
Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/
Sfida e Tiranës në vitin 2025 është shndërrimi në një qytet të lirë te qytetarëve sovrane, të çliruar nga regjimentet politike, nga survejimi organizativ imponues elektoral, nga kontrollet e interesave të grupeve të pasuruara rishtazi e në mënyrë të beftë.
Tirana, që reflekton dhe hedh orientim politikëbërës mbi të gjithë Shqipërinë, duhet të ecë drejt një zhvillimi të drejtë e të ekuilibruar, duke zbutur kontrastet shoqërore, duke kaluar kontrollin nga pak duar e mendje të ngarkuara me emocionet e fshatrave me të mbjella fitimprurese, tek qytetarët dhe klasa e mesme e dijes dhe e profesioneve, duke eliminuar varfërinë e periferive, duke njohur e respektuar pronësinë e vjetër private dhe rivendosur ligjin, arsyen e ndershmërinë në qeverisjen e punëve vendore.
Është koha të ndalen shkatërrimet e mëtejshme në qendrën historike të qytetit dhe të rivendoset respekti për kujtesën urbane, për traditat lokale, për banorët e saj të hershëm dhe te drejten tradicionale pronësore e komunitare. Tirana duhet t’u rikthehet qytetarëve të vet, para së gjithash, duke u udhëhequr nga kodi moral i themelimit, nga ndjenja e nderimit ndaj historisë së përbashkët, përmes ndërprerjes së kontrastit fatal, humnerës që shohim çdo ditë dhe nuk e ndalim, midis një shtrese parazitare të pasuruar me paligjshmëri e me shpejtësi marramendëse, që e vështron qytetin nga kodrat juglindore, dhe qytetarëve, klasës së mesme, që mbetet e pengmarrun në smogun e një qyteti të pashendetshem/pajetueshem.
Mbi të gjitha rinia, emergjenca e nxjerrjes së saj nga bjerrja e kohës, duke analizuar e imituar ‘modelet’ që nuk mund të jenë shembuj në një shoqëri të shëndoshë: A mendon dikush se duhet gjetur një metodë për ta zhvendosur në mënyrë masive dhe të qëndrueshme brezin e ri nga kafenetë drejt Librit dhe Terreneve Sportive?
Se fundi, kuvendi qytetar: Në këto ditë duhet hedhur hapi vendimtar që Këshilli i ardhshëm Bashkiak të jetë një institucion qytetar, jo politik, që të përfaqësojë një cilësi të re profesionale e etike në qeverisjen e përditshme të qytetit.
Per ata që e shohin Tiranën nga nalt, ky është përjetimi njerëzve që e prekin kryeqytetin çdo ditë dhe e përshkojnë ate në këmbë, cep me cep.