Në vend të përcjelljes- Nje intervistë me aktivistin e shquar shqiptaro-amerika, Shaqir Gashin, që u nda nga jeta sot/
Kur Kongresisti Tom Lantos vizitoi Kosovën dhe Shqipërinë komuniste/
Bisedë me aktivistin Shaqir Gashi, i cili, ishte ndërmjetës i vizitës në Tiranë. Pritja e Nexhmije Hoxhës dhe dhuratat për kongresistin/
Nga Dalip Greca*
Shaqir Gashi, një ndër veprimtarët e hershëm të çështjes shqiptare në SHBA, zbardh vizitën e parë të kongresistit Tom Lantos në Kosovë e Shqipëri, kongresistit që punoi shumë për çështjen e Kosovës, por që nuk pati fat që ta gëzonte shpalljen e pavarësisë së saj së bashku me shqiptarët, që i ndjehen borxh.
Gashi tregon se është njohur me Tom Lantos-in në këto rrethana: Ishte viti 1987. Atëhere Shaqir Gashi sapo ishte njohur me kongresistin Joseph DioGuardn. Një ditë vjeshte të vitit 1987 kongresiti DioGuardi i telefonon Gashit dhe e pyet nëse ishte i gatshëm që të shkonte në një takim me një kongresist të njohur dhe me peshë në Kongres, i cili kishte shfaqur interes që të njihej me shqiptarët.
Gashi kujton se shkoi bashkë me tre shokë të tij nga Manhattan-i në Yonkers, ku bëhej takimi. Kongresisti nga California i kishte dëgjuar me vemëndje folësit shqiptarë. Gashi kujton se jo të gjithë shqiptarët ishin në një mendje në atë takim për zgjidhjen e çështjes që shqetësonin kombin. Njëri grupim, i kërkonte me këmbëngulje kongresistit që të bëhej diçka nga Amerika për Shqipërinë, e cila po kalonte kohë tepër të vështira nën regjimin komunist. Grupimi tjetër, ku bënte pjesë edhe Gashi, shfaqi urgjencë për çështjen e Kosovës. Ai kujton sot se i pat thënë kongresistit se Shqipëria vërtetë është e izoluar, ka varfëri e probleme të mëdha, por ajo është shtet i vetëvetes dhe ata paçin në qafë vetëveten, që nuk e shembin komunizmin. Problemi më emergjent është popullsia prej 2 milionë shqiptarësh në Kosvovë, ku shkelen të drejtat njerëzore. Kosova është e pushtuar dhe popullsia po kalon çaste tragjike.
Kongresisti kishte thënë se ky ishte problem që duhej ndjekur sepse ai kishte marrë të dhëna edhe nga Joseph DioGuardi.
Z. Lantos, duke folur për “Zërin e Amerikës”, pasi ka folur për problemet që shqetësonin shqiptarët, ka shtuar: ”Shiko se çfarë kushtesh të mrekullueshme ofron Amerika. Ajo e bën emigrantin nga asgjë në shumëkush. Ja z.Gashi ka ardhur në Amerikë e ka punuar si pjatarës ndërsa sot është pronar restorantesh dhe mendon që të t’i ndihmojë vendit nga ka ardhur. Kjo është Amerika e emigranëtve”.
Lantos shfaqi dëshirën që të vizitojë Tiranën
Po në takimin e Yonkers-it, kongresisti Lantos i është drejtuar Shaqir Gashit:- Ti e dashke Shqipërinë shumë.
-Po, ia kthen ai, e dua, si Shqipërinë ashtu dhe Kosovën.
-Mirë thotë, kam dëshirë që këmba ime të shkelë bulevardin e Tiranës.
– Më erdhi e papritur, kjo kërkesë dhe se si m’u duk, – tregon Shaqiri për “Illyria”-n.
Ai kujton se shokët që ishin aty i kanë thënë më pas se i kishte marrë ngjyrë dheu fytyra. Kongresisti e kishte lexuar shqetësimin në mënyrën e vet dhe i kishte thënë:
– Unë do të shkoj atje si mik, jo në mënyrë tjetër.
Shaqir Gashi kishte marrdhënie shumë të mira me Misionin Shqiptar në Kombet e Bashkuara, hynte dhe dilte atje. “Në mënyrën time, unë respektoja popullin dhe jo shtetin komunist. Dëshira e kongresistit m’u duk e natyrshme dhe mendova se nuk do të ishte e vështirë që të realizohej vizita e tij”.
