isha diplomuar si mësuese dhe mes personaliteteve që do na prisnin do të ishte prezent edhe rektori i këtij Universiteti.
Sa emocione kur u takuam edhe me kolegë të tjerë që dje ishim studentë në bankat e tij e sot pedagogë ….Sa krenari, pozitivitet, forcë dhe energji e re. Nuk munguan as edhe pikat e lotit kur u kalua pragu i universitetit apo i ish – konviktit dhe sidomos ai i mencës ku ishte edhe diskoteka jonë e parë…Faleminderit për mikpritjen të gjithëve, për emocionet dhe ato ndjenjat e bukura që jetuam për ato ditë e mbrëmje të paharruara mes jush…Sivjet përveç shkëmbimit të eksperiencave, ritakimi me kolegët e diasporës, ky seminar ishte shumë bashkëkohor, ishte një gërshetim shumë i bukur i mësimdhënies tradicionale me atë teknologjike. Shumë interesante edhe për vetë faktin se shumë prej nesh, mësuesve të diasporës, jo të gjithëve patëm “fatin” të përdornim gjatë mbas viteve të studimeve teknologjinë.
Gjatë prezantimeve që u mbajtën në ditët e këtij seminari ndoqa me shumë kujdes, vëmendje duke u munduar të mos më shpëtonte asnjë fjalë nga kolegët. Në kumtesën e mësueses Lindita Budini u gërshetuan dy metodologjitë, ajo tradicionale ( libri) me atë bashkëkohore – digjitale. Çelësat kryesorë të mbajtjes së vëmendjes konstante së nxënësit gjatë orës së mësimit dhe nxitja e nxënësit dhe “transformimi” i tij në bashkëpunues me mësuesin pra; vënia e nxënësit në qëndër të orës së mësimit. Një pikë tjetër e rëndësishme ishte: libri/ kjo dritare diturie drejt njohjes së gjuhës amtare apo e trashëguar kurse teknologjia si mjet në përvetësimin më të mirë të saj. Si mund të shndërrojmë një orë mësimi në një orë argëtimi duke inxitur nxënësit të bëhen më aktiv dhe të zhdërvjellshëm ishte një pikë tjetër me shumë interes. Në kumtesën e Albana Haskut mbi udhëtimin imagjinar binte në sy fakti sesi mësueset e kësaj shkolle në bashkëpunim me nxënësit na demonstruan se si mund të realizohet një projekt shumë i kompletuar ku përfshin të gjitha lëndët dhe se si ai mund të pasurohet me aspektet kulturore.
Në momentin e nisjes së këtij udhëtimi nis udhëtimi mbi urën e re të krijuar prej tyre. Çanta e shpinës është “Valixhja” e mbushur jo më me mallin apo kuriozitetin e tyre për vëndin e origjinës por aty ndodheshin diamantët dhe thesaret që kishin zbuluar vetë me ndihmën e mësuesve. Kureshtja që do shkelnin vetë në tokën e prindërve, dashuria për kulturën e historinë, krenaria për profesionet dhe se si kanë luajtur një rol të rëndësishëm gjyshërit, familjarët e tyre në ndërtimin e Shqipërisë. Nga puna e mësuesve fëmjëve u lind një ndjejë e bukur dhe e mrekullueshme që quhet ATDHEDASHURI, prindërve u rizgjohet kjo ndjejnë dhe është një element ndihmës për rikthimin e brezit të ri. Dy sesione të zhvilluara me një profesionalizëm të lartë, nga ku sejcili prej nesh gjen diku vetveten në bazë të mundësive organizative që ka dhe në mjediset ku ndodhet. Ne mësuesit krenohemi me punën e secilit prej kolegëve.
Faleminderit organizatorëve që edhe sivjet bënë të mundur takimin, por a do vazhdojmë kështu akoma?