Forcat e Armatosura Shqiptare, pajisen me 6 autoblinda të reja, dhuratë nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA/
Më datën 5 shtator në Garnizonin e Zall-Herrit, u zhvillua ceremonia e marrjes në dorëzim të mjeteve të blinduara, dhuratë nga Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Forcat tona të Armatosura morën në dorëzim 6 mjetet e para të blinduara, dhuruar nga qeveria e SHBA-së, me vlerë 300 mijë dollarë. Paketa përfshin në total 248 mjete të blinduara, me vlerë 12 milionë dollarë, ku vëndi ynë do të paguajë vetëm shpenzimet për transportin dhe mirëmbajtjen. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm Ministrja e Mbrojtjes në largim, znj.Mimi Kodheli, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, Gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, Ambasadori i SHBA në vendin tonë Shkëlqesia e tij, Z.Donald Lu, Komandanti i Forcës Tokësore, Gjeneral brigade Nazmi Cahani, Atasheu ushtarak i SHBA dhe përfaqsuesi i ODS,{Zyra amerikanë në MM}, Komandantë Forcash dhe repartesh të FA, Drejtorë Drejtorish në MM dhe SHP, etj. Fillimisht Ministre e Mbrojtjes znj.Mimi Kodheli, falenderoi dhe shprehu mirënjohje të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke theksuar se, “Historia e marrëdhënieve tona është e shtrirë përgjatë gjithë reformave të FARSH. Këto mjete janë pjesë e paketës së mjeteve të blinduara, projekt që ne e nisëm që në vitin 2015. Kjo paketë, përkthehet në më shumë angazhime të përbashkëta dhe në fund të fundit, në më shumë siguri”. Në vijim zonja Kodheli vlerësoi paketën e mjeteve të blinduara, me të cilat do të pajiset batalioni i 2-të i Këmbësorisë së Forcës Tokësore, si jashtëzakonisht të rëndësishme në kuadrin e modernizimit dhe rritjes së kapaciteteve operacionale, të këtij reparti prioritar të FARSH. “Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë qeverinë amerikane dhe taksapaguesit amerikanë, Zyrën e bashkëpunimit amerikan pranë Ministrisë së Mbrojtjes, {ODS}, për mbështetjen e tyre të pakufishme, duke i siguruar se kjo mbështetje do të përligjet nga ana jonë”, nënvizoi Kodheli. Kjo ndihmë vjen absolutisht në kohën e duhur, në momentin kur Batalioni i Dytë i Këmbësorisë po rrit ndjeshëm angazhimet në kuadër të Aleancës dhe kjo do të ndikojë cilësisht në përmbushjen e detyrimeve, objektivave e kapaciteteve”, tha Kodheli. Në fund, Ajo falenderoi Ambasadorin Donald Lu, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e jashtëzakonshëm që ka pasur me Ministrinë e Mbrojtjes, gjatë periudhës që Ajo drejtoi këtë dikaster të rëndësishëm. Ndërkohë Ambasadori amerikan Donald Lu, në përshëndetjen e tij, theksoi rolin e Shqipërisë si një aleat i veçantë i Shteteve të Bashkuara dhe përmendi avantazhet që përfaqësojnë këto mjete. Zoti Lu evidentoi disa nga të dhënat tekniko- taktike, që zotërojnë këto mjete duke theksuar se, Shqipëria tashmë bëhet një nga katër aleatët e SHBA në Evropë, që ka në zotërim këto lloj mjetesh të blinduara. Mjetet e blinduara janë të pajisura me sistem të mbajtjes së armëve mitraloz të rëndë, mitraloz të lehtë si dhe granatëhedhës. Sqipëria është vendi më i vogël, por më entuziasti i NATO-s.
Me këto mjete, ju nuk do të jeni vetëm më entuziastët, por edhe më të shpejtë”, tha LU. Gjithashtu zoti LU u shpreh se, “Kjo aftësi e re do të jetë një hap vendimtar që FA të Shqipërisë të arrijnë objektivin parësor të NATO-s, që të kenë një grup këmbësorie të modernizuar plotësisht operacional dhe autonom deri në 2019”. Në mbyllje të përshëndetjes së tij, Ambasadori i SHBA në vendin tonë z. Donald Lu, ka përgëzuar Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçakun për caktimin në detyrën e tij të re si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, si dhe falenderoi Ministren e Mbrojtjes në largim, Znj.Mimi Kodheli për bashkëpunimin e frutshëm gjatë këtyre viteve që ajo drejtoi Ministrinë e Mbrojtjes.
Shënim: gazeta “Dielli” e ka pasqyruar këtë projekt të rëndësishëm për Ushtrinë shqiptare që në fillimet e tij.