Nga Keze Kozeta Zylo/
Kryeqyteti i shtetit të Nju Jorkut, Albany në mjediset e Senatit brenda Parlamentit mirëpriti Diasporën Shqiptaro Amerikane dhe personalitete të shquara të Kosovës. Ndërsa ecnim me nxënësit ne këtë ndërtesë gjigante prej graniti e përfunduar në vitin 1899 që është në fakt një shumëllojshmëri stilesh arti, punime magjepsëse, duke përfshirë rilindjen romane dhe franceze që i duhej 32 vjet (1867-1899) me pesë arkitektë për t’u përfunduar, kujtonim vitin e kaluar, ceremoninë e16-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës që u organizua për herë të parë në historinë e saj.
Nderonin në këtë ceremony Ambasadori Blerim Reka, Konsulli i Pergjithshëm i Republikës së Kosovës në Manhattan, bashkë me stafin e tij.
Dita e hënë e 3 shkurtit ishte një ditë mbresëlënëse për pjesëmarrësit shqiptarë dhe natyrisht për të gjithë popullin shqiptar në Albany në kryeqytetin e Nju Jorkut në kremtimin e vitit të 17 të të Republikës së Kosovës.
Organi legjislativ i shtetit të Nju Jorkut vendosi që të ndalojë diskutimet e tij të rendit të ditës për të përkujtuar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës duke festuar të kaluarën e saj, duke pranuar të tashmen e saj dhe duke pritur me optimizëm të ardhmen e saj.
Ceremonia u moderua nga dy shqiptarë te mirënjohur, atdhetarë të flaktë plot kulturë dhe profesionalizëm të cilët janë zonjusha Vanesa Limani shefe e kabinetit të senatores Jessica Scarcella-Spanton dhe Fitim Shabani shef i kabinetit të Ansambleistit Charles D. Fall.
Ata jane dy të rinj që vinë nga Kosova martire, punojnë plot krenari dhe kanë një të ardhme të ndritur.
Ata thanë se një falënderim i madh iu takon Asambleistit Charles Fall dhe Senatores Jessica Scarsella Spanton për mbështetje dhe realizimin e këtij eventi madhështor. Në këtë ceremoni festive dhe te mirëorganizuar ishin të ftuar dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit. Nderuan me pjesëmarrjen e tyre nxënësit e fidanishtes së parë të shkollave shqipe në Staten Island si dhe nga Queensi dhe Bronxi të drejtuar nga z. Qemal Zylo shoqëruar nga mësueset Elona Shkreta Alikaj, Era Çorbaxhi, Algert Çorbaxhi nga shkolla më e re në Albany në bashkëpunim me prindërit Denisa Loka, Rudina Martini, Arjeta Gjonbalaj, Enver Lajqi dhe z.Djaloshi me familjen e tij.
Ndonëse ishte ditë mësimi të gjithë kishin marrë leje për këtë ditë historike dhe së bashku u nisëm me makinat tona drejt Senatit. Nderonin këtë ceremoni modelja Emina Cunmulaj Konsulle e Nderit, z.Hakim Buxhaku Kryetar i Shoqatës Atdhetare Dibra, kryetar i Bordit ekzekutiv të Shoqatës Shqiparo Amerikane “Skënderbej” Inc. në New York z. Gëzim Lamçaj dhe Kryetari i shoqatës “Ulqini” në New York z. Xhemo Lanica.
Ambasadori Blerim Reka, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York përshëndeti dhe falënderoi në emër të shtetit shqiptar, Senatin e shtetit të Nju Jorkut për mbështetjen që i bën Kosovës, popullin amerikan që kanë ndikuar fuqimisht në Pavarësinë e saj.
Ambasadori Blerim Reka në përshëndetjen e tij ndërmjet të tjerash tha se: “Shteti më i ri evropian, lindi nga lufta çlirimtare kundër kolonializmit, aparthejdit dhe gjenocidit të Serbisë kundës popullit shqiptar.
Sot Republika jonë është vendi më demokratik, më pro-amerikan dhe model kushtetues për mbrojtjen e pakicave kombëtare.
Faleminderit Senatores Scarcella dhe Asambleistit Fall!
Faleminderit Amerikë”!
Këtë ditë historike e bekoi paqësisht Imam Tahir Kukaj i cili është zgjedhur si përfaqësuesi kryesor i detyrave islame në policinë e Nju Jork-ut.
Emocionuese ishte përshëndetja e deputetit të Parlamentit të Suedise djali me gjak kosove Arbër Gashi i cili kishte ardhur enkas për këtë festim madhështor.
U intepretuan himnet kombëtare të Amerikës dhe të shtetit të Kosovës. Zonja Limani prezantoi senatoren e shtetit të Nju Jorkut, Jessica Scarcella-Spanton e cila në fjalën e saj ndërmjet të tjerash tha se: “Populli i Kosovës ka treguar qëndrueshmëri dhe vendosmëri të jashtëzakonshme për të çuar më përpara arritjet e saj”.