E kishte menduar kështu pasi ai kishte vendosur ura komunikimi me Misionin, shkonte atje me aktivistë të tjerë në raste festash, u shfaqnin filma dhe aktivitete të tjera. Në këto kushte miqësie me Misionin e kishte menduar të lehtë vizitën e kongresistit dhe i kishte dhënë fjalën aty në takim se ai do ta realizonte vizitën e tij në Tiranë. The i jep fjalën: “Këmba juaj do të jetë e para nga Amerika që do të shkelë në Tiranë dhe uën do të filloj përgatitjet që sot”.
Që prej asaj dite Shaqir Gashi shkon në Mision dhe ua prezanton kërkesën e kongresistit Lantos.
Ata e përcollën me fjalë të mira:”Mirë shoku Gashi, patjetër shoku Gashi…” por koha kalonte dhe asgjë konkrete nga Misioni…Vetë ambasadori i atëhershëm, Bashkim Pitarka, i kishte thënë se ishin duke u marrë me atë problem, të mos mërzitej.
Organizimi i Lobi shqiptar
Ndërkohë faktori shqiptar filloi të organizohej. Ishte krijuar Liga Qytetare Shqiptaro – Amerikane, ku Shaqir Gashi ishte një ndër themeluesit e tij. Ai këmbëngul në mendimin e vet se Liga ka meritën e vet në organizmin e faktorit shqiptar dhe askush nuk mund t’i heq ato merita. Filluan takimet me politikanë amerikanë. Janë gjashtë vetë që e kanë themeluar atë që ai e quan lobi shqiptar. Ndër ta: Jim Xhema, Sami Repishti, Joe DioGuardi, Shaqir Gashi, Bruno Selimaj, Sejdi Bitiçi dhe Din Derti. Këta ishin themeluesit, ndërkaq më vonë u afruan të tjerë.
Vizita e Tom Lantos në Kosovë dhe Shqipëri
Shaqir Gashi ishte ndërmjetësi i vizitës që do të bëhej në Shqipëri. Tre vjet kohë, kujton ai, iu desh për ta realizuar vizitën e një personaliteti të lartë të politikës amerikane në Tiranë. David Philips punonte në zyrën e kongresistit Lantos. Z. Gashi i mbante lidhjet pikërish me të. Ai e informonte zyrën e kongresistit me anë të letërkëmbimit për çdo sinjal që i vinte nga Tirana përmes Misionit Shqiptar.
Më në fund i mbërrin një letër, që zyrtarisht pranonte vizitën, por që nuk ishte konceptuar si ftesë zyrtare.Letër-ftesa nuk merrte parasysh formatin e kongresistit, rangun e tij. Në të shkruhej ”Meqenëse e keni shprehur dëshirën tuaj për të vizituar Shqipërinë, urdhëroni dhe vizitojeni”!.
Gashi nuk i dha shumë rëndësi letrës, por gjithësesi e çoi tek z. Philips, i cili revoltuar me mënyrën e shkrimit dhe ishte shprehur se ajo nuk ishte ftesë zyrtare. “Kjo është një lojë. Nuk mund t’i bëhet një prej kongresistëve më të njohur të Amerikës një ftesë e tillë, sa për t’u tallur. Letra duhet të jetë e shkruar zyrtarisht dhe ftesa të jetë e përcaktuar qartë, ku të shprehet dhe dëshira për të bërë ndryshime e për të vendosur marrëdhënie me Amerikën”, kishte thënë Phillips.
Shaqir Gashi kujton se është ndjerë në një pozicion të vështirë. Kishte mbetur mes dy palëve pa e çuar në fund zotimin e vet që këmba e Lantosi-t të shkelte në bulevardin e Tiranës. Lajmëroi në Mision, por ambasadori Pitarka nuk po ndjehej më. Njoftoi në Tiranë ku kishte shkuar Rexhë Xhakli, për të parë nënën e vet pas 40 vjet shkeputje, por asgjë nuk ndryshoi. Pas pak kohe i sollën një letër tjetër, por dhe ajo ishte tamam si e para. Kësaj letre Gashi i bëri një modifikim dhe e dërgon me faks. E merr zyra e kongresistit dhe përgjigjet po me faks: E pranojmë ftesën. Së shpejti do të përcaktojmë datën e vizitës. Loja funksionoi.