Z.Shabani prezantoi Ansambleistin z. Charles D. Fall i cili është ndihmës udhëheqësi i shumicës në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut. Ai përfaqëson me krenari Distriktin e Asamblesë së 61-të të Nju Jorkut që mbulon Bregun Verior të Staten Island, Lower Manhattan dhe pjesë në Brooklyn. Ai ndihej krenar që do të nënshkruante rezolutën për festimin e 17-të Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Të nderuar të dëgjonim dhe të takonim Senatoren e shtetit të Nju Jorkut znj. Natalia Fernandez e cila është një mike e madhe e shqiptarëve me fjalë dhe me vepra si në rastin për 17 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Të ftuarit nga Kosova gjithashtu përshëndetën plot mirënjohje Senatin dhe Amerikën për mbëshetetjen e vazhdueshme që i japin Kosovës.
Grupi i valleve “Barbana” interpretuan artistikisht valle të traditës kombëtare.
Mbas ceremonisë të gjithë pjesëmarrësit morën pjesë në sezionin e mbledhjes në sallën madhështore te Ansamblesë së shtetit të Nju Jorkut ku u miratua rezoluta për përkujtimin e 17- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Ansambleisti John Zaccaro miku i madh i shkollave shqipe bëri disa fotografi me nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Assamble duke iu kushtuar një vemendje të posacme dhe duke i frymëzuar që të bëhen bijë të denjë. Krenari të kishim pranë nxënësve dhe drejtorin Legjislativ Z. Justin Devendorf që përfaqëson anëtarin e Asamblesë John Zaccaro Jr.
Rezoluta e Senatit nr. 259 nga Senatore Scarcella Spanton dhe Assembly NO.62 nga ansambleistët A. Fall dhe Zaccaro
Në përkujtim: 17-Vjetorin e Kosovës
Pavarësia:
NDËRSA, Dita e Pavarësisë së Kosovës është festë kombëtare çdo vit çdo 17 shkurt, në përkujtim të deklaratës së Pavarësisë së kombit ballkanik në 2008; dhe
NDËRSA, Kosova, si vendi i dytë më i ri në Juglindje të Evropës, më 17 shkurt 2008, bëri një deklaratë të Pavarësisë nga Serbia pas një lufte vdekjeprurëse e cila zgjati nga 5 mars 1998 deri në qershor, 11, 1999; dhe
NDËRSA, konflikti u ndal pas Atlantikut të Veriut, ndërhyrjes së forcave të NATO-s me sulme ajrore në mars 1999. Forcat jugosllave pastaj u tërhoqën nga Kosova; dhe
NDËRSA, Republika e Kosovës, e cila e ka marrë emrin nga “fusha e zogjve të zi”, një ish krahinë në Serbi, kryesisht përshkruhet si një territor etnik shqiptar; dhe
NDËRSA, Kosova e sotme e ka origjinën në Dardani, duke u formuar si një shtet i pavarur i njohur si Mbretëria e Dardanisë (shek. IV B.C.); dhe
NDËRSA, që nga Pavarësia e saj, qytetarët e Kosovës me të drejtë janë krenarë të progresit që ka bërë Kosova në promovimin dhe avancimin e demokracisë, vlerat dhe forcimin e institucioneve për të ofruar qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësive ekonomike për të gjithë kosovarët; dhe
NDËRSA, deri më sot, partneriteti i qëndrueshëm midis Amerikës dhe Kosovës i ka rrënjët në mirëkuptimin reciprok, vlerat dhe miqësia mes vendeve tona; normalizimi i marrëdhënieve me
Serbinë, e përqendruar në njohjen e ndërsjellë eventuale, mbetet thelbësore për paqe dhe prosperitet në këtë rajon të botës; dhe
NDËRSA, Marrëveshja e propozuar në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja do ta çojë Kosovën drejt një stabiliteti më të madh rajonal dhe evropian dhe integrimet euroatlantike; dhe
NDËRSA, është kënaqësi e jashtëzakonshme që ky Organ Legjislativ njeh dhe përgëzon popullin e Kosovës, mikun tonë, partner, dhe aleat, në këtë ditë të rëndësishme të Pavarësisë, duke i njohur arritjet e tyre dhe mbështetjen e përpjekjeve të tyre në të ardhmen; tani pra,
Vendosi: që ky Organ Legjislativ të ndalojë diskutimet në punët e tij dhe të
përkujtojë 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke festuar të kaluarën e saj, duke pranuar të tashmen e saj dhe duke parë përpara me optimizëm për të ardhmen e saj.
Autorja e shkrimit është shkrimtare, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit si dhe ka marre titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
TV “Alba Life” me producent Qemal Zylo, filmoi aktivitetin dhe së shpejti do të transmetohet në kanalet televizive.
3 shkurt, 2025
Albany, New York