U bë projekti, në fillim do të vizitohej Kosova, Mali i Zi e më pas do të shkohej në Shqipëri.
U nisën në fillim për në ish Jugosllavi për të parë shkeljen e të drejtave të shqiptarëve. Aso kohe Liga Qyetare Shqiptaro-Amerikane kishte radion e vet. Atë ditë që delegacioni i kongresistit i shoqëruar nga DioGuardi po qëndronin në Beograd, Shaqir Gashi po merrte në intervistë në Radion e Ligës, Mandelën Shqiptare, Adem Demaçin, i cili sapo kishte dalë nga burgu. Programin e udhëhiqte DioGuardi prej hotelit në Beograd, Shaqir Gashi ishte në New York, ndërsa Adem Demaçi në Prishtinë, dhe intervista bëhej treshe. Dioguradi tërheq vëmendjen me fjalën e tij tek lajmëron se ky emision ishte i veçantë se po bëhej mu në qendër të Beogradit dhe po i tërhiqej vëmendja Serbisë se po shkelte të drejtat e shqiptarëve dhe për këtë qëllim Tom Lantos kishte marrë vetë rrugën për t’i parë problemet vetë dhe do të shkonte në Kosovë e nga Kosova do të vizitonte Shqipërinë. Adem Demaçi nga Prishtina foli për shqiptarët e Amerikës. Ishte një emision tepër i veçantë, kujton Gashi, emocionues.
Nga New York-u në Tiranë
Shaqir Gashi kujton se para nisjes për në Tiranë, ku do të takohej me pjesën tjetër të delegacionit që do të vinte prej Kosove, takoi Bruno Selimajn, i cili kishte qenë para tij në vizita në Tiranë dhe e pyet nëse ishte e nevojshme që të merreshin viza për të shkuar në Tiranë. E këshillon që të konsultohet me Misionin Shqiptar. Gashi merr në telefon ambasadorin Bashkim Pitarka dhe e pyet se si duhej të vepronte për të vizituar Tiranën sepse do të ishte atje me Tom Lantos që ishte nisur nga Kosova.
Pitarka e këshillon: Z. Gashi ti nuk ke nevojë të shkosh në Tiranë! Të çojmë ne pas me një grup shqiptarësh, s’ke pse nxitohesh tani.
U ndje i mërzitur Gashi që ishte përgatitur për atë vizitë aq më shumë se i kishte dhënë fjalën kongresistit Lantos.
Ç’të bënte? I telefonon DioGuardit në Beograd, i cili ishte ende atje bashkë me Tom Lantos-in. Ia shpjegon rrethanat e reja dhe i kërkon ndjesë që s’mundi të mbante fjalën nga që nuk i dhanë vizë. Që andej DioGuardi i telefonon Tiranës. Siç e mëson më vonë, DioGuardi kishte folë me Ramiz Alinë. Tirana i telefon Misionit dhe e urdhëron që ta pajisin urgjentisht Gashin me vizë. Bashkohet me Bruno Selimajn dhe Din Dertin dhe nisen.Kur kanë shkuar në Zyrih janë takuar me Hysen Gërvallën, të vëllanë e Jusuf Gërvallës, i cili kur mëson për misionin e tyre drejt Tiranës, kërkon që t’i shoqërojë.
Kur puthën tokën e shtetit Amë
E kanë marrë me vete edhe Hysen Gërvallën dhe kanë vazhduar rrugën me linjën Zyrih-Tiranë. Kur kanë shkuar në Tiranë, Din Derti, që nuk e kishte parë Shqipërinë për shumë vite, ishte ulur në gjunj dhe i përlotur kishte puthur tokën.Të njëjtin veprim kishin bërë edhe të tjerët pas Dinit. Në Shqipëri i kanë pritur me madhështi. Shaqiri kujton se kishin sjellë dhjetë Mercedes të rinj të sapoblerë. Njëri Mercedes ishte i porositur për vetë z. Gashi, i cili kur e tregon tani qeshet për salltanetin me të cilin e priti Shqipëria komuniste. Njëri Mercedes ishte për Tom Lantos. Nga aeroporti i çuan në Hotel “Dajti” i cili aso kohe ishte më moderni dhe rezervohej enkas për të huajt.”Nuk më besohej se isha në Tiranë, dhe tërë natën kam qëndruar pa gjumë”, kujton Shaqiri.
Tom Lantosin e ksihin vendosur në vilën e Enver Hoxhës. Shaqiri kujton se për të parën herë pa vilat e qeveritarëve komunistë, ku po pushonte Tom Lantos me zonjën Anette dhe z. DioGuardi.
Vizitat vazhduan nëpër vendet historike e turistike; i çuan në Krujë, në Berat e vende të tjera.
Gashi kujton se një ndër shoqëruesit që ishte në benzin e zi, e kishte pyetur duke i treguar pamjen plot bunkera matanë xhamit të makinës: Ç’mendim keni për këta bunkerët tanë, ju shoku Gashi?
Nuk i ka dhënë përgjigje në fillim. Është menduar. Pas një heshtjeje disa sekondshe shoqëruesi ka pyet prapë: Thuaje të vërtetën ashtu siç e ndjen!
-Të vërtetën,e kam të lehtë ta them, ua kthen përgjigjen: T’kishit bërë më mirë këto rrugë, se qenkan gropa-gropa, ku mund të thyeke qafën, do të ishit më të fituar, ose së paku t’i kishit bërë shtëpi për popullin.
Provokimi në Universitetin e Tiranës
Tom Lantos u prit shumë mirë nga qeveritarët. Ramiz Alia i kishte dorëzuar ato ditë të vizitës edhe dosjen e dokumentave për shpëtimin e hebrenjëve në Shqipëri gjatë Holokaustit. Pas vizitave turistike nëpër kala e muze, ishte rezervuar një vizitë në Universitetin e Tiranës. Tom Lantos edhe në Universitet ishte pritur mirë, kujton Gashi. Ai qetësisht i përcillte të gjitha, edhe përdredhjet e Ramiz Alisë, edhe lëvdatat e profesorëve, edhe zotimet e disa studentëve që kishin zgjedhë ata për takim me kongresistin. Mirëpo dikur ngrihet një vajzë, që e fliste mirë anglishten dhe i thotë: ”Ka disa shenja që tregojnë se ne do t’i vendosim marrëdhëniet me Amerikën. Një ndër këto shenja është dhe vizita juaj këtu. Kam një lutje thotë ajo: Mos na tregoni lulen përpara dhe thikën pas shpine!”
Kishte rënë një heshtje e akullt. Kongresistit i kishte rënë një ngjyrë e kuqerremtë në fytyrë. U kuptua se u prek. “E pamë të gjithë që u prek. Dukej provokim i hapur”, thotë Gashi.
Kongresiti ishte kthyer nga studentja dhe i kishte thënë :”Dëgjo zonjushë, po i vendosëm marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Amerikës, ne nuk kemi punë me thika, nga ne keni vetëm lule, para dhe pas. Nëse vendosen marrëdhënet ne ju themi vetëm ecni përpara!”
Pas kësaj u bënë takime e vizita të tjera. I çuan nëpër shfaqje e koncerte.
Takimi me Nexhmije Hoxhën
Para se të iknin i ndanë në dy grupe. Njëri grup do të shkonte të takohej tek Ramiz Alia, tjetri do të pritej nga Nexhmije Hoxha. Grupin që do të shkonte tek Nexhmija e kryesonte Shaqir Gashi. Në këtë grup bënte pjesë edhe Bruno Selimaj me Rexhë Xhaklin, ndërsa Din Derti nuk qëlloi aty sepse kishte shkuar që të vizitonte njerëzit e vet, pasi nuk i kishte parë kurrë. Shaqir Gashi kujton se shkuan tek shtëpia e Nexhmije Hoxhës dhe nuk harron një fotoreporter të çuditshëm që e shkrepte pa pushim një tip aparati. Kanë shkuar në takime dhe fëmijët e Enverit: Sokoli, Iliri, Pranvera, nuset e djemëve. Mikpritje e madhe, thotë Gashi. Dukej se u kishte hyrë uji nën vete, por ne ende nuk e ndjenim, shprehet Gashi..
Nexhmija në bisedë e sipër u thotë se Enveri e ka dashur shumë Kosovën dhe kosovarët.
-Edhe kosovarët e kanë dashtë Enverin, – i ka kthyer Gashi. “Ne në Kosovë mund të hanim 60 ditë burg vetëm po të na kapnin duke dëgjuar një këngë nga Shqipëria. Ne kemi ardhë këtu nga Amerika që t’i nxisim sa më shpejt marrëdhëniet shqiptaro-amerikane sepse sa më shpejt të miqësohet Shqipëria me Amerikën, aq më lehtë do ta ketë Kosova. Shpejtësia e vendosjes së këtyre marrëdhënieve kanë të bëjnë edhe me Kosovën, që po i rëndohet rrethi serb pas qafe, – e kishte mbyllur fjalën e vet Gashi.
E veja e diktatorit prapë nuk kishte heqë dorë nga ideologjia komuniste. Kishte sjellë në vëmendjen se Shqipëria nga 1 milion para lufte ishte bërë 3 milionë nën udhëheqjen e shokut Enver. Kemi vendos marrdhënie me shumë miq, kishte thënë ajo, por ata na kthyen shpinën. Tani e kuptojmë se po vijnë kohë të tjera dhe rinia po kërkon që të lidhet me vendet e Perëndimit, natyrisht dhe me Amerikën. Ne nuk mund ta pengojmë…Pra, aludimi i saj ishte se nuk kishte rrugë tjetër.
Rexhë Xhakli, i ndërhyn dhe i thotë se ishte hapë fjala se asaj i kishin thyer këmbët, a është vërtetë kjo?
Ajo ia ktheu menjëherë: – Janë fjalë që përhapin për të ulur autoritetin tonë…
Shaqir Gashi kujton se i çuan për vizitë edhe në Durrës, tek Vila e Mbretit Zog.
Gashi kujton:”Kur hymë atje pamë një mrekulli. E gjithë udhëheqja komuniste ishte aty për të pritë kongresistin Lantos, madje edhe Ramiz Alia e Adil Çarçani, kryeministri. Askush nuk mungonte”.
Gashit i kujtohet një fragment bisede me Adil Çarçanin, i cili i thotë me mburrje: Kurrgjë nuk kemi prekë në këtë vilë të Mbretit!
-Po më vjen mirë se Zogu paska pas shije që e paska mobiluar kaq bukur që para 60 vitesh…
Dhuratat e çuditshme për kongresistin LANTOS
Vizitës, që ishte vlerësuar e suksesshme, i kishte ardhë fundi. Që atë ditë është konsideruar i shkrirë akulli mes dy shteteve dhe pas asaj vizite ka shkuar një ekip tjetër i madhj, në të cilin ka pasë edhe shumë shqiptaro-amerikanë, që kanë vendosur mardhëniet mes dy shteteve.
Gashit i kujtohet se dhurata që u kishin dhënë me vete ishin të cuditshme. Atë e kishin ngarkur bukur fort me një cantë me libra të Enver Hoxhës. – Mirë mua, thotë Gashi, por kongresistit se marr me mend pse i zgjodhën dy defa, tip dajresh dhe ia dhuruan.
Tregon Gashi: Kongresisti po i shikonte me habi dhe nuk po fliste, as poi merrte… Që të mos ofendohej kongresisti, sepse në fakt ato janë vegla muzikore kryesisht për evgjitët,që i aknë zanat, ia kishin mbledhur me ca gazeta, që dukeshin mos më keq.”
Gashit nuk i kishte ardhë mirë mirë për atë llojë dhurate, por ishte përpjekë që të krijonte një tjetër situataë. I kishte thënë kongresistit se ato ishin instrumente të lashta Ilire, që kanë shumë vlera historike sepse dëshmojnë kulturën e lashtë të kombit Ilir. Pasi e ka dëgjuar kongresisti këtë spjegim, me një qeshje të lehtë i është kthyer Gashit:Me që paskan aq shuëmë rëndësi dhe ju ia ditkeni vlerën, po du me t’i falë ty.
Shaqir Gashi këtë kishte pritë, që ato dhurata pa kuptim, t’ia hiqte nga duart kongresistit se po ndjehej i turpëruar.
- Njërin def e kam akoma në shtëpi, thotë Gashi..
Fotografitë: 1- Shaqir Gashi duke u inetrvistuar prej meje në redaksinë e Gazetës ILLYRIA
2- Shaqir Gashi,i pari djathtas, me kongresistët Tom Lantos, DioGuardi e veprimtarë të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane. Kortezi- Vehbi Bajrami:”Shqiptarët e Amerikës”-Illyria
Nju Jork, mars 2008(Kortezi:Botoi ILLYRIA, NEW YORK